[search-in-place-form in_current_page="1"]

Ne e bëmë Kuranin të lehtë [54:17]

 

Lavdi Zotit! Nuk ka zot tjetër përveç Zotit. Strofa 11:1 në Kuran na informon se Mrekullia e Kuranit përfshin

  1. dizajnin matematikor mbinjerëzor të strukturës së tij fizike dhe
  2. përbërjen e njëkohshme të një vepre letrare me përsosmëri të jashtëzakonshme.

Dikush mund të jetë në gjendje t’i plotësojë kërkesat e shpërndarjes numerike të një modeli të thjeshtë matematikor. Megjithatë, kjo gjithmonë arrihet në kurriz të cilësisë letrare. Kontrolli i njëkohshëm i stilit letrar dhe i shpërndarjes së ndërlikuar matematikore të shkronjave individuale në tërë Kuranin është i dukshëm në faktin që Kurani është bërë i lehtë për t’u mësuar përmendsh, për t’u kuptuar dhe për t’u shijuar. Ndryshe nga një libër i bërë nga njeriu, Kurani është i këndshëm për t’u lexuar përsëri e përsëri, pafundësisht.

Strofat 17, 22, 32 dhe 40 në Suren 54 e përsërisin se Kurani u bë i lehtë për t’u mësuar. Siç rezulton, teksti arab i Kuranit është përbërë në atë mënyrë që t’ia kujtojë lexuesit apo atij që e mëson përmendsh shprehjen e ardhshme të saktë, apo strofën e ardhshme. Zoti na krijoi dhe Ai e di mënyrën më efikase për t’i ngulitur materialet letrare në kujtesën tonë. Mësimi përmendsh i Kuranit ka luajtur një rol jetik në ruajtjen e tekstit origjinal brez pas brezi, në një kohë kur librat e shkruar ishin të rrallë.

Pa e kuptuar as vetë, personi që e mëson përmendsh Kuranin ndihmohet hyjnisht nga një sistem i ndërlikuar letrar ndërsa i shqipton tingujt e fjalëve kuranore. Pothuajse çdo strofë në Kuran përmban atë që mund ta quajmë “Zile kujtese”. Funksioni i tyre është t’ia kujtojnë lexuesit se çka vjen më pas. Ky sistem është shumë i gjerë, por më lejoni të jap vetëm dy shembuj ilustrues:

  1. Në Suren 2, Strofat 127, 128 dhe 129 përfundojnë secila me dy emra të ndryshëm të Zotit. Këto çifte emrash janë “Es-Semi‘ul-‘Alim (Dëgjuesi, i Gjithëdijshmi)”, “Et-Teuuabur-Rahim (Shpëtimtari, Mëshirëploti)” dhe “El-‘Azizul-Hakim (i Gjithëfuqishmi, më i Urti)”, përkatësisht. Sikur ky të ishte një libër i zakonshëm, dikush do t’i ngatërronte lehtë këta gjashtë emra. Jo kështu në Kuran. Secilit prej këtyre çifteve i paraprin në të njëjtën strofë një “Zile kujtese” që na e kujton çiftin e saktë të emrave. Kështu, Strofa 127 flet për Ibrahimin dhe Ismailin që i ngritën themelet e Qabes. Strofa përfundon me emrat “Es-Semi‘ul-‘Alim.” Tingujt e theksuar këtu janë “S”, “M” dhe “ ‘Ajn”. Këto tri shkronja janë të theksuara në fjalën “Ismail”. Gjejmë se kjo fjalë vonohet dukshëm në fjali, ndërsa e përmirëson cilësinë e saj letrare. Kështu, gjejmë se strofa shkon kështu: “Kur Ibrahimi i ngriti themelet e Qabes, së bashku me Ismailin …” Normalisht, një shkrimtar njerëzor do të thoshte: “Kur Ibrahimi dhe Ismaili i ngritën themelet e Qabes…” Por vonimi i tingujve në “Ismail” i afron ata më pranë fundit të strofës, dhe kështu na kujton se emrat e saktë të Zotit në këtë strofë janë “Es-Semi‘ul-‘Alim.” Strofa 128 e ka fjalën e theksuar “Tub” pikërisht para emrave “Et-Teuuabur-Rahim.” Fjala “Tub” kështu shërben si zile kujtese. Emrat e Zotit në fund të 2:129 janë “Aziz, Hakim.” Tingujt e theksuar këtu janë “Z” dhe “K”. Qartazi, zilja e kujtesës në këtë strofë është fjala “Juzek-kihim”
  1. Një shembull tjetër i mirë gjendet në 3:176, 177, & 178, ku ndëshkimi për mosbesimtarët përshkruhet si “ ‘Azim (i Tmerrshëm)”, “Elim (i Dhimbshëm)” dhe “Muhin (Poshtërues)”, përkatësisht. Në një libër të bërë nga njeriu, ai që e mëson përmendsh mund t’i ngatërronte lehtë këto tri përshkrime. Por gjejmë se secilit prej këtyre mbiemrave i paraprijnë zile të fuqishme kujtese që e parandalojnë një ngatërrim të tillë. Fjalës “ ‘Azim” të Strofës 176 i paraprin fjala “Huzzun”, e cila karakterizohet nga një shkronjë “Z” e theksuar. Kjo shërben për të na e kujtuar mbiemrin e veçantë në fund të kësaj strofe. Fjalës “Elim” të Strofës 177 i paraprin tingulli i fjalës “Iman” për të shërbyer si zile kujtese, dhe fjalës “Muhin” të 3:178 i paraprin një bollëk “M”-sh dhe “H”-sh në tërë këtë strofë.

Dhe ka shumë më tepër shembuj të ngjashëm.

 

Predikim i së Premtes bazuar në Shtojcën 3 të Përkthimit të Autorizuar Anglisht të Kuranit nga Rashad Khalifa (1989)