[search-in-place-form in_current_page="1"]

Si ta përdorim Biblën sot?

Përmbledhje:

Në këtë predikim të së Premtes, Alban Fejza e shpjegon si mund të rritet saktësia e Biblës nga rreth 90% në 99% duke i mbajtur vetëm librat e profetëve, e shpjegon konceptin e kanunit biblik, dhe paraqet një Bibël të pastruar që përfundon me Kuranin, të vetmin libër plotësisht të paprekur.

Transkripti i videos:

Lavdi Zotit! Nuk ka zot tjetër përveç Zotit. Sipas vlerësimit të përafërt të Rashad Khalifës, 90% e Biblës është e vërtetë hyjnore. Në këtë predikim më lejoni t’ju tregoj si ta rritni atë saktësi në 99% me përpjekje minimale. Dhe kjo është e mundur sepse gabimet në Bibël nuk vijnë në shumë vende të vogla të ndryshme, por vijnë vetëm në disa copa të mëdha. Në thelb, shumë libra në Bibël janë pothuajse plotësisht të vërtetë, ndërsa disa libra të tjerë janë plotësisht të bërë nga njerëzit, kështu që gjithë ajo që duhet të bëjmë është t’i identifikojmë ata libra, dhe e rrisim saktësinë në 99%.

Por së pari le të njihemi me konceptin e Kanunit Biblik. Në të kaluarën, njerëzit e ditur shkruanin libra, dhe shumë nga ata libra ishin libra fetarë, dhe jo të gjithë ishin domosdoshmërisht libra të frymëzuar hyjnisht. Disa libra ishin libra të profetëve. Libra të tjerë ishin libra të shkruesve, dhe të tjerë ishin libra për qëllime mësimore për studentët. Dhe të gjithë ata libra quheshin “bibla”. Bibël thjesht do të thotë libër. Herë pas here, autoritetet fetare mblidheshin dhe vendosnin cilët libra janë të frymëzuar nga Zoti dhe cilët libra nuk janë të frymëzuar nga Zoti. Dhe ky proces i përzgjedhjes së librave quhet kanonizim. Ja 104 libra të Biblës që janë kanonizuar nga të paktën një sekt i krishterë apo hebre.

Disa prej tyre janë të bërë nga njerëzit, kështu që të krishterët ortodoksë grekë më saktë i kanonizuan vetëm 81 prej tyre, dhe i shpallën të tjerët të bërë nga njerëzit, e pastaj nga këta katolikët edhe më saktë i kanonizuan vetëm 73 prej tyre, dhe i shpallën të tjerët të bërë nga njerëzit, e pastaj nga këta protestantët më saktë i kanonizuan vetëm 66 prej tyre, të cilët janë ata të gjelbrit, dhe i shpallën të tjerët të bërë nga njerëzit:

Pra, ja përsëri lista vetëm e atyre librave të Biblës siç shtypen sot:

Pra, kur hyn në internet dhe përpiqesh ta lexosh Biblën në anglisht, ka shumë gjasa që do ta lexosh këtë Bibël me 66 libra të kanonizuar, dhe është shumë larg versioni mbizotërues i Biblës në botën anglishtfolëse, sepse Kishat Protestante, dhe Kisha Anglikane janë sektet mbizotëruese të krishtera në Botën Anglishtfolëse, dhe e kanë këtë Bibël me 66 libra. Dhe në këtë Bibël me 66 libra, pothuajse të gjithë librat janë libra që fillimisht ishin të frymëzuar nga Zoti, dhe vetëm disa prej tyre janë të frymëzuar nga njerëzit. Megjithatë, para se ta pastrojmë Biblën më tej, le ta riorganizojmë pak. Para së gjithash, libri i Ezdrës dhe Nehemisë, janë një libër në Biblën hebraike,

kështu që le t’i bashkojmë siç shihet më poshtë.

Së dyti, dy librat e Kronikave gjenden gjithashtu si një libër në Versionin hebraik të Dhiatës së Vjetër. Pra, le t’i bashkojmë edhe ata në një libër, siç shihet më poshtë:

Gjithashtu, më poshtë i ngjyrosëm me të kuqe librat nga Romakëve deri te Filemonit sepse janë thjesht letra të shkruara nga Pali për grupet e hershme të të krishterëve rreth rajonit të Mesdheut.

Të gjithë këta libra të kuq më lart së bashku në fakt janë rreth aq të gjatë sa vetëm njëri nga librat e tjerë. Për shembull, vetëm libri i Psalmeve është aq i gjatë sa të gjitha këto letra të tjera të vëna bashkë. Duhet të bashkohen së bashku në një libër, të cilin mund ta quajmë “Letrat e Palit”, siç shihet më poshtë me të kuqe.

Ngjashëm, librat e Pjetrit, dhe librat e Gjonit, të pesë ata duhet të bashkohen në dy libra të veçantë, siç shihet më poshtë (me të gjelbër dhe kafe):

Tani, pasi i bashkuam librat që duhet të bashkohen, le t’i paraqesim librat e së njëjtës Bibël, por me një numër tjetër librash, edhe pse përmban të njëjtin material si ajo që ekziston midis protestantëve sot. Pra, ja një Bibël me të njëjtin material, por e ndarë në vetëm 48 libra të veçantë (në vend të 66):

Tani, kur këta libra u përpiluan dhe u përfshinë në kanun, njerëzit që e krijuan Biblën e kanonizuar, qofshin hebrenjtë e së kaluarës, apo të krishterët, ishin kryesisht të shqetësuar për ta ruajtur hebraizmin apo krishterimin e tyre, dhe motivi i tyre përfundimtar nuk ishte të përcaktonin cilët libra janë nga Zoti dhe cilët libra nuk janë nga Zoti, por motivi i tyre ishte t’i përfshinin librat që e përkufizojnë hebraizmin apo krishterimin. Pra, e përfshinë çdo gjë që përshtatej brenda hebraizmit të tyre apo krishterimit të tyre. Nuk menduan se është e rëndësishme të dallohej cilët libra u shkruan nga profetët, cilët libra u shkruan nga të dërguarit, dhe cilët libra u shkruan nga shkruesit. Megjithatë, e dinin këtë. Ishin të vetëdijshëm për atë klasifikim, dhe dihet ende sot. Pra, librat që u shkruan nga shkruesit janë librat e kuq të errët më poshtë, dhe hebrenjtë e dinë. Ata të kuqtë e çelur më poshtë u shkruan nga Ezdra, i cili ishte një shkrues i famshëm që shkruante për Kirin e Madh, Mbretin e Perandorisë së Parë Persiane.

Kiri e urdhëroi Ezdrën, si një dijetar shumë i ditur, ta shkruante gjithë historinë e hebrenjve, dhe të shkruante gjithashtu një biografi të dobishme për kohët e Kirit, gjë që Ezdra e bëri, dhe ata janë dy librat e kuq të çelur më lart – Kronikat dhe Ezdra 1 dhe 2. U shkruan nën urdhrin e Mbretit të Persisë, jo nën urdhrin e Zotit. Dhe madje edhe nga përmbajtja mund ta vini re këtë. Libri i Kronikave është thjesht një përmbledhje e librave para tij, një ritregim i shkurtër i librave të tjerë në Bibël. Është thjesht një përmbledhje e Biblës e destinuar që ta lexonte Mbreti i Persisë. Ky libër thjesht i përsërit pikat kryesore nga librat e mëhershëm të Biblës. Pra, dy librat e kuq të çelur më lart janë libra historie, por nuk i përkasin Biblës. Librat e tjerë që gjithashtu nuk i përkasin Biblës janë pesë librat e kuq të errët. Quhen Pesë Megilot sipas përpiluesve hebrenj të kanunit, që do të thotë “Pesë Rrotullat”, që është një term tjetër i përdorur për t’i dalluar nga Teurati dhe librat Profetikë. Këto pesë rrotulla janë thjesht këngë apo poezi hebraike që hebrenjtë i këndonin apo i recitonin gjatë festave të tyre, dhe pas shekujsh këndimi, dikush vendosi t’i shkruante, dhe i përfshiu në Bibël. Përsëri, madje edhe nga përmbajtja e tyre, mund ta vini re se nuk duhet të përfshihen në Bibël. Për shembull, libri me titull “Kantiku i Kantikëve” në fakt është thjesht plot këngë dashurie që njëri nga Mbretërit pas Solomonit ua këndoi grave të tij. Ky libër i përket Biblës po aq sa këngët e Justin Bieber. Janë thjesht këngë dashurie për gratë. Libri i Predikuesit gjithashtu i atribuohet Solomonit, gjë që mund të jetë, por jo si profet i Zotit. Ky libër është një filozofi pesimiste që thjesht mëson se jeta nuk ka kuptim. Janë të njëjtat mendime që do t’i kishte një i varur nga droga kur i ka rritur dozat aq shumë, saqë droga nuk e ngre më, apo një mbret që nuk ndien më asnjë kënaqësi, sepse e ndjeu çdo gjë pozitive që mund ta ndiente ndonjëherë në jetë, e pastaj nuk gjen më asnjë qëllim në jetë. Librat e Esterës, Ruthës dhe Vajtimeve janë përsëri thjesht tregime, të njerëzve johebrenj, apo të hebrenjve që i vajtojnë humbjet e tyre, të cilat hynë në kulturën e tyre popullore si këngë, e pastaj më vonë u shkruan.

Pra, të gjithë librat e theksuar me të kuqe më lart janë shkruar nga shkruesit, por jo nga Profetët apo të dërguarit, dhe dijetarët hebrenj e dinë këtë, por i përfshijnë gjithsesi, por, sigurisht, nuk i përkasin Biblës. Librat e tjerë që nuk i përkasin Biblës janë librat më lart të theksuar me portokalli. Në fakt, shumica e atyre librave portokalli u shkruan nga të dërguarit, por nuk ishin të destinuar si libra për t’u përfshirë në Bibël. Për shembull, Rashad Khalifa, e shkroi librin me titull “Kurani, Hadithi dhe Islami”, që është një libër i bukur, por nuk e përfshijmë si pjesë të Kuranit. Ngjashëm, librat portokalli më lart janë libra të bukur, por nuk duhet t’i përfshijmë si pjesë të Biblës. Vetëm librat e Profetëve duhet të jenë pjesë e Biblës, dhe Kurani është i fundit nga ata libra. Pra, tani le t’i heqim me respekt librat joprofetikë të theksuar. Sigurisht, duhet të ruhen si libra shumë të rëndësishëm historie, dhe të mos humbasin, por nuk duhet të përfshihen në Bibël. Dhe duke e shtuar librin e fundit të Biblës, që është Kurani, e kemi Biblën e pastruar, me vetëm libra të vërtetë profetikë, siç shihet më poshtë:

Kjo Bibël është 99% e saktë. 99% e informacionit në këtë Bibël është i saktë. Zoti e lejoi rreth 1% të saj të ndryshohej, sepse ata libra të mëparshëm u bënë jo të detyrueshëm gjithsesi, pasi ndryshuan kohët dhe rrethanat. Pra, Zoti nuk do të zbulonte një libër tjetër, derisa pak nga libri i mëparshëm të ndryshohej apo të humbte. Pra, meqë Kurani është libri i fundit, duhet të jetë i vetmi libër që është 100% i saktë. Pra, mënyra e saktë për ta menduar, nuk është ta shohësh Kuranin si një libër, dhe Biblën si një libër tjetër, por ta shohësh Kuranin si një nga librat e Biblës, librin e fundit të Biblës, të vetmin libër të Biblës që është ende 100% i saktë, dhe përmbajtja e të cilit është përmbledhja e të gjithë librave të mëparshëm të Biblës. Pra, kjo Bibël që tregohet më lart është e njëjtë me Biblën që është kryesisht në dispozicion anembanë botës, përveç se e hoqëm rreth 10% të saj, pjesën që nuk ishte e Profetëve, dhe e shtuam 10% të saj që mungonte, që është Kurani, i cili është nga profeti i fundit. Pra, Kurani është 10% i fundit i kësaj Bible, prandaj strofa 34:45 në Kuran, nëse e lexoni në arabisht, një nga gjërat që thotë është se këtij brezi i jepet vetëm një e dhjeta e shkrimit krahasuar me brezat e mëparshëm. Kurani ka rreth 77,000 fjalë, ndërsa Bibla ka 10 herë më shumë fjalë.

Pra, tani le t’i klasifikojmë këta libra të vërtetë të Biblës në tri klasa siç shihet më poshtë të ndarë në librat e gjelbër, blu dhe të bardhë:

Pra, i kemi Librat e Detyrueshëm që është Kurani, ai i gjelbri. Pastaj i kemi librat shumë të dobishëm që nuk janë më të detyrueshëm – ata blutë. Pesë librat e parë blu iu zbuluan Moisiut, Psalmet iu zbuluan Davidit, dhe Fjalët e Urta iu zbuluan Solomonit, e pastaj i kemi dy librat e fundit blu që janë Ungjilli, i zbuluar Jezusit. Tani, Ungjilli në Bibël është regjistruar katër herë të ndryshme nga shkrues të ndryshëm, Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni. Dhe meqë Mateu, Marku dhe Luka, janë pothuajse i njëjti libër i përsëritur tri herë të ndryshme nga tre njerëz të ndryshëm, e kanë kryesisht të njëjtin material, dhe nëse e lexon vetëm Lukën, është njësoj si t’i lexosh edhe dy librat e tjerë, sepse Luka është pak më i gjatë, dhe e përfshin kryesisht atë që e kanë Mateu dhe Marku, dhe pak më shumë. Ndërsa libri i Gjonit ende e tregon të njëjtin tregim, por nga një kënd pak i ndryshëm, duke u përqendruar më shumë te Jezusi si fjala e Zotit, dhe duke e zbehur anën e tij njerëzore, që është një kënd i ndryshëm i rëndësishëm i së njëjtës të vërtetë. Pra, leximi i këtyre dy librave nga Ungjilli është pothuajse njësoj si leximi i të katërve. Dhe pjesa tjetër e librave në këtë Bibël (ata të bardhët) janë libra që janë 99% të vërtetë, por merren kryesisht me informacion që i përket së kaluarës, dhe nuk është më i rëndësishëm për ne. Për shembull, shumë prej tyre thjesht profetizojnë çfarë do t’u ndodhë hebrenjve brenda disa vitesh, dhe pothuajse të gjitha ato profeci tani janë në të kaluarën tonë, dhe nuk janë më të rëndësishme për ne, sepse pothuajse asnjëri prej nesh nuk është hebre, dhe asnjëri prej nesh nuk jeton në të kaluarën. Pra, në fakt, nëse i lexon vetëm këta 10 libra me ngjyrë të Biblës, ata blutë dhe ai i gjelbri, atëherë e ke lexuar çdo gjë që të duhet ta dish nga librat që Zoti i zbuloi.

Sigurisht, librat para Kuranit, edhe kur janë të vërtetë, nuk janë domosdoshmërisht të zbatueshëm për ne, prandaj nuk duhet t’i përdorim librat e tjerë si burimin përfundimtar për t’i arritur përfundimet tona. Për shembull, edhe librat para Kuranit edhe Kurani thonë se vera ka edhe dobi edhe të keqe në të. Megjithatë, gjatë kohëve të lashta dobitë e verës e tejkalonin të keqen, ndërsa në kohët tona aktuale, e keqja e verës i tejkalon dobitë e saj. Një nga dobitë e verës është se të lejon ta ruash rrushin për një kohë të gjatë, dhe t’i kesh ato lëndë ushqyese gjatë gjithë vitit, në vend që vetëm gjatë një muaji. Megjithatë, kjo dobi nuk është më e nevojshme, sepse kemi teknika më të mira ruajtjeje, me ngrirës, dhe lloje të veçanta paketimi që i mbajnë lëngjet e frutave të pijshme për shumë vite. Pra, dobitë e verës janë zvogëluar. Tani, sa i përket pjesës së keqe, ajo është rritur. Pjesët e këqija të verës janë se i nxit njerëzit të marrin rreziqe dhe të angazhohen në sjellje të kota e të pamatura. Tani, sikur të ishim në të kaluarën, pa ndriçim gjatë natës, ku gjinitë ishin të ndara, nuk kishte vetura, dhe nuk kishte armë, rreziqet e verës përfshinin kryesisht thjesht zënien e gjumit, dhe thënien e disa fjalëve të këqija vëllait tënd, dhe kaq, por sot rreziqet e verës përfshijnë të pasurit një aksident me veturën tënde, apo të qëlluarit me armë, apo shumë gjëra të tjera të tilla, dhe kur i mbledh të gjitha, e keqja e tyre i tejkalon dobitë. Disa njerëz mendojnë se mund t’i shmangin pjesët e këqija edhe sot. Për shembull, thonë: ‘Nuk pi dhe nuk ngas.” Epo, mund të vendosësh të mos pish dhe të mos ngasësh para se të pish, por pasi pi, pija ta ndryshon qëndrimin, e pastaj pasi pi fillon të mendosh: “Nuk ka rëndësi nëse ngas. Nuk jam aq i dehur gjithsesi.” Pra, vërtet nuk është e mundur sot t’i shmangësh aspektet e këqija të verës, përveç nëse thjesht nuk pi fare. Gjithashtu, në të kaluarën, vera ishte vetëm verë shumë e holluar me pak alkool, sepse e përzienin me ujë para se ta pinin, dhe sot njerëzit kanë zhvilluar metoda për ta mbajtur shumë më shumë alkool në verë, gjë që e bën më të ligë se në të kaluarën. Pra, ky është vetëm një shembull, pse librat e Biblës para Kuranit mund të jenë të rrezikshëm për të arritur në përfundime prej tyre, edhe pse janë të vërtetë. Është sepse disa nga ato rrethana kanë ndryshuar. Në fakt, shumica e rrethanave janë të njëjta. Megjithatë, kërkon një analizë të thellë për ta kuptuar cilat nga ato pak rrethana kanë ndryshuar dhe si, dhe përveç nëse je ekspert i gjithë asaj historie, atëherë po merr rrezik, kur mbështetesh në ata libra të mëparshëm. Pra, librat e Biblës janë të vërtetë, por është pak e rrezikshme të arrish në përfundime prej tyre. Ajo që mund të bëjmë në vend të kësaj është të arrijmë në përfundime duke e përdorur vetëm Kuranin, e pastaj mund të gjejmë disa pika interesante në librat e tjerë të Biblës që e mbështesin atë përfundim, dhe thjesht ta përdorim për ta theksuar edhe më shumë pikën kuranore, apo ndoshta formulimi në Bibël mund të jetë më interesant për ta theksuar një pikë të caktuar.

Një keqkuptim tjetër, që e kanë njerëzit që e lexojnë Biblën dhe Kuranin, është perceptimi se kush ishte Jezusi. Ky keqperceptim vjen kryesisht nga fakti se Bibla dhe Kurani përqendrohen në dy aspekte të ndryshme të Jezusit. Ungjilli flet për Jezusin si shpirt, si fjala e Zotit, ndërsa Kurani flet për Jezusin si trup, si biri i Marisë. Kurani pothuajse gjithmonë thotë “biri i Marisë” sa herë që e përmend Jezusin, për të na treguar se po flet për trupin e Jezusit, sepse ajo që del nga një grua është trupi, por ajo që del nga Zoti është shpirti. Pra, Ungjilli flet kryesisht për Jezusin, shpirtin, ndërsa Kurani flet kryesisht për Jezusin, trupin. Të dy janë të saktë. Kurani nuk e mohon Jezusin biblik, nëse e mendon Jezusin si shpirt. I mohon blasfemitë kundër tij që iu atribuan më vonë, jashtë Biblës, nga doktrinat e mëvonshme të krishtera. Por, Jezusi i Biblës dhe i Kuranit janë thjesht dy aspekte të të njëjtit person, shpirti dhe trupi. Ka disa keqkuptime shtesë për shkak të përkthimeve të gabuara, por kjo është çështje tjetër.

Pra, këta janë librat e Biblës, rreth 99% e saj e paprekur, dhe libri i fundit në të është Kurani, i vetmi libër që është ende 100% i paprekur:

 

Predikim i së Premtes nga: Alban Fejza, Drejtues i Xhematit Online