Videoja më lart jua tregon datat kalendarike në të cilat agjërimi është i mundur dhe datat në të cilat agjërimi nuk është i mundur për të gjitha gjerësitë gjeografike, njëra pas tjetrës. Agjërimi nuk është i mundur në disa Rajone Ekstreme Veriore dhe Ekstreme Jugore, gjë që ndodh vetëm në kohë të caktuara të vitit në vende mbi 49 gradë gjerësi gjeografike, për shkak të mungesës së fillimit të agimit astronomik apo mungesës së perëndimit të diellit. Edhe perëndimi i diellit edhe fillimi i agimit astronomik janë të domosdoshëm për agjërim, sepse agjërimi fillon në fillim të agimit astronomik dhe përfundon në perëndim të diellit. Dhe kur njëri prej tyre mungon, agjërimi nuk është i mundur.
Udhëzime për çka të bëjmë në këtë situatë i gjejmë në Kuran. Thotë:
“…ata prej jush që e dëshmojnë muajin e Ramazanit do të agjërojnë në të, dhe ata që janë të sëmurë apo NË SHKËLQIM (safar), do të agjërojnë të njëjtin numër ditësh të tjera…” (2:185).
Fjala “shkëlqim (safar)” përdoret edhe në strofa të tjera, ku u referohet “fytyrave të ndritura” (80:38), dhe në strofën 74:34 ku i referohet “shkëlqimit të agimit”. Me fjalë të tjera, situatat kur nata është e ndritshme, kur nuk errësohet plotësisht, apo muzg i vazhdueshëm (74:34), apo siç i quajnë nordikët “netët e bardha”.
Përkufizimi i saktë astronomik i kësaj është “netët në të cilat dielli nuk shkon më shumë se 18° nën horizont.”
Pra, kur vjen Ramazani dhe nuk është e mundur të agjërohet (për shkak të safarit – shkëlqimit të agimit), atëherë thjesht nuk mund të agjërojmë. Ato ditë të humbura i kompensojmë pas Ramazanit, në kohën më të hershme të mundshme të vitit, kur agjërimi bëhet sërish i mundur.
Meqë ra fjala, të gjitha llojet e agjërimit janë të pranueshme për Zotin, edhe nëse thjesht po mbani dietë, po humbni peshë, por këtu po flas për agjërimin si i Muhamedit dhe i Ibrahimit, formën e përsosur të agjërimit të detyrueshëm. Pra, në kohë të caktuara të vitit në veriun dhe jugun ekstrem, nuk do të jeni në gjendje të agjëroni si Ibrahimi dhe Muhamedi. Nuk po them “Mos e bëni.” Po them “Nuk është e mundur ta bëni”, dhe Zoti na urdhëron ta bëjmë siç duhet, edhe nëse duhet të jetë jashtë muajit të Ramazanit (2:184-185, 187).
Kurani na udhëzon që agjërimi të bëhet nga fillimi i agimit (kur dielli është 18° nën horizont), deri në perëndim të diellit. (2:187).
Një situatë tjetër e rrallë, që ndodh vetëm në rrathët polarë, është kur mungon edhe perëndimi i diellit. Në ato raste të rralla, nuk keni nevojë as ta kompensoni agjërimin, sepse ato nuk janë ditë të plota. Nuk mund të kesh ditë kuranore pa perëndim të diellit. Këto data i tregoj me të kuqe të errët në kalendar.
Kurani na informon se agjërimi është i detyrueshëm vetëm në ditë specifike që janë përgatitur posaçërisht për agjërim (2:184).
Thotë: “Ditë të përgatitura (janë të caktuara për agjërim)…” (2:184)
Vetëm për ta bërë të qartë pikën, më lejoni t’ju informoj se shtyllat e Nënshtrimit apo Islamit apo ritet fetare përfshijnë Lutjet e Kontaktit, Bamirësinë e Obligueshme, Haxhin dhe Agjërimin. Ramazanin si shtyllë të nënshtrimit nuk e gjejmë askund në Kuran. Por agjërimi është i detyrueshëm për besimtarët (2:183). Është i detyrueshëm gjatë Ramazanit kur është e mundur të agjërohet gjatë Ramazanit, dhe është i detyrueshëm jashtë Ramazanit kur është e mundur të agjërohet vetëm jashtë Ramazanit (2:185).
Meqë ra fjala, edhe profetët e mëparshëm agjëruan (2:183), por jo domosdoshmërisht gjatë Ramazanit. Ramazani u bë muaj i detyrueshëm agjërimi vetëm kur u shpall Kurani (2:185), që besimtarët të organizohen më lehtë (2:185) (p.sh. përgatitja e ushqimit së bashku, marrëdhënie më të lehta bashkëshortore; dua të them, mund të jetë frustruese për një bashkëshort të mos e dijë kur bashkëshorti tjetër po agjëron dhe është i paarritshëm). Pra, Ramazani është një orar për ta ndihmuar koordinimin më të lehtë të agjërimit mes njerëzve (2:185). Megjithatë, është agjërimi ai që të afron me Zotin (2:183, 33:35), jo Ramazani. Pra, për sa kohë që agjëroni rreth tridhjetë ditë në vit (brenda apo jashtë Ramazanit), po e përmbushni njërën nga shtyllat kryesore të nënshtrimit ndaj Zotit: Agjërimin.