Videoja më lart tregon shembuj fotografish të grave që vishen me modesti. Ato nuk veshin rroba të shkurtra (33:59), apo rroba të ngushta (7:22, 7:26), apo rroba të tejdukshme (7:22, 7:26, 24:31), apo takë të larta (24:31), apo grim (7:31, 2:102), dhe të gjitha duken të bukura (3:14).
Madje edhe më shumë, një grua modeste është më e lumtur (16:97, 19:26), më profesionale në punë (33:59), më e respektuar në shkollë (33:59), më e besueshme (70:32), më e zgjuar (7:27), më dinjitoze (35:10), e barabartë me burrat (3:195), më e afrueshme për burrat e ndershëm (33:59), dhe vërtet më e bukur – nga brenda e jashtë (7:26).
Dikush që pëlqen të nxitojë mund të konkludojë dhe të thotë: “E shihni, ju thashë se gratë duhet ta mbajnë Hixhabin.” Por le ta shohim çka thotë Kurani për këtë:
Këto janë të gjitha strofat ku fjala “hixhab” përmendet në Kuran – tetë prej tyre:
- [7:46] Një pengesë (hixhab) i ndan ata, ndërsa Purgatori është i zënë nga njerëz që e njohin secilën anë nga pamja. Ata do t’i thërrasin banorët e Parajsës: “Paqja qoftë mbi ju.” Ata nuk hynë (në Parajsë) përmes dëshirave të kota.
- [17:45] Kur e lexon Kuranin, Ne vendosim mes teje dhe atyre që nuk besojnë në Botën Tjetër një pengesë (hixhab) të padukshme.
- [41:5] Ata thanë: “Mendjet tona janë vendosur, veshët tanë janë të shurdhër ndaj mesazhit tënd, dhe një pengesë (hixhab) na ndan prej teje. Bëj çka të duash, dhe kështu do të bëjmë edhe ne.”
- [83:15] Me të vërtetë, ata do të jenë të izoluar (hixhab), atë ditë, nga Zoti i tyre.
- [42:51] Asnjë qenie njerëzore nuk mund të komunikojë me ZOTIN përveçse përmes frymëzimit, apo nga prapa një pengese (hixhab), apo duke dërguar një të dërguar përmes të cilit Ai shpall çka të dojë. Ai është më i Larti, më i Urti.
- [38:32] Ai pastaj tha: “I shijova gjërat materiale më shumë se sa e shijova adhurimin e Zotit tim, derisa dielli u zhduk (hixhab).”
- [19:17] Ndërsa një pengesë (hixhab) e ndante atë (Merjemen) prej tyre, Ne ia dërguam Shpirtin Tonë. Ai shkoi tek ajo në formën e një qenieje njerëzore.
- [33:53] O ju që besoni, mos hyni në shtëpitë e profetit përveç nëse ju jepet leja për të ngrënë, as mos e detyroni një ftesë të tillë në asnjë mënyrë. Nëse jeni të ftuar, mund të hyni. Kur të përfundoni së ngrëni, duhet të largoheni; mos e përfshini në biseda të gjata. Kjo e lëndonte profetin, dhe ai ishte shumë i turpshëm t’jua thoshte. Por ZOTI nuk turpërohet nga e vërteta. Nëse duhet t’u kërkoni grave të tij diçka, kërkojuani nga prapa një pengese (hixhab). Kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe zemrat e tyre. Nuk duhet ta lëndoni të dërguarin e ZOTIT. Nuk duhet të martoheni me gratë e tij pas tij, sepse kjo do të ishte shkelje e rëndë në sytë e ZOTIT.
Pra, fjala “hixhab” sipas atyre strofave në fakt do të thotë “pengesë”, dhe në 5 strofat e para, flet për një hixhab (pengesë) që i ndan mosbesimtarët nga Zoti dhe fjala e Tij, strofa e gjashtë në listën më lart flet për perëndimin e diellit, strofa e shtatë në listën më lart flet posaçërisht për Merjemen dhe si Zoti e ndau atë nga burrat e tjerë në mënyrë të mrekullueshme, që të mund të jemi të sigurt se ajo nuk e ngjizi Isain përmes ndonjë burri. Qartazi, fjala hixhab në këtë strofë nuk flet domosdoshmërisht për hixhab për kokën e saj, sepse askush nuk mbetet shtatzënë përmes kokës. Dhe, në fund, strofa e fundit në listë flet për hixhab për burrat, dhe është vetëm për burrat gjatë kohës së profetit Muhamed. Pra, ku është hixhabi për gratë? Epo, nuk ekziston diçka e tillë si hixhab për gratë në Kuran, por ka rroba për gratë, dhe i gjejmë në kapitullin 24, strofa 31. Pra, strofa 24:31 e jep rregullin specifik të veshjes për gratë besimtare kur janë në publik, dhe ajo që thotë është se gratë duhet ta mbulojnë gjoksin dhe tërë trupin e tyre përveç asaj që është e nevojshme të jetë e zbuluar, që e shohim në strofën 5:6 se është e nevojshme t’i lash fytyrën, krahët deri në bërryla, kokën dhe këmbët.
Kjo do të thotë se nuk është e drejtë të pritet nga gratë ta mbulojnë fytyrën, kokën, krahët deri në bërryla dhe këmbët. Thjesht nuk është e drejtë. Zoti nuk u kërkon ta bëjnë këtë, prandaj pse do ta bënim ne?
Gjithashtu, nga ana tjetër, argumenti i filozofëve që thonë se “rrobat nuk të bëjnë më të mirë” është i kuptueshëm, por rrobat janë pjesë e konstruktit shoqëror të të qenit njeri (7:27), dhe nëse nuk vishni rroba, po shkoni nën nivelin njerëzor (25:44, 5:60, 101:9). Shoqëritë që nuk veshin rroba, si fiset e Amazonës dhe disa pjesë shumë të largëta në Afrikë, kanë regresuar në varfëri ekstreme, sëmundje, dhunë, dhe shumë shpesh në kanibalizëm. Nuk është vërtet e rëndësishme të hyjmë në detaje të tjera në këtë temë, por ka dy mesazhe kyçe që janë të rëndësishme për gratë besimtare, dhe ato janë:
- Në publik, jini modeste (24:31).
- Në privatësi me burrin tuaj, mos jini modeste (30:21, 23:6, 7:32, 25:74).
Shënim anësor:
Qimet, kudo në trupin tuaj, dhe thonjtë janë qeliza të vdekura – nuk janë më pjesë e trupit tuaj. Nuk ka ndalim në Kuran për t’i ngjyrosur, prerë, lënë të rriten natyrshëm apo për t’i shkulur (7:32). Por modestia në publik është gjithmonë më afër shenjtërisë (33:33).