[search-in-place-form in_current_page="1"]

Poligamia apo monogamia në Kuran

Predikim i së Premtes nga: Alban Fejza, Drejtues i Xhematit Online

Përmbledhje:

Në këtë predikim të së Premtes, Alban Fejza i përgjigjet pyetjes nëse poligamia është e pranueshme sipas Kuranit, duke arritur në përfundimin se një besimtar i kënaqur nuk duhet të kërkojë kurrë një grua tjetër për kënaqësi dhe se monogamia është mënyra natyrale e jetës bashkëshortore.

Transkripti i videos:

Lavdi Zotit. Nuk ka zot tjetër përveç Zotit. Siç e dinë disa prej jush, publikova një klip disa ditë më parë ku pohova se Zoti do të më japë përgjigjen e saktë për çdo pyetje që njerëzit mund të ma bëjnë, dhe ky është një pohim shumë i madh, dhe ndërsa e publikova, po i përvesha mëngët duke u përgatitur të sfidohesha me disa pyetje jashtëzakonisht të vështira. Po prisja ndoshta pyetje për ekzistencën e Energjisë së Errët apo Materies së Errët, apo për implikimet filozofike të Mekanikës Kuantike, dhe në vend të kësaj pyetja e parë që mora ishte për poligaminë apo monogaminë. Mirë, nëse kjo është ajo që bota dëshiron ta dijë, mendoj se do të më duhet ta shpjegoj. Pra, pyetja është: “A është poligamia e pranueshme apo e papranueshme sipas Kuranit?” Epo, varet si dëshiron ta shprehësh. Disi si morfina. A është e pranueshme apo e papranueshme? Mund të themi se është e pranueshme, përveç për përdorim rekreativ, apo mund të themi se nuk është e pranueshme përveç për qëllime mjekësore. Njësoj me poligaminë. Mund të themi se është e pranueshme, përveç në një mijë rrethana të ndryshme, apo mund të themi se nuk është e pranueshme, përveç në katër rrethana të ndryshme. Dhe kjo mënyrë e dytë e të shprehurit është më e mirë, sepse ka më pak përjashtime. Pra, më lejoni ta shpreh në këtë mënyrë të dytë: Poligamia nuk është e pranueshme në Kuran, përveç në katër rrethana të ndryshme. Rregulli i përgjithshëm në Kuran është monogamia. Kjo është mënyra natyrale. Kështu na krijoi Zoti. Kurani patjetër e predikon monogaminë, dhe kjo gjendet në më shumë se katërmbëdhjetë strofa të ndryshme (4:1, 7:189, 39:6, 78:8, 49:13, 11:40, 23:27, 51:49, 43:12, 34:46, 3:195, 53:45, 92:3, 4:129). Dhe në fakt, sipas strofës 4:129 në Kuran, poligamia është një problem shoqëror shumë i madh i pazgjidhshëm, përveç në rastet kur zgjidh një problem shoqëror edhe më të madh, ngjashëm me mënyrën si morfina (e përdorur si heroinë) është një problem i madh i pazgjidhshëm në shoqërinë e sotme, përveç kur zgjidh probleme më të mëdha mjekësore. Përdoret në spitale për pacientë me dhimbje ekstreme. Pra, njësoj me poligaminë. Nëse zgjidh probleme më të mëdha shoqërore, atëherë lejohet si problem i pranueshëm. Dhe ka katër probleme shoqërore që janë më të mëdha se poligamia: 1) Kur edhe burri edhe gruaja e kanë arritur moshën 40 vjeç, dhe gruaja nuk mund të ketë fëmijë. Në strofën 46:15, Zoti thotë se kur një person e arrin moshën dyzet vjeç, ai apo ajo duhet t’i kërkojë Zotit t’i udhëzojë fëmijët e tij, kjo natyrshëm supozon se personi tashmë ka fëmijë deri në moshën dyzet vjeç. Pra, deri në moshën 40 vjeç natyrshëm pritet që një person të ketë tashmë fëmijë. Nëse një burrë apo një grua e ka arritur moshën dyzet vjeç dhe ende nuk ka fëmijë të vetët, jeta, apo shoqëria ka qenë e padrejtë me të. Zoti patjetër do t’ua kompensojë, por deri tani janë trajtuar padrejtësisht nga shoqëria. Tani, kur edhe burri edhe gruaja janë mbi dyzet vjeç, nëse burri ka probleme me pjellorinë, gruaja mund të ulet me burrin e saj nëse dëshiron, dhe t’i thotë: “E di se kam të drejtë natyrale të kem fëmijë dhe do të doja të kisha fëmijë. Dua divorc, që të mund të kem me shpresë fëmijë në një martesë tjetër. Mendoj se edhe ti do të jesh në gjendje ta gjesh një partnere tjetër, sepse si burrë ende nuk dukesh i vjetër për t’u rimartuar, dhe ndoshta mund ta gjesh një grua që tashmë ka fëmijë.” Tani, nëse gruaja vuan nga probleme me pjellorinë, burri mund të ulet me të, nëse dëshiron dhe t’i thotë: “E di se kam të drejtën natyrale të kem fëmijë dhe do të doja të kisha fëmijë. Nëse të divorcoj, në moshën tënde, ka shumë pak gjasa që do të jesh në gjendje ta gjesh një burrë që të pëlqen, kështu që mendoj se është më mirë për të dy ne nëse martohem me një grua tjetër pa të divorcuar. Mund të divorcohesh, nëse dëshiron, por preferenca ime është të mos të divorcoj fare, dhe gjithashtu të filloj të kërkoj një grua tjetër për martesë, dhe mendoj se një fëmijë në familje ka shumë gjasa t’u sjellë gëzim të dyve.” Dhe gruaja do ta kuptonte, nëse edhe burri edhe gruaja janë besimtarë. Abrahami dhe gruaja e tij u desh të kalonin nëpër këtë.

Pra, ky është rasti i parë jonatyral ku lejohet poligamia, sepse zgjidh një problem më të madh – mospjellorinë. Dhe ky rast i përfshin edhe rastet e lejueshme të amësisë zëvendësuese, por kjo është çështje tjetër, për një herë tjetër. Megjithatë, shumë çifte këto ditë nuk duan fëmijë gjithsesi. Në atë rast, nuk ka problem për t’u zgjidhur, dhe prandaj nuk ka nevojë për poligami. 2) Tani, rasti i dytë ku poligamia zgjidh një problem më të madh se vetja është kur gruaja vuan nga një paaftësi e përhershme e konsiderueshme, si verbëria e përhershme, palëvizshmëria e përhershme, apo dëmtimi i përhershëm intelektual, apo mastektomi e konsiderueshme apo diçka e ngjashme (për shkak të një aksidenti apo kanceri apo çfarëdo). Në atë rast, është e pahijshme që burri ta lërë gruan e tij kur ajo ka më shumë nevojë për të. Pra, është më mirë për të të kërkojë një grua të dytë, në vend që ta divorcojë, dhe ajo do ta kuptonte, nëse është besimtare. Tani, kjo ide bazohet në mënyrë të tërthortë në strofën 4:129 e cila thotë se poligamia është problem sepse njëra nga gratë gjithmonë lihet disi pezull. Por, nëse gruaja tashmë është pezull para poligamisë, poligamia nuk shkakton asnjë problem shtesë. Gruaja me aftësi të kufizuara tashmë thjesht është pezull në atë martesë gjithsesi. 3) Tani, rasti i tretë ku poligamia zgjidh një problem edhe më të madh se vetja është kur e ndihmon një burrë ta mbajë njëfarë distance nga të ashtuquajturit “thjeshtrat” e tij, që të mos detyrohen të jenë vetëm. Kjo bazohet në strofën 4:3, dhe e shpjegoj në videon time sqaruese me titull “Rregullat e martesës dhe divorcit nga Kurani”. 4) Tani, rasti i katërt ku lejohet poligamia është kur ideja për martesë dhe propozimi nuk vjen nga vetë burri apo nga gruaja e dytë e mundshme, por nga dikush tjetër krejtësisht. Për shembull, drejtuesi i xhematit mund ta vërejë se një martesë e caktuar është krejtësisht e pabalancuar, burri është shumë më i mirë se gruaja, për shembull, por ai ka ngecur me të dhe është aq i mirë saqë nuk do ta divorconte kurrë, apo gjëra të tilla, dhe le të themi se asnjë fëmijë nuk do të lëndohej, apo nuk do të lëndohej shumë, dhe le të themi se drejtuesi i xhematit është në dijeni të situatës së një gruaje tjetër që nuk ka shanse shumë të mira të martohet me dikë tjetër, dhe e sheh si në praktikë, gjetja e një “burri pjesërisht të disponueshëm” për të në fakt do t’i zvogëlonte problemet për gjithë xhematin. Pra, është më shumë si një vendim për hir të xhematit, sesa për vetë burrin. Pra, sapo drejtuesi i xhematit ta vlerësojë situatën, i afrohet burrit me idenë, dhe e vlerësojnë me kujdes sa do të lëndohej gruaja e parë, dhe sa e meriton, varësisht sa e mbështeti xhematin, apo nëse ishte aty vetëm për hir të burrit të saj, dhe meqë ra fjala, ajo patjetër do të lëndohet.

Pyetja është: “Sa?” dhe a do të përfitonte i gjithë xhemati patjetër shumë më tepër sesa u lëndua ajo? Duhet të jetë dukshëm më shumë, jo thjesht pak më shumë. Duhet të jesh i sigurt. Pra, ideja apo propozimi nuk duhet të vijë kurrë nga burri apo nga gruaja e dytë e mundshme. Duhet të vijë nga dikush tjetër, dhe duhet të paramiratohet nga drejtuesi i xhematit në konsultim me të nënshtruar të tjerë, para se burri as të mendojë se të pasurit e një gruaje të dytë është opsion për të. Shihni, sipas Kuranit. Një besimtar është i kënaqur me atë që ka. Një i nënshtruar është person i lumtur. Një person i lumtur është i kënaqur me gruan që e ka. Nuk duhet të kërkojë kurrë një grua tjetër për kënaqësi, për sa kohë që ka një grua. As nuk duhet t’i shkojë ndër mend. Dhe e di se kishte disa profetë në të kaluarën që kishin më shumë se një grua, por gjithmonë u martuan vetëm me një që e donin qëllimisht, dhe nuk u shkoi kurrë ndër mend ta kishin një tjetër pas saj, përveç nëse dikush ua propozonte dhe e kuptonin se do të ishte vendim i mirë për të gjithë në xhemat, dhe e merrnin këtë vendim pa e takuar as gruan. Shihni, arsyeja pse gratë kanë frikë sot se burrat do ta keqpërdorin poligaminë është për shkak të mënyrës si sillen burrat modernë. Takojnë gra në punë, apo në një kafene, apo kanë mike, apo bisedojnë në internet pas shpine të gruas së tyre, dhe këtu fillon problemi.

Jo poligamia. Një burrë nuk mund të zgjedhë ta bëjë një jetë moderne derisa ta gjejë një grua të dytë, e pastaj papritur të bëhet tradicional dhe ta përdorë Kuranin si justifikim për t’u martuar me të. Kjo nuk është kuranore. Burrat modernë nuk kanë gra të dyta. Nëse e takove në mënyrë moderne, atëherë mbetu modern, duke e pranuar se nuk ka gra të dyta për burrat që sillen në mënyrë moderne. Sipas Kuranit, kjo nuk lejohet, sepse Kurani thotë se burrat nuk duhet t’i takojnë fare gratë përveç nëse kanë diçka të drejtë për të diskutuar. Strofa 2:235. Pra, nëse burri është beqar, mund ta imagjinosh një situatë ku ai takon një grua për të diskutuar diçka të drejtë, dhe kjo mund të çojë në martesë, por nëse burri është tashmë i martuar, nuk duhet ta takojë fare një grua tjetër vetëm, edhe nëse ka diçka të drejtë për të diskutuar, sepse nëse vërtet ka diçka të drejtë për të diskutuar, e ka gruan e tij ta bëjë për të. Duhet ta dërgojë gruan e tij ta diskutojë atë çështje me atë grua tjetër, apo të tre mund ta diskutojnë bashkë. Por pse do ta takonte një grua tjetër, kur e ka gruan e tij ta bëjë për të? Nuk mund të flasësh me gra të tjera pas shpine të gruas tënde e pastaj papritur të duash të martohesh me atë grua tjetër. Kjo është tradhti e pastër. Kurani na ndalon t’i tradhtojmë ata që na besojnë. Po e keqpërdor fenë, nëse e bën këtë. Nuk duhej të kishe folur me atë grua vetëm që në fillim ndërsa ishe i martuar.

Pra, thjesht nuk është fare kuranore ta gjesh vetë një grua të dytë. Nuk duhet të ndodhë kurrë me besimtarët. Lejohet vetëm, nëse është ideja e dikujt tjetër, e pastaj ajo ide paramiratohet nga drejtuesi i xhematit, në konsultim me të nënshtruar të tjerë, dhe vetëm atëherë ti si burri i mundshëm duhet të dëgjosh për të, dhe të mendosh nëse dëshiron ta bësh apo jo. Dhe madje edhe vetë drejtuesit e xhematit nuk duhet të kërkojnë kurrë një grua të dytë, përveç nëse dikush në xhemat del me atë ide, dhe fillon të ketë kuptim pas konsultimit me të nënshtruar të tjerë. Nuk duhet t’i shkojë kurrë ndër mend ndryshe. Një besimtar është vërtet i kënaqur me atë që ka. Bashkëshortët nuk janë qëllimi ynë në jetë gjithsesi. Jetët tona duhet t’i kushtohen çështjes së Zotit, ndërsa në të njëjtën kohë duke u siguruar që të mos jemi të padrejtë ndaj bashkëshortëve tanë, dhe familjeve tona, dhe xhematit. Tani, ka një rast të pestë ku lejohet poligamia. Është rasti kur burri është mbret apo zot feudal. Por ky rast nuk vlen në vendet demokratike, sot, sepse nuk ka mbretër dhe zotër feudalë në demokraci. Mbretëria e Bashkuar pohon se ka lordë dhe një mbret por ata janë lordë dhe mbret vetëm me emër, por jo në realitet. Mbretëria e Bashkuar në fakt është demokraci, jo mbretëri. Pra, nuk ka nevojë ta shpjegojmë këtë rast të pestë sepse nuk vlen për ne sot.

Pra, për ta përmbyllur, Kurani e predikon monogaminë, bazuar në të gjitha strofat e tij – një burrë dhe një grua – përveç në katër raste jonatyrale të cilat janë: 1. Në rast se gruaja është shterpë dhe mbi dyzet vjeç, dhe burri gjithashtu nuk ka fëmijë nga ndonjë martesë e mëparshme (Kjo bazohet në strofën 46:15). 2. Në rast se gruaja vuan nga një paaftësi e përhershme e konsiderueshme pas martesës (Kjo bazohet në strofën 4:129) 3. Në rast se gruaja nuk ka të ardhura apo ka të ardhura të ulëta dhe ka fëmijë nga një martesë e mëparshme (Kjo bazohet në strofën 4:3) 4. Në rast se propozimi për martesën shtesë vjen nga dikush tjetër, përveç burrit apo gruas së dytë të mundshme, dhe me paramiratimin e drejtuesit të xhematit. (Kjo bazohet në strofën 2:235, dhe strofën 4:59). Pra, të katër këto përjashtime nga monogamia bazohen në Kuran. Në të gjitha rastet e tjera, mënyra natyrale e martesës është monogamia e rreptë, një burrë dhe një grua, dhe kjo bazohet në strofën 4:1, strofën 7:189, strofën 39:6, strofën 78:8, strofën 49:13, strofën 11:40, strofën 23:27, strofën 51:49, strofën 43:12, strofën 34:46, strofën 3:195, strofën 53:45, strofën 92:3, strofën 4:129. Të gjitha e promovojnë monogaminë. Oh, meqë ra fjala, edhe një gjë. Të gjitha arsyet për poligami, ndërsa kalon koha, bëhen gjithnjë e më të dobëta. Për shembull, shumë njerëz kanë kafshë shtëpiake këto ditë, dhe shikojnë video të marra në internet, dhe kjo e zëvendëson një pjesë të nevojës për fëmijë. Sepse kjo është ajo që bëjnë fëmijët. Sillen në mënyrë të marrë, dhe ne kënaqemi. Pra, ndërsa shkojmë gjithnjë e më tej në brezat e ardhshëm, nevoja psikologjike për fëmijë zvogëlohet, dhe kjo e zvogëlon njërën nga arsyet për poligami. Apo për shembull, nëse gruaja ka një paaftësi të përhershme, sa më tej që shkojmë në të ardhmen, aq më socialiste bëhen shtetet, dhe prandaj shtetet do të kujdesen për të shumë më mirë sesa do të kujdesej një burrë tashmë i martuar. Siç mund ta shihni, këto arsye për poligami zvogëlohen gradualisht ndërsa lëvizim drejt së ardhmes, derisa në brezin e fundit, do të ketë 0 arsye për poligami. Pra, historia njerëzore filloi me shumë arsye për poligami dhe do të përfundojë me 0 arsye për poligami. Por gjatë gjithë historisë njerëzore, monogamia ishte, është, dhe do të jetë e vetmja mënyrë natyrale e jetës bashkëshortore.