[search-in-place-form in_current_page="1"]

Kohët e Lutjeve të Kontaktit

Përmbledhje:

Në këtë sqarim me video, Alban Fejza shpjegon se Kurani i përcakton kohë specifike të lutjes, e jo një numër të caktuar, kështu që varësisht nga gjerësia gjeografike dhe stina mund të ketë pesë, katër, tri, dy apo një kohë lutjeje në ditë, dhe paraqet një tabelë të kohëve të lutjes për çdo vend dhe çdo kohë të vitit.

Transkripti i videos:

Kurani i përcakton kohë specifike të lutjeve (4:103), jo një numër specifik lutjesh. Prandaj, lutjet sipas Kuranit mund të jenë:

  • 5 lutje në ditë, ose
  • 4 lutje në ditë (20:130, 30:17&18), ose
  • 3 lutje në ditë (50:39&40, 11:114), ose
  • 2 lutje në ditë (30:18, 30:17, 33:42, 40:55, 48:9, 24:36, 52:49, 76:25), ose
  • 1 lutje në ditë (2:238, 73:2, 73:20, 25:64, 39:9, 26:218),

– gjithçka varet nga mënyra si lëviz dielli nëpër qiell, dhe kjo varet nga gjerësia gjeografike e vendit tuaj dhe nga koha e vitit.

Në videon më lart, mund t’i shihni të gjitha kombinimet e mundshme të lutjeve për të gjitha kohët e mundshme të vitit, për të gjitha vendet e mundshme – më në fund, një kuptim i plotë i kësaj çështjeje.

  • Pra, gjithmonë ka pesë lutje të detyrueshme në ditë pranë Ekuatorit, nga 21° Veri deri në 21° Jug, gjë që e përfshin Mekën.
  • Pastaj, në 22° Veri, ka disa ditë dhjetori me katër kohë lutjeje në dispozicion. Në 23° Veri, ka edhe më shumë ditë me katër kohë lutjeje, e kështu me radhë. Në këto ditë dhe vende të veçanta, dielli nuk ngrihet më shumë se 45°, kështu që hijet janë gjithmonë më të gjata se objektet e tyre, që do të thotë se dita kalon nga paradreka drejtpërdrejt në Pasdite. Pra, Mesdita dhe Pasditja bëhen një lutje, dhe nuk ka rëndësi nëse e quani Mesditë apo Pasdite, ato thjesht janë të njëjta në ato raste. Ne e quajmë “Pasdite” në video, thjesht për ta përdorur njërën prej tyre, por në atë rrethanë mund të quhet edhe “Mesditë”. Pra, ku në Kuran e gjejmë këtë rast të katër lutjeve? Ky rast i veçantë i katër lutjeve përmendet në Kuran, në kapitullin 20, strofa 130, e cila thotë: “…lartësoje Zotin tënd para lindjes së diellit (1. Agimi), dhe para perëndimit të diellit (2. Pasditja), dhe gjatë natës (3. Nata) lartësoje Atë, si dhe në të dy skajet e ditës (4. Perëndimi dhe Agimi).” Siç mund ta shihni, lutja e Mesditës nuk përmendet fare në këtë strofë, duke e pranuar rastin kur Mesdita dhe Pasditja janë e njëjta gjë, e përshkruar thjesht si lutja para perëndimit të diellit. Dhe është shumë e lehtë ta dish kur vlen ky rast i katër lutjeve, duke e përdorur diellin si mjet për matjen e kohës. Pra, nëse ka agim, e kryejmë lutjen e agimit, dhe nëse nuk ka agim, nuk e kryejmë Lutjen e Agimit. Nëse ka mesditë, e bëjmë Lutjen e Mesditës, dhe nëse nuk ka mesditë, nuk e bëjmë Lutjen e Mesditës. Nëse ka pasdite, e bëjmë Lutjen e Pasdites. Nëse nuk ka pasdite, nuk e bëjmë Lutjen e Pasdites. Nëse ka perëndim dielli apo mbrëmje, e bëjmë Lutjen e Perëndimit. Nëse nuk ka perëndim dielli apo mbrëmje, nuk e bëjmë Lutjen e Perëndimit. Nëse ka natë me errësirë të plotë, e bëjmë Lutjen e Natës, dhe nëse nuk ka errësirë të plotë, nuk e bëjmë Lutjen e Natës (4:103). Aq e thjeshtë. Është e habitshme si mosbesimtarët fetarë kanë guximin t’i modifikojnë këto rregulla, sepse duan t’i përshtatin me idenë e tyre të paramenduar se gjithmonë duhet të ketë 5 lutje në ditë. Këtë thjesht nuk e gjejmë në Kuran. Ata po e shpikin. Kurani i përmend kohët e lutjes, dhe nëse ndodhin, i bën, dhe nëse nuk ndodhin, nuk i bën. Nuk ka rëndësi nëse dalin të jenë 5 apo 4 apo 3 apo 2 apo 1.
  • Në gjerësinë 49° dhe deri në gjerësinë 67°, gjatë disa ditëve të verës, kemi një grup tjetër prej katër lutjesh, përkatësisht – Agimi, Mesdita, Pasditja dhe Perëndimi. Në këtë situatë, mungon lutja e Natës, sepse dielli gjatë këtyre ditëve nuk arrin 18° nën horizont, dhe ditët thjesht kthehen në muzg, por jo në natë me errësirë të plotë. Dhe kjo situatë me katër kohë lutjeje përmendet në kapitullin 30, strofat 17&18, ku thuhet: “…lartësojeni Zotin në fillim të Mëngjesit (1. Agimi) dhe në fillim të Mbrëmjes (2. Perëndimi)… dhe lavdërojeni Atë në (3.) Pasdite, dhe (4.) Mesditë.” Këto mund t’i gjeni në Kuranin arab, jo domosdoshmërisht në përkthime.
  • Nga 59° Veri, deri në Polin e Veriut, ka disa ditë Pranvere dhe Vjeshte në të cilat vlejnë vetëm 3 kohë lutjeje – Agimi, Pasditja dhe Perëndimi. Dhe sërish këtë mund ta gjejmë në kapitullin 50, strofat 39 dhe 40, ku thuhet: “…lartësoje Zotin tënd para lindjes së diellit (1. Agimi), dhe para perëndimit të diellit (2. Pasditja), dhe drejt natës (3. Perëndimi)” Sigurisht, asnjë kohë tjetër lutjeje nuk përmendet në këtë rast.
  • Pastaj, nga 66° deri në 68° Veri, ka ditë vere ku vlejnë vetëm 2 kohë lutjeje – Mesdita dhe Pasditja, dhe këto dy lutje mund t’i gjejmë të përmendura bashkë në kapitullin 30, strofa 18.
  • Pastaj, nga 68° Veri, kryesisht gjatë ditëve të dimrit, vlen një grup tjetër prej 3 kohësh lutjeje – Agimi, Perëndimi dhe Nata. Këto tri lutje përmenden bashkë në kapitullin 11, strofa 114, e cila thotë: “Kryejini Lutjet e Kontaktit në të dy skajet e ditës (1. Agimi & 2. Perëndimi), dhe gjatë natës (3. Nata)…” Ky rast përmendet edhe në kapitullin 76, strofat 25 dhe 26.
  • Pastaj nga 69° Veri, ka ditë vere me vetëm një kohë lutjeje – Pasditen. Kjo përmendet veçmas në kapitullin 2, strofa 238, e cila thotë: “Kryejini rregullisht Lutjet e Kontaktit, veçanërisht lutjen e mesme…”. Siç mund ta shihni, fjala “veçanërisht” këtu nënkupton se kohët e tjera të lutjes mund të mos jenë rregullisht në dispozicion në situata të caktuara. Kjo është njëra prej tyre.
  • Nga gjerësia 82° e lart, ka ditë Pranvere dhe Vjeshte me vetëm 2 kohë lutjeje në dispozicion – Agimi (Mëngjesi) dhe Perëndimi (Mbrëmja). Këto dy lutje janë simetrike me njëra-tjetrën, dhe gjithmonë ndodhin bashkë në të njëjtën rrethanë. Prandaj Kurani gjithmonë i përmend bashkë, në shumë strofa – 30:17, 33:42, 40:55, 48:9, 24:36, 52:49, 76:25.
  • Dhe në fund, në 85° Veri e lart, ka ditë dimri kur është gjithmonë errësirë e plotë, dhe prandaj në këto raste detyrohet vetëm Lutja e Natës. Prandaj mund ta gjejmë Lutjen e Natës të përmendur veçmas në shumë strofa 73:2, 73:20, 25:64, 39:9, 26:218.

Zoti i ka projektuar Lutjet e Kontaktit sipas lëvizjes së diellit, e jo sipas numrit të tyre. Kjo është për t’i mbajtur njësoj të lehta, pavarësisht nga koha e vitit dhe vendi. Për shembull, dy lutje në Polin e Veriut të ngrirë janë afërsisht po aq të lehta sa pesë lutje në tropikët e harlisur. Apo katër lutje në dimër janë afërsisht po aq të lehta sa pesë lutje në verë. Të biesh në sexhde në tokë të thatë, për shembull, nuk është njësoj si të biesh në sexhde në baltë apo në borë të ftohtë. Për t’i shmangur këto kushte të ashpra e të errëta, duhet të bartësh diçka apo të ndërtosh diçka, dhe të bartësh diçka nuk është njësoj si të ecësh lirshëm duarbosh.

Edhe për abdes, në mot të ftohtë, ndoshta të duhet një peshqir. Në Mekë, nuk më duheshin peshqirë. Sapo e merrja abdesin, ndihesha i thatë dhe gati për të shkuar. Në Evropë, për shembull, gjatë dimrit, duhet t’i zgjidh çizmet, t’i heq çizmet, t’i heq çorapet, ndoshta edhe pallton – shumë herë në ditë. Në Mekë, nuk më duhej të bëja asgjë nga këto – sandalet janë shumë të lehta!

Lutjet e detyrueshme bashkë me abdesin dhe të gjitha këto gjëra praktike që mund të dalin janë projektuar që të marrin saktësisht 2,5% të përvojës së jetës suaj, apo 2,5% të kohës suaj zgjuar, që përkthehet në gjithsej 24 minuta kohë të kushtuar Zotit në ditë, pavarësisht nga vendi dhe stina juaj, ashtu si Bamirësia e Obligueshme që është 2,5%, pavarësisht nga të ardhurat tuaja neto, dhe vërtet nuk kemi nevojë të shkojmë më tej me këta shembuj për ta arsyetuar numrin e lutjeve në vende të caktuara, sepse kohët e lutjeve janë të qarta në Kuran, por jo numri i tyre, dhe nëse jeni besimtar, do t’i bëni, çfarëdo që të ndodhë; 5 kohë të Lutjes së Kontaktit në dispozicion, dhe i bëni, 4 kohë të Lutjes së Kontaktit në dispozicion, dhe i bëni, e kështu me radhë. Tani i keni të gjitha në tabelat në video – çfarëdo që vlen për vendin tuaj.

Më lejoni t’ju kujtoj se nuk ka asnjë kombinim lutjesh që e përmenda këtu e që nuk përmendet edhe në Kuran, dhe gjithashtu nuk ka asnjë kombinim lutjesh që përmendet në Kuran e që nuk e përmenda edhe këtu – një përputhje e plotë.

Meqë ra fjala, ndërsa Lutjet e Kontaktit janë praktika fetare, KOHËT e Lutjeve të Kontaktit janë vëzhgime shkencore. Pra, këto nuk janë dekrete fetare që po i sjellim. Këto janë vëzhgime astronomike të dëshmuara që çdokush mund t’i shohë. Mund ta shikoni qiellin dhe ta shihni vetë. Nuk ka asgjë të re në këtë. Nëse udhëheqësve fetarë nuk u pëlqen kjo, le ta gjejnë një diell tjetër, një që i dëgjon ata, por ne duhet ta përdorim atë që është tashmë në dispozicion, dhe duke i përdorur diejt që Zoti na i siguroi, Kohët e Lutjeve të Kontaktit përcaktohen sipas tabelës më poshtë:

 

Nga: Alban Fejza, i Dërguari Sqarues