Lavdi Zotit! Nuk ka zot tjetër përveç Zotit.
Ne jemi absolutisht të lirë të besojmë apo të mos besojmë në Zotin. Është vullneti i Zotit që ne të vendosim lirisht (18:29, 25:57, 73:19, 74:37, 76:29, 78:39, 80:12).
Pasi e kryem mëkatin tonë origjinal, Zoti na dha një shans ta mohonim krimin tonë dhe ta pranonim autoritetin e Tij absolut (33:72). Por ne vendosëm se donim ta shihnim një demonstrim të aftësisë së Dreqit si “zot”. Shumë njerëz protestojnë për faktin që Zoti i ka krijuar, për t’i kaluar nëpër këtë test të tmerrshëm. Qartazi, njerëz të tillë nuk janë të vetëdijshëm se [1] ata kanë kryer një krim të tmerrshëm, dhe [2] se iu dha një shans ta mohonin krimin e tyre dhe ta shpengonin veten, por ata zgjodhën ta kalonin testin.
Mësojmë nga 57:22 se jetët tona, bashkë me çdo gjë tjetër rreth nesh, janë të regjistruara paraprakisht në diçka si një videokasetë. Zoti e di plotësisht çfarë vendimi është i paracaktuar ta marrë secili prej nesh; Ai e di cilët prej nesh do të shkojnë në Parajsë dhe cilët do të shkojnë në Ferr. Madje para se të lindnim në këtë botë, Zoti e dinte cilët shpirtra janë të mirë dhe cilët shpirtra janë të këqij. Për sa i përket gjithëdijes së Zotit, mund ta imagjinojmë një vulë në ballin e secilit që thotë “Parajsë” apo “Ferr”. E megjithatë, për sa na përket ne, jemi plotësisht të lirë të anojmë me autoritetin absolut të Zotit, apo me pikëpamjet politeiste të Dreqit. Paracaktimi, prandaj, është fakt për sa i përket Zotit, jo për sa na përket ne.
Ky kuptim i shpjegon strofat e shumta që thonë se “Zoti e udhëzon kë të dojë dhe e çorienton kë të dojë.” Bazuar në dijen e Tij, Zoti i cakton shpirtrat tanë në rrethanat që i meritojmë. Kur Zoti u tha engjëjve: “Unë e di atë që ju nuk e dini” (2:30), kjo do të thoshte se disa prej nesh e meritonin një shans për ta shpenguar veten. Një shembull i udhëzimit të Zotit për ata që e meritojnë udhëzimin gjendet në 21:51: “Ne ia dhamë Ibrahimit udhëzimin e tij, sepse ishim plotësisht të vetëdijshëm për të.” Me fjalë të tjera, Zoti e dinte se Ibrahimi ishte shpirt i mirë që meritonte të udhëzohej, dhe Zoti ia dha udhëzimin dhe kuptimin e tij. Një shembull tjetër i mirë thuhet në strofën 12:24. Jusufi disi ra pas gruas së fisnikut egjiptian, dhe gati sa nuk bëri kurorëshkelje, sikur të mos e kishte parë një shenjë nga Zoti i tij. Zoti na mëson në 12:24 se Ai “e largoi të keqen dhe mëkatin nga Jusufi, sepse ai ishte njëri nga adhuruesit e Mi të përkushtuar.” A ishte Jusufi ai që e kontrolloi epshin e tij? Apo ishte mbrojtja e Zotit nga mëkati ajo që e bëri të dëlirë? I tillë është paracaktimi.
Predikim i së Premtes bazuar në Shtojcën 14 të Përkthimit të Autorizuar Anglisht të Kuranit nga Rashad Khalifa (1989)