Përmbledhje:
Në këtë predikim të së Premtes, Alban Fejza e shpjegon nga erdhi shtesa sunite në Shehadet, pse Shehadeti kuranor në 3:18 përmban vetëm “Nuk ka zot tjetër përveç Zotit”, dhe pse besimtarët e zakonshëm nuk kanë pse të vendosin për një të dërguar ndërsa udhëheqësit e kanë për detyrë.
Transkripti i videos:
Lavdi Zotit. Nuk ka zot tjetër përveç Zotit. Siç e dini, ka një dallim midis “Shehadetit”, dëshmisë që shpallet nga myslimanët sunitë dhe Shehadetit që gjendet në Kuran. Dëshmia sipas sunitëve shkon: “La ilahe il-lAllah. Muhammedun resulullah”. Këtë dëshmi nuk e gjejmë askund në Kuran. Në vend të kësaj, dëshmia në Kuran në strofën 3:18 gjendet të jetë vetëm “La ilahe il-lAllah.” Pyetja është, historikisht nga erdhi ky dallim? Epo, dallimi vjen nga fakti se pranimi i Zotit është i detyrueshëm në çdo kohë, dhe pranimi i një të dërguari të caktuar nga Zoti është i detyrueshëm vetëm në rrethana të caktuara.
Për shembull, nuk ishte e detyrueshme për njerëzit që jetuan para Muhamedit ta pranonin se ai ishte i dërguari i Zotit, sepse nuk e dinin kush do të ishte i dërguari i ardhshëm. Ata mund të shkojnë në Parajsë pa e thënë kurrë se Muhamedi do të jetë i dërguari i Zotit. Pra, siç mund ta shihni pranimi i të dërguarit të Zotit vjen me kushte të caktuara, veçanërisht sepse e kemi Kuranin tani. Pra, cilat janë rrethanat në të cilat një person duhet patjetër ta pranojë të dërguarin e Zotit, përndryshe do të shkojë në ferr?
Kushti i parë është nëse e ka refuzuar atë (të dërguarin) më parë. Pra, nëse një person tha se profeti Muhamed nuk ishte i dërguari i Zotit, apo ndoshta tha se Muhamedi ishte i dërguar i rremë, në atë rast është e detyrueshme për atë person ta pranojë Muhamedin si të dërguarin e Zotit. Përndryshe do të shkojë në Ferr. Nuk mund të thotë thjesht se do ta bëj vetëm Lutjen e Kontaktit dhe Bamirësinë e Detyrueshme, dhe kjo është shenjë se pendohem. Epo, duhet ta korrigjosh gabimin e mëparshëm. Pra, nëse dikush ka thënë më parë se Muhamedi është i dërguar i rremë, ai nuk mund t’u bashkohet besimtarëve pa e deklaruar publikisht tani se Muhamedi është i dërguari i Zotit. Dhe nga këtu vjen keqkuptimi në dallimin e Shehadetit. Kur njerëzit vinin për t’u bashkuar me besimtarët në të kaluarën dhe e takonin Muhamedin, ai u kërkonte ta thoshin më parë Shehadetin që ishte: “La ilahe il-lAllah.” Megjithatë, kishte grupe njerëzish në Arabi që kishin thënë se Muhamedi është i dërguar i rremë, dhe luftuan, dhe Muhamedi fitoi, dhe kështu ata u përulën dhe u desh ta pranonin Islamin me bisht ndër shalë, pasi ishin mundur. Në këtë rast, kur i sillnin te Muhamedi, ai u kërkonte të thoshin “La ilahe il-lAllah, Muhammedun resulullah” për t’u bashkuar. Kjo është për ta korrigjuar gabimin e tyre. Nuk mund të shkosh rreth e rrotull duke u thënë njerëzve se Muhamedi apo Albani është i dërguar i rremë, e pastaj të duash të bashkohesh pa e korrigjuar gabimin tënd. Pra, nëse njerëzit e kanë për detyrë ta pranojnë Alban Fejzën si të dërguarin e Zotit, varet së pari nëse e kanë refuzuar më parë, pra varet nga rrethanat personale të personit. Nëse nuk e ka refuzuar kurrë Alban Fejzën, i duhet vetëm ta japë Bamirësinë e Detyrueshme dhe ta bëjë Lutjen e Kontaktit dhe na është bashkuar neve (të nënshtruarve). Megjithatë, nëse e ka refuzuar Alban Fejzën më parë, duhet të pendohet më parë për gabimin e tij, siç na thuhet në strofën 9:11. Sigurisht, pendimi për krimet që nuk mund të rregullohen pranohet, por pendimi për krimet që mund të rregullohen nuk pranohet përveç nëse personi e rregullon atë krim. Pra, nëse ke thënë më parë se Alban Fejza nuk është i dërguari i Zotit, ky është krim që mund të rregullohet. Gjithë ajo që duhet të bësh është të thuash publikisht tani se Alban Fejza është i dërguari i Zotit, dhe krimi rregullohet, dhe vetëm atëherë pranohet pendimi yt.
Pra, përsëri kur njerëzit na bashkohen, i vetmi vendim që duhet ta marrin është ta bëjnë Lutjen e Kontaktit dhe ta japin Bamirësinë e Detyrueshme saktë, dhe nuk kanë pse ta pranojnë dërgimin e Alban Fejzës. Megjithatë, nëse e kanë refuzuar Alban Fejzën më parë, duhet të vendosin ta pranojnë tani, që t’u lejohet të bashkohen. Kur themi “refuzuar”, e kemi fjalën nëse kanë thënë se Albani është i dërguar i rremë, Albani nuk është i dërguari i Zotit, apo Albani po përpiqet t’ju mashtrojë, apo gjëra të tilla. Nëse ky është rasti, nuk mund të na bashkohen, pa e korrigjuar këtë gabim publikisht. Arrogantët duhet ta gëlltisin krenarinë para se të bashkohen. Nuk mund të bashkohesh duke e ruajtur arrogancën tënde të vjetër.
Rasti i dytë kur bëhet e detyrueshme për një person ta pranojë Alban Fejzën si të dërguarin e Zotit është nëse ai është udhëheqës fetar. Pra, nëse dikush është udhëheqës fetar, nuk mund të shkojë në Parajsë pa e pranuar Alban Fejzën si të dërguarin e Zotit. Tani, nëse dikush është udhëheqës fetar apo jo është e diskutueshme, sepse dikush mund të pohojë se nuk është, por mund të jetë, apo dikush mund të thotë se është, por nuk është. Pra, kush është vërtet udhëheqës fetar është e diskutueshme por ka shenja që e tregojnë këtë, si për shembull:
Kush e ka regjistruar një organizatë fetare?
Kush e ka të drejtën të bëjë modifikime në xhami?
Kush i ka çelësat e xhamisë?
A është xhamia e hapur, apo njerëzit duhet të varen nga dikush që t’ua hapë?
A flasin vetëm për veten e tyre, apo për gjithë grupin?
A mirëmbajnë faqe interneti?
Dhe shenja të tjera të ngjashme.
Dikush mund të thotë: Çfarë lidhje kanë çelësat e xhamisë për shembull me të qenët udhëheqës fetar? Epo, e tregojnë besimin e brendshëm të një personi për atë se kush mendon se është. Le t’ju tregojmë një nga tregimet personale të Alban Fejzës. Qeveria në shtetin e tij dhe udhëheqësit fetarë në shtetin e tij kishin një mosmarrëveshje ligjore për xhaminë më të vjetër në vendin e tij, e cila është në qendër të kryeqytetit, e cila është një kryevepër artistike e ruajtur. Debatonin kush e ka të drejtën t’i riparojë veprat artistike brenda, dhe kështu e mbyllën, dhe mbeti e papërdorur për disa vite, dhe të varurit nga droga e thyen derën e xhamisë, dhe për vite qëndronin aty duke përdorur drogë dhe duke bërë prostitucion e kështu me radhë, dhe flinin aty, dhe Alban Fejza dëgjoi për këtë nga lajmet. Ajo është xhamia e Zotit dhe besimtarët duhet ta mbrojnë, dhe askush nuk duhet ta ketë të drejtën ta bëjë këtë. Pra, gjatë netëve të Ramazanit Alban Fejza shkoi dhe fjeti aty ndërsa dera ishte e thyer. Pra, çdo natë sa herë që vinin të varurit nga droga, Alban Fejza i ndizte dritat. Ata largoheshin. E bëri këtë për disa net, dhe ata (të varurit nga droga) e kuptuan se dikush po qëndron në xhami, dhe pushuan së ardhuri aty. Alban Fejza vendosi një derë të re, ua dërgoi çelësin autoriteteve, dhe ata i thanë se nuk kanë ndërmend ta përdorin. Pra, Alban Fejza i ftoi të gjithë të nënshtruarit ta bënin lutjen e së Premtes aty. Ditën e parë kur të nënshtruarit shkuan aty, meqë Alban Fejza nuk e konsideronte veten udhëheqës atëherë (para se të vendosej Feja e Organizuar), bëri një kopje të çelësit për të gjithë, dhe i dha secilit një kopje të çelësit. Pra, cilido nga të nënshtruarit mund të shkonte aty në çdo kohë, pa lejen e Alban Fejzës. Pse do t’u duhej Alban Fejza që t’ua hapte xhaminë e Zotit? Nuk është shtëpia e vetë Alban Fejzës. Është shtëpia e Zotit. Xhamitë duhet të jenë të hapura për çdo të nënshtruar në çdo kohë. Tani, nëse duhet ta mbyllësh për ta mbrojtur nga hajdutët, duhet ta garantosh që çdo i nënshtruar ta marrë një kopje të çelësit.
Pra, nëse dikush është udhëheqës, e ka për detyrë të vendosë nëse dikush është i dërguari i Zotit apo jo. Nuk mund të mbetet i pavendosur si njerëzit e tjerë. Tani, ja ironia. Zoti e ka garantuar në Kuran se asnjë udhëheqës fetar nuk do ta pranojë kurrë të dërguarin e Zotit.
Strofa 34:34 thotë: Sa herë që dërguam një paralajmërues te një bashkësi, UDHËHEQËSIT e asaj bashkësie thanë: “Ne e refuzojmë mesazhin me të cilin je dërguar.”
Thotë “sa herë”. Pra, të gjithë udhëheqësit janë të mbyllur nga Zoti në një pozitë që i pengon ta pranojnë të dërguarin e Zotit. Nuk ka pasur kurrë një udhëheqës fetar që e pranoi të dërguarin e Zotit, dhe nuk do të ketë kurrë. Dhe ka kuptim. Sikur të ishin të denjë për t’u zgjedhur, Zoti do t’i kishte zgjedhur. Por meqë kishte diçka të gabuar me ta, Zoti zgjodhi dikë tjetër. Përndryshe, gjëja më e mirë do të ishte që udhëheqësit të zgjidheshin si të dërguarit e Zotit. Kjo do të ishte më efektive. Do ta përhapnin mesazhin më shpejt. Por meqë ka diçka të gabuar me ta, Zoti i anashkaloi, dhe zgjodhi dikë tjetër. Por nuk ka humbur çdo shpresë. Nëse dikush dëshiron të çlirohet nga ky mallkim i pamundësisë për ta pranuar të dërguarin e Zotit, mund ta çlirojë veten nga ky mallkim, duke hequr dorë nga udhëheqja e tij. Që do të thotë se i bën të gjithë të tjerët të barabartë me të në vendimmarrje, dhe në çelësat e xhamisë, dhe në gjëra të tilla. Vetëm pasi ta bëjnë këtë, çlirohen nga mallkimi. Atëherë mund të diskutojnë dhe të vlerësojnë nëse dikush është i dërguari i Zotit apo jo. Dhe nëse e bëjnë këtë, Zoti do t’i rikthejë në pozitën e tyre të nderit, dhe madje më mirë, përveç nëse janë budallenj apo të dobët. Njerëzit budallenj apo të dobët nuk duhet të jenë udhëheqës, siç thuhet në strofën 247 të kapitullit 2.
Pra, për ta përmbyllur, njerëzit nuk kanë pse të marrin vendim se kush është i dërguari i Zotit dhe kush nuk është, përveç nëse e kanë refuzuar tashmë, apo nëse janë udhëheqës fetarë.
Le ta trajtojmë edhe argumentin e disa njerëzve që e gjejnë të çuditshme kur u themi se nuk kanë pse të marrin një vendim përfundimtar për dërgimin e Alban Fejzës për të qenë në gjendje të shkojnë në Parajsë. Epo, Alban Fejza nuk ishte i dërguari i parë që e thotë këtë. Ai është i dërguari i tretë që e thotë këtë.
Së pari, vetë Muhamedi e tha. Strofa 2:62 na thotë se me siguri ata që besojnë në Zotin, dhe besojnë në ditën e fundit, dhe bëjnë një jetë të drejtë, nuk kanë asgjë për t’u frikësuar dhe as nuk do të pikëllohen. Pra, këto janë tri kërkesat minimale për besim.
Së dyti, vetë Rashad Khalifa tha se besimi në një të dërguar nuk është i domosdoshëm. Ai tha: “Duhet ta përmend këtu se tri kërkesat minimale në Kuran, në Surën 2, strofa 62, dhe e njëjta gjë përsëritet në Surën 5, thotë se kërkesat minimale janë besimi në Zotin, besimi në Jetën e Përtejme, të bësh një jetë të drejtë. Këto janë tri kërkesat minimale, dhe arrin në Parajsë. Beson vetëm në Zotin, beson në Jetën e Përtejme, dhe bën një jetë të drejtë. Nuk ka asgjë për Moisiun dhe Jezusin, Muhamedin. Nuk ke pse të besosh në ta. Nuk ka asgjë për Kuranin apo Biblën, apo Ungjillin. Nuk ke pse të besosh në to. Nuk ka asgjë aty për çfarëdo, për engjëjt. A beson në engjëjt? Sigurisht, ne besojmë në engjëjt, por nuk është kërkesë. Është një informacion. Është një informacion shtesë. Ka dallim midis personit të ditur dhe personit injorant, dhe të gjithë ata nëse i plotësojnë këto tri kërkesa, arrijnë në Parajsë. Por të besosh në engjëjt, në të dërguarit, në shkrimet, të gjitha këto janë informacione shtesë, informacione të vlefshme…”
Dhe, Alban Fejza është i dërguari i tretë që e thotë këtë. Ai është i dërguari i tretë, sepse kjo është situata pas Kuranit. Ishte pak ndryshe para Kuranit, por pas Kuranit, e kemi Kuranin për të gjitha kohërat, dhe prandaj marrja e një vendimi përfundimtar nëse dikush është i dërguar apo jo nuk është kërkesë, përveç në rrethana të veçanta, që është nëse e ke refuzuar tashmë, apo nëse je udhëheqës fetar. Në ato dy rrethana, është kërkesë t’i pranosh hapur të dërguarit e Zotit. Përndryshe, është opsionale. Nëse e pranon të dërguarin, të lumtë. Je i mençur. Meqë ra fjala, nëse merr një vendim, dhe mundesh nëse do, sepse Alban Fejza jep prova të mjaftueshme, strofa të mjaftueshme nga Kurani për këtë, pra nëse je mjaft i mençur për ta kuptuar se Alban Fejza është i dërguari i Zotit, dhe do t’ua tregosh të tjerëve, atëherë të lutem mos ia trego Alban Fejzës. Alban Fejza e di se është i dërguari i Zotit. Tregoju të tjerëve. Alban Fejza nuk ka nevojë ta dëgjojë këtë. Alban Fejza do të të konsiderojë si njërin prej nesh nëse e bën Lutjen e Kontaktit saktë, dhe nëse e bën Bamirësinë e Detyrueshme saktë. Sepse përfundimisht kjo është ajo që ka rëndësi. Nuk ka të bëjë me atë nëse duhet ta pranosh të dërguarin e Zotit. Ka të bëjë me atë nëse Zoti të pranon në xhematin e Tij të pastruar. Nëse Zoti të pranon, me siguri Ai është bujar dhe do të të pranojë me dhurata që të presin sapo të të pranojë. Dhuratat e Zotit për ne në këtë botë janë Lutja e Kontaktit dhe Bamirësia e Detyrueshme. Pra, gjërat e para për të cilat duhet të shqetësohesh janë nëse po e bën Lutjen e Kontaktit saktë, kushtuar vetëm Zotit, dhe nëse po e bën Bamirësinë e Detyrueshme saktë, sipas mënyrës si e përcakton Zoti në Kuran, në gjithë Kuranin, jo vetëm në një strofë të Kuranit.
Dhe siç tregohet pjesërisht në strofën 58:12, nuk është i dërguari i Zotit ai që të çon te bamirësia e saktë e detyrueshme, por është bamirësia e saktë e detyrueshme ajo që të çon te i dërguari i Zotit, ngjashëm me rastin e Jozefit dhe vëllezërve të tij. A i solli Jozefi vëllezërit e tij te varfëria, apo varfëria i solli vëllezërit e tij te Jozefi? A i foli Zoti Moisiut, pasi Moisiu vendosi të sillte pak zjarr për ngrohje për familjen e tij, që është bamirësi, apo Moisiu priti derisa Zoti t’i fliste, e pastaj vendosi ta ndihmonte familjen e tij? Nuk kemi nevojë të presim të vendosim për të dërguarin e Zotit si kusht për ta bërë gjënë e duhur. Pritja për të vendosur ta bësh gjënë e duhur, vetëm pasi të vendosësh për të dërguarin e Zotit, kjo ide është thënë më parë nga Bijtë e Izraelit kur nuk besuan. Strofa 91 në kapitullin 20 thotë se ata thanë: “Do të vazhdojmë ta adhurojmë viçin e artë, derisa të kthehet Moisiu.” Shih, kishin një kusht për këtë. Kur dy të dërguarit shkuan te Abrahami, për shembull, për t’i treguar për djalin e ardhshëm, që do ta kishte, a u shërbeu ai mish më parë, që është bamirësi, apo priti derisa t’i lindte djali, për të parë nëse është e vërtetë, e pastaj t’i thërriste përsëri për t’u shërbyer mish? Shih, bërja e gjësë së duhur, trajtimi i mysafirëve saktë, duhet të bëhet pa pritur të vendosësh nëse dikush është i dërguari i Zotit apo jo. A ekzistonte Bamirësia e Detyrueshme para se Muhamedi ta merrte zbulesën apo pasi Muhamedi e mori zbulesën?
Predikim i së Premtes nga: Alban Fejza, Drejtues i Xhematit Online