Lavdi Zotit! Nuk ka zot tjetër përveç Zotit.
Strofat 5:65 dhe 5:66 thonë: “Nëse njerëzit e shkrimit (hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët) besojnë dhe bëjnë një jetë të drejtë, Ne do t’ua falim mëkatet dhe do t’i pranojmë në Parajsën plot lumturi. Sikur ta kishin respektuar Teuratin, Ungjillin dhe atë që u shpall këtu nga Zoti i tyre, do t’i kishin gëzuar furnizimet nga sipër tyre dhe nga poshtë këmbëve të tyre. Disa prej tyre janë të drejtë, por shumica prej tyre janë keqbërës.”
Pastaj strofa 7:96 thotë: “Sikur vetëm njerëzit e bashkësive të ndryshme të besonin dhe të bënin një jetë të drejtë, Ne do t’i kishim mbuluar me bekime nga qielli dhe toka.”
Zoti është Ai që e kontrollon lumturinë apo mjerimin tuaj. …. Zoti është Ai që ju bën të pasur apo të varfër. [53:43, 48]
Një komb që i mbështet ligjet e Zotit ka të garantuar shquarjen mes kombeve të botës, fitoren, begatinë dhe lumturinë (10:62-64, 16:97, 24:55, 41:30-31). Nga ana tjetër, një komb që i shkel ligjet e Zotit e tërheq mbi vete një jetë të mjerë (20:124). Një komb që i mbështet ligjet e Zotit ka të garantuar të jetë komb i madh. Kjo nuk është thjesht një ëndërr idealiste; meqë Zoti e ka kontrollin e plotë (10:61), garancitë dhe premtimet e Tij janë të kryera. Një komb që i mbështet ligjet e Zotit karakterizohet nga:
- Liria maksimale për njerëzit – liria e fesë, liria e shprehjes, liria e udhëtimit dhe liria e ekonomisë (2:256, 10:99, 88:21-22).
- Të drejtat e garantuara të njeriut për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga raca, ngjyra, besimi, statusi shoqëror, gjendja financiare apo përkatësia politike (5:8, 49:13).
- Begatia për të gjithë njerëzit. Sistemi ekonomik i Zotit bazohet në qarkullimin e vazhdueshëm të pasurisë, pa kamatë, dhe në investime produktive. Ekonomia joproduktive si bixhozi, lotaria dhe huatë me interes të lartë nuk lejohen (2:275-7, 59:7).
- Drejtësia shoqërore për të gjithë. Për shkak të bamirësisë së obligueshme (Zeqatit), askush nuk do të mbetet i uritur apo pa strehë (2:215, 70:24-25, 107:1-7).
- Një sistem politik që bazohet në konsensus njëzëri. Përmes konsultimit të ndërsjellë dhe lirisë së shprehjes, njëra anë e çdo çështjeje i bind të gjithë pjesëmarrësit në diskutim. Rezultati përfundimtar është një marrëveshje njëzëri, jo mendimi i një shumice 51% i imponuar me forcë mbi pakicën 49% (42:38).
- Një shoqëri që i mbështet dhe i ruan standardet më të larta të sjelljes morale. Do të ketë familje të fortë, pa alkoolizëm, pa droga të paligjshme, pa shtatzëni të paligjshme, pa aborte, dhe praktikisht pa shkurorëzime.
- Respekti maksimal për jetët dhe pronat e njerëzve. Prandaj, nuk do të ketë krime kundër jetëve apo pronave të njerëzve.
- Mbizotërimi i dashurisë, mirësjelljes, paqes dhe respektit të ndërsjellë mes njerëzve, dhe mes këtij kombi dhe bashkësive të tjera të botës (3:110, 60:8-9).
- Mbrojtja e mjedisit garantohet përmes ruajtjes dhe ndalimit të praktikave shpërdoruese (30:41).
Predikim i së Premtes bazuar në Shtojcën 36 të Përkthimit të Autorizuar Anglisht të Kuranit nga Rashad Khalifa (1989)