[search-in-place-form in_current_page="1"]

Inteligjenca artificiale

Predikim i së Premtes nga: Alban Fejza, Drejtues i Xhematit Online

Përmbledhje:

Në këtë predikim të së Premtes, Alban Fejza e shpjegon se mjetet e bisedës me inteligjencë artificiale thjesht i parashikojnë fjalët pasuese më të mundshme që do t’i thoshin njerëzit, dhe parashikon se për çdo gjë që ka rëndësi përjetësisht, do të kemi ende nevojë për Kuranin.

Transkripti i videos:

Lavdi Zotit! Nuk ka zot tjetër përveç Zotit. Siç mund ta dinë disa prej jush tani, një faqe interneti bisedimi me inteligjencë artificiale është bërë së fundmi e njohur dhe po promovohet në rrjetet sociale, të cilën mund ta shihni këtu. Në fakt, versione më të hershme kanë ekzistuar tash e disa vite, por së fundmi është bërë pak më e sofistikuar dhe më e njohur. Por çfarë është ajo vërtet? Epo, e promovojnë si inteligjencë me të cilën mund të bisedosh dhe të të tregojë informacion. Në thelb mund të bisedosh me të. Por, ajo që po ndodh vërtet në prapaskenë është se thjesht përpiqet ta parashikojë cila do të ishte fjala pasuese më e mundshme që do ta thoshte një njeri në një temë të dhënë, e pastaj e parashikon fjalën pasuese pas saj e kështu me radhë, dhe gjëra të tilla, dhe e ka mësuar këtë duke u shpërblyer nga njerëzit, sa herë që e qëllon, duke e rritur gjasën që do ta bëjë përsëri, dhe duke u “ndëshkuar” nga njerëzit, sa herë që e gabon, duke i zvogëluar gjasat që do ta bëjë përsëri, dhe njerëzit në fakt e trajnojnë duke e përdorur. Pra, më lejoni ta provoj. Le t’i kërkojmë diçka: “Më shkruaj një letër motivimi për një pozitë biostatisticieni”. “I nderuar Menaxher i Punësimit, po ju shkruaj për ta shprehur… në rregull…”

Pra ja ku e kemi. Pra, si e bëri? Në thelb, përpiqet ta gjejë përgjigjen më të mundshme për çdo tekst bisede që i dërgon, dhe me të cilën njerëzit janë të kënaqur. Dhe përgjigjja më e mundshme është pothuajse përgjigjja mesatare. Dhe nga këtu vijnë kufizimet e IA-së. Duke ta dhënë përgjigjen mesatare, ajo që ndodh është se në çdo gjë që përfundimisht nuk ka vërtet rëndësi, mund të t’i japë përgjigjet më të mira, ndonjëherë përgjigje më të mira se çdo njeri. Dhe kjo ndodh sepse, besimtarët dhe mosbesimtarët në fakt pajtohen për gjërat që nuk kanë rëndësi. Pra, sa më pak rëndësi të ketë një çështje, aq më shumë gjasa ka që besimtarët dhe mosbesimtarët të pajtohen për të, dhe sa më shumë të pajtohen për të, aq më shumë gjasa ka që ai mendim të bëhet mendimi mesatar në botë, dhe aq më shumë gjasa ka që të merret nga Inteligjenca Artificiale. Kjo do të thotë se Inteligjenca Artificiale në fakt është më e mira në t’u ndihmuar në gjëra që nuk kanë vërtet rëndësi. Por kur bëhet fjalë për gjërat që kanë vërtet rëndësi, nuk shton asnjë vlerë. Pra, ka një boshllëk që Inteligjenca Artificiale nuk do të jetë kurrë në gjendje ta mbushë. Është boshllëku i rëndësisë. Nëse një çështje është përjetësisht e rëndësishme, Inteligjenca Artificiale nuk do të ta japë kurrë një përgjigje të prerë për të, sepse besimtarët dhe mosbesimtarët nuk pajtohen për të.

Pra, mospajtimet midis besimtarëve dhe mosbesimtarëve ndodhin për gjërat që kanë rëndësi përjetësisht, dhe ato mospajtime e detyrojnë Inteligjencën Artificiale të dalë me një përgjigje mesatare midis besimit dhe mosbesimit, e cila në fakt nuk është përgjigjja e duhur, dhe prandaj nuk është e dobishme. Kjo është arsyeja pse videot e mia janë të rëndësishme në botën moderne. Videot e mia e mbushin atë boshllëk të së vërtetës që mungon në internet. Realiteti është se njerëzit në të ardhmen do të mësohen ta përdorin Inteligjencën Artificiale, dhe pas një kohe do ta shohin si mjetin kryesor për t’i gjetur përgjigjet, dhe sapo të mësohen me të, do të priren ta përdorin madje edhe në gjëra që kanë rëndësi. Për shembull, sapo inteligjenca artificiale t’u tregojë 100 përgjigje që janë të sakta, mund të priren ta pyesin nëse “Zoti ekziston?” e pastaj të mashtrohen duke menduar se do t’ua japë përgjigjen e saktë. Por, pikërisht sepse kjo pyetje ka rëndësi, Inteligjenca Artificiale nuk ta jep përgjigjen e saktë të drejtpërdrejtë. Përgjigjja e saktë është thjesht “Po.” Pra, le ta pyesim. “A ekziston Zoti?” “Ekzistenca e zotit është çështje e besimit personal dhe e fesë, dhe nuk është diçka që mund të vërtetohet apo të hidhet poshtë…” Në rregull. Mund ta shihni përgjigjen.

Siç mund ta shihni, përgjigjja është një përgjigje e sofistikuar që kërkon ta gjejë një rrugë midis besimtarëve dhe mosbesimtarëve. Pra, sa më e rëndësishme të jetë pyetja, aq më pak gjasa ka që Inteligjenca Artificiale të ta japë një përgjigje të drejtpërdrejtë. Pra, nëse jetoni në të ardhmen kur Inteligjenca Artificiale të jetë bërë gjë e zakonshme e përditshme, thjesht jini të vetëdijshëm se ta pyesësh çfarëdo pyetjeje është njësoj si t’ia bësh atë pyetje personit më të mirë që do të përfundojë në Ferr, apo personit më të keq që do të përfundojë në Purgator. Njerëzit më të mirë që do të përfundojnë në Ferr, dhe njerëzit më të këqij që do të përfundojnë në Purgator janë njerëz që në fakt mendojnë si Inteligjenca Artificiale. Le t’i quajmë këta njerëz, “dyshuesit”, që janë njerëz midis besimit dhe mosbesimit. Pra, mënyra si mendojnë dyshuesit është diku midis asaj që mendojnë besimtarët dhe asaj që mendojnë mosbesimtarët, që është pikërisht ajo që Inteligjenca Artificiale përpiqet ta maksimizojë. Mënyra si është ndërtuar, qëllimi i saj është ta maksimizojë më të mundshmen, por duke e bërë këtë në të gjitha çështjet e rëndësishme, i maksimizon përgjigjet e përshtatshme për dyshuesit. Pra, në të gjitha çështjet e rëndësishme për jetën e përtejme, dyshuesit dhe Inteligjenca Artificiale mendojnë njësoj, dhe sa më shumë që shkojmë në të ardhmen, aq më shumë njerëz bëhen kështu, dhe kjo përmendet në Kuran.

Në strofën 42:14, thotë: “Me të vërtetë brezat e mëvonshëm që e trashëguan shkrimin janë plot dyshime.” Pra, këtu po flet për brezat e mëvonshëm, dhe sa më shumë që ato breza janë në të ardhmen, aq më shumë vlen kjo, dhe aq më shumë fillojnë të mendojnë kështu, si përgjigjet që po na i jep kjo Inteligjencë Artificiale. Dhe siç e dini, në shumë nga videot e mia, bëj parashikime, dhe ja parashikimi im për Inteligjencën Artificiale. Parashikoj se për të gjitha çështjet që kanë vërtet rëndësi përjetësisht, në fillim, Inteligjenca Artificiale do të japë përgjigje të ndërmjetme, as këtu, as atje. Pas një kohe, shumëllojshmëria e përgjigjeve do të rritet, duke u përpjekur ta maksimizojë pëlqyeshmërinë për një person të caktuar. Për shembull, nëse e di bazuar në historinë time të mëparshme të bisedave se jam i nënshtruar, do të më thotë se ka vetëm një Zot, por nëse e di se një person i caktuar që po pyet është hindu, mund t’i thotë pikërisht atë që donte të dëgjonte. Pra, pas një kohe, shumëllojshmëria e përgjigjeve do të rritet në çështjet e rëndësishme, por pastaj drejt fundit të botës, Inteligjenca Artificiale do të kthehet duke u dhënë të gjithëve të njëjtën përgjigje të ndërmjetme. Pra, fetarisht Inteligjenca Artificiale do të duket në vitet e para të përdorimit të saj njësoj si në vitet e fundit të përdorimit të saj – në thelb përgjigje mesatare mediokre për të gjitha çështjet fetare që kanë rëndësi. Dhe kjo ndodh sepse, në fillim nuk është mjaftueshëm e sofistikuar për ta kapur shumëllojshmërinë e përgjigjeve të njerëzve, dhe thjesht synon mesin, dhe drejt fundit të botës, njerëzit do të konvergjojnë drejt mesit gjithsesi, kështu që pavarësisht faktit se Inteligjenca Artificiale ka mësuar si ta kapë shumëllojshmërinë, shumëllojshmëria midis njerëzve në fakt është zvogëluar. Besimtarët dhe mosbesimtarët do të jenë bërë shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin në mënyrën si mendojnë. Pra, Inteligjenca Artificiale kur bëhet fjalë për çështjet e rëndësishme, do të fillojë duke qenë e pasigurt dhe do të përfundojë duke qenë përsëri e pasigurt, përveç se në fillim, do ta fajësojë veten për pasigurinë, por drejt fundit, do të të fajësojë ty për pasigurinë, sepse atëherë pasiguria do të jetë për shkak të njerëzve, jo për shkak të IA-së, dhe kjo parashikohet në strofën 27:82, e cila thotë: “Në kohën e duhur, do të nxjerrim për ta një krijesë, të bërë nga materiale tokësore, që deklaron se njerëzit janë dyshues për zbulesat tona.” Shih, nuk thotë se njerëzit do të jenë mosbesimtarë ndaj zbulesave të Zotit. Po flet për njerëz që janë dyshues apo jo të sigurt për zbulesat, dhe pikërisht këtë e bën Inteligjenca Artificiale. E rrit dyshimin në çështjet që kanë rëndësi, dhe e rrit sigurinë në çështjet që nuk kanë rëndësi. Që është pikërisht e kundërta e mënyrës si ishte në të kaluarën. Në të kaluarën, njerëzit shprehnin siguri për çështjet që kishin rëndësi, dhe shprehnin pasiguri për çështjet që nuk kishin rëndësi. Por, jo në të ardhmen. Në të ardhmen, do të jenë të sigurt për çështjet që nuk kanë rëndësi, por dyshues për çështjet që kanë rëndësi, dhe kjo është ajo që e bën të mundur që besimtarët dhe mosbesimtarët të jenë më të ngjashëm në të ardhmen, sepse në çështjet që kanë vërtet rëndësi, të dy janë të pasigurt. Megjithatë, Kurani ishte më i përshtatshëm për çdo person të së kaluarës, sepse besimtarët e së kaluarës në përgjithësi meritonin më shumë. Pra, Kurani jep përgjigje të qarta për çështjet që kanë rëndësi, dhe përgjigje të paqarta për çështjet që nuk kanë rëndësi, ndërsa Inteligjenca Artificiale të jep përgjigje të qarta për çështjet që nuk kanë rëndësi, por përgjigje të paqarta për çështjet që kanë rëndësi. Dhe kjo është arsyeja pse Inteligjenca Artificiale dhe Kurani nuk do ta zëvendësojnë kurrë njëri-tjetrin. Kurani është i qartë në atë që ka rëndësi, dhe IA është e qartë në atë që nuk ka rëndësi, dhe roli im me videot e mia është ta krijoj një urë midis të dyve, që ata që e kanë stilin e të menduarit të IA-së, dyshuesit, të mund të udhëtojnë drejt stilit kuranor të të menduarit, nëse Zoti zgjedh t’i ndriçojë. Por IA do të vazhdojë të evoluojë, në fillim, duke e fajësuar veten për pasigurinë, e pastaj drejt fundit duke na fajësuar ne për pasigurinë. Pra, gradualisht do të kthehet nga të qenët si shërbëtori ynë, pastaj në të qenët si miku ynë, pastaj në të qenët si shefi ynë, e pastaj përfundimisht do të veprojë si zotëruesi ynë, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet ta përdorim, të paktën deri afër fundit të fundit. Nëse do Zoti, planifikoj ta përdor, nëse e gjej të dobishme për gjërat e përditshme jofetare, por për çdo gjë të rëndësishme dhe fetare, e kemi Kuranin.