Përmbledhje:
Në këtë predikim të së Premtes, Alban Fejza e shpjegon se shpirtrat, ndryshe nga trupat, rriten në kohë drejt së ardhmes, i përshkruan fazat e rritjes së shpirtit, dhe e shpjegon se një profet është thjesht një i nënshtruar që i kalon të gjitha këto faza para vdekjes.
Transkripti i videos:
Lavdi Zotit! Nuk ka zot tjetër përveç Zotit. Siç e dimë, qenia njerëzore përbëhet nga një shpirt dhe një trup. Të dy rriten në madhësi dhe në moshë. Madhësia dhe mosha e trupit janë të ndërlidhura, por nuk janë 100% të ndërlidhura. Trupat ndalojnë së rrituri pas një kohe, ndërsa mosha e trupit vazhdon të rritet. Megjithatë, te shpirtrat mosha dhe madhësia janë e njëjta gjë, sepse shpirtrat rriten drejt së ardhmes. Trupat rriten në hapësirë, por shpirtrat rriten në kohë përtej hapësirës, dhe kur shpirtrat rriten në dimensione të tjera, ajo që ndodh është se rriten drejt së ardhmes, dhe nëse do Zoti, do ta shpjegojmë më shumë këtë në një video tjetër, por këtu më lejoni të përqendrohem vetëm te fazat e rritjes së shpirtit. Ndërsa shpirti rritet drejt së ardhmes kalon nëpër disa pragje të caktuara për të hyrë në një fazë tjetër.

Pra, pragu i parë është mosha e vetë trupit, e pastaj pragu i dytë është mosha e trupit në momentin e vdekjes, e pastaj pragu i tretë është koha kur do të vijë Fundi i Botës, e pastaj pragu i katërt është koha kur ndodh Gjykimi. Pra, këto janë pragje të caktuara, të cilat nëse shpirti kalon nëpër to, ndërsa udhëton drejt së ardhmes, hyn në një fazë tjetër. Shpirti mund t’i kalojë të gjitha këto pika në kohë, edhe nëse trupi nuk është ende aty. Pra, shpirti mund të rritet drejt së ardhmes dhe t’i kalojë këto pragje, para se trupi të arrijë aty. Pra, tani ja fazat e shpirtit: Vijat blu i përfaqësojnë shpirtrat, ndërsa vijat e zeza i përfaqësojnë pragjet e fazave.

Nëse shpirti është më i vogël se mosha e trupit, ai shpirt është shpirt i palumtur. Ndërsa ky univers bashkë me atë trup udhëtojnë drejt së ardhmes, në fakt po e tërheqin shpirtin pas vetes. Ky shpirt është gjithmonë në një fazë dëshirimi. Ky shpirt është një shpirt që mbeti pas krahasuar me trupin.
Tani, nëse shpirti është më i madh se mosha e trupit, atëherë ai shpirt është i nënshtruar, një shpirt i lumtur. Pra, meqë kjo fazë varet nga mosha e trupit tënd, kjo do të thotë se është shumë më e vështirë për një trup më të vjetër të bëhet i nënshtruar sesa për një trup më të ri. Pra, një person i vjetër ka më pak gjasa të kthehet në nënshtrim, nëse nuk u bë i nënshtruar në rininë e tij, sepse shpirti duhet të jetë shumë më i madh për ta arritur fazën e nënshtrimit kur trupi është i vjetër.
Pra, përsëri, një shpirt i nënshtruar është më i madh se mosha e trupit, dhe kjo do të thotë se shpirti e paraprin trupin në të ardhmen. Kur trupi e arrin atë pikë në të ardhmen, shpirti ka qenë tashmë aty, dhe kjo pasqyrohet në ëndrra. Shpirti shkëputet nga trupi kur flemë, dhe i sheh ngjarjet e së ardhmes, e pastaj në momentin e rilidhjes, kur zgjohemi, një pjesë e atij informacioni rrjedh, por mendja nuk i ka të gjitha ndërlikimet e nevojshme për ta kuptuar atë që sapo pa nga shpirti, kështu që e shtrembëron atë informacion, dhe kjo është ëndrra, por kjo është një çështje e tërë më vete, për një video tjetër.
Tani, nëse shpirti yt është më i madh, jo vetëm se mosha aktuale e trupit, por përtej gjithë jetës së trupit, përtej pikës ku trupi do të vdesë, ai shpirt është besimtar. Shumë të nënshtruar e arrijnë këtë fazë para se të vdesin, dhe të gjithë të nënshtruarit e arrijnë në momentin e vdekjes. Quhet pika e sigurisë në Kuran. Ky shpirt i jep përparësi jetës tjetër mbi këtë jetë, nëse e ka arritur këtë fazë para se trupi të vdiste.
Tani, nëse një shpirt rritet aq i madh, saqë jo vetëm e kalon pikën në të ardhmen ku trupi i tij do të vdesë, por e kalon edhe pikën kur do të mbarojë bota, ky shpirt bëhet i dërguar. Ai shpirt ka kontaktuar përtej kësaj bote.
Dhe, nëse një shpirt bëhet aq i madh, saqë jo vetëm e kalon Fundin e Botës, por edhe përtej epokës mesianike, përtej vitit 3320, deri në Ditën e Gjykimit, atëherë ai shpirt bëhet profet. Sigurisht, viti 3320 nuk ekziston vërtet, sepse do të ndalojmë së numëruari vitet përtej vitit 2280, sepse dielli do të shkatërrohet në vitin 2280, por nëse imagjinojmë se vitet do të ekzistojnë edhe pas kësaj, nëse e imagjinojmë këtë, atëherë Dita e Gjykimit do të vijë në vitin 3320. Në thelb, sipërfaqja e tokës shkatërrohet në vitin 2280, e pastaj ka 40 vjet pushim në varre, ndërsa do të bjerë shi, pas të cilave njerëzit fillojnë të ringjallen, si bimët nga toka e lagësht, e pastaj ka 1000 vjet të tjera jetese në këtë Tokë gjatë Epokës Mesianike, që do të na sillte në vitin hipotetik 3320. Gjithsesi, çdo shpirt që arrin deri atje, ai person është profet.
Tani le t’i kalojmë disa shembuj të madhësive të shpirtrave bazuar në atë që thamë. Abrahami jetoi rreth vitit 1900 p.e.s. Meqë ishte profet, kjo do të thotë se ai, si shpirt, ishte të paktën 5220 vjet i madh. Muhamedi, si shpirt, duhet të ketë qenë të paktën 2750 vjet i madh. Dishepujt e Jezusit, të dërguar, por jo profetë, duhet të kenë qenë të paktën 2250 vjet të mëdhenj. Rashad Khalifa, si shpirt, duhet të ketë qenë të paktën 345 vjet i madh. Albani, si shpirt, duhet të jetë të paktën 296 vjet i madh. I Dërguari i Fundit, Mehdiu do të jetë rreth të paktën 40 vjet i madh, apo vetëm pak më shumë. Siç mund ta shihni, brezat më afër Fundit të Botës priren të kenë shpirtra më të vegjël. Kjo do të thotë se shumë të nënshtruar sot, disa prej jush në fakt kanë shpirtra më të mëdhenj se i Dërguari i Fundit – Mehdiu. Shpirti juaj është më i madh se mosha e trupit tuaj, nëse jeni i nënshtruar. Dhe nëse jeni besimtar, dhe le të supozojmë se do të jetoni rreth 80 vjet, atëherë shpirti juaj është rreth 80 vjet, të paktën. Njerëzit para fundit të botës do të jenë të gjithë shpirtra më të vegjël krahasuar me ne, dhe kjo është arsyeja pse i dërguari i fundit me një shpirt pak mbi 40 vjet i madh do të jetë i përshtatshëm për atë brez. Meqë ra fjala, kjo do të thotë se për shembull, një i nënshtruar 80-vjeçar pak para Fundit të Botës do ta ketë një shpirt më të madh se Mehdiu. Që do të thotë se do të ketë mijëra të nënshtruar që do të kenë shpirtra më të mëdhenj se Mehdiu kur të vijë Mehdiu, por thjesht ndodh që shpirti i Mehdiut do të jetë ai që e arriti i pari Fundin e Botës, ndërsa shpirtrat e tjerë më të mëdhenj, meqë lindën më herët, nuk arritën ta arrinin Fundin e Botës. Pra, asnjë person që është më i ri se një i dërguar nuk mund të jetë më i mirë se një i dërguar, por në teori një person që është më i vjetër se një i dërguar mund të jetë më i mirë se një i dërguar. Por kjo është vetëm në teori, dhe ndodh me Mehdiun, dhe do të ndodhë vetëm me disa të nënshtruar që do të jenë shpirtra më të mirë se i Dërguari Forcues, por për brezat që janë tepër larg nga Fundi i Botës, kjo është statistikisht e pamundur. Pra, Albani është i dërguari i fundit që është shpirti më i mirë i brezit të tij. Albani dhe të gjithë të dërguarit e tjerë para tij ishin shpirtrat më të mëdhenj të brezit tonë. Rashadi ishte shpirti më i madh i brezit të tij, Muhamedi ishte shpirti më i madh i brezit të tij, Moisiu ishte shpirti më i madh i brezit të tij, e kështu me radhë. Pavarësisht faktit se Rashadi tha se disa njerëz mund të jenë më të mirë se të dërguarit, por në realitet thjesht po tregohej i përulur, dhe shembulli që e mori me Moisiun dhe shërbëtorin tjetër të Zotit nuk vlen vërtet, sepse ai shërbëtori tjetër i Zotit nuk ishte qenie njerëzore. Ishte engjëll. Duhet të ketë qenë engjëll, sepse ai, si besimtar, ia mori jetën një djali të pafajshëm, dhe vetëm engjëjve u jepet autoritet t’ua marrin jetën fëmijëve të pafajshëm, dhe të mbeten ende besimtarë. Pra, Moisiu në fakt ishte shpirti më i mirë i brezit të tij. Pra, të gjithë të dërguarit janë shpirtrat më të mëdhenj të brezit të tyre, përveç dy të dërguarve që vijnë pas meje. I Dërguari Forcues dhe i Dërguari Udhëzues. Dhe madje edhe kjo mund të ndodhë vetëm me njerëz që janë më të vjetër se të dërguarit. Pra, ndoshta do të ketë disa besimtarë të fortë që më kanë mbështetur në mënyrë aktive, dhe kur të plaken, do të jenë shpirtra më të mëdhenj se i dërguari i ardhshëm, dhe me të Dërguarin e Fundit, shumë besimtarë të vjetër, mijëra prej tyre do ta përmbushin këtë kriter. Pra, do të ketë kuptim që i Dërguari Forcues t’i marrë shumë parasysh mendimet e besimtarëve të fortë që më mbështetën, dhe për Mehdiun, do të jetë aq e rëndësishme, saqë do të jetë një mënyrë pothuajse demokratike e marrjes së vendimeve duke i marrë parasysh mendimet e besimtarëve më të vjetër. Dhe kjo do të jetë e përshtatshme për ato kohë, sepse në atë kohë politika dhe feja do të bashkohen, gjë që është një mënyrë për ta kuptuar pse ata shpirtra do të jenë kaq të vegjël. Vetëm shpirtrat e vegjël mund të kenë sukses në politikë.
Tani, kthehemi te dallimi midis profetëve dhe të dërguarve. Meqë shpirtrat e profetëve janë 1040 vjet më të mëdhenj se shpirtrat e të dërguarve, kjo do të thotë se profetët që përmenden në Kuran ishin për një kohë të shkurtër të dërguar derisa ata, si shpirtra, u rritën mjaftueshëm për t’u bërë profetë. Dhe në shumicën e rasteve kjo ishte një periudhë e shkurtër kohe, dhe për shumicën e profetëve kjo ndodhi në izolim. Pra, ishin të dërguar të zgjedhur, jetuan diku në shkretëtirë jashtë shoqërisë, për një kohë të shkurtër duke soditur atë që u kishte ndodhur, dhe duke medituar, e pastaj u bënë profetë nga fundi i asaj përvoje. Për shembull, ka raportime historike se Muhamedi filloi të shihte ëndrra që realizoheshin të nesërmen, dhe gjatë asaj kohe shkoi në një shpellë afër Mekës për të soditur, dhe kjo ndodhi për rreth gjashtë muaj para se të bëhej profet, para se t’i zbulohej Kurani. Pra, kishte gjashtë muaj gjatë të cilëve Muhamedi ishte i dërguar, por jo profet, dhe për shumicën e profetëve të tjerë, situata ishte e ngjashme.
Në rastin e Moisiut, mund ta shohim më qartë dallimin në kohë midis dërgimit dhe profetësisë së tij. Ishte i dërguar për mjaft kohë para se të bëhej profet. Kur u dërgua te Faraoni, ishte vetëm i dërguar. Moisiu përmendet gjithmonë si i dërguar kur u dërgua te Faraoni dhe egjiptianët, e pastaj sapo Bijtë e Izraelit u çliruan, dhe shkuan në shkretëtirë, atëherë Zoti e zgjodhi Moisiun të ishte profet dhe ia zbuloi shkrimin, sepse shkrimi ishte i destinuar për Bijtë e Izraelit, jo për Faraonët. Nëse do Zoti, dallimet midis profetëve dhe të dërguarve do të shpjegohen në një predikim tjetër. Sigurisht, e dimë tashmë se një i dërguar është dikush të cilit i tregohen lajme të caktuara nga e ardhmja, ndërsa një profet është dikush të cilit i jepet një shkrim, por ka dallime të tjera që dalin nga kjo.
Gjithsesi, këto janë fazat e rritjes së shpirtit, dhe Kurani në Surën 84, strofat 16-19, thotë: “Betohem solemnisht për muzgun e kuqërremtë. Dhe për natën ndërsa shtrihet. Dhe për hënën dhe fazat e saj. Do të kaloni nga faza në fazë.”, dhe këtu po u flet të gjithë besimtarëve. Pra, ne, besimtarët, do t’i kalojmë gjithashtu të gjitha këto faza, por shumica prej nesh do t’i kalojnë fazat e mëvonshme pasi të ringjallemi, gjatë Epokës Mesianike. Do të na jepet dritë dhe do të bëhemi të paktën 1000 vjet të mëdhenj si shpirtra, dhe meqë Gjykimi do të jetë më pak se 1000 vjet larg, do të jemi të gjithë në gjendje të jemi si ishin profetët në këtë botë. Të gjithë ne të pastruar dhe të gjithë ne do ta kemi qasjen e drejtpërdrejtë te fjala e Zotit. Profetët janë njerëz që kanë qasje të drejtpërdrejtë te fjala e Zotit, dhe në botën tjetër të gjithë besimtarët do të kenë qasje të drejtpërdrejtë te fjala e Zotit.
Pra, me fjalë të tjera, një profet është thjesht një i nënshtruar që i kalon të gjitha fazat e rritjes së shpirtit para se të vdesë, ndërsa të nënshtruarit e tjerë do t’i kalojnë disa nga ato faza këtu, dhe pjesën tjetër të atyre fazave në jetën tjetër.
Predikim i së Premtes nga: Alban Fejza, Drejtues i Xhematit Online