[search-in-place-form in_current_page="1"]

Kurani: ndryshe nga çdo libër tjetër

 

Lavdi Zotit! Nuk ka zot tjetër përveç Zotit.

Kurani është Testamenti Përfundimtar i Zotit për botën, dhe Ai është zotuar ta mbrojë nga shtrembërimi më i vogël (15:9). Kështu, Kurani është i rrethuar nga forca të padukshme që e ruajnë dhe i shërbejnë (13:39, 41:42, 42:24).

Ndryshe nga çdo libër tjetër, Kurani mësohet nga Zoti (55:1-2); Ai na mëson atë që na duhet në kohën kur na duhet. Prandaj e lexojmë Kuranin qindra herë pa u mërzitur. Mund ta lexojmë një roman, për shembull, vetëm një herë. Por Kurani mund të lexohet një numër të pafund herësh, dhe nxjerrim prej tij informacion të ri e të vlefshëm çdo herë. Nga ana tjetër, lexuesit e pasinqertë – ata që e lexojnë Kuranin për t’i gjetur të meta – largohen nga Kurani (7:146, 17:45, 18:57, 41:44). Në fakt, forcat e padukshme të Zotit i ndihmojnë t’i gjejnë “të metat” që i kërkojnë. Meqë Kurani është i përsosur, “të meta” të tilla shërbejnë vetëm për ta zbuluar budallallëkun e armiqve të Zotit.

Zoti i përdor cilësitë e Tij për ta përshkruar Kuranin; Ai e quan Kuranin “‘Azim = i Madh” (15:87), “Hakim = plot mençuri” (36:2), “Mexhid = i Lavdishëm” (50:1) dhe “Kerim = i Nderuar” (56:77). Çka mund të themi?

Meqë Kurani është mesazhi i Zotit për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga gjuha e tyre, Kurani është i arritshëm për besimtarët, pavarësisht nga gjuha e tyre (41:44). Kjo e shpjegon një fenomen të thellë: besimtarët që nuk dinë arabisht e njohin Kuranin më mirë se mosbesimtarët arabishtfolës. Për shkak të forcave të padukshme që i shërbejnë Kuranit, ai është menjëherë dhe këndshëm i arritshëm për besimtarët e sinqertë, dhe krejtësisht i paarritshëm për mosbesimtarët (17:45, 18:57, 56:79).

 

Predikim i së Premtes bazuar në Shtojcën 20 të Përkthimit të Autorizuar Anglisht të Kuranit nga Rashad Khalifa (1989)