Përmbledhje:
Në këtë predikim të së Premtes, Alban Fejza e shpjegon si u shfaq Lutja e së Premtes si ligj kuranor dhe jo si traditë abrahamike, se ajo është një bashkim i besimtarëve pjesa më e rëndësishme e të cilit është përkujtimi i Zotit, dhe pse predikimet, ndryshe nga lutjet, mund të mbahen online.
Transkripti i videos:
Lavdi Zotit! Nuk ka zot tjetër përveç Zotit. Le të shpresojmë të na ndihmojë ta kuptojmë Lutjen e së Premtes më në thellësi, gjë që shpresojmë se pastaj do të çojë në një pranim më të lehtë të të gjitha rregullave dhe lirive gjatë Lutjes së së Premtes. Së pari, le ta shikojmë mbrapsht historinë se si u shfaq Lutja e së Premtes. Siç e dimë, ritualet fetare si Lutjet e Kontaktit, Agjërimi, Bamirësia e Detyrueshme dhe Pelegrinazhi i Haxhit u zbuluan përmes Abrahamit. Megjithatë, kjo nuk i përfshinte Predikimet e së Premtes. Lutja e së Premtes nuk ekzistonte atëherë. Pas Abrahamit, Zoti i zbuloi 10 urdhërimet përmes Moisiut, dhe një nga ato urdhërime ishte Shabati, në thelb të mos punosh të Shtunën. Dhe meqë Bijtë e Izraelit nuk merreshin me asnjë punë të Shtunën, madje as me gatim, apo me shkuarje në treg, Bijtë e Izraelit për qëllime praktike filluan t’i bënin këto gjëra të Premten dhe t’i kishin gati për të Shtunën. Pra, në thelb, në praktikë, e Premtja u bë dita e tregut, dita e tregtisë, dita e Pazarit, kur Bijtë e Izraelit shkonin të blinin dhe të gatuanin ushqim, e pastaj do ta kishin gati për të Shtunën kur nuk u lejohej të tregtonin dhe të gatuanin. Dhe kjo ndikoi në gjithë rajonin e Lindjes së Mesme, sepse duke e ditur se bijtë e Izraelit do të blinin më shumë të Premten, edhe njerëzit e tjerë shkonin dhe i shitnin produktet e tyre bujqësore të Premten, duke e ditur se më shumë njerëz do të ishin aty për t’i blerë. Pra, gradualisht, gjithë kultura e Lindjes së Mesme u bë një kulturë në të cilën pothuajse në të gjitha qytetet, njerëzit prisnin që e Premtja të ishte dita e tregut – dita kur njerëzit zbresin nga fshatrat për t’i shitur perimet e tyre, dhe bagëtinë e tyre e kështu me radhë, dhe gjithashtu blinin gjëra dhe ktheheshin në fshatin e tyre. Pra, kjo kulturë ekzistonte në gjithë rajonin për mijëra vjet, dhe madje edhe sot e kësaj dite, në shumë qytete të Lindjes së Mesme, njerëzit zbresin nga fshatrat në qytete për t’i shkëmbyer produktet e tyre me produkte të tjera.
Gjithsesi, kur erdhi Jezusi, Zoti e zbuloi se e Shtuna nuk është më ditë pushimi e detyrueshme. Pra, Shabati që u zbulua përmes Moisiut përfundoi me Jezusin. Megjithatë, kultura e përgatitjes për Shabatin nuk përfundoi. Njerëzit vazhduan të mblidheshin çdo të Premte në gjithë rajonin dhe ta bënin tregtinë e tyre. Pra, kjo u bë kulturë. Nuk ishte as gjë fetare, as ligj, por gjë kulturore, dhe në fakt një zgjidhje praktike shumë e mirë për tregti më efikase, duke e bërë një herë në javë duke e ditur se blerësi dhe shitësi do të ishin të dy aty në qendër të qytetit për të blerë dhe shitur në të njëjtën ditë. Gjithsesi, pra, deri në kohën e Muhamedit, Shabati nuk ekzistonte më si ligj fetar, por kulturalisht njerëzit mblidheshin të Premten për tregti, jo për qëllime fetare. Dhe në atë kontekst, Zoti e urdhëroi sërish fenë e organizuar përmes Muhamedit, kur ai u zhvendos në Medinë, dhe siç e dimë çdo gjë që u zbulua përmes Muhamedit, ishte e gjitha përmes Kuranit. Nuk kishte zbulesa të tjera alternative. Kjo do të thotë se në çfarëdo mënyre që Muhamedi e ndërtoi Lutjen e së Premtes, duhet të ketë ardhur nga Kurani. Ai nuk dinte për të para Kuranit, ndryshe nga mënyra si dinte për Lutjen e Kontaktit dhe agjërimin e kështu me radhë para Kuranit. Muhamedi e mësoi Lutjen e së Premtes drejtpërdrejt nga Kurani. Pra, nëse duam ta dimë si duhet të bëhet Lutja e së Premtes, duhet të jemi në gjendje ta rindërtojmë nga Kurani, ashtu siç e ndërtoi Muhamedi nga Kurani. Pra, Lutja e së Premtes është ligj kuranor, jo traditë abrahamike. Është zëvendësim për një nga 10 urdhërimet e Moisiut, jo për katër ritualet fetare të Abrahamit. Pra, potencialisht mund ta dimë si ta bëjmë Lutjen e Kontaktit edhe pa Kuranin, por nuk mund ta dimë si ta bëjmë Lutjen e së Premtes pa Kuranin. Pra, gjithë ajo që duhet të bëjmë për t’i rindërtuar rregullat e Lutjes së së Premtes është t’i gjejmë në Kuran. Pra, le të shikojmë në Kuran dhe të shohim cilat janë rregullat e Lutjes së së Premtes. Megjithatë, para se ta bëjmë këtë, le të mos harrojmë se supozimi në Kuran është se njerëzit mblidheshin në qytet të Premten për qëllime biznesi dhe ky supozim jepet në strofën 62:11, dhe brenda këtij konteksti, jepen ligjet dhe rregullat për Lutjen e së Premtes. Pra, përsëri të gjitha rregullat dhe fleksibilitetet e Lutjes së së Premtes duhet të gjenden në Kuran. Nuk kemi nevojë ta shikojmë traditën abrahamike për këtë. Nuk ka nevojë të pajtohet me asnjë traditë. Nuk është traditë. Është ligj. Tradita erdhi përmes Abrahamit por ligjet erdhën përmes Moisiut. Është ligj, si ligjet e Moisiut. Është zëvendësim për një nga ligjet e Moisiut, dhe na erdhi pak i modifikuar, pasi besimtarët sot janë më të dobët se besimtarët gjatë kohës së Moisiut. Pra, është ligj që erdhi posaçërisht për ne në Kuran, si zëvendësim për ligjin e Shabatit që Jezusi e shfuqizoi për ta ruajtur të drejtën e tij për ta riorganizuar fenë në botën tjetër. Pra përsëri, Predikimi i së Premtes është ligj kuranor, dhe çdo gjë rreth tij duhet të nxirret nga Kurani.
Pra, çfarë mund të nxjerrim nga Kurani për Lutjen e së Premtes? Epo, para së gjithash, sipas strofës 5:58, Kurani e përmend se ka një thirrje për lutje për çdo kohë lutjeje në xhami, pavarësisht nëse është e Premte apo jo. Pra, të Premten ka një thirrje për lutje për lutjen e Mesditës, ashtu si për të gjitha lutjet e tjera. Nuk është lutje e veçantë. Është thirrje për lutjen e Mesditës, si thirrjet për lutjen e mesditës për të gjitha lutjet e tjera të mesditës në ditët e tjera të javës. E pastaj në strofën 62:9, na thotë se kur bëhet thirrja për lutje të Premten, duhet të nxitojmë drejt përkujtimit të Zotit. Pra, gjatë ditëve të tjera, kur bëhet thirrja për lutje, nuk është domosdoshmërisht e nevojshme t’i përgjigjesh, mund ta bësh lutjen vetëm, por të Premten duhet t’i përgjigjesh menjëherë. Dhe përgjigjja është të nxitosh drejt përkujtimit të Zotit, dhe nuk e përmend vendndodhjen. Nuk thotë shko në xhami dhe përkujtoje Zotin. Thotë “shkoni drejt përkujtimit të Zotit.” Pra, ku duhet të shkojmë? Epo, Zoti e lë qëllimisht fleksibilitet këtu, duke e ditur se nëse jemi të sinqertë do ta zgjedhim opsionin më të mirë praktik. Pra, vendndodhja nuk jepet, por bashkësia jepet. Strofa 62:9 thotë: “O ju që besoni”, pra bashkësia e besimtarëve, kështu që duhet ta respektojmë këtë ligj me besimtarë të tjerë. Është si ideja e krishterë e kungimit apo Eukaristisë. Kungimi do të thotë të bëhesh një trup i vetëm besimtarësh për ta adhuruar Zotin bashkë. Kjo është Lutja e së Premtes – të gjithë besimtarët duke e adhuruar Zotin bashkë si një trup i vetëm. Vendndodhja nuk ka rëndësi. Natyrisht, nëse ka një xhami të mirëmbajtur nga besimtarët, ai është vendi më i mirë për t’u mbledhur. Nëse xhamia nuk mirëmbahet nga besimtarët, nuk ke asnjë garanci se do të gjesh besimtarë aty, kështu që ai nuk do të ishte vendi më i mirë praktik. Dhe në fakt, ligji jepet në Kuran si ligj i detyrueshëm pa asnjë konsideratë për vendndodhjen. Pra, kjo ide se Lutja e së Premtes ndonjëherë nuk është e detyrueshme kur vendndodhja është tepër larg, kjo është e rreme. Lutja e së Premtes është gjithmonë e detyrueshme sipas Kuranit, sepse Zoti e dinte se besimtarët e vërtetë nuk do ta gjejnë kurrë veten në një situatë ku nuk mund ta respektojnë Lutjen e së Premtes. Le ta shpjegojmë këtë më tej. Le të themi se ke jetuar në të kaluarën. Si do të dëgjoje për nënshtrimin? Nuk kishte telefon atëherë, as internet. Pra, e vetmja mënyrë që mund ta dëgjoje versionin e saktë të nënshtrimit, kur u ktheve fillimisht, është nëse dikush vinte te ti dhe ta tregonte. Megjithatë, nëse ai ishte besimtar, ai tashmë e bënte Lutjen e së Premtes diku, dhe nëse mund të vinte gjithë rrugën nga xhamia për të të predikuar, atëherë natyrisht xhamia nuk është larg që ti të shkosh atje. Pra, gjithmonë do të kishte një xhami afër, sa herë që nënshtrimi predikohej saktë. Islami nuk do të përhapej kurrë më larg se xhamitë. Pra, nëse feja përhapej saktë, besimtarët nuk do ta gjenin kurrë veten në një situatë ku nuk mund ta respektojnë lutjen e së Premtes. Tani, që nga ekzistenca e internetit, është e mundur që njerëzit të predikojnë në vende të largëta, por nëse e pranon idenë se predikimi mund të bëhet përmes internetit, kjo automatikisht do të thotë se predikimi gjatë Predikimit të së Premtes mund të bëhet gjithashtu përmes internetit. Pra, nuk mund t’i kesh të dyja. Ose e pranon se predikimi lejohet përmes internetit, dhe duhet ta pranosh gjithashtu se predikimi i predikimeve gjatë lutjes së së Premtes lejohet gjithashtu përmes internetit, ose nuk e pranon predikimin përmes internetit, dhe duhet ta ndalosh edhe veten nga predikimi në çdo kohë përmes internetit. Në fakt është thellësisht e papërgjegjshme të përpiqesh t’i kthesh të tjerët përmes internetit dhe sapo të kthehen të mos u ofrosh një mundësi të menjëhershme për Lutjet e së Premtes. “Mirë, pra tani le të themi se u ktheva, ku është Lutja e së Premtes?” Pra, të gjithë njerëzit që po predikojnë në internet dhe nuk po u ofrojnë një mundësi të menjëhershme për Predikimet e së Premtes atyre që kthehen, po tregohen thellësisht të papërgjegjshëm, dhe thjesht po krijojnë kaos. Dikush mund të thotë, por predikimi gjatë Lutjes së së Premtes është disi ndryshe. Epo, në fakt, nuk është, sepse tashmë e përcaktuam se Lutja e së Premtes nuk është traditë. Është ligj i drejtpërdrejtë kuranor. Pra, ku në Kuran e gjen idenë se predikimi gjatë së Premtes duhet të jetë i ndryshëm nga predikimi jashtë së Premtes? Kjo na sjell te tema e predikimeve gjatë së Premtes. Ato nuk janë pjesë e lutjes së kontaktit të mesditës, por dalin nga ligje të tjera kuranore. Pra, në strofën 62:9, tashmë e përcaktuam se duhet të bashkohemi me besimtarë të tjerë për ta përkujtuar Zotin gjatë së Premtes. Kjo e përmend vetëm DITËN e së Premtes, në arabisht. Nuk e përmend kohën e ditës. Megjithatë, sipas Kuranit, vetëm dita konsiderohet ditë. Nata nuk konsiderohet pjesë e ditës. Pra, strofa duhet të flasë ose për lutjen e mesditës ose të pasdites, që janë të vetmet dy lutje që bëhen gjatë ditës. E pastaj në strofën 5:48, na thotë se besimtarët duhet të garojnë në drejtësi, që do të thotë se nëse kemi zgjedhje midis mesditës dhe pasdites, nëse jemi besimtarë, do ta zgjedhim më të hershmen, për ta përkujtuar Zotin sa më shpejt që të jetë e mundur. Pra jemi në garë, dhe koha e mesditës vjen më herët, dhe prandaj besimtarët do të garonin dhe nuk do të prisnin deri në pasdite. Pra, tani e dimë se Lutja e së Premtes duhet të bëhet gjatë kohës së mesditës të Premten. Por, pse të mos e bëjmë thjesht lutjen e mesditës, si zakonisht? Pse ka modifikime si shtimi i predikimeve dhe shkurtimi i lutjes nga katër rekate në dy rekate? Epo, të gjitha këto janë ligje në Kuran. Strofa 4:101, nëse e kontrolloni në Kuranin arabisht, na thotë se mund ta shkurtojmë lutjen kur udhëtojmë, dhe meqë tashmë e përcaktuam se shkojmë në lutjen e së Premtes nga tregu apo nga biznesi ynë, jo nga shtëpia, atëherë duhet të jemi duke shkuar atje nga një gjendje udhëtimi, dhe prandaj mund ta shkurtojmë lutjen. Ka një strofë tjetër në Kuran nga e cila mund të nxjerrim se lutja më e shkurtër e kontaktit duhet të jetë dy rekate, por kjo është përtej qëllimit të këtij predikimi. Pra, tashmë e dimë se Lutja e Kontaktit mund të shkurtohet në dy rekate kur udhëtojmë, dhe ky kusht vlen edhe për Lutjen e së Premtes, kur është lutje udhëtimi me frikë. Pra, deri tani arritëm në përfundimin se lutja e së Premtes bëhet në mesditë, dhe si lutje e shkurtuar e kontaktit e mesditës. Por nga vijnë predikimet? Epo, tashmë e përcaktuam se besimtarët do të mblidhen gjatë lutjes së shkurtuar të mesditës së së Premtes, dhe kur janë bashkë janë më afër njëri-tjetrit. E pastaj strofa 26:214 jep urdhër për t’u predikuar atyre që janë më afër teje. Pra, në thelb, kjo strofë po thotë se meqë jeni mbledhur gjithsesi, është e përshtatshme t’u predikosh atyre. Kush duhet ta bëjë predikimin është përsëri një çështje tjetër, por e përcaktuam se kur besimtarët mblidhen, dikush duhet të predikojë. Është thjesht një sjellje natyrale e besimtarëve. Nuk flasin njëri mbi tjetrin. Njerëzit më të mençur që kanë diçka të rëndësishme për të thënë flasin, dhe pjesa tjetër e njerëzve dëgjojnë. Kjo është sjellja e besimtarëve në çdo kohë kur mblidhen bashkë. Pra, gjithsesi tani e përcaktuam se gjatë së Premtes, duhet të ketë predikim si pasojë natyrale e asaj që besimtarët e bëjnë gjithsesi në një tubim të madh, dhe duhet të ketë një lutje të shkurtuar të kontaktit të mesditës bashkërisht. Këto janë të gjitha nga Kurani. Tani, ka një strofë tjetër në Kuran, strofa 9:11, e cila flet për fenë e organizuar, e cila na thotë se dy gjëra duhet të merren parasysh për ta rregulluar nëse dikush i është bashkuar bashkësisë së të nënshtruarve, por strofa e përmend një gjë të tretë. Strofa e përmend edhe një gjë të tretë që është pendimi. Pra, përveç Lutjes së Kontaktit dhe Zekatit, pendimi është gjithashtu ritual i bashkësisë. Pra, kjo do të thotë se kur të nënshtruarit bashkohen me njëri-tjetrin gjatë së Premtes, duhet gjithashtu të pendohen. Është ligj të pendohesh kur bashkohesh me të nënshtruar të tjerë, sepse sapo t’i takosh njerëzit që duhet t’i konsiderosh më të mirë se ti, kjo duhet të të bëjë natyrshëm të pendohesh për gabimet e tua. Kur një bashkësi e pastër besimtarësh mblidhet bashkë, gjithmonë i konsiderojnë të tjerët më të mirë se veten, sepse i ke dëshmuar mëkatet e tua, por nuk i ke dëshmuar mëkatet e njerëzve të tjerë. Pra, gjithsesi, pendimi është ligj kur mblidhesh gjatë Predikimit të së Premtes. Megjithatë, koha kur duhet të pendohesh nuk përmendet, dhe sa herë që e bën pendimin gjatë predikimit, kjo në fakt do ta presë predikimin në dy pjesë të veçanta, të cilat sot i quajmë dy predikime, por sipas Kuranit janë një predikim i ndarë me një pendim në mes. Si zgjedh t’i numërosh nuk është e rëndësishme. Mund t’i numërojmë si dy nëse tema ndryshon, dhe nëse tema mbetet e njëjtë, mund t’i numërojmë si një. Vërtet nuk ka rëndësi.
Gjithsesi, pra, deri tani kemi gjetur nga Kurani se gjatë së Premtes, besimtarët duhet:
- të bashkohen me njëri-tjetrin,
- ta bëjnë lutjen e kontaktit,
- të predikojnë, dhe
- të pendohen.
Këto janë të gjitha në Kuran. Tani, vjen pjesa më e rëndësishme – përkujtimi i Zotit. Pjesa më e rëndësishme e Lutjes së së Premtes është përkujtimi i Zotit, prandaj kjo është e vetmja pjesë që përmendet drejtpërdrejt në strofën për Lutjen e së Premtes. Strofa 62:9 thotë: “O ju që besoni, kur shpallet Lutja e së Premtes në ditën e së Premtes, do të nxitoni drejt PËRKUJTIMIT TË ZOTIT…” Pra, meqë predikimi mund ta përfshijë ose mund të mos e përfshijë përkujtimin e Zotit – siç e dini, predikimi mund të flasë për çështje të bashkësisë ku Zoti nuk përmendet fare, ashtu siç disa kapituj në Kuran nuk e përmendin Zotin fare. Pra, meqë predikimi mund të mos e përfshijë përkujtimin e Zotit, është e mençur të sigurohesh që urdhri më i rëndësishëm të përmbushet i pari, para se të vazhdosh me predikimin, vetëm për t’u siguruar se e ke përmbushur këtë urdhër, që të mos e harrosh, prandaj në fillim duhet të fillojmë duke e përmendur Zotin. Por si duhet ta përmendim Atë? Epo, kur predikuesi ngrihet në këmbë për të predikuar që të tjerët ta shohin, dhe fakti që predikuesi ngrihet në këmbë përmendet në strofën 62:11, dhe kështu kur ngrihet në këmbë, strofa 52:48 thotë se duhet ta lavdërojë Zotin kur ngrihet në këmbë. Sepse, u ngrit në këmbë për të predikuar me zë, e lavdëron Zotin me zë. Kjo do të thotë se duhet ta fillojë predikimin duke thënë “Elhamdulilah”, “Lavdi Zotit”, dhe meqë jo të gjithë në Xhemat mund ta kenë të njëjtin përkufizim të asaj që do të thotë fjala “Zot”, “Allah”, predikuesi e përkufizon këtë fjalë duke thënë “La ilahe il-lAllah”. “Nuk ka zot tjetër përveç Zotit”, që është përsëri përkujtim i Zotit.
Pra, nga Kurani e përcaktuam se gjatë së Premtes, besimtarët:
- e bëjnë thirrjen për lutje,
- bashkohen me njëri-tjetrin,
- dikush ngrihet në këmbë për të predikuar,
- dhe e lavdëron Zotin kur ngrihet në këmbë,
- pastaj predikon, gjë që mund të jetë aq e shkurtër sa kapitulli më i shkurtër i Kuranit,
- pastaj duhet të pendohet, gjë që në fakt mund ta ndajë predikimin në gjysmë ose jo,
- pastaj e bëjnë versionin e shkurtuar të Lutjes së Kontaktit të udhëtimit me frikë që përfshin dy rekate,
- dhe ja ku e kemi të gjithën nga Kurani.
Pra, Lutja e së Premtes është një përmbledhje ligjesh kuranore, por jo një ritual i veçantë fetar. Dhe është e rëndësishme ta kuptojmë se meqë janë ligje dhe jo rituale, prandaj ajo që nuk përmendet në Kuran është në fakt fleksibilitet i qëllimshëm për ne. Për shembull, nuk përmendet se besimtarët duhet ta bëjnë në shtëpinë e dikujt kur nuk kanë xhami, gjë që është fleksibilitet i qëllimshëm për ta bërë online, për sa kohë që të gjithë i përmbushin kërkesat kuranore. Pra, nuk ekziston diçka e tillë si Rituali i së Premtes. Është thjesht një përmbledhje e rreth 10 ligjeve nga Kurani të cilave u bindemi, që çojnë njëri te tjetri, dhe për sa kohë që i ndjekim ato ligje, po e bëjmë gjënë e duhur. Meqë ra fjala, ja diçka e re. Meqë Lutja e Kontaktit e së Premtes, Lutja aktuale e Kontaktit (Salati) shkurtohet jo sepse është e Premte, por sepse ndodh të bëhet si lutje udhëtimi me frikë, nëse duhet ta bësh në shtëpi sepse nuk ka xhami të lejueshme afër, kjo do të thotë se nuk ke arsye ta shkurtosh lutjen. Nuk je udhëtar me frikë në shtëpinë tënde, kështu që nuk ke arsye ta shkurtosh Lutjen e Kontaktit. Pra, i bën katër rekate të Lutjes së Kontaktit, kur je i detyruar ta bësh në shtëpinë tënde. Kjo e bën idenë e bërjes së Lutjes së Kontaktit të së Premtes në shtëpinë e dikujt tjetër, që nuk të takon ty apo anëtarëve të familjes tënde, të paktën një ide të dyshimtë, sepse do të kishte konflikt nëse duhet t’i bësh dy apo katër rekate si grup, varësisht nëse je mikpritësi apo mysafiri udhëtar. Gjithsesi, kjo është një çështje tjetër që duhet të zgjidhet kur t’i analizojmë Predikimet Online të së Premtes. Por lajmi i mirë është se ne në fakt i mbajmë Predikimet (jo lutjet) e së Premtes online për njerëzit që na bashkohen si të nënshtruar.
Predikim i së Premtes nga: Alban Fejza, Drejtues i Xhematit Online