Videoja i tregon periudhat kohore për këtë shekull brenda të cilave mund të kryhet pelegrinazhi i Haxhit.
Si e dimë?
- Më lejoni ta shpjegoj.
E dimë tashmë se Haxhi u themelua nga Ibrahimi (2:125, 2:127, 3:97, 22:26).
Përmes pasardhësve të Ibrahimit, Haxhi u trashëgua edhe nga Muhamedi (16:23, 3:68, 3:95, 22:78), dhe është kryer çdo vit hënor në muajin Dhul-Hixhxhe, brez pas brezi (43:28).
Prandaj Muhamedi dhe Ibrahimi duhet ta kenë kryer Haxhin e tyre gjithashtu gjatë muajit Dhul-Hixhxhe.
Meqë Ibrahimi dhe Muhamedi ishin garues dhe të etur për vepra të drejta (38:47), ata e bënë Haxhin në kohën më të hershme të mundshme (23:61, 9:88).
Prandaj, muaji Dhul-Hixhxhe duhet të jetë koha më e hershme për Haxhin, apo muaji i parë i Haxhit.
Megjithatë, Kurani na informon se Haxhi mund të kryhet brenda shumë muajve (2:197) (shumës), dhe të vetmit muaj në shumës të përmendur në Kuran janë katër Muajt e Shenjtë (5:2, 9:36), të cilët përmenden në lidhje me Haxhin.
Prandaj, katër Muajt e Shenjtë janë muajt e Haxhit.
Por cilët saktësisht janë Muajt e Shenjtë?
Kemi arritur tashmë në përfundim se Muaji i parë i Shenjtë është Dhul-Hixhxhe, por po tre muajt e tjerë?
Strofa 28:27 e zgjidh këtë çështje për ne, sepse aty shohim se fjala Haxh do të thotë edhe “Vit hënor”. Nuk ka asnjë fjalë tjetër në Kuran që u referohet viteve hënore. Këtë e shpjegoj në videon time me titull “Kalendari i krishterë kundrejt atij mysliman”. Pra, një periudhë Haxhi është sinonim me një vit hënor. Kjo do të thotë se të gjithë Muajt e Shenjtë janë të bashkuar me njëri-tjetrin, një periudhë e vazhdueshme, sepse nëse ndonjëri prej tyre do të ishte i ndarë, do të kishim më shumë se një periudhë Haxhi çdo vit hënor, dhe kjo do të ishte në kundërshtim me strofën 28:27. Pra, ka vetëm një periudhë Haxhi çdo vit hënor, dhe kjo do të thotë se Muajt e Shenjtë duhet të vijnë të gjithë së bashku njëri pas tjetrit, të bashkuar pas Dhul-Hixhxhes, sepse kemi arritur tashmë në përfundim se Dhul-Hixhxhe është Muaji i parë i Shenjtë.
Një mënyrë tjetër për ta dëshmuar këtë është duke e lexuar fillimin e Sures 9. Në të, Zoti dhe Muhamedi bëjnë një deklaratë (9:1) në ditën e Haxhit të Madh (9:3), që e dimë se ndodh gjatë fillimit të muajit Dhul-Hixhxhe, që të mos i luftojnë adhuruesit e idhujve për katër muaj të vazhdueshëm (9:2), të cilët janë katër Muajt e Shenjtë (9:5). Këtu shohim se katër Muajt e Shenjtë janë të vazhdueshëm dhe fillojnë me muajin Dhul-Hixhxhe.
Pra, Muajt e Shenjtë, apo muajt e Haxhit, janë Dhul-Hixhxhe (muaji i 12-të), Muharremi (muaji i 1-rë), Safari (muaji i 2-të) dhe Rebiul-Evveli (muaji i 3-të).
Pra, këto data janë fillimi dhe fundi i Muajve të Shenjtë, nga dita e parë e Dhul-Hixhxhes, deri në ditën e fundit të Rebiul-Evvelit.