Predikim i së Premtes nga: Alban Fejza, Drejtues i Xhematit Online
Përmbledhje:
Në këtë predikim të së Premtes, Alban Fejza i rendit 19 parakushte nga Kurani që një person duhet t’i përmbushë që të lejohet ta kuptojë atë saktë, duke filluar me Lutjet e Kontaktit, Zeqatin, besimin dhe drejtësinë, dhe duke përfshirë sinqeritetin, frikën ndaj Zotit, dëgjimin dhe leximin e tij rregullisht.
Transkripti i videos:
Lavdi Zotit. Nuk ka zot tjetër përveç Zotit.
Në predikimin e fundit të së Premtes, me titull “Çka thotë vërtet Kurani për Hadithin”, jua vërtetova nga Kurani se ndjekja e Hadithit nuk është parakusht për ta kuptuar, ndjekur apo zbatuar Kuranin saktë. Megjithatë, thashë gjithashtu se thjesht sepse Hadithi nuk është parakusht për ta kuptuar Kuranin saktë, kjo nuk do të thotë se nuk ka parakushte të tjera. Në fakt, Kurani e përmend një numër parakushtesh që njerëzit duhet t’i përmbushin që të lejohen nga Zoti ta kuptojnë Kuranin saktë, dhe në këtë video do ta kalojmë atë listë. Ja ku është.
Parakushti i parë është bërja e Lutjeve të Kontaktit, Salatit. Strofat 27:2 dhe 27:3 na thonë se Kurani është udhëzim vetëm për besimtarët që i bëjnë Lutjet e Kontaktit. Pra, bërja e Lutjeve të Kontaktit është parakusht për ta kuptuar Kuranin saktë. Të ashtuquajturit kuranistë e shikojnë këtë së prapthi. Përpiqen ta kuptojnë Kuranin së pari, e pastaj ta projektojnë vetë një version të Lutjes së Kontaktit sipas kuptimit të tyre të kufizuar të Kuranit. Por nuk mund ta kuptosh nga Kurani si ta bësh Lutjen e Kontaktit saktë përveç nëse e bën tashmë Lutjen e Kontaktit saktë, sepse bërja e Lutjes së Kontaktit saktë është parakusht për ta kuptuar Kuranin saktë, sipas strofave 2 dhe 3 të Sures 27 dhe strofave 2 dhe 3 të Sures 2.
Pra, bërja e Lutjes së Kontaktit është parakusht për ta kuptuar Kuranin saktë, ndërsa Kurani nuk është parakusht për ta bërë Lutjen e Kontaktit saktë. Siç e dimë, sipas vetë Kuranit, Lutjet e Kontaktit ekzistonin para Kuranit. Na erdhën që nga Abrahami. Tani, është e mundur t’i gjesh të gjitha hollësitë e Lutjes së Kontaktit drejtpërdrejt nga Kurani, dhe do t’jua paraqes, nëse do Zoti, në një video tjetër. Por unë isha në gjendje t’i gjeja ato hollësi vetëm sepse e kuptoja tashmë Kuranin saktë, gjë që ishte e mundur vetëm sepse kisha pranuar tashmë t’i bëja Lutjet e Kontaktit në formën e tyre të plotë, duke i pranuar nga tradita abrahamike, madje edhe para se t’i gjeja hollësitë e tyre në Kuran.
Pra, procesi i saktë shkon kështu. Së pari, i pranon Lutjet e Kontaktit në formën e tyre të plotë, të pandryshuar nga tradita abrahamike, të cilat mund të mësosh si t’i bësh në videon me titull “Parimet e Lutjes Myslimane” nga Rashad Khalifa. Pastaj, pasi ta bësh këtë, sipas strofave 27:2-3 dhe 2:2-3, të mundësohet ta kuptosh Kuranin saktë. Kjo e përmbush parakushtin e parë për ta kuptuar Kuranin saktë.
Parakushti i dytë për ta kuptuar Kuranin saktë është dhënia e bamirësisë së detyrueshme, Zeqatit. E njëjta logjikë vlen këtu si me Lutjet e Kontaktit, dhe mund të mësosh si ta japësh bamirësinë e detyrueshme saktë në videon time sqaruese me titull “Bamirësia e Detyrueshme (Zeqati)”.
Parakushti i tretë për ta kuptuar Kuranin saktë është besimi. Strofat 27:2, 27:76-77, 17:82 dhe 41:44 na thonë se Kurani është udhëzim vetëm për ata që besojnë, ndërsa në të njëjtën kohë vetëm e rrit ligësinë e shkelësve. Strofa 41:44 gjithashtu na thotë se, pavarësisht nëse Kurani është në arabisht apo jo, për ata që besojnë është udhëzues dhe shërim, por ata që nuk besojnë do të jenë të shurdhër dhe të verbër ndaj tij, sikur t’u flitet nga shumë larg.
Parakushti i katërt është të qenët i drejtë. Strofa 2:2 thotë se Kurani është udhëzim për të drejtët. Meqë ra fjala, katër parakushtet e para që i kam përmendur deri tani jepen të gjitha bashkë, pikërisht drejt fillimit të Kuranit, në fillim të Sures 2. Sura 2 fillon duke thënë se Kurani është shkrim pa gabime, i cili është udhëzim për të drejtët, ata që besojnë në të padukshmen, i respektojnë Lutjet e Kontaktit, dhe japin bamirësi.
Parakushti i pestë është pranimi i Kuranit në tërësinë e tij. Fatkeqësisht, disa njerëzve u duket e vështirë t’i pranojnë disa strofa të Kuranit, si strofat për luftën, apo skllavërinë, apo mrekullitë, apo ringjalljen, apo rolet gjinore, e kështu me radhë, dhe kjo në fakt e kufizon kuptimin e tyre edhe të strofave të tjera, strofave që janë të gatshëm t’i pranojnë. Kurani është libër i ndërlidhur. Mund ta kuptosh saktë vetëm nëse e pranon të gjithin.
Parakushti i gjashtë është kërkimi i strehimit te Zoti nga Satani i mallkuar para se ta lexojmë Kuranin. Strofa 16:98 thotë: “Kur e lexoni Kuranin, do të kërkoni strehim te Zoti nga Satani i mallkuar.”
Parakushti i shtatë është besimi në Jetën e Përtejme, në jetën tjetër. Nuk mund ta kuptosh Kuranin saktë nëse nuk beson në Jetën e Përtejme. Strofa 17:45 thotë: “Kur e lexon Kuranin, vendosim midis teje dhe atyre që nuk besojnë në Jetën e Përtejme një pengesë të padukshme.”
Parakushti i tetë është mosshpërfillja e strofave kur të sillen. Strofa 18:57 thotë: “Kush janë më të ligj se ata që u kujtohen provat e Zotit të tyre, pastaj i shpërfillin, pa e kuptuar çfarë po bëjnë? Si pasojë, vendosim mburoja në zemrat e tyre për t’i penguar ta kuptojnë (Kuranin), dhe shurdhim në veshët e tyre. Kështu, pavarësisht çfarë bën për t’i udhëzuar, nuk mund të udhëzohen kurrë.”
Parakushti i nëntë është mos paramendimi i asaj që do të thotë Kurani. Strofa 18:55 thotë se asgjë nuk i pengoi njerëzit të besonin kur u erdhi udhëzimi, dhe ta kërkonin faljen e Zotit të tyre, përveç se kërkuan ta shihnin të njëjtën gjë si brezat e mëparshëm. Fatkeqësisht, shumë njerëz nuk e përmbushin këtë parakusht. Më lejoni t’ju jap vetëm një shembull. Disa njerëz sot e paramendojnë se Kurani thotë se dënimi për kurorëshkeljen është vrasja me gurë e kurorëshkelësit, e cila në fakt është deklaratë në Hadith, e marrë nga ligji në Bibël. Para se Kurani t’i zbulohej plotësisht Muhamedit, rregullat biblike vlenin ende. Por Kurani është i plotë tani, dhe nuk duhet ta paramendojmë se do të na thotë të njëjtën gjë sot. Kurani nuk na thotë kurrë ta vrasim një kurorëshkelëse. Në vend të kësaj, dënimi për kurorëshkeljen në Kuran është 100 të rëna me kamxhik. Nuk duhet ta paramendojmë çfarë do të thotë për një çështje të caktuar përveç nëse e thotë vërtet.
Parakushti i dhjetë është mosangazhimi në grindje për atë që po thotë Kurani. Fatkeqësisht, sot shumica e grupeve fetare online janë të organizuara në një mënyrë të tillë që në thelb gjithë ajo që bëjnë është të grinden me njëri-tjetrin, duke u përpjekur ta bindin njëri-tjetrin ta kuptojnë Kuranin në mënyrën e tyre. Kjo nuk është mënyra për ta kuptuar Kuranin. Ajo metodë organizimi në fakt të pengon të kuptosh diçka të re nga Kurani. Mund ta forcosh atë që e dije tashmë, por të pengon ta kuptosh saktë çdo gjë të re nga Kurani. Mendimi në grup e pengon mendimin e ri.
Parakushti i njëmbëdhjetë është frika ndaj Zotit. Strofa 20:3 thotë se Kurani është përkujtues për ata që i frikësohen Zotit. E njëjta gjë thuhet në fillim të Librit të Fjalëve të Urta në Bibël: frika ndaj Zotit është fillimi i diturisë. Kjo ndodh sepse, që çdo informacion i ri të ngulitet në trurin tënd, truri së pari duhet të vendosë se është informacion i rëndësishëm që duhet mbajtur mend, dhe nëse zemra i frikësohet Zotit, ajo automatikisht i thotë trurit se informacioni është i rëndësishëm, e pastaj truri e vendos atë informacion në vendin e duhur, që të mbahet mend më vonë. Prandaj mund të kesh pasur qindra aksidente trafiku në një lojë video, dhe ndoshta nuk e mban mend asnjërin prej tyre, por nëse ke pasur një aksident në jetën reale, ku ishte e përfshirë frika nga vdekja dhe takimi me Zotin, nuk mund ta harrosh atë aksident gjatë gjithë jetës. Pra, kur një besimtar i përsosur e lexon Kuranin duke iu frikësuar Zotit, truri i tij, për shkak të frikës ndaj Zotit, e regjistron informacionin ngjashëm me mënyrën si truri e regjistron informacionin para një aksidenti.
Parakushti i dymbëdhjetë për ta kuptuar Kuranin saktë është mosnxitimi me Kuranin. Nëse përpiqesh të thithësh më shumë informacion se sa mund të përballosh në një kohë të caktuar, ai ngatërrohet dhe përzihet në kokën tënde, dhe i rrit gjasat e kujtimeve të rreme. Mund të përfundosh duke menduar se e mban mend diçka nga Kurani që nuk është fare aty, e pastaj t’i keqkuptosh pjesë të tjera të Kuranit për shkak të atij kujtimi të rremë.
Parakushti i trembëdhjetë për ta kuptuar Kuranin saktë është pranimi i përkthimeve të Kuranit në gjuhën tënde, por duke i pritur hollësitë e plota vetëm në Kuranin arabisht. Fatkeqësisht, shumë njerëz sot shkojnë në ekstreme në këtë çështje. Ose i konsiderojnë përkthimet autoritetin përfundimtar në vendimet fetare, ose nuk tregojnë besim të mjaftueshëm te përkthimet. Përkthimet e Kuranit duhet të trajtohen si dëshmitarë të ngjarjeve. Dy dëshmitarë të një ngjarjeje e bëjnë ngjarjen të besueshme për ty, dhe në të njëjtën mënyrë, mund t’i përdorësh dy përkthime të pavarura për ta kuptuar çfarë ka shumë gjasë të thotë Kurani arabisht, ose mund ta përdorësh një përkthim në kombinim me prova, gjë që është e ngjashme me përdorimin e dy përkthimeve. Patjetër që mund ta njohësh të vërtetën nga përkthimet, por për vetë faktin që janë përkthime, nuk mund t’i kenë të gjitha hollësitë. Strofa 41:3 thotë se hollësitë e plota janë vetëm në Kuranin arabisht, por e vërteta e përgjithshme, udhëzimi dhe besimi mund të gjenden edhe në përkthimet e Kuranit.
Parakushti i katërmbëdhjetë për ta kuptuar Kuranin saktë është dëgjimi kur recitohet Kurani. Nuk mund të flasësh mbi Kuranin, siç bëjnë në disa të ashtuquajtura studime kuranore. Nuk duhet ta ndërpresësh ndërsa recitohet Kurani e pastaj të presësh ta kuptosh Kuranin saktë. Duhet thjesht të dëgjosh, sipas strofës 7:204.
Parakushti i pesëmbëdhjetë është marrja mësim kur recitohet Kurani. Është e rëndësishme që kur mëson diçka nga Kurani, ta thithësh në jetën tënde dhe ta zbatosh, e pastaj kjo të mundëson ta mësosh diçka të re saktë. Nëse nuk merr mësim në rastin e parë, kjo të pengon ta kuptosh diçka të re në një rast tjetër.
Parakushti i gjashtëmbëdhjetë, natyrisht, është dëshira për të mësuar më shumë. Strofa 54:17 na thotë se Kurani u bë i lehtë për ata që duan të mësojnë. Fatkeqësisht, një numër i madh i të ashtuquajturve myslimanë i fusin fëmijët e tyre në shkolla ku i detyrojnë ta mësojnë Kuranin në vitet e fëmijërisë, edhe kur ata nuk duan. Përfundojnë duke e mësuar përmendësh në mendjet e tyre, por nuk është në zemrat e tyre.
Parakushti i shtatëmbëdhjetë është sinqeriteti. Strofa 56:79 thotë se askush nuk mund ta kuptojë Kuranin përveç të sinqertëve.
Parakushti i tetëmbëdhjetë është të qenët i ditur. Strofa 3:7 thotë se, kur bëhet fjalë për strofat me kuptime më të thella, të shumëfishta, askush nuk e di kuptimin e tyre të vërtetë përveç Zotit dhe atyre të bazuar mirë në dituri. Fatkeqësisht, shpesh njerëzit që nuk kanë asnjë provë në jetën e tyre se janë inteligjentë, që nuk ishin kurrë ndër më të mirët në asgjë, as ndër më të mirët në shkollë, as ndër më të mirët në përfundimin e fakultetit, as ndër më të mirët në punën e tyre, prapë mendojnë se mund të jenë më të mirët në kuptimin e saktë të Kuranit. Nuk duhet të jesh më i miri, por nuk mund të jesh më i miri në kuptimin e Kuranit nëse nuk ishe mjaftueshëm inteligjent të ishe më i miri në gjëra të tjera më herët në jetën tënde, kur u provove në to.
Dhe së fundi, parakushti i nëntëmbëdhjetë për ta kuptuar Kuranin saktë është leximi i tij rregullisht. Strofa 17:106 thotë se Kurani u zbulua ngadalë, që të lexohet gjatë një periudhe të gjatë kohe.
Pra, këto janë 19 parakushtet për ta kuptuar Kuranin saktë. Nëse nuk i përmbush, kuptimi yt i Kuranit është i shtrembëruar, në rastin më të mirë, ose mund të jesh plotësisht i bllokuar nga kuptimi i tij, në rastin më të keq.