Lavdi Zotit! Nuk ka zot tjetër përveç Zotit.
Njëri nga mitet e përhapura është se Muhamedi ishte themeluesi i Islamit.
Edhe pse Islami, nënshtrimi i plotë ndaj vetëm Zotit, është e vetmja fe e njohur nga Zoti që nga koha e Ademit (3:19, 85), Ibrahimi raportohet në Kuran si përdoruesi i parë i fjalës “Islam” (Nënshtrim) dhe ai që na quajti “Myslimanë”, d.m.th. të Nënshtruar (22:78). Nënshtrimi shembullor i Ibrahimit ndaj Zotit demonstrohet nga gatishmëria e tij e famshme për ta flijuar djalin e tij të vetëm, Ismailin, kur mendoi se ai ishte urdhri i Zotit. Siç rezulton, një urdhër i tillë në fakt ishte nga Dreqi.
Zoti kurrë nuk e urdhëroi Ibrahimin ta flijonte djalin e tij
Zoti është Më i Mëshirshmi. Ai kurrë nuk e shkel ligjin e Tij (7:28). Çdo person që beson se Më i Mëshirshmi e urdhëroi Ibrahimin ta vriste djalin e tij nuk mund ta arrijë kurrë Parajsën e Zotit. Një mendim i tillë i keq për Zotin është rëndë blasfemues. Askund në Kuran nuk shohim se Zoti e urdhëroi Ibrahimin ta vriste djalin e tij. Përkundrazi, Zoti ndërhyri për t’i shpëtuar Ibrahimin dhe Ismailin nga komploti i Dreqit (37:107), dhe i tha Ibrahimit: “Ti i besove ëndrrës” (37:105). Pa dyshim, ishte një ëndërr e frymëzuar nga Dreqi. Ligji i pakthyeshëm i Zotit është: “Zoti kurrë nuk e mbron mëkatin” (7:28).
Mil-letu Ibrahim
Islami quhet “Mil-letu Ibrahim” (Feja e Ibrahimit) në tërë Kuranin (2:130, 135; 3:95; 4:125; 6:161; 12:37-38; 16:123; 21:73; 22:78). Për më tepër, Kurani na informon se Muhamedi ishte ndjekës i Ibrahimit (16:123).
Për shkak të mosnjohjes së përgjithshme të faktit se Ibrahimi ishte i dërguari origjinal i Islamit, shumë të ashtuquajtur myslimanë e sfidojnë Zotin: “Nëse Kurani është i plotë dhe plotësisht i detajuar (siç pretendon Zoti), ku mund ta gjejmë numrin e Reqateve (njësive) në secilën lutje të kontaktit (Salat)?” Mësojmë nga Kurani se të gjitha praktikat fetare të Islamit (Nënshtrimit) ishin themeluar tashmë para shpalljes së Kuranit (8:35, 9:54, 16:123, 21:73, 22:27, 28:27). Strofa 16:123 është dëshmi e drejtpërdrejtë se të gjitha praktikat fetare në Islam ishin të paprekura kur lindi Muhamedi. Muhamedi u urdhërua ta “ndiqte fenë e Ibrahimit”. Nëse ju kërkoj të blini një televizor me ngjyra, supozohet se e dini çka është televizori me ngjyra. Po ashtu, kur Zoti e urdhëroi Muhamedin t’i ndiqte praktikat e Ibrahimit (16:123), praktika të tilla duhet të kenë qenë mirë të njohura.
Një dëshmi tjetër e ruajtjes hyjnore të praktikave islame që iu dhanë Ibrahimit është “Pranimi Universal” i praktikave të tilla. Nuk ka mosmarrëveshje lidhur me numrin e Reqateve në të pesë lutjet ditore. Kjo e dëshmon ruajtjen hyjnore të Salatit. Kodi matematikor i Kuranit e konfirmon numrin e Reqateve në pesë lutjet 2, 4, 4, 3 dhe 4, përkatësisht. Numri 24434 është shumëfish i 19-ës.
Kurani merret vetëm me praktikat që u shtrembëruan. Për shembull, abdesi i shtrembëruar rikthehet në 5:6 në katër hapat e tij origjinalë. Toni i zërit gjatë lutjeve të kontaktit (Salatit) u shtrembërua – shumë myslimanë luten në heshtje. Kjo u korrigjua në Kuran, 17:110. Agjërimi gjatë Ramazanit u modifikua në Kuran për t’i lejuar marrëdhëniet intime gjatë natës (2:187).
Predikim i së Premtes bazuar në Shtojcën 9 të Përkthimit të Autorizuar Anglisht të Kuranit nga Rashad Khalifa (1989)