[search-in-place-form in_current_page="1"]

Pse të Krishterët nuk luten pesë herë në ditë, ndërsa Myslimanët po?

Përmbledhje:

Në këtë predikim të së Premtes, Alban Fejza e shpjegon keqkuptimin midis të krishterëve dhe myslimanëve për shpëtimin, duke i përshkruar rrugët e ndryshme drejt shpëtimit të dhëna në Kuran dhe në Ungjill, dhe pse nënshtrimi, që i bashkon Lutjet e Kontaktit dhe përpjekjen, është rruga më e lehtë.

Transkripti i videos:

Lavdi Zotit! Nuk ka zot tjetër përveç Zotit. Ka kaq shumë keqkuptim midis të krishterëve dhe myslimanëve sa u përket metodave të shpëtimit. Nga njëra anë, i kemi të krishterët që i përçmojnë Lutjet e Kontaktit aq shumë saqë Kurani thotë se kur e dëgjojnë thirrjen për Lutjen e Kontaktit, tallen dhe e përqeshin. Nga ana tjetër, i kemi myslimanët që në përgjithësi janë krejtësisht të pavetëdijshëm për lajmin e mirë në Ungjill, deri në atë pikë sa mendojnë se nëse dikush nuk është midis myslimanëve patjetër do të shkojë në Ferr. Dhe për ta zgjidhur këtë mospërputhje në kuptim, do të ndihmonte sikur thjesht t’i kuptonim metodat e shpëtimit të cilat jepen të gjitha në Kuran, por në Bibël, Jezusi i jep si përmbledhje, të gjitha në një listë. Dhe kjo listë njihet në Krishterim si Lumturitë. Në thelb, në këtë listë, Jezusi i identifikon grupet e njerëzve që do të shkojnë në Parajsë, dhe u jep atyre lajmin e mirë, nga ku e mori emrin i gjithë libri – Ungjilli. Fjala Ungjill do të thotë “lajm i mirë”, dhe e merr emrin posaçërisht nga kjo pjesë që e predikon Jezusi, ku Jezusi u jep lajmin e mirë grupeve të caktuara të njerëzve se do të shkojnë në Parajsë. Deri atëherë, hebrenjtë mendonin, se vetëm hebrenjtë do të shkojnë në Parajsë, por ky predikim dha një pamje gjithëpërfshirëse të të gjitha grupeve që do të shkojnë në parajsë. Pra, tani le ta lexojmë këtë pjesë të Ungjillit, që është nga Mateu, kapitulli 5, nga fillimi deri në vargun 12:

“Dhe duke parë turmat, ai (Jezusi) u ngjit në mal: dhe si u ul, dishepujt e tij erdhën tek ai: dhe ai e hapi gojën e tij dhe i mësoi, duke thënë,

Lum të varfërit në frymë: sepse e tyre është mbretëria e qiellit. (pra, kategoria e parë që do të shpëtojë janë të varfërit).

Lum ata që vajtojnë: sepse ata do të ngushëllohen. (kjo i përfshin njerëzit jashtëzakonisht të vetmuar, njerëzit që humbën dikë shumë të afërt apo diçka të tillë)

Lum të butët: sepse ata do ta trashëgojnë tokën.

Lum ata që kanë uri dhe etje për drejtësi: sepse ata do të ngopen. (kur agjërojmë, bëhemi vullnetarisht pjesë e këtij grupi)

Lum të mëshirshmit: sepse ata do ta fitojnë mëshirën.

Lum të pastrit nga zemra: sepse ata do ta shohin Zotin. (fjala i pastër këtu në gjuhën origjinale ishte “Zeqat”, jo në greqisht).

Lum të nënshtruarit: sepse ata do të quhen bij të Zotit. (Tani, në gjuhën origjinale kjo ishte “Myslimanë”, por grekët e përkthyen si “paqebërës” sepse nuk e dinin çfarë do të thotë “Mysliman” para Muhamedit),

Lum ata që janë përndjekur për hir të drejtësisë: sepse e tyre është mbretëria e qiellit. Lum ju kur njerëzit do t’ju qortojnë, dhe do t’ju përndjekin, dhe do të thonë rrejshëm çdo lloj të keqeje kundër jush, për hirin tim. Gëzohuni, dhe jini jashtëzakonisht të kënaqur: sepse i madh është shpërblimi juaj në qiell: sepse kështu i përndoqën profetët që ekzistuan para jush.

Tani, kategoritë e njerëzve që do të shpëtohen janë të varfërit, vajtuesit, të butët, të uriturit, të eturit, të mëshirshmit, të pastrit nga zemra, të nënshtruarit, dhe të përndjekurit, apo të përqeshurit. Nuk ka asnjë mënyrë që dikush të shkojë në Parajsë përveç nëse ai apo ajo është në njërën nga këto kategori. Dhe kjo e tejkalon fenë. Kjo e tejkalon çdo gjë që njerëzit e tjerë mund t’ju thonë se si të shkoni në Parajsë. Nëse nuk jeni në njërën nga këto kategori, nuk do të shkoni në Parajsë. Siç mund ta shihni, të gjitha ato kategori përfshijnë vështirësi në jetë, të cilat janë kryesisht vështirësi të pavullnetshme, përveç nënshtrimit që është vështirësi vullnetare. Pra, a do të preferonit të ishit të varfër, vajtues, të butë, të uritur, të etur, apo të nënshtruar? Duhet të jeni në njërin nga këto grupe për të shkuar në Parajsë, apo pak nga të gjitha këto, apo një kombinim i këtyre, por nuk mund të shkoni në Parajsë nëse nuk jeni në njërin nga këto. Dhe kjo është ajo që të krishterët e keqkuptojnë. Thonë se janë besimtarë, dhe e kanë pranuar Jezusin, por pastaj shumicën e tyre, nuk i gjen në asnjë nga këto grupe. Pra, nuk është e mundur për ta të shkojnë në Parajsë, përveç nëse i përkasin njërit nga ato grupe. Nëse e pranon vërtet fjalën e Zotit, Zoti patjetër do të të vendosë në njërin nga këto grupe. Nëse të zgjodhi të shkosh në Parajsë, do të ta ofrojë së pari nënshtrimin i cili e përfshin Lutjen e Kontaktit, dhe nëse e refuzon, atëherë do të të dërgojë në Parajsë, ose përmes varfërisë, ose vajtimit, ose urisë, ose etjes, ose vështirësive të tilla.

Dhe të krishterëve arrogantë u pëlqen të thonë: “Nuk i bëj Lutjet e Kontaktit, dhe jam ende i pasur, dhe me shëndet të mirë, dhe jo i uritur, dhe jo i etur.” Epo, kjo është sepse do të shkojnë në Ferr. Sikur ta kishin pranuar vërtet fjalën e Zotit, Zoti do t’i vendoste në njërin nga ato grupe, dhe grupi më i lehtë për të qenë është të jesh i nënshtruar, atëherë dhe vetëm atëherë, të qenët i pasur dhe shkuarja në Parajsë nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Të gjitha grupet e tjera janë më të vështira, dhe më të mjera për të arritur në parajsë.

Pra, po, të krishterët kanë të drejtë se Zoti na shpëton përmes fjalës së Tij, dhe jo përmes Lutjeve të Kontaktit, por nëse e pranojmë fjalën e Tij, nëse besojmë në fjalën e Tij, nëse besojmë në atë që Ai thotë, Ai 100% do të na vendosë në njërin nga këto grupe. Do të na lërë ose të jemi të varfër, ose të uritur, ose të etur, ose të nënshtruar. Pra, njeriu do të preferonte të ishte i nënshtruar, sesa i uritur, prandaj duhet t’i bëjmë Lutjet e Kontaktit. Është rezultati i pranimit të fjalës së Zotit, dhe jo vetë metoda e shpëtimit, por nuk është e mundur të shkosh në Parajsë, dhe gjithashtu t’ia dalësh mirë në këtë botë, përveç nëse e respekton Lutjen e Kontaktit. Thjesht nuk është e mundur. Kjo është arsyeja pse në videon me titull “Demografia e Parajsës dhe e Ferrit” mund ta gjeni deklaratën se të krishterët e pasur nuk mund të arrijnë kurrë në Parajsë. Nuk i bëjnë lutjet e kontaktit, dhe prandaj, nëse janë të pasur, do të shkojnë në Ferr, dhe nëse janë tmerrësisht të varfër, kjo do të thotë se e kanë pranuar vërtet fjalën e Zotit, dhe janë të destinuar për Parajsë. Dhe kjo është arsyeja pse, quhet “Ungjilli”, sepse u jep lajme të mira të varfërve, atyre që vuajnë, dhe të nënshtruarve. Të nënshtruarit janë ata që i bëjnë Lutjet e Kontaktit siç i bëjmë ne, dhe e japin Bamirësinë e Detyrueshme siç e japim ne. Ky është përkufizimi i një të nënshtruari. Jashtë kësaj, ka rrugë të tjera drejt shpëtimit, por të gjitha përfshijnë vuajtje të tmerrshme, prandaj Kurani e quan nënshtrimin rrugën më të mirë, fenë më të mirë, sepse është rruga drejt Parajsës me vuajtjen më të vogël.

Tani, Jezusi ua dha lajmin e mirë të gjithë njerëzve që do të arrijnë në Parajsë, atyre që e marrin rrugën e vuajtjes, dhe atyre që e marrin rrugën e nënshtrimit, por kush do ta zgjidhte rrugën e vështirë të vuajtjes, kur u ofrohet rruga e lehtë e nënshtrimit? Pra, kjo është arsyeja pse i ftojmë njerëzit në nënshtrim, për t’i ndihmuar të shkojnë në Parajsë përmes rrugës më të lehtë, me më pak vuajtje. Ky është ungjilli, lajmi i mirë. Por, le t’u japim këtu disave prej nesh lajme edhe më të mira – lajme të mira të dyfishta: Vullnetarisht, nëse dikush prej nesh dëshiron, mund t’i zgjedhim të dyja rrugët. Rrugën e vuajtjes dhe rrugën e nënshtrimit, dy në një. Këtë e zgjodhi Jezusi, këtë e zgjodhi Muhamedi, këtë e zgjodhi Moisiu, këtë e zgjodhi Abrahami, dhe këtë do ta zgjedhin disa prej nesh. Të nënshtruar dhe përpjekës, të dyja në të njëjtën kohë. Nuk ke pse t’i zgjedhësh të dyja. Njëra mjafton, por ata që i zgjedhin të dyja rrugët bekohen dy herë, dhe janë midis atyre që Kurani i quan “elita e elitës”. Për këtë grup, ka shpërblime shtesë në Parajsë.

Tani, çfarë do të thotë t’i zgjedhësh të dyja rrugët? Do të thotë ta bësh Lutjen e Kontaktit dhe Bamirësinë e Detyrueshme, sigurisht, që është rruga e lehtë e nënshtrimit, e pastaj rruga e vështirë e përpjekjes përfshin përpjekje shtesë për çështjen e Zotit, predikim, qëndrim për drejtësi, bamirësi shtesë, ndihmë për njëri-tjetrin, promovim të mesazhit – është një pjesë e madhe e saj – të qenët i guximshëm në pikat kritike, dhe këto pika kritike na kalojnë pranë mjaft rrallë dhe nëse i humbet sepse të mungon guximi në atë moment, atëherë thjesht e humbet. E humbe një shpërblim të madh. Mundësia mund të vijë vetëm një herë, dhe nëse nuk je gati, ikën. Dhe shumë prej nesh mund të jenë të etur të përpiqen për çështjen e Zotit. Madje mund të jeni të zhgënjyer që kaq pak mundësi na dalin përpara për t’u përpjekur për çështjen e Zotit. Por, nëse është një mundësi që ka rëndësi, do të vijë gjithmonë në një moment kur kërkohet trimëri, një moment që duket i rrezikshëm. Atëherë ka rëndësi.

Dhe, nëse zgjedh të shkosh në Parajsë përmes përpjekjes pa nënshtrim, je i lirë të shkosh dhe ta bësh me grupe të tjera – shko dhe bëje me të krishterët apo me hebrenjtë, sepse nuk duam probleme në grupin tonë. Përpjekja pa nënshtrim sjell probleme. Kuranistët, për shembull, do të kenë përgjithmonë probleme grupi. Duan të përpiqen pa nënshtrim. Nëse zgjedh, nga ana tjetër, nënshtrimin pa përpjekje, atëherë je i mirëpritur në grupin tonë, por nuk do të marrësh ndonjë ftesë të veçantë për mundësi të mëdha. Nëse zgjedh t’i bësh të dyja, nënshtrimin dhe përpjekjen, atëherë je i mirëpritur në grupin tonë dhe do të marrësh edhe ftesa të veçanta sa herë që paraqiten mundësi për t’u përpjekur.

 

Predikim i së Premtes nga: Alban Fejza, Drejtues i Xhematit Online