[search-in-place-form in_current_page="1"]

Një nga mrekullitë e mëdha [74:35]

Përmbledhje:

Bazuar në Shtojcën 1 të Përkthimit të Autorizuar Anglisht të Kuranit nga Rashad Khalifa, ky predikim e paraqet mrekullinë matematikore të Kuranit të bazuar në numrin 19, të quajtur njëra nga mrekullitë e mëdha në strofën 74:35, duke e përfshirë përbërjen e tij letrare dhe numërimet e inicialeve kuranore si Q, N, S, Y.S., H.M. dhe ‘A.S.Q.

Lavdi Zotit! Nuk ka zot tjetër përveç Zotit.

Kurani karakterizohet nga një fenomen unik që nuk gjendet kurrë në ndonjë libër të shkruar nga njeriu. Çdo element i Kuranit është i përbërë matematikisht – suret, strofat, fjalët, numri i shkronjave të caktuara, numri i fjalëve nga e njëjta rrënjë, numri dhe larmia e emrave hyjnorë, drejtshkrimi unik i fjalëve të caktuara, mungesa apo ndryshimi i qëllimshëm i shkronjave të caktuara brenda fjalëve të caktuara, dhe shumë elemente të tjera të Kuranit përveç përmbajtjes së tij. Ka dy aspekte kryesore të sistemit matematikor të Kuranit: (1) Përbërja letrare matematikore, dhe (2) Struktura matematikore që përfshin numrat e sureve dhe të strofave. Për shkak të këtij kodimi matematikor gjithëpërfshirës, shtrembërimi më i vogël i tekstit të Kuranit apo i rregullimit të tij fizik ekspozohet menjëherë.

E thjeshtë për t’u kuptuar

E pamundur për t’u imituar

Për herë të parë në histori kemi një shkrim me dëshmi të integruar të autorësisë hyjnore – një përbërje matematikore mbinjerëzore.

Për shembull, ndodhja e përgjithshme e fjalës “Zot” në Kuran është 2698, apo 19×142. Shuma e përgjithshme e numrave të strofave për të gjitha strofat që e përmbajnë fjalën “Zot” është 118123, gjithashtu shumëfish i 19-ës (118123 = 19×6217).

Nëntëmbëdhjeta është emëruesi i përbashkët në tërë sistemin matematikor të Kuranit.

Vetëm ky fenomen mjafton si dëshmi e pakundërshtueshme se Kurani është mesazhi i Zotit për botën. Asnjë qenie njerëzore nuk mund t’i kishte ndjekur 2698 ndodhjet e fjalës “Zot” dhe numrat e strofave ku ato ndodhin. Kjo është veçanërisht e pamundur duke pasur parasysh (1) epokën e injorancës gjatë së cilës u shpall Kurani, dhe (2) faktin që suret dhe strofat ishin shumë të ndara në kohë dhe vend të shpalljes. Renditja kronologjike e shpalljes ishte krejtësisht ndryshe nga formati përfundimtar. Megjithatë, sistemi matematikor i Kuranit nuk kufizohet te fjala “Zot”; ai është jashtëzakonisht i gjerë, jashtëzakonisht i ndërlikuar dhe plotësisht gjithëpërfshirës.

Faktet e thjeshta

Ashtu si vetë Kurani, kodimi matematikor i Kuranit shtrihet nga shumë i thjeshti deri te shumë i ndërlikuari. Faktet e Thjeshta janë ato vëzhgime që mund të vërtetohen pa përdorur asnjë mjet. Faktet e ndërlikuara kërkojnë ndihmën e një kalkulatori apo kompjuteri. Faktet në vijim nuk kërkojnë asnjë mjet për t’u verifikuar, por ju lutemi mbani mend se të gjitha i referohen tekstit origjinal arab:

  1. Strofa e parë (1:1), e njohur si “Besmele”, përbëhet nga 19 shkronja. Fjalët përbërëse të saj ndodhin në Kuran vazhdimisht në shumëfisha të 19-ës.
  2. Fjala e parë, “Ism” (Emër), ndodh 19 herë.
  3. Fjala e dytë, “Allah” (Zot), ndodh 2698 herë (19×142)
  4. Fjala e tretë, “Er-Rahman” (i Gjithëhirshmi), ndodh 57 herë, 19×3
  5. Fjala e katërt, “Er-Rahim” (Mëshirëploti), ndodh 114 herë, 19×6.
  6. Kurani përbëhet nga 114 sure, që është 19 x 6.
  7. Numri i përgjithshëm i strofave në Kuran është 6346, apo 19 x 334. [6234 strofa të numëruara & 112 strofa të panumëruara (Besmele) 6234 + 112 = 6346] Vini re se 6 + 3 + 4 + 6 = 19.
  8. Besmeleja ndodh 114 herë, pavarësisht mungesës së saj të dukshme nga Sureja 9 (ndodh dy herë në Suren 27) & 114 = 19 x 6.
  9. Nga Besmeleja që mungon e Sures 9 deri te Besmeleja shtesë e Sures 27, janë saktësisht 19 sure.
  10. Rrjedhimisht, shuma e numrave të sureve nga 9 deri në 27 (9 +10 +11 +12 +… + 26 + 27) është 342, apo 19 x 18.
  11. Kjo shumë (342) është gjithashtu e barabartë me numrin e fjalëve mes dy Besmeleve të Sures 27, dhe 342 = 19 x 18.
  12. Shpallja e famshme e parë (96:1-5) përbëhet nga 19 fjalë.
  13. Kjo shpallje e parë me 19 fjalë përbëhet nga 76 shkronja, 19 x 4.
  14. Sureja 96, e para në renditjen kronologjike, përbëhet nga 19 strofa.
  15. Kjo sure e parë kronologjike vendoset mbi 19 suret e fundit.
  16. Sureja 96 përbëhet nga 304 shkronja arabe, dhe 304 është e barabartë me 19 x 16.
  17. Shpallja e fundit (Sureja 110) përbëhet nga 19 fjalë.
  18. Strofa e parë e shpalljes së fundit (110:1) përbëhet nga 19 shkronja.
  19. 14 shkronja të ndryshme arabe formojnë 14 grupe të ndryshme “Inicialesh Kuranore” (si A.L.M. e 2:1), dhe u paraprijnë 29 sureve. Këta numra mblidhen në 14 + 14 + 29 = 57 = 19 x 3.
  20. Shuma e 29 numrave të sureve ku ndodhin Inicialet Kuranore është 2 + 3 + 7 +… + 50 + 68 = 822, dhe 822 + 14 (14 grupe inicialesh) është e barabartë me 836, apo 19 x 44.
  21. Mes sures së parë me iniciale (Sureja 2) dhe sures së fundit me iniciale (Sureja 68) ka 38 sure pa iniciale. 19 x 2.
  22. Mes sures së parë dhe të fundit me iniciale ka 19 grupe të alternuara suresh “me iniciale” dhe “pa iniciale”.
  23. Kurani përmend 30 numra të ndryshëm: 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11, 12, 19, 20, 30, 40, 50, 60, 70, 80, 99, 100, 200, 300, 1000, 2000, 3000, 5000, 50,000, & 100,000. Shuma e këtyre numrave është 162146, që është e barabartë me 19×8534.

Kjo është një përmbledhje e ngjeshur e Fakteve të Thjeshta.

Përbërja letrare matematikore

Kurani karakterizohet nga një fenomen unik që nuk gjendet kurrë në asnjë libër tjetër; 29 sureve u paraprijnë 14 grupe të ndryshme “Inicialesh Kuranore”, që përbëhen nga një deri në pesë shkronja për grup. Tabela më poshtë i tregon Inicialet Kuranore dhe suret e tyre:

Pra, katërmbëdhjetë shkronja, gjysma e alfabetit arab, marrin pjesë në këto iniciale. Rëndësia e inicialeve kuranore mbeti një fshehtësi e ruajtur hyjnisht për 14 shekuj. Kurani thotë në 10:20 dhe 25:4-6 se mrekullia e tij, d.m.th. dëshmia e autorësisë hyjnore, ishte e paracaktuar të mbetej e fshehtë për një periudhë të ndërmjetme të caktuar paraprakisht:

Strofa 10:20 thotë: “Ata thanë: ‘Pse nuk i ka zbritur atij një mrekulli nga Zoti i tij?’ Thuaj: ‘Vetëm Zoti e di të ardhmen. Prandaj, prisni, dhe unë do të pres bashkë me ju.’”

Dhe strofa 25:4-6 thotë: “Ata që nuk besuan thanë: ‘Kjo nuk është gjë tjetër veçse një trillim i tij, me ndihmën e njerëzve të tjerë.’ Me të vërtetë, ata shqiptuan një blasfemi; një gënjeshtër. Të tjerë thanë: ‘Përralla nga e kaluara që ai i shkroi; i diktoheshin ditë e natë.’ Thuaj: ‘Kjo u zbrit nga Ai që e di ‘fshehtësinë’ në qiej dhe në tokë.’ Me siguri, Ai është Falës, Mëshirëplotë.”

Sfondi historik

Në vitin 1968, Rashad Khalifa e kuptoi se përkthimet ekzistuese anglisht të Kuranit nuk e paraqisnin mesazhin e vërtetë të Testamentit Përfundimtar të Zotit. Për shembull, dy përkthyesit më të njohur, Jusuf Aliu dhe Marmaduke Pickthall, nuk mundën t’i kapërcenin traditat e tyre fetare të korruptuara kur erdhi puna te kriteri i madh i Kuranit në 39:45, i cili thotë:

“Kur përmendet VETËM Zoti, zemrat e atyre që nuk besojnë në Botën Tjetër tkurren me neveri. Por kur përmenden të tjerë përveç Tij, ata gëzohen.”

Jusuf Aliu e hoqi fjalën vendimtare “VETËM” nga përkthimi i tij, dhe e ndryshoi pjesën tjetër të strofës duke e futur fjalën “(zota)”. Kështu, ai e shkatërroi plotësisht këtë kriter më të rëndësishëm kuranor. Ai e përktheu 39:45 si vijon:

“Kur përmendet Zoti, i Vetmi dhe i Vetëm, zemrat e atyre që nuk besojnë në Botën Tjetër mbushen me neveri dhe tmerr; por kur përmenden (zota) të tjerë përveç Tij, ja, ata mbushen me gëzim.”

Shprehja “Kur përmendet Zoti, i Vetmi dhe i Vetëm” nuk është e njëjtë me të thënit “Kur përmendet vetëm Zoti.” Dikush mund ta përmendë “Zotin, të Vetmin dhe të Vetëm”, dhe të përmendë edhe Muhamedin apo Isain, dhe askush nuk do të mërzitet. Por nëse “përmendet VETËM Zoti”, nuk mund ta përmendni askënd tjetër, dhe shumë njerëz – ata që e idhullojnë Muhamedin apo Isain – do të mërziten. Kështu, Jusuf Aliu nuk mundi ta paraqiste të vërtetën e Kuranit, nëse ajo e ekspozonte besimin e tij të korruptuar.

Marmaduke Pickthall e përktheu saktë “VETËM”, por e shkatërroi kriterin duke e futur besimin e tij personal në kllapa; ai e përktheu 39:45 si vijon:

“Dhe kur përmendet vetëm Allahu, zemrat e atyre që nuk besojnë në Botën Tjetër zmbrapsen, dhe kur përmenden ata (që i adhurojnë) përveç Tij, ja! ata gëzohen.

Pra, kur Rashad Khalifa e pa të vërtetën e fjalës së Zotit të shtrembëruar në atë mënyrë, vendosi ta përkthente Kuranin, të paktën për të mirën e fëmijëve të tij. Meqë ishte kimist me profesion, dhe pavarësisht prejardhjes së tij të gjerë fetare – babai i tij ishte një udhëheqës i njohur sufi në Egjipt – ai, Rashadi, iu zotua Zotit se nuk do të kalonte nga një strofë te tjetra pa e kuptuar.

Ai i bleu të gjithë librat e disponueshëm të përkthimeve dhe komenteve kuranore (Tefsir) që mundi t’i gjente, i vendosi në një tryezë të madhe dhe e filloi përkthimin e tij. Sureja e parë, Çelësi, u përfundua brenda pak ditësh. Strofa e parë në Suren 2 është “A.L.M.” Përkthimi i kësaj strofe zgjati katër vjet, dhe përkoi me zbulimin hyjnor të “fshehtësisë”, Mrekullisë së madhe matematikore të Kuranit.

Librat e komenteve kuranore pajtoheshin njëzëri se “askush nuk e di kuptimin apo rëndësinë e Inicialeve Kuranore A.L.M., apo të çfarëdo inicialesh të tjera.” Kështu, Rashad Khalifa vendosi ta shkruante Kuranin në kompjuter, ta analizonte tërë tekstin dhe të shihte nëse kishte ndonjë ndërlidhje matematikore mes këtyre inicialeve kuranore.

Për ta testuar hipotezën e tij, ai vendosi t’i shikonte Inicialet Kuranore me një shkronjë – “Q” (Kaf) e Sureve 42 dhe 50, “S” (Sad) e Sureve 7, 19 dhe 38, dhe “N” (Nun) e Sures 68. Siç përshkruhet në detaje në librin e tij të parë MIRACLE OF THE QURAN: SIGNIFICANCE OF THE MYSTERIOUS ALPHABETS (Mrekullia e Kuranit: Rëndësia e alfabeteve misterioze) (Islamic Productions, 1973), shumë përpjekje të mëparshme për ta zbërthyer misterin kishin dështuar.

Iniciali kuranor “Q” (Kaf)

Të dhënat e kompjuterit treguan se teksti i të vetmeve sure me inicialin Q, 42 dhe 50, përmbante të njëjtin numër Q-sh, 57 dhe 57. Ky ishte sinjali i parë se në Kuran mund të ekzistonte një sistem matematikor i qëllimshëm.

Sureja 50 titullohet “Q”, i paraprin “Q”, dhe strofa e parë thotë: “Q, dhe Kurani i lavdishëm.” Kjo tregonte se “Q” qëndron për “Kuran”, dhe numri i përgjithshëm i Q-ve në dy suret me inicialin Q i përfaqëson 114 suret e Kuranit (57 + 57 = 114 = 19×6). Kjo ide u përforcua nga fakti që “Kurani” ndodh në Kuran 57 herë.

Kurani përshkruhet në Suren “Q” si “Mexhid” (i lavdishëm), dhe fjala arabe “Mexhid” ka vlerë gematrike 57: M (40) + XH (3) + I (10) + D (4) = 57.

Sureja 42 përbëhet nga 53 strofa, dhe 42 + 53 = 95 = 19×5.

Sureja 50 përbëhet nga 45 strofa, dhe 50 + 45 = 95, e njëjta shumë si në Suren 42.

Duke e numëruar shkronjën “Q” në çdo “Strofë 19” në tërë Kuranin, numri i përgjithshëm del 76, 19×4.

Kështu, filluan të shfaqen shenjat e para të përbërjes matematikore të Kuranit. Për shembull, u vu re se njerëzit që nuk i besuan Lutit përmenden në 50:13 dhe ndodhin në Kuran 13 herë – 7:80; 11:70, 74, 89; 21:74; 22:43; 26:160; 27:54, 56; 29:28; 38:13; 50:13; dhe 54:33. Vazhdimisht, ata quhen

“Kaum”, me përjashtimin e vetëm të Sures 50 me inicialin Q, ku quhen “Ihuan”. Qartazi, sikur të ishte përdorur fjala e zakonshme “Kaum” që e përmban Q-në, numri i shkronjës “Q” në Suren 50 do të bëhej 58, dhe i gjithë ky fenomen do të zhdukej. Me saktësinë absolute të njohur të matematikës, ndryshimi i një shkronje të vetme e shkatërron sistemin.

NuN (Nun)

Ky inicial është unik; ndodh në një sure, 68, dhe emri i shkronjës shkruhet me tri shkronja – Nun Vav Nun – në tekstin origjinal, dhe prandaj numërohet si dy N. Numri i përgjithshëm i kësaj shkronje në suren me inicialin N është 133, 19×7.

Fakti që “N” është Iniciali Kuranor i fundit nxjerr në pah disa vëzhgime të veçanta. Për shembull, numri i strofave nga Iniciali Kuranor i parë (A.L.M. e 2:1) deri te iniciali i fundit (N. e 68:1) është 5263, apo 19×277.

Fjala “Zot” (Allah) ndodh 2641 (19×139) herë mes inicialit të parë dhe inicialit të fundit. Meqë ndodhja e përgjithshme e fjalës “Zot” është 2698, rrjedh se ndodhja e saj jashtë inicialeve “A.L.M.” të 2:1 në njërën anë, dhe inicialit “N” të 68:1 në anën tjetër, është 57, 19×3.

S (Sad)

Ky inicial u paraprin tri sureve, 7, 19 dhe 38, dhe ndodhja e përgjithshme e shkronjës “S” (Sad) në këto tri sure është 152, 19×8. Shihni tabelën më poshtë:

Është për t’u vënë re se në 7:69, fjala “Bastatan” shkruhet në disa botime me “Sad” në vend të “Sin”. Ky është një shtrembërim i gabuar që e shkel kodin e Kuranit. Duke e shikuar kopjen më të vjetër të disponueshme të Kuranit, Kopjen e Tashkentit, u gjet se fjala “Bastatan” shkruhet saktë me “Sin” (shihni fotokopjen më poshtë).

Shënim historik

Zbulimi i jashtëzakonshëm se “19” është emëruesi i përbashkët i Kuranit u bë realitet në janar 1974, që nga shpallja e Kuranit është 1406 vite hënore, apo 19×74. Kjo është veçanërisht e çuditshme duke pasur parasysh faktin që “19” përmendet në Suren 74.

Y.S. (Ja Sin)

Këto dy shkronja i paraprijnë Sures 36. Shkronja “Y” ndodh në këtë sure 237 herë, ndërsa shkronja “S” (Sin) ndodh 48 herë. Shuma e të dy shkronjave është 285, 19×15.

Është për t’u vënë re se shkronja “Y” shkruhet në Kuran në dy forma; njëra është e dukshme dhe tjetra është e fshehtë. Forma e fshehtë e shkronjës mund të jetë ngatërruese për ata që nuk janë plotësisht të njohur me gjuhën arabe. Një shembull i mirë është fjala “Araani” që përmendet dy herë në 12:36. Shkronja “Y” përdoret dy herë në këtë fjalë, “Y”-ja e parë është e fshehtë dhe e dyta është e dukshme. Sureja 36 nuk përmban asnjë “Y” të llojit të fshehtë. Ky është një fenomen i jashtëzakonshëm, dhe një që normalisht nuk ndodh në një sure të gjatë si Sureja 36.

H.M. (Ha Mim)

Shtatë sureve u paraprijnë shkronjat “H” dhe “M”, Sureve 40 deri në 46. Ndodhja e përgjithshme e këtyre dy shkronjave në shtatë suret me inicialet H.M. është 2147, apo 19×113. Shihni tabelën më poshtë:

Natyrisht, ndryshimi i një shkronje të vetme “H” apo “M” në cilëndo nga shtatë suret me inicialet H.M. do ta kishte shkatërruar këtë fenomen të ndërlikuar.

‘A.S.Q. (‘Ajn Sin Kaf)

Këto iniciale e përbëjnë Strofën 2 të Sures 42, dhe ndodhja e përgjithshme e këtyre shkronjave në këtë sure është 209, apo 19×11. Shkronja “ ‘A” (‘Ajn) ndodh 98 herë, shkronja “S” (Sin) ndodh 54 herë, dhe shkronja “Q” (Kaf) ndodh 57 herë.

A.L.M. (Elif Lam Mim)

Shkronjat “A”, “L” dhe “M” janë shkronjat më të përdorura në gjuhën arabe, dhe në të njëjtën renditje siç e shohim në Inicialet Kuranore – “A”, pastaj “L”, pastaj “M”. Këto shkronja u paraprijnë gjashtë sureve – 2, 3, 29, 30, 31 dhe 32 – dhe ndodhja e tyre e përgjithshme është shumëfish i 19-ës. Më poshtë është ndodhja e atyre shkronjave e numëruar nga Rashad Khalifa:

A.L.R. (Elif Lam Ra)

Inicialet A.L.R gjenden në Suret 10, 11, 12, 14 dhe 15, dhe sërish janë shumëfish i 19-ës kur i mbledhim në të gjitha suret e tyre përkatëse së bashku. Këtu është ndodhja e atyre shkronjave e numëruar nga Rashad Khalifa:

A.L.M.R. (Elif Lam Mim Ra)

Këto iniciale i paraprijnë një sureje, Nr. 13, dhe shpeshtësia e përgjithshme e ndodhjes së katër shkronjave është 1482, apo 19×78. Shkronja “A” ndodh 605 herë, “L” ndodh 480 herë, “M” ndodh 260 herë dhe “R” ndodh 137 herë.

A.L.M.S. (Elif Lam Mim Sad)

Vetëm një sureje i paraprijnë këto iniciale, Sures 7, dhe shkronja “A” ndodh në këtë sure 2529 herë, “L” ndodh 1530 herë, “M” ndodh 1164 herë, dhe “S” (Sad) ndodh 97 herë. Kështu, ndodhja e përgjithshme e katër shkronjave në këtë sure është 2529 + 1530 + 1164 + 97 = 5320 = 19×280.

Një vëzhgim i rëndësishëm këtu është marrëdhënia ndërthurëse që e përfshin shkronjën “S” (Sad). Ky inicial ndodh edhe në Suret 19 dhe 38. Ndërsa i plotëson shkronjat e saj motra në Suren 7 për të dhënë një shumë që pjesëtohet me 19, shpeshtësia e kësaj shkronje i plotëson edhe shkronjat e saj motra në Suret 19 dhe 38 për të dhënë një shumëfish të 19-ës.

Përveç kësaj, Iniciali Kuranor “S” (Sad) ndërvepron me Inicialet Kuranore “K.H.Y. ‘A.” (Kaf Ha Ja ‘Ajn) në Suren 19 për të dhënë një shumë tjetër që është gjithashtu shumëfish i 19-ës. Kjo marrëdhënie ndërthurëse – e cila nuk është unike vetëm për inicialin “S” (Sad) – kontribuon në ndërlikimin e kodit numerik të Kuranit.

K.H.Y.‘A.S. (Kaf Ha Ja ‘Ajn Sad)

Ky është grupi më i gjatë i inicialeve, i përbërë nga pesë shkronja, dhe ndodh në një sure, Suren 19. Shkronja “K” në Suren 19 ndodh 137 herë, “H” ndodh 175 herë, “Y” ndodh 343 herë, “ ‘A” ndodh 117 herë, dhe “S” (Sad) ndodh 26 herë. Kështu, ndodhja e përgjithshme e pesë shkronjave është 798, që është 19×42.

T.H. (Ta Ha), T.S. (Ta Sin), T.S.M. (Ta Sin Mim)

Një marrëdhënie e ndërlikuar ndërthurëse i lidh këto Iniciale Kuranore që mbivendosen, për të prodhuar një shumë që është gjithashtu shumëfish i 19-ës. Iniciali “H.” gjendet në Suret 19 dhe 20. Inicialet “T.H.” i paraprijnë Sures 20. Inicialet “T.S.” gjenden në Suren 27, ndërsa inicialet “T.S.M.” u paraprijnë sureve përreth saj, 26 & 28. Shpeshtësitë e ndodhjes së këtyre inicialeve gjenden në tabelën më poshtë:

Këto janë të vetmet grupe inicialesh që kombinohen në numërim për të prodhuar një shumëfish të 19-ës. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk jep shumëfisha të 19-ës veçmas. Gati 50 vjet më vonë, Alban Fejza ishte i paracaktuar ta zbulonte dhe ta shpjegonte pse këto tri grupe inicialesh (T.H., T.S., T.S.M.) janë të vetmet iniciale që nuk duhet të japin shumëfisha të 19-ës kur numërohen veçmas, gjë që jepet në shqyrtimin shpjegues të Alban Fejzës për Mrekullinë Matematikore të Kuranit.

Çka është “Vlera gematrike”?

Kur u shpall Kurani, 14 shekuj më parë, numrat që njihen sot nuk ekzistonin. Përdorej një sistem universal ku shkronjat e alfabeteve arab, hebraik, aramaik dhe grek përdoreshin si numra. Numri që i caktohet secilës shkronjë është “Vlera e saj gematrike”. Vlerat numerike të alfabetit arab tregohen në tabelën më poshtë:

Veti të tjera matematikore të sureve me iniciale

Katërmbëdhjetë shkronja arabe, gjysma e alfabetit arab, marrin pjesë në formimin e 14 grupeve të ndryshme të Inicialeve Kuranore. Duke e mbledhur vlerën gematrike të secilës prej këtyre shkronjave, plus numrin e sureve që u paraprijnë Iniciale Kuranore (29), marrim një shumë prej 722, apo 19x19x2. Përveç kësaj, nëse e mbledhim vlerën e përgjithshme gematrike të të 14 inicialeve, plus numrin e sures së parë ku ndodh iniciali, marrim një shumë të përgjithshme prej 988, 19×52. Shihni tabelën më poshtë për të dy numërimet:

PSE 19!

Numri 19 mund të shihet si nënshkrimi i Krijuesit të Gjithëfuqishëm mbi çdo gjë që Ai krijoi. Numri “19” ka veti unike matematikore. Për shembull:

  1. Është numër i thjeshtë, të cilët janë të vetmit numra që mund të përdoren për një kodim të tillë, meqë nuk janë shumëfisha të numrave të tjerë.
  2. I përfshin shifrën e parë (1) dhe shifrën e fundit (9), sikur ta shpallte cilësinë e Zotit në 57:3 si “Alfa dhe Omega”.

Tani e kuptojmë se kodimi universal i krijimeve të Zotit me numrin 19 mbështetet në faktin që ai është vlera gematrike e fjalës “NJË” (VAHD) në të gjitha gjuhët e shkrimeve – aramaisht, hebraisht dhe arabisht. Shihni tabelën më poshtë:

Numri 19, prandaj, e shpall Urdhërimin e Parë në të gjitha shkrimet: se ka vetëm NJË Zot.

Fjala “NJË” që i referohet Zotit ndodh në Kuran 19 herë. Referenca për Zotin “VETËM” ndodh 5 herë, dhe shuma e numrave të sureve dhe strofave ku i gjejmë këto pesë ndodhje është 361, 19×19.

“Shtylla e Parë e Islamit” deklarohet në 3:18 si “LA ILAHE IL-LA HU” (Nuk ka zot tjetër përveç Tij). Kjo shprehje më e rëndësishme ndodh në 19 sure. Ndodhja e parë është në 2:163, dhe ndodhja e fundit është në 73:9. Shuma e këtyre numrave të sureve, plus numri i strofave mes ndodhjes së parë dhe të fundit, plus shuma e këtyre numrave të strofave është 316502, apo 19x 16658.

Fjala “Kuran”

Fjala “Kuran” ndodh në Kuran 58 herë, me njërën prej tyre, në 10:15, që i referohet “një Kurani tjetër”. Kjo ndodhje e veçantë, prandaj, duhet të përjashtohet. Kështu, shpeshtësia e ndodhjes së “këtij Kurani” në Kuran është 57, apo 19×3.

Dy forma të tjera gramatikore të fjalës “Kuran” ndodhin në 12 strofa. Këto përfshijnë fjalën “Kuranun” dhe fjalën “Kuranehu”. Njëra nga këto ndodhje, në 13:31, i referohet “një Kurani tjetër” që i bën malet të shemben. Një ndodhje tjetër, në 41:44, i referohet “një Kurani joarab”. Këto dy ndodhje, prandaj, përjashtohen. Tabela më poshtë tregon një listë të sureve dhe strofave ku ndodh fjala “Kuran” në të gjitha format e saj gramatikore.

Një dëshmitar nga Bijtë e Izraelit [46:10]

Strofa 46:10 në Kuran thotë: “Thuaj: ‘Po sikur të jetë nga Zoti, dhe ju nuk besuat në të? Një dëshmitar nga Bijtë e Izraelit ka dëshmuar për një fenomen të ngjashëm, dhe ai ka besuar, ndërsa ju u bëtë shumë arrogantë për të besuar. Zoti nuk i udhëzon të këqijtë.’”

Citati në vijim është marrë nga STUDIES IN JEWISH MYSTICISM (Studime në misticizmin hebraik), (Association for Jewish Studies, Cambridge, Mass., Joseph Dan & Frank Talmage, red., Faqja 88, 1982). Citati i referohet punës së Rabinit Juda i Devotshmi (shekulli i 12-të pas Krishtit):

Njerëzit [hebrenjtë] në Francë e bënë zakon t’i shtonin [në lutjen e mëngjesit] fjalët: “ ’Ashrei temimei derekh [të bekuar janë ata që ecin në rrugën e drejtë]”, dhe Rabini ynë, i Devotshmi, i bekuar qoftë kujtimi i tij, shkroi se ata e kishin krejtësisht dhe plotësisht gabim. E gjitha është gënjeshtër e rëndë, sepse janë vetëm nëntëmbëdhjetë herë që përmendet Emri i Shenjtë [në atë pjesë të lutjes së mëngjesit]… dhe po ashtu e gjeni fjalën ’Elohim nëntëmbëdhjetë herë në pjesën e Ve-’elleh shemot. . . . Po ashtu, e gjeni se Izraeli u quajt “bij” nëntëmbëdhjetë herë, dhe ka shumë shembuj të tjerë. Të gjitha këto grupe të nëntëmbëdhjetës janë të ndërthurura në mënyrë të ndërlikuar, dhe përmbajnë shumë fshehtësi dhe kuptime ezoterike, të cilat përmbahen në më shumë se tetë vëllime të mëdha… Për më tepër, në këtë pjesë ka 152 (19×8) fjalë.

 

Predikim i së Premtes bazuar në Shtojcën 1 të Përkthimit të Autorizuar Anglisht të Kuranit nga Rashad Khalifa (1989)