Lavdi Zotit! Nuk ka zot tjetër përveç Zotit.
Nëse një hajdut ju vjedh një mijë dollarë, dhe e fusin në burg, çka fitoni ju? Nëse hajduti ka grua dhe fëmijë, cili është krimi i tyre? Pse duhet të privohen nga babai i tyre?
Kurani e zgjidh këtë problem, si edhe problemet që lidhen me sistemet e drejtësisë penale që mbizotërojnë në botën e sotme.
Barasvlera është ligji [2:178-179]
Sipas drejtësisë penale kuranore, hajduti që dënohet për vjedhjen e një mijë dollarëve prej jush duhet të punojë për ju derisa t’ju paguhen plotësisht një mijë dollarët që i humbët, plus çdo dëm dhe shqetësim tjetër që vjedhja mund t’ju ketë shkaktuar. Në të njëjtën kohë, gruaja dhe fëmijët e pafajshëm të hajdutit nuk privohen nga burri i tyre, dhe sistemi i shtrenjtë i burgjeve eliminohet. Burgimi është ndëshkim mizor dhe çnjerëzor që ka dalë i padobishëm për të gjithë të përfshirët.
Në kundërshtim me besimin e përgjithshëm, dora e hajdutit nuk do të pritet. Falënderuar qoftë Zoti për mëshirën e Tij dhe mrekullinë e Tij matematikore në Kuran, tani e dimë se dora e hajdutit sot duhet të shënohet. Shënimi i dorës së hajdutit thuhet në 5:38. Numrat e sures dhe strofës mblidhen në 5 + 38 = 43. Vendi tjetër në Kuran ku “dora pritet” gjendet në 12:31. Këtu i shohim gratë që e admironin aq shumë Jusufin sa i “prenë” duart e tyre. Qartazi, ato nuk i këputën duart e tyre; askush nuk mund ta bëjë këtë. Numrat e sures dhe strofës mblidhen në 12 + 31 = 43, e njëjta shumë si në 5:38. Kjo jep konfirmim matematikor se ligji kuranor kërkon shënimin e dorës së hajdutit, jo këputjen e saj. Jepet edhe konfirmim matematikor shtesë: 19 strofa pas 12:31, e shohim sërish “prerjen e dorës”. Ndëshkimi në Islam (Nënshtrim) bazohet në barasvlerë dhe në presion shoqëror (2:178, 5:38, 24:2).
Blasfemia e quajtur “Hadith & Sunet” e ka vendosur vrasjen me gurë si ndëshkim për kurorëshkelësit e martuar. Ky nuk është ligji i Zotit. Siç thuhet në 24:2, ndëshkimi për kurorëshkeljen është fshikullimi në publik; njëqind goditje simbolike. Siç u theksua më lart, ndëshkimi bazë është presioni shoqëror dhe turpërimi i kriminelit. Fshikullimi në publik e arrin këtë qëllim.
Në trajtimin e vrasjes, Kurani patjetër e dekurajon dënimin me vdekje (2:179). “I liri për të lirin, robi për robin dhe femra për femrën” (2:178). Për shkak të ligësisë dhe padrejtësisë njerëzore, shumë njerëz nuk mund ta imagjinojnë as çka thotë ky ligj kuranor. Ata refuzojnë t’i pranojnë urdhrat e qarta se duhet të respektohet barasvlera e rreptë – nëse një grua vret një burrë, apo një burrë vret një grua, apo një rob vret një person të lirë, apo një person i lirë vret një rob, dënimi me vdekje nuk mund të zbatohet. Kurani preferon që vrasësi ta kompensojë familjen e viktimës. Vrasja e vrasësit nuk e kthen viktimën, as familja e viktimës nuk përfiton nga ekzekutimi i vrasësit. Kompensimi, megjithatë, duhet të jetë i mjaftueshëm për të qenë frenues për të tjerët. Në Islam (Nënshtrim), viktima dhe/ose familja e viktimës janë gjykatësit për të gjitha krimet; ata vendosin cili do të jetë ndëshkimi nën mbikëqyrjen e një personi që e njeh Kuranin.
Predikim i së Premtes bazuar në Shtojcën 37 të Përkthimit të Autorizuar Anglisht të Kuranit nga Rashad Khalifa (1989)