Lavdi Zotit! Nuk ka zot tjetër përveç Zotit.
Strofa 39:68 në Kuran thotë se kur të fryhet briri, të gjithë në qiej dhe në tokë bien pa vetëdije, përveç atyre që i kursen Zoti. Pastaj fryhet për herë të dytë, dhe atëherë ata ngrihen.
Toka do të shkëlqejë me dritën e Zotit (39:69) ndërsa Ai vjen në universin tonë, së bashku me engjëjt (89:22). Meqë universi ynë është sundim i përkohshëm për Dreqin, ai nuk mund ta përballojë praninë fizike të Zotit (7:143). Ndërsa i Gjithëfuqishmi afrohet, yjet do të përplasen me njëri-tjetrin (77:8, 81:2), dhe toka do të copëtohet nën këmbët tona (69:14, 89:21). Këto tmerre nuk do t’i shqetësojnë besimtarët (21:103).
Parajsa e Lartë
Me ardhjen e Zotit të Gjithëfuqishëm, të gjithë njerëzit dhe xhindët do të shtresohen automatikisht sipas shkallës së rritjes dhe zhvillimit të tyre. Ata që i ushqyen shpirtrat e tyre duke e adhuruar vetëm Zotin, duke besuar në Botën Tjetër dhe duke bërë një jetë të drejtë, do të jenë mjaft të fortë për të qëndruar afër Zotit; ata do t’i zënë gradat më të larta.
Parajsa e Ulët
Ata që i zhvilluan shpirtrat e tyre në një shkallë më të vogël, si edhe ata që vdesin para moshës dyzet vjeç, do të lëvizin poshtë në Parajsën e Ulët. Ata do të shkojnë në vendin ku mund të jenë aq afër Zotit sa ua lejon shkalla e tyre e rritjes dhe zhvillimit.
Purgatori
Do të ketë njerëz që i ushqyen shpirtrat e tyre aq sa për t’i kursyer nga Ferri, por jo mjaftueshëm për të hyrë në Parajsën e Ulët. Ata nuk janë as në Ferr, as në Parajsë. Ata do t’i përgjërohen Zotit t’i pranojë në Parajsën e Ulët (7:46-50). Zoti do të ketë mëshirë për ta, dhe do ta bashkojë Purgatorin me Parajsën e Ulët.
Ferri
Një univers i ri, i teti, do të krijohet për t’i strehuar ata që ikin nga Zoti për shkak të dobësisë së tyre; ata dështuan t’i ushqenin dhe t’i zhvillonin shpirtrat e tyre (69:17).
Predikim i së Premtes bazuar në Shtojcën 11 të Përkthimit të Autorizuar Anglisht të Kuranit nga Rashad Khalifa (1989)