[search-in-place-form in_current_page="1"]

Dy çështje të rëndësishme

Predikim i së Premtes nga: Alban Fejza, Drejtues i Xhematit Online

Përmbledhje:

Në këtë predikim të së Premtes, Alban Fejza shpjegon pse zotimi i bamirësisë së obligueshme (Zeqatit) kërkohet për të marrë pjesë në Lutjen online të së Premtes, inkurajon promovimin e videos së tij “Kohët e fundit”, dhe paralajmëron se leximi i tepërt i mendimeve të njerëzve të tjerë në rrjetet sociale i dobëson shpirtrat tanë.

Transkripti i videos:

Lavdi Zotit! Nuk ka zot përveç Zotit. Sot, më lejoni t’i trajtoj dy çështje, për të cilat mendoj se duhet të kemi një kuptim të përbashkët. Çështja e parë e rëndësishme ka të bëjë me Zeqatin, Bamirësinë. Ju premtoj se do të bëj një video posaçërisht për bamirësinë, nëse do Zoti, dhe do t’i dimë me siguri detajet për të, por ndërkohë, raportimi i Zeqatit tonë përmes faqes youzakat.net është i detyrueshëm. Nuk desha të thoja se është i detyrueshëm gjatë predikimit të kaluar të së Premtes, sepse faqet e internetit nuk mund të jenë të detyrueshme. Megjithatë, Zeqati është i detyrueshëm, dhe nëse nuk kemi një mënyrë alternative për ta mbledhur Zeqatin, si bërja e tij në një xhami apo diçka e tillë, atëherë vetvetiu, del të jetë i detyrueshëm përmes faqes së internetit, tani që e kemi. Pra, para të Premtes së ardhshme, nëse do Zoti, kur ta dërgoj Predikimin e ardhshëm të së Premtes, do të shkoj në faqen youzakat dhe do ta kontrolloj kush e zotoi Zeqatin dhe kush jo, dhe në rast se dikush nuk e ka bërë, do ta heq nga lista e emailave, dhe nuk do t’i marrë më Predikimet e së Premtes. Ata nuk janë të pastër. Aq e thjeshtë. Zeqati është më i detyrueshëm se abdesi, dhe më i detyrueshëm se Predikimi i së Premtes. Ashtu siç e marrim abdesin para Lutjeve të Kontaktit, duhet ta japim Zeqatin për të qenë mjaftueshëm të pastër për t’u përfshirë në Lutjen e së Premtes. Mund të bëjmë shumë gjëra gabim, dhe prapë do t’ju konsideroj vëllezër dhe motra në besim, por nëse ndonjëri prej nesh nuk e zoton Zeqatin, do ta konsideroj jashtë. Pra, Zeqati është në thelb pasaporta jonë. Ai përcakton kush hyn dhe kush del. Kjo vlen online, në internet. Nëse merremi drejtpërdrejt, nëse do Zoti, kur ta kemi një xhami, atëherë edhe Lutjet e Kontaktit do të jenë ajo pasaportë. Ato janë të detyrueshme edhe tani, por nuk e mbikëqyrim njëri-tjetrin për këtë. Nuk është e mundur ta bëjmë online. Dhe meqë ra fjala, mund të dalë se madje edhe kur ta kemi xhaminë, mund të jetë më e lehtë ta përdorim faqen e internetit për ta zotuar dhe shpërndarë Zeqatin, por deri atëherë, nuk e di si do të dalë, dhe nuk mund ta ndërtojmë siç duhet një xhami përveç nëse e kemi këtë faqe. Dhe duhet ta zgjidhim çështjen e Zeqatit së pari, para se ta zgjidhim çështjen e Xhamive. Nuk e kuptoj si vendosin njerëzit të ndërtojnë xhami pa e shpërndarë së pari Zeqatin. Është përzierje përparësish. Përparësitë e tyre janë të ngatërruara. Pra, le të shkojmë hap pas hapi, nga më e rëndësishmja te më pak e rëndësishmja. Mirë. Meqë ra fjala, faqja është projektuar në atë mënyrë që duhet t’ju marrë vetëm rreth 5 minuta për ta plotësuar. Nëse ju mori më shumë, ishit tepër të kujdesshëm. Mjafton të jeni rreth 90% të saktë me vlerat aty, meqë çmimet e gjërave ndryshojnë gjithsesi për më shumë se 10%. Dhe nëse bëtë ndonjë gabim, do ta konsideroj gabimin tim, sepse më tregon se faqja nuk ishte projektuar mjaftueshëm mirë. Supozohet të jetë e thjeshtë. Çështja e dytë e rëndësishme për të cilën do të doja të flisja është videoja që e publikova me titull “Kohët e fundit”. Kjo është video shumë e rëndësishme. E shihni, videot e tjera që i publikova janë disi të dobishme vetëm për disa njerëz, në kohë të caktuara, në rrethana të caktuara. Kjo video është e dobishme për të gjithë njerëzit në të gjitha kohët, në të gjitha rrethanat. Vërtet. Njerëzit i kanë debatuar çështjet për shekuj, dhe ende po i debatojnë. Vetëm disa ditë më parë, e pashë një titull videoje të postuar nga dikush për një debat mes dy imamëve myslimanë, të cilin nuk e shikova, por titulli thoshte diçka si “Debat: A do të kthehet Isai apo jo”. Njëri prej tyre, mendoj, do të thoshte “Po” dhe tjetri do të thoshte “Jo”. Sikur ta kishin shikuar videon time dhe ta kishin kuptuar, do ta kuptonin se, po, Isai do të kthehet, por pas ringjalljes sonë, dhe kjo e zgjidh debatin. Por ky është vetëm një shembull. Ka kaq shumë debate që i kanë njerëzit që zgjidhen me këtë video, si tema e ndërmjetësimit, gjykimi, epoka mesianike, Mahdiu e kështu me radhë. Pra, kjo është video shumë e rëndësishme, videoja ime më e rëndësishme, dhe do ta çmoja nëse do të ndihmonit ta promovonit. Është vullnetare, por shumë e çmuar. Nuk keni pse të më ndihmoni aq shumë me videot e tjera, por nëse mund ta bëjmë këtë video të shihet nga një numër shumë i madh njerëzish, mendoj se do të ishte gjë e madhe. Dhe në fakt është shumë e vështirë ta promovosh këtë video. Së pari, sepse është video e gjatë. Njerëzve nuk u pëlqen të shikojnë video të gjata. E bëra aq të shkurtër sa munda pa e lënë jashtë asgjë të rëndësishme. Fillimisht, ishte rreth dy orë, por e ngjesha e ngjesha dhe e ktheva në rreth 50 minuta. Në thelb e fshiva çdo informacion përsëritës dhe të parëndësishëm apo shumë të qartë. Dhe duke filluar nga vetja, nuk do ta shikoj një video 50-minutëshe përveç nëse jam mjaft i sigurt se do të ketë informacion shumë të vlefshëm, prandaj është gjithashtu shumë e vështirë t’i bindësh njerëzit e tjerë ta shikojnë. Ende nuk e di cila është strategjia më e mirë, por thjesht e di se nuk do të shikohet, përveç nëse e promovojmë aktivisht, dhe u themi njerëzve që në fillim se ka informacion që nuk e kanë dëgjuar kurrë më parë. Problemi tjetër me promovimin e kësaj videoje është se ka kaq shumë video të tjera që pretendojnë gjëra të ngjashme në internet. Dhe, nëse i shikoni, mund ta shihni se ato video kanë tituj të mëdhenj, por kur i shikoni, mbeteni me të njëjtat pyetje që i kishit në fillim. Ato thjesht vallëzojnë rreth temës. Nuk ju tregojnë asgjë konkrete për të ardhmen. Dhe njerëzit janë lodhur nga këto lloj videosh, gjë që e bën promovimin e kësaj videoje më të vështirë, por mendoj se ia vlen të punohet fort për ta promovuar. Arsyeja tjetër pse është e vështirë ta promovosh është për shkak të stilit të saj. Stili i videos – pasi e rregullova, e kuptova se ishte shumë i ngjashëm me librin e Isaisë në Bibël. Libri i Isaisë është thjesht një libër që tregon ngjarje të së ardhmes, të së ardhmes së Isaisë, dhe shumica e tyre janë në të kaluarën tonë tani, por ajo që po them është: le të mendojmë sa prej nesh e kanë lexuar librin e Isaisë. Ndoshta shumë pak prej nesh, që do të thotë se njerëzit vërtet nuk do t’i dëgjojnë histori të gjata se çka do të ndodhë, përveç nëse janë të interesuar për diçka specifike.

Ajo që po them është se është pothuajse e pamundur ta kuptosh rëndësinë e kësaj videoje që në fillim, prandaj duhet t’u themi njerëzve që në fillim se do të jetë e vlefshme, se vërtet i përshkruan të gjitha ngjarjet e rëndësishme të së ardhmes, se flet për Mahdiun (për të cilin myslimanëve u pëlqen të flasin), se flet për Epokën Mesianike (për të cilën të krishterëve u pëlqen të flasin), dhe se flet për tempullin e tretë (për të cilin hebrenjve u pëlqen të flasin). Pra, në thelb, nëse dikush do të dijë për cilëndo nga temat specifike të përfshira në atë video, mund t’ua dërgoni tërë videon. Sapo e publikova në njërin nga grupet e Facebook-ut që po i vizitoj kohët e fundit, dhe do të ndihmonte nëse i jepni pëlqim, për ta promovuar. Megjithatë, kini kujdes: kur hyni në ato grupe të Facebook-ut, dhe kjo vlen për të gjithë, gjithmonë zvogëloheni shpirtërisht. Pavarësisht sa të fortë jeni në besim, dhe pavarësisht sa i mirë është grupi (i cili në fakt është gjithmonë neutral), gjithmonë zvogëloheni në besim. Pra, për t’i maksimizuar rezultatet, zhvillova një strategji. Hyj, e postoj atë që e postoj, e them atë që kam për ta thënë, dhe largohem. Nëse e lexoj atë që kanë për të thënë të tjerët, do ta zvogëlojë shpirtin tim.

Kjo vlen për çdo grup. Nuk do të më kthejë në mosbesimtar, por në besimtar më të dobët. Pra, të gjithë njerëzit që lexojnë tepër atë që kanë për të thënë të tjerët në Facebook janë besimtarë të dobët. Për t’i forcuar shpirtrat tanë, duhet t’i shmangim rrjetet sociale, apo t’i përdorim vetëm shpejt për interesat tona. Nëse fitoni para prej tyre, apo nëse ju ndihmojnë me ndonjë biznes, apo në rastin tim nëse më ndihmojnë t’i promovoj videot. Përndryshe nuk do të qëndroja. Nëse e gjej se nuk po ndihmon shumë me videot e mia, do t’i lë ato grupe. E kemi gjithë informacionin që na duhet në Kuran, dhe nuk kemi nevojë që të tjerët të na thonë çka të mendojmë.