[search-in-place-form in_current_page="1"]

Çka pas demokracisë?

Përmbledhje:

Në këtë predikim të së Premtes, Alban Fejza e shpjegon se në kohët e lashta kishte kombe të mira, të këqija dhe neutrale, se demokracitë as nuk i zgjidhin as nuk i shkaktojnë problemet por i shtyjnë, dhe çfarë do të vijë pas demokracisë: sistemi i përsosur i qeverisjes i treguar nga mbretëria njëmijëvjeçare e Mesisë.

Transkripti i videos:

Lavdi Zotit! Nuk ka zot tjetër përveç Zotit. Nëse shikoni filma për historinë shumë të lashtë para Krishtit, mund ta vini re se në përgjithësi filmat do ta paraqesin njërën ushtri apo njërin komb si kombin e mirë dhe tjetrin si kombin e keq, dhe sipas logjikës së filmave e gjithë bota në të kaluarën përbëhej nga kombe patjetër të mira dhe kombe patjetër të këqija, disi të ndara në gjysmë. Megjithatë, realiteti është ndryshe. Para Krishtit, kishte tri grupe njerëzish. I vetmi komb i mirë ishin Bijtë e Izraelit, dhe të gjitha kombet e tjera ishin kombe të këqija, përveç grekëve dhe romakëve të cilët nuk ishin as të këqij, as të mirë – neutralë, dhe zakonisht kombet e tjera ishin neutrale vetëm kalimthi, ndërsa kalonin nga e keqja te e mira apo nga e mira te e keqja. Por, grekët dhe romakët e lashtë ishin kombe neutrale afatgjata. Dhe me neutralë, e kemi fjalën midis së mirës dhe së keqes. Dhe neutraliteti i tyre midis së mirës dhe së keqes buronte nga fakti se grekët dhe romakët e zbuluan demokracinë, e cila në versionin romak quhej “republikë”. Demokracia dhe republika në thelb do të thonë të njëjtën gjë, me dallime të vogla. Demokracia në greqisht do të thotë “sundimi i popullit”, dhe republika në latinisht do të thotë “nga populli”. Në thelb, ideja është se vendimi përfundimtar nuk merret nga një mbret, por nga populli.

Tani, meqë kombet e tjera ishin mbretëri, vullneti i mbretit ishte vullneti i kombit, dhe nëse mbreti ishte person i keq, vullneti i tij mbizotëronte, dhe i gjithë kombi detyrohej të ishte i keq, apo individët e mirë detyroheshin të largoheshin, dhe nëse mbreti ishte person i mirë, meqë sundonte vullneti i mbretit, kombi detyrohej të ishte komb i mirë, dhe individët e këqij detyroheshin të largoheshin. Pra, vetëm mbretëritë e vërteta mund të jenë të mira apo të këqija, por demokracitë e vërteta janë gjithmonë neutrale. Pra, në një demokraci, vullneti i gjithë popullit është vullneti i kombit, dhe meqë statistikisht ka gjasa që do ta marrësh të njëjtin përpjesëtim njerëzish të mirë dhe të këqij sa ka në gjithë botën, atëherë njerëzit e mirë dhe të këqij janë në ekuilibër. Në fakt, ka 10 herë më shumë njerëz të këqij sesa njerëz të mirë, por meqë një vepër e mirë jep rezultate 10 herë më të mira, sesa një vepër e keqe jep rezultate të këqija, në atë rast një komb që përbëhet nga raporti 10 njerëz të këqij për çdo person të mirë është në ekuilibër midis së mirës dhe së keqes. E mirë dhe e keqe e barabartë, neutral.

Tani, sigurisht, meqë shtetet nuk e sundojnë çdo aspekt të jetës sonë, ende lejon ndryshime individuale, që të ketë njerëz të mirë dhe të këqij brenda të njëjtit shtet, por vullneti i përbashkët i gjithë kombit, çdo komb demokratik është gjithmonë njësoj i mirë dhe i keq. Dhe ky neutralitet i vullnetit të kombeve ka ndodhur vetëm dy herë në histori. Rasti i parë është gjatë grekëve dhe romakëve të lashtë që ndodhi nga rreth shekulli i pestë para Krishtit deri pak para Krishtit. Dhe herën e dytë që ndodh kjo është në kohët tona duke filluar me kushtetutën amerikane në SHBA dhe Revolucionin Francez në Evropë, të cilat ndodhën brenda disa vitesh. Tani, meqë demokracitë janë sisteme stokastike, dhe jo ngjarje të caktuara, mund të jenë mjaft të parashikueshme, dhe mund t’i përdorim demokracitë e së kaluarës për ta parashikuar çfarë do të ndodhë me demokracitë e sotme.

Pra, çfarë ndodhi me demokracitë e së kaluarës? Përfundimisht u kthyen në oligarki, e pastaj pas disa komploteve e skemave e vrasjeve, u kthyen në tirani apo perandori me një perandor, dhe në fund të saj, erdhi Mesia. Dhe, nëse keni pyetur veten pse Zoti e dërgoi Jezusin në atë kohë, është për të na treguar kur do të vijë epoka mesianike. Pra, Mesia erdhi së pari pasi mbaruan demokracitë, sapo u kthyen në tirani. Dhe kjo është për të na treguar se epoka mesianike do të vijë pasi këto demokraci do të kthehen në tirani. Dhe mund të thoni: “Si e dimë se demokracitë do të kthehen përsëri në tirani?” Epo, në fakt, herën e parë, nuk ishin të detyruara, por këtë herë nuk kanë zgjedhje tjetër. Ja pse. Siç thamë, kombet e këqija shkaktojnë probleme, kombet e mira i zgjidhin problemet, por demokracitë e kanë këtë veçori të çuditshme, thjesht i shtyjnë problemet. Nuk i zgjidhin, dhe nuk i shkaktojnë. Thjesht i shtyjnë. Kështu është ndërtuar sistemi në një demokraci. Nëse një person që zgjidhet në një demokraci përpiqet ta zgjidhë një problem, do të duhet të shkaktojë vuajtje fillimisht te njerëzit, dhe ata do ta nxjerrin me votë nga qeveria, dhe nëse shkakton probleme, përsëri do ta nxjerrin me votë, kështu që opsioni më i mirë, dhe shumë shpesh opsioni i vetëm për çdo zyrtar të zgjedhur është ta gjejë një mënyrë për t’i ndryshuar gjërat në një mënyrë të tillë që thjesht ta shtyjë atë problem (ndërsa në sipërfaqe duket se e ka zgjidhur) dhe t’ia lërë zyrtarit të ardhshëm të zgjedhur ta zgjidhë, i cili përsëri nuk do ta zgjidhë, por thjesht do ta shtyjë. Tani, përfundimisht këto probleme nga të gjitha anët do të përballen me njëri-tjetrin, dhe shtyrja e njërit prej tyre do të thotë përballje e drejtpërdrejtë me tjetrin, dhe anasjelltas, dhe të gjitha problemet përfundimisht do të mblidhen në një pikë përfundimtare, dhe nuk ka më mënyrë për t’i shtyrë. Në atë pikë, njerëzit do ta shohin se demokracia nuk është më e dobishme, dhe do të preferojnë teknokracinë e cila do të çojë në tirani për t’i shmangur problemet vetëm pak më shumë, dhe kështu do të kalojnë nga tigani në zjarr, dhe “zgjidhja” përfundimtare është t’i fajësojnë besimtarët, dhe bota do të mbarojë, dhe do të vijë epoka mesianike.

Tani, pse vjen Mesia pas demokracive? Epo, është sepse epoka mesianike është një sistem qeverisjeje, dhe njerëzit lihen t’i provojnë të gjitha metodat e qeverisjes për të treguar se ndërsa Satani është aty, nuk ka asnjë mënyrë që ta bësh të funksionojë, pavarësisht si e provon. Dhe, pastaj demokracitë janë thjesht një mënyrë për të treguar se jo vetëm që një mbret i caktuar nuk mund t’i zgjidhte problemet e njerëzve, por edhe sikur të gjithë njerëzit të përfshiheshin në vendimmarrje, problemet do të ekzistonin ende, dhe njëherë e përgjithmonë do të vërtetohet se përfshirja e të gjithë njerëzve, dhe e të gjitha përpjekjeve të tyre, që është kulmi i demokracisë, prapë nuk do t’i zgjidhë problemet njerëzore. Vdekja dhe vuajtja do të ekzistojnë ende, për sa kohë që njerëzit e ligj dhe Satani janë të përfshirë. Dhe pasi dështojnë të gjitha përpjekjet, atëherë Zoti e dërgon Mesinë për të na treguar cila është e vetmja përpjekje e pastër që funksionon, dhe e vetmja përpjekje që funksionon është ta dëgjosh plotësisht fjalën e Zotit, dhe Mesia është një përfaqësim i fjalës së Zotit, dhe vetëm atëherë mund të kemi paqe në tokë pa probleme. Sigurisht, kjo nuk do të ndodhë para vitit 2280.

Dhe meqë ra fjala, ajo që sapo e shpjeguam shpjegohet me pak fjalë në Kuran. Kurani në arabisht thotë në Surën 30, strofat 2 deri në 4: “Romakët janë mundur, në tokën e kësaj bote më të ulët, por pas mundjes së tyre, do të ngrihen përsëri, brenda disa vitesh. Urdhri i takon Zotit para saj dhe pas saj – dy herë. Dhe atë ditë do të gëzohen besimtarët.”

Tani, këto strofa kanë shtatë kuptime, por ajo që e shpjeguam në këtë predikim është kuptimi më i rëndësishëm, sepse është kuptimi gjithëpërfshirës. I mbulon të gjitha kuptimet e tjera. Ky kuptim nuk e shpjegon një ngjarje të caktuar për romakët. Është përshkrim i gjithë historisë së Republikës Romake të cilët ishin një bashkësi demokratike. Pra, këtu në fakt po flet edhe për demokracinë. Pra, këto strofa po na e tregojnë gjithë historinë e demokracisë në të kaluarën dhe në të ardhmen. Pra, demokracia ekzistoi më parë, e pastaj mbaroi, dhe tani është kthyer përsëri, dhe do të mbarojë përsëri, vetëm disa vite para fundit të botës. Dhe kjo është e gjithë historia e demokracisë, nëse do të duhej ta thoshim me dy fjali, dhe çdo herë pasi demokracitë prishen dhe mbarojnë, Zoti e dërgon Mesinë. Herën e parë për të vuajtur, që të mund ta meritojë të jetë njeriu më i shquar në botën tjetër, dhe herën e dytë për ta përmbushur atë shquarsi të fituar tashmë që Zoti t’ia tregojë botës cili është sistemi i përsosur i qeverisjes.

 

Predikim i së Premtes nga: Alban Fejza, Drejtues i Xhematit Online