[search-in-place-form in_current_page="1"]

Poligamia

Poligamia ishte mënyrë jetese deri sa u shpall Kurani 1400 vjet më parë. Kur toka ishte e re dhe e papopulluar mjaftueshëm, poligamia ishte një mënyrë për ta populluar dhe për t’i sjellë qeniet njerëzore të nevojshme për ta zbatuar planin e Zotit. Deri në kohën kur u shpall Kurani, bota ishte populluar mjaftueshëm, dhe Kurani i vendosi kufizimet e para kundër poligamisë.

Poligamia lejohet në Kuran, por nën rrethana që respektohen rreptësisht. Çdo keqpërdorim i kësaj leje hyjnore sjell ndëshkim të rëndë. Kështu, edhe pse poligamia lejohet nga Zoti, na takon t’i shqyrtojmë rrethanat tona me kujdes para se të themi se një marrëdhënie e caktuar poligame është e lejueshme.

Shembulli ynë i përsosur këtu është profeti Muhamed. Ai ishte i martuar me një grua, Hatixhen, derisa ajo vdiq. I pati të gjithë fëmijët e tij, përveç njërit, nga Hatixheja. Kështu, ajo dhe fëmijët e saj e gëzuan vëmendjen e plotë të Profetit për aq kohë sa ishte e martuar me të; njëzet e pesë vjet. Për të gjitha qëllimet praktike, Muhamedi kishte një grua – nga mosha 25 deri në 50 vjeç. Gjatë 13 viteve të mbetura të jetës së tij, ai u martua me të vejat e moshuara të miqve të tij që lanë shumë fëmijë. Fëmijët kishin nevojë për një shtëpi të plotë, me një figurë atërore, dhe Profeti e siguroi këtë. Sigurimi i një figure atërore për jetimët është e vetmja rrethanë specifike në mbështetje të poligamisë e përmendur në Kuran (4:3).

Përveç martesës me nënat e veja të jetimëve, kishte tri martesa politike në jetën e Profetit. Miqtë e tij të ngushtë Ebu Bekri dhe Omeri këmbëngulën që ai të martohej me vajzat e tyre, Aishen dhe Hafsën, për të vendosur lidhje tradicionale familjare mes tyre. Martesa e tretë ishte me Marien egjiptiane; ajo iu dha atij si gjest politik miqësie nga sundimtari i Egjiptit.

Ky shembull i përsosur na tregon se një burrë duhet t’ia japë vëmendjen dhe besnikërinë e tij të plotë në martesë gruas dhe fëmijëve të tij në mënyrë që të rritë një familje të lumtur dhe të shëndetshme.

Kurani i thekson kufizimet kundër poligamisë me fjalë shumë të forta: “Nëse keni frikë se nuk do të jeni plotësisht të drejtë në trajtimin e më shumë se një gruaje, atëherë do të mjaftoheni me një.” (4:3) “Ju nuk mund të jeni të drejtë në një marrëdhënie poligame, sado që të përpiqeni.” (4:129)

Kufizimet kuranore kundër poligamisë e tregojnë mundësinë e keqpërdorimit të ligjit të Zotit. Prandaj, përveç nëse jemi absolutisht të sigurt se ligji i Zotit nuk do të keqpërdoret, më mirë t’i rezistojmë epshit tonë dhe të qëndrojmë larg poligamisë. Nëse rrethanat nuk e diktojnë poligaminë, më mirë t’ia japim vëmendjen tonë të plotë një gruaje dhe një grupi fëmijësh. Mirëqenia psikologjike dhe shoqërore e fëmijëve, veçanërisht në vendet ku poligamia është e ndaluar, pothuajse gjithmonë e diktojnë monogaminë. Disa kritere bazë duhet të respektohen kur mendohet për poligaminë:

  1. Ajo duhet ta lehtësojë dhimbjen dhe vuajtjen dhe të mos shkaktojë asnjë dhimbje apo vuajtje.
  2. Nëse keni familje të re, është pothuajse e sigurt se poligamia është keqpërdorim.
  3. Poligamia për ta zëvendësuar me një grua më të re është keqpërdorim i ligjit të Zotit (4:19).

 

Predikim i së Premtes bazuar në Shtojcën 30 të Përkthimit të Autorizuar Anglisht të Kuranit nga Rashad Khalifa (1989)