[search-in-place-form in_current_page="1"]

Si t’i shmangemi aksidenteve?

Predikim i së Premtes nga: Alban Fejza, Drejtues i Xhematit Online

Përmbledhje:

Në këtë predikim të së Premtes, Alban Fejza e shpjegon se aksidentet nuk shmangen më mirë duke mësuar nga secili prej tyre, por duke e kuptuar se Zoti i lejon aksidentet aty ku njerëz me zemra shumë të ndryshme janë të përzier bashkë, dhe e lidh këtë me fundin e botës.

Transkripti i videos:

Lavdi Zotit. Nuk ka zot tjetër përveç Zotit. Shumë herë njerëzit pyesin veten pse ndodhin aksidentet, dhe si mund ta shmangnin një aksident të tillë. Dhe arrijnë në përfundime të padobishme për një aksident të caktuar. Për shembull, “sikur ta kisha kthyer timonin më herët!” ose “sikur të mos e kisha bërë atë hap!”, “sikur ta kisha kontrolluar dy herë”, dhe varësisht nga aksidenti do të arrijnë në një përfundim të caktuar. Kështu, mund të vendosin që nga ajo kohë e tutje, do ta kontrollojnë gjithmonë dy herë një gjë të caktuar. Megjithatë, kjo është një mënyrë shumë sipërfaqësore për t’i shmangur aksidentet. Kështu mësojnë foshnjat, kur nuk duan të rrëzohen përsëri. Kjo të mëson vetëm si ta parandalosh atë lloj aksidenti. Pra, në thelb, me atë mënyrë të menduari mund t’i shmangësh vetëm aksidentet që të kanë ndodhur një herë më parë. Por shumica e aksidenteve që u ndodhin njerëzve janë aksidente që nuk u kanë ndodhur më parë. Ka një mënyrë tjetër për t’i shmangur aksidentet, nëse e kuptojmë në një nivel më të thellë, në cilat rrethana ndodhin të gjitha llojet e aksidenteve, dhe jo vetëm pse ndodhi një aksident i caktuar. Dhe kur mendojmë me kujdes për këtë, do ta kuptojmë se Zoti i lejon aksidentet në rrethana ku njerëz me zemra shumë të ndryshme qëndrojnë bashkë. Në thelb, njerëz që sillen në mënyrë të ngjashme nga jashtë, por nga brenda niveli i tyre i besimit apo mosbesimit është shumë i ndryshëm. Në thelb, Zoti i lejon aksidentet për t’i ndarë njerëzit me zemër të mirë nga njerëzit me zemër të keqe, kur ata vetë nuk e dinë se njëri prej tyre ka zemër të mirë dhe tjetri ka zemër të keqe. Dhe dallimi midis zemrave duhet të jetë ekstrem që aksidenti të jetë i rëndë. Për shembull, Moisiu dhe Faraoni u rritën bashkë. Zoti e dinte se Moisiu kishte zemër jashtëzakonisht të mirë dhe Faraoni kishte zemër jashtëzakonisht të keqe. Megjithatë, sikur të kishim qenë aty kur po rriteshin, nuk do ta vinim re dallimin. Ndoshta gjuanin bashkë, qeshnin bashkë, hanin bashkë, dhe nuk patën rast ta shprehnin nga brenda zemrës së tyre sa të ndryshëm ishin. Detyroheshin nga rregullat atje të silleshin në të njëjtën mënyrë në rrethana të ngjashme. Pra, ajo rrethanë ishte një aksident që priste të ndodhte. Kështu, ndërsa Moisiu një ditë po ecte rastësisht dhe e pa një njeri duke e rrahur një njeri tjetër, e pastaj Moisiu e goditi, dhe ai vdiq, aksidentalisht. Kjo nuk ndodhi thjesht ashtu. Po priste të ndodhte. Nëse nuk do të ndodhte aty, do të ndodhte diku tjetër në ndonjë formë tjetër, por po priste të ndodhte. Një shembull tjetër që përmendet në Surën 18 është kur Moisiu dhe ai engjëll që u shfaq në formë njerëzore udhëtojnë bashkë, sepse Moisiu dëshiron të mësojë disa gjëra prej tij.

Po, ai ishte engjëll, por kjo është për t’u shpjeguar një herë tjetër. Pra, Moisiu dhe ai udhëtuan bashkë, dhe engjëlli e vret një djalë, dhe Moisiu thotë: “Pse e vrave një person kaq të pafajshëm, që nuk e kishte vrarë një person tjetër?”, dhe më vonë përgjigjja është: “Prindërit e tij ishin besimtarë të mirë, dhe pamë se ai do t’i rëndonte me shkeljen dhe mosbesimin e tij.” Dhe kjo i ndodhi një djali që ende nuk kishte pasur rast të bëhej i keq. Pra, në thelb, këtu kemi një familje ku dy anëtarë kanë zemër shumë të mirë, dhe fëmija ka zemër shumë të keqe, dhe ndodhi një aksident. Engjëlli e vrau, por prindërve të tij do t’u dukej si aksident. Zoti e di si e gjetën të vdekur. Një pemë kishte rënë mbi të, apo ishte mbytur duke notuar apo çfarëdo. Kjo nuk është e rëndësishme. Pjesa e rëndësishme është se besimtarët ekstremë dhe mosbesimtarët ekstremë që kalojnë shumë kohë bashkë janë një aksident që pret të ndodhë. Meqë ra fjala, mund të ndodhë edhe anasjelltas. Prindërit mund të ishin mosbesimtarë ekstremë, dhe djali mund të ishte besimtar ekstrem, dhe kjo përsëri do të rezultonte në një aksident ku djali do të vdiste, apo prindërit do të vdisnin. Pra, nuk mund të nxjerrësh asnjë përfundim për besimin e askujt bazuar në aksidente. Kjo logjikë funksionon vetëm në një drejtim. Nuk funksionon mbrapsht. Dikush mund të pyesë: “Atëherë a është e mundur t’i shmangim të gjitha aksidentet nëse i ndajmë të gjithë besimtarët nga mosbesimtarët?” Le të themi se i marrim të gjithë besimtarët e botës dhe i dërgojmë në Australi (do të ishte tokë e mjaftueshme), dhe i lëmë mosbesimtarët në kontinentet e tjera. Çfarë do të ndodhte? Në fakt, po, aksidentet do të ndaleshin, por vetëm sepse luftërat do të ndodhnin para aksidenteve. Pra, në thelb, vetëm do ta kthenim vuajtjen e paqëllimshme në vuajtje të qëllimshme. Mosbesimtarët do të na shpallnin luftë. Kjo është garanci. Pra, dallimi midis luftërave dhe aksidenteve është se njëra është vuajtje e qëllimshme ndërsa tjetra është vuajtje e paqëllimshme. Pra, nëse kemi zemër të mirë, sepse shumica e botës nuk ka, e kemi vënë veten në një situatë ku një aksident është gati të ndodhë. Si, në rastin e Jezusit për shembull. Niveli i tij i besimit dhe nivelet e besimit të hebrenjve thjesht nuk përputheshin, dhe e dimë çfarë ndodhi. Në thelb, nëse je i gatshëm të jesh besimtar 100%, nuk do të jesh në gjendje të mbijetosh në këtë botë, përveç nëse e rrethon veten me njerëz që janë në nivele të ngjashme besimi si yti, le të themi njerëz që duan të jenë 99% të mirë, e pastaj ata e rrethojnë veten me njerëz zemrat e të cilëve janë 98% të mira, dhe ata e rrethojnë veten me njerëz zemrat e të cilëve janë 97% të mira, e kështu me radhë.

Në fakt, kjo nënkupton një shoqëri ku njerëzit më të mirë janë në qendër e pastaj besimi zbehet gradualisht në skaje, dhe ata njerëz në skaje takohen me mosbesimtarët në skaje, ku ndodhin kthimet – njerëz që lëvizin nga një grup në tjetrin. Dhe në botën tjetër, nuk do të ketë aksidente, sepse besimtarët do të jenë të gjithë në një grup dhe mosbesimtarët do të jenë të gjithë në një grup tjetër. Do të ketë ende vuajtje midis mosbesimtarëve, por ajo do të jetë vuajtje e qëllimshme. Ngjarjet e qëllimshme nuk janë aksidente. Meqë ra fjala, për Zotin asgjë nuk është aksident. Ai e kontrollon çdo gjë. Unë po flisja vetëm për aksidentet si ngjarje të këqija që njerëzit nuk i kishin për qëllim, jo ngjarje që Zoti nuk i kishte për qëllim. Zoti e ka kontrollin e çdo gjëje, dhe Ai do ta lejojë atë që neve na duket si aksident për t’i ndarë zemrat shumë të ndryshme, dhe për t’i bashkuar zemrat e ngjashme. Kjo është arsyeja pse aksidentet ndodhin më shpesh nëse e vë një grup burrash bashkë, sesa një grup grash bashkë. Edhe pse, mesatarisht, burrat dhe gratë janë njësoj në besim, ka pak më shumë ndryshueshmëri midis burrave sesa grave. Pra, në thelb, është pak më e mundshme të gjenden raste ekstreme besimi apo mosbesimi midis burrave, dhe nëse i vë bashkë, në sporte të rrezikshme, apo në tubime, apo ndoshta mund të detyrohen të qëndrojnë bashkë për shkak të varfërisë, atëherë ndodhin aksidente. Kjo e shpjegon gjithë atë dhunë me armë në komunitetet e varfra, ku burra me zemra të ndryshme detyrohen të qëndrojnë bashkë, apo aksidentet me vetura, apo aksidentet në sport. Meqë ra fjala, nuk po propozoj asnjë zgjidhje për këtë. Me propozime njerëzore, mund ta kthejmë vetëm një problem në një tjetër. Mund t’i kthejmë aksidentet e mëdha në shumë aksidente më të vogla për shembull, por jo t’i eliminojmë, apo mund t’i kthejmë aksidentet në luftëra, apo mund t’i kthejmë luftërat në aksidente, por jo t’i eliminojmë. Është i njëjti djall sot, si shekuj më parë. Niveli i vuajtjes në këtë botë nuk ka ndryshuar. Demokracitë, shtetet, kanë arritur thjesht ta zhvendosin atë nga aty ku është e matshme në vende ku nuk është e matshme. Për shembull, mund të ndihmojnë t’i shmangim aksidentet me vetura me semaforë, por kjo vjen me një kosto. Duhet t’i edukojmë njerëzit, që do të dinin si t’i ndërtonin semaforët, dhe ai edukim mund të vijë vetëm me një kosto. Duhet t’i ndajmë prindërit nga fëmijët e tyre për rreth 8 orë çdo ditë. Pra, në thelb, nëse nuk duam që një person ta humbasë fëmijën e tij, mund ta shmangim këtë, nëse i detyrojmë 100 prindër të tjerë t’i mungojnë fëmijët e tyre për tetë orë çdo ditë.

Pra, në thelb, thjesht po e zhvendosim vuajtjen nga një rast i madh i dukshëm, në shumë raste më të vogla ditore jo aq të dukshme. Kjo nuk është zgjidhje. Duke e bërë këtë, thjesht po e shpërndajmë vuajtjen pak nga pak te të gjithë, dhe bota po shkon në atë drejtim, dhe sapo të gjithë besimtarët të jenë përzier me të gjithë mosbesimtarët, një “aksident” shumë i madh pret të ndodhë – fundi i botës. Pra, në thelb, Fundi i Botës do të vijë kur të gjithë besimtarët dhe të gjithë mosbesimtarët do të jenë të barabartë në sjellje, dhe do t’i bëjnë gjërat bashkë. I vetmi dallim i tyre do të jetë ajo që është në zemrën e tyre. Çdo gjë tjetër do të jetë njësoj.