[search-in-place-form in_current_page="1"]

Paja

Përmbledhje:

Në këtë predikim të së Premtes, Alban Fejza e shpjegon se paja i lejon martesat përgjatë moshave të ndryshme duke e përshtatur shumën e saj, dhe e përdor shembullin e Moisiut që punoi tetë vjet për pajën e tij, të përshtatur me jetëgjatësinë e sotme, për t’i vlerësuar shumat e drejta.

Transkripti i videos:

Lavdi Zotit! Nuk ka zot tjetër përveç Zotit. Siç mund ta mbani mend, në njërin nga predikimet e së Premtes, fola për moshën e përshtatshme të martesës për çdo burrë me një moshë përkatëse të gruas, duke supozuar se janë të barabartë në çdo aspekt tjetër. Kjo e nxit drejtësinë midis palëve, por i zvogëlon mundësitë se kush mund të martohet me kë, gjë që është e keqe, sepse atëherë shumë më pak njerëz do të martoheshin, sepse do ta prisnin vetëm moshën e përshtatshme. Zoti jep një zgjidhje për këtë në Kuran, duke e përmendur pajën. Një nga arsyet e pajës, është ta bëjë të mundur martesën përgjatë të gjitha moshave ligjore, thjesht duke e përshtatur shumën e pajës në një nivel aq të lartë apo të ulët që do të ishte i pranueshëm për palën që fiton më pak nga ajo martesë. Pra, paja tradicionalisht ishte një shumë e konsiderueshme financiare që dhëndri do t’ia jepte familjes së nuses apo nuses, si ngushëllim për ndarjen e tyre familjare, dhe e përshtatnin në përputhje me atë se sa ishte dallimi midis moshës së martesës, derisa pala që nuk fitoi aq shumë nga ajo martesë të kënaqej, dhe ky përshtatje do të ishte mjaft e madhe. Pra, paja i rrit mundësitë e martesës, gjë që ndihmon ta nxitë martesën në një shumëllojshmëri rrethanash të ndryshme pa u shqetësuar se dikush do të shfrytëzohet. Dhe ndryshimi midis një paje dhe një paje tjetër mund të ishte ndoshta deri në njëqind herë më e madhe apo më e vogël, nëse jo më shumë, në rastet kur ishte e qartë se njëra palë nuk ishte aq e mirë sa pala tjetër, për çfarëdo arsye, në rrethana të rralla. Paja negociohej me kujdestarin e gruas.

Sipas Kuranit, gratë janë gjithmonë nën kujdestarinë e dikujt tjetër. Nëse nuk mendojnë se janë nën kujdestarinë e dikujt tjetër, kjo është sepse janë nën kujdestarinë e shtetit, edhe nëse nuk e dinë. Do të sulmoheshin ose nga kafshët ose do të abuzoheshin nga burra të tjerë, në të kaluarën, nëse ndonjë burrë tjetër nuk do t’i mbronte, nëse nuk do të ishin nën kujdestarinë e dikujt. Sot, do të abuzoheshin nga burra të tjerë, nëse nuk do të ishin nën kujdestarinë e një burri tjetër apo nën kujdestarinë e shtetit. Sa herë që shtetet dështojnë në ndonjë rajon, zakonisht gjatë luftërave, gratë gjithmonë përfundojnë të abuzuara dhe të pambrojtura. Pra, për shumicën e grave të arsimuara sot, të paktën për ato që janë më të vjetra se le të themi 25 vjeç, shteti është kujdestari i tyre. Dhe që një burrë të martohet me një grua, duhet ta kërkojë lejen e kujdestarit të saj – cilido kujdestar që vlen, qoftë shteti, apo babai i saj, apo vëllai i saj i rritur.

Pra, nëse gruaja është e pavarur, (veçanërisht financiarisht apo nga vendbanimi), gjë që ndodh në shumicën e rasteve, mund ta kërkosh lejen e shtetit për t’u martuar me të. Dhe kjo thjesht do të thotë se do ta bësh martesën në zyrat zyrtare shtetërore, një martesë e regjistruar në shtet. Në thelb, duhet ta regjistrosh martesën në zyrën e duhur shtetërore, dhe nëse shteti e regjistron, automatikisht të dhanë leje të martohesh me të. Ata e kurorëzojnë martesën; ata e bëjnë martesën.

Tani, meqë paja është një marrëveshje financiare midis burrit të mundshëm dhe kujdestarit të nuses së mundshme, në rastet kur shteti është kujdestari, paja në fakt është paguar tashmë përmes taksave, përmes të cilave garantohet siguria financiare dhe ligjore e grave, dhe madje edhe mbrojtja e mundshme nga autoritetet shtetërore në raste ekstreme. Nëse i ndodh diçka, e ka mbështetjen e shtetit për t’ia garantuar sigurinë, ushqimin pas divorcit, dhe të drejtat e saj. Pra, për gratë e pavarura, kjo e bën pajën disi të vjetëruar, apo të paguar tashmë. Në këtë rast, paja duhet të jetë thjesht një gjest simbolik, i diçkaje që një burrë i jep një gruaje, për ta simbolizuar martesën e tyre, ndoshta një unazë, apo byzylyk, apo varëse, apo gjëra të tilla, por jo domosdoshmërisht diçka financiarisht e konsiderueshme.

Tani, nëse gruaja është ende nën kujdestarinë e një burri tjetër (si një grua shumë e re që ende mbështetet financiarisht dhe për vendbanim te babai i saj, për shembull), në atë rast paja mund të diskutohet midis tyre. Megjithatë, diskutimi i pajës në fakt nuk është i detyrueshëm në Kuran. Paja është e detyrueshme, por diskutimi i pajës nuk është i detyrueshëm. Pra, çfarë ndodh, nëse një çift dëshiron të martohet, dhe nuk e diskutojnë kurrë pajën? Epo, nëse martohen me martesë zyrtare shtetërore (duke e regjistruar martesën e tyre në shtet), në atë rast automatikisht nënkuptohet se ajo ishte paja, dhe paja është përmbushur, përmes shtetit. Tani, ka raste kur njerëzit mund të mos e regjistrojnë një martesë për çfarëdo arsye, që është e drejta e tyre, nëse të dyja palët pajtohen, në atë rast vlen një pajë financiare, edhe nëse nuk e diskutuan. Këto ditë, shumë vajza apo familje vajzash do të preferonin të thoshin “Jo”, sesa të kërkonin pajë, në një kulturë ku paratë shkëmbehen vetëm për vepra të liga të kësaj natyre, dhe është e kuptueshme nëse asnjëra nga palët nuk dëshiron kurrë ta hapë këtë temë, dhe veçanërisht sepse kjo temë këto ditë do të diskutohej me vetë gruan, e cila, duke u bërë mjaftueshëm e arsimuar në shkollë, ka marrë pëlqimin e nënkuptuar të babait të saj se mund t’i marrë vetë vendimet e saj, thjesht do ta prishë romancën, nëse e diskuton me të, dhe nuk do t’i sjellë ndonjë dobi të konsiderueshme situatës. Dhe mund t’i kuptoj të gjitha gratë e sotme, nëse do të preferonin të thoshin “Jo”, sesa të kërkonin pajë. Pra, më lejoni t’i ndihmoj të gjithë djemtë e rinj të sotëm me këtë situatë joromantike. Më lejoni “ta marr plumbin” në emrin tuaj, duke ju thënë cila është shuma e pajës që duhet t’ia jepni, edhe nëse nuk folët kurrë për të, edhe nëse ajo nuk e kërkoi kurrë, prapë duhet t’ia jepni, nëse nuk e regjistruat martesën në shtet.

Pra, le ta llogarisim. Para se ta llogarisim, më lejoni t’ju tregoj ku e bazoj llogaritjen time. Në strofën 28:27, Zoti na informon sa e madhe ishte paja që Moisiu e dha për gruan e tij. Dhe është interesante që shprehet në “vite pune”. Dhe ekonomistët e dinë se paraja është thjesht përfaqësim i vlerës së punës. Nuk ka vlerë më vete. Është thjesht një copë letër që nuk mund ta hash, dhe vlera e parave nuk është e krahasueshme përgjatë kohëve dhe vendeve të ndryshme. Por, vlera e punës është e krahasueshme përgjatë kohëve, që do të thotë se mund ta marrim atë që dha Moisiu, dhe ta përdorim ende për sot, pa pasur nevojë ta përshtatim për inflacionin, dhe paritetin e fuqisë blerëse e gjëra të tilla. Dhe sigurisht, meqë ishte Moisiu, ra dakord për një shumë të drejtë. Por, do të duhet të bëjmë përshtatje për ta zbatuar në kohët tona. Pra, sipas strofës 28:27, Moisiu ra dakord të punonte për pajën për 8 vjet. Megjithatë, Moisiu jetoi 120 vjet, dhe ne sot jetojmë 70 vjet, kështu që le ta përshtatim. 8 herë 70 pjesëtuar me 120, është e barabartë me 4.6 vjet. Duhet ta bëjmë edhe një përshtatje tjetër. Moisiu në atë tregim kishte strehim falas dhe shpenzime bazë jetese nga punëdhënësi i tij, ndërsa burrat sot nuk marrin strehim falas dhe shpenzime bazë jetese nga punëdhënësi i tyre. Sot, zakonisht, vetëm gjysma e të ardhurave të tua mbetet pasi i paguan strehimin dhe shpenzimet bazë të jetesës, kështu që duhet t’i zvogëlojmë ato vite përgjysmë. Pra, 4.6 vjet pjesëtuar me 2 është 2.3 vjet. Pra, nëse nuk e regjistrove martesën në shtet, dhe nuk e diskutove pajën me të, atëherë je në borxh ndaj gruas tënde të barabartë me punën për 2.3 vjet të të ardhurave të tua neto, dhe dhënien e të gjitha atyre parave asaj apo familjes së saj. Kjo është pika e fillimit, e pastaj i bën përshtatjet nga aty. Për shembull, nëse ajo është më shumë se le të themi shtatë vjet më e re se sa duhet të jetë për ty, dyfishoje atë shumë, që është 4.6 vjet të të ardhurave të tua neto. Nëse ajo është më shumë se rreth shtatë vjet më e vjetër se sa duhet të jetë për ty, gjysma e asaj shume, që është 1.2 vjet të të ardhurave të tua neto. Nëse ajo është grua e divorcuar, (por e moshës së përshtatshme për ty), atëherë gjysma e asaj shume, që është 1.2 vjet të të ardhurave të tua neto. Nëse ka fëmijë nga një martesë e mëparshme, gjysma e asaj shume të mëparshme, që është rreth 7 muaj të të ardhurave të tua neto. Nëse është më e vjetër, e divorcuar, dhe me fëmijë nga një martesë e mëparshme, kjo është gjysma e gjysmës së gjysmës, që është rreth 3 muaj të të ardhurave të tua neto. Nëse ti vetë je aktualisht tashmë në një martesë dhe me fëmijë, katërfishoje atë, që është rreth 10 vjet të të ardhurave të tua. Kjo duhet ta ndalojë poligaminë pothuajse gjithmonë. Nëse një grua e divorcuar me fëmijë dëshiron një martesë të regjistruar në shtet, ajo në fakt mori një pajë dy herë më të madhe se sa meritonte, në të cilin rast duhet ta kthejë një pjesë të pajës, për ta përshtatur përsëri në nivelin e drejtë. Gjithsesi, të gjitha këto janë përafrime, jo ligje.

Oh, dhe meqë ra fjala, njerëzit kanë të drejtë ta dinë sa borxh ke, para se të martoheni, dhe është më mirë t’ua thuash, madje edhe para se të të pyesin. Nëse nuk ke borxh, nuk ke nevojë të thuash asgjë, por nëse ke borxh të konsiderueshëm dhe nuk thua asgjë, atëherë partneri yt ka të drejtë ta konsiderojë manipulim, sepse kushdo mund të shtiret si i pasur me borxh. Kaq shumë vajza të reja mashtrohen sot nga burra me Ferrari, të cilët në fakt kanë pasuri negative, të cilët kanë më shumë borxh sesa pasuri, e pastaj sapo martohen, gruaja e kupton se do të duhet të punojë për pjesën tjetër të jetës së saj për ta ndihmuar burrin e saj ta paguajë borxhin e tij. Kjo nuk është e drejtë. Ajo duhej ta dinte në çfarë lloj telashi po futej, dhe anasjelltas. Dikush mund të thotë, por ai është borxhi im. Epo, ndërsa e paguan atë borxh, kjo do të të pamundësojë t’i ndash shpenzimet me partnerin tënd, dhe në mënyrë të tërthortë bëhet edhe borxhi i tyre.
Por gjithsesi, kthehemi te paja. Pra, qëllimi i pajës nuk është ta ndërlikojë martesën. Është ta mundësojë martesën në të gjitha llojet e rrethanave dhe ta mbajë ende të drejtë. Një nga dobitë shtesë të pajës është se meqë është shumë e konsiderueshme, një burrë nuk do ta propozonte kurrë martesën, përveç nëse ishte vërtet serioz. Shumë vajza sot do ta refuzojnë një djalë, thjesht sepse nuk kanë asnjë garanci se ai e ka vërtet seriozisht, sepse kaq shumë burra do t’i ngacmojnë vajzat dhe do ta nënkuptojnë një situatë të tillë, pa e vendosur as vetë. Pra, meqë ajo nuk mund të jetë e sigurt nëse ai e ka vërtet seriozisht, do të preferonte të thoshte “Jo”, sesa të zhgënjehej më vonë. Megjithatë, nëse e di me siguri se çdo i nënshtruar që i propozon do ta garantojë propozimin e tij financiarisht, “t’i vërë paratë aty ku e ka gojën”, apo ta garantojë propozimin e tij në zyrat ligjore shtetërore, atëherë do ta dijë se ai është serioz. Dhe veçanërisht me çiftet e reja, në shumicën e rasteve, paja për një grua do të thotë se burri i jep asaj gjithçka që ka. Duhet të jetë serioz.

Nëse gruaja dëshiron edhe pajë financiare, edhe martesë të regjistruar në shtet, kjo është e padrejtë për burrin, sepse ajo po merr pajë të dyfishtë. Dhe nëse burri dëshiron të martohet, dhe nuk ia jep pajën e duhur financiare, as nuk dëshiron ta regjistrojë martesën në shtet, atëherë ai po tregohet i padrejtë ndaj gruas. E vetmja mënyrë për ta mbajtur të drejtë dhe të sigurt për të dyja palët, është ose ta përfshish shtetin, ose ta përdorësh një pajë të duhur financiare si garanci për gruan. Dhe meqë ra fjala, ajo ka të drejtë të zgjedhë nëse dëshiron garanci shtetërore për martesën e saj, apo garanci financiare për martesën e saj. Nuk duhet të ketë rëndësi për burrin, nëse është i ndershëm.

Në të njëjtën kohë, më lejoni t’ju kujtoj se, në rrethanat e sotme, ku të gjitha aspektet financiare janë të ndërthurura, ku nuk e di kurrë vërtet kush ka çfarë me siguri, për shkak të ndërhyrjes së shtetit, atëherë në shumicën e rasteve paja financiare thjesht do t’i ndërlikojë gjërat, sepse asnjë shumë financash nuk mund ta bëjë vërtet të drejtë, kur përfundimisht shteti do të ndërhyjë në atë që mund të ndodhë madje edhe pas martesës. Pra, opsioni më i besueshëm në shtetet demokratike është thjesht ta regjistrosh martesën në shtet, dhe ajo është paja. Nëse burri dëshiron ende t’i japë një dhuratë të bukur gruas së tij apo gruas së mundshme, kjo është vullnetare, ashtu siç Moisiu punoi për 10 vjet, edhe pse kishte rënë dakord për 8 vjet. Dhe një martesë e regjistruar në shtet është situatë ku fitojnë të gjitha palët. Pra, mos e mendoni tepër këtë çështje, sepse sfidat pas martesës janë më të mëdha se sfidat para martesës. Pra, thjesht sigurohu që je i gatshëm ta mbash martesën, dhe të jesh person i mirë dhe i drejtë gjatë martesës. Nuk ke nevojë të jesh i jashtëzakonshëm. Ruaje të jashtëzakonshmen tënde për Zotin. Thjesht ji normal dhe i drejtë, dhe bëj përpjekje të arsyeshme për ta merituar vazhdimisht martesën. Është privilegj, jo e drejtë, dhe duhet të hysh në të me qëllime për gjithë jetën. Mendoje veten të moshuar. A do të ishe ende mik me atë person, nëse ai apo ajo do të ishte 70 vjeç? A do të kishe ende një bisedë miqësore të këndshme me të, dhe do ta ndihmonit njëri-tjetrin, veçanërisht në situata të këqija? Kjo duhet të të ndihmojë të vendosësh, dhe gjëja më e rëndësishme është ta gjesh dikë që nuk do të të largojë nga çështja e Zotit, por në fakt do të të mbështetë dhe do të të nxitë për çështjen e Zotit. Gjërat e tjera janë hollësi.

 

Predikim i së Premtes nga: Alban Fejza, Drejtues i Xhematit Online