[search-in-place-form in_current_page="1"]

Në mbrojtje të Biblës

Përmbledhje:

Në këtë fjalim, Rashad Khalifa shpjegon se kontradiktat që i zhgënjejnë njerëzit me Biblën u futën nga ndërhyrja njerëzore, jep shembuj që i kanë vënë re dijetarët e krishterë, tregon se Isai i mohon ata që e idhullojnë, dhe i përshkruan funksionet e mesazhit përfundimtar të Zotit, Kuranit.

Transkripti i videos:

Bibla përmban kontradikta të papranueshme vetëm për shkak të ndërhyrjes njerëzore në të

Në emër të Zotit, të Gjithëhirshmit, Mëshirëplotit. Gjithnjë e më shumë njerëz po zhgënjehen me Biblën. Ata rriten duke mësuar se Bibla është fjala e Zotit, por kur e studiojnë Biblën me kujdes, zbulojnë se ajo përmban shumë kontradikta të papranueshme, shumë marrëzi të papranueshme, dhe kjo i trondit dhe i zhgënjen.

Një shembull shumë i mirë mund të gjendet në tregun e librave. Në librari, e gjejmë një libër të Carl Sagan-it me titull “Contact” (Kontakti), dhe në faqen 30 të këtij libri, e gjejmë një shembull shumë të mirë të kontradiktave, kontradiktave të papranueshme në Bibël. Shohim këtu se në Ungjillin e Mateut, ka 28 breza mes Davidit dhe Isait, por në Ungjillin e Lukës, shohim se numri i brezave nga Davidi deri te Isai është 43. Tani, si mund të jetë kjo fjala e Zotit? A e di Zoti sa breza ka mes Davidit dhe Isait? Emrat në Mateun dhe në Lukën nuk janë as të ngjashëm, dhe kjo e shkatërron besueshmërinë e Biblës si fjala e Zotit. Si mund t’i shpjegojmë këto kontradikta?

Këtu, mund ta shihni dëshminë se Bibla në fakt është fjala e Zotit, por këto kontradikta të pambrojtshme janë aty sepse u futën nga qeniet njerëzore. Çdo kontradiktë, çdo marrëzi që e shihni në Bibël është rezultat i ndërhyrjes njerëzore, i shtrembërimeve dhe i futjeve nga njerëz të këqij apo nga njerëz me qëllime të mira. Pra, do t’ju dëshmoj se shumica dërrmuese e Biblës është e vërtetë hyjnore.

Shembuj kontradiktash

Kontradikta më e madhe nga të gjitha është hyjnizimi i Jezu Krishtit, duke e bërë zot kundër vullnetit të tij dhe madje kundër mësimeve të Biblës. Lexojmë në Mateu 27:46 se në kryq, drejt mesit të pasdites, Isai bërtiti me zë të lartë. Dhe Ungjilli i Mateut madje e shkruan në aramaisht atë që gjoja e shqiptoi Isai në kryq, që do të thotë: “Zoti im, Zoti im, pse më braktise?” Tani, ky nuk është Zoti që flet, duke thënë: “Zoti im, Zoti im, pse më braktise?” Kjo gjithashtu hedh dyshim dhe krijon një kontradiktë serioze lidhur me doktrinën se Isai erdhi këtu për të vdekur për mëkatet tona, sepse po të ishte kjo e vërtetë, atëherë kryqëzimi i tij do të ishte përmbushje e qëllimit të tij, dhe ai do të kishte thënë në kryq: “Zoti im, Zoti im, të falënderoj që e përmbushe misionin tim.” Pra, të gjitha këto kontradikta e krijojnë këtë zhgënjim në mendjet e njerëzve inteligjentë.

Në njërën nga Biblat e shtypura, për shembull, e gjejmë temën në fillim, kështu: “Njeriu që e dëgjon fjalën time dhe ka besim tek ai që më dërgoi, ka jetë të përjetshme.” Pra, ky varg na tregon se Isai iu dërgua njerëzimit nga Zoti, se Isai është i dërguar i Zotit. Dhe kur shkojmë te Libri i Zbulesës, vargu i parë thotë kështu: “Kjo është zbulesa që Zoti ia dha Jezu Krishtit, që t’u tregonte shërbëtorëve të tij çka duhet të ndodhë shumë shpejt.” Kjo është zbulesa që Zoti ia dha Jezu Krishtit. Pra, këtu e kemi Zotin duke i dhënë një mesazh Jezu Krishtit që t’ia dorëzonte botës. Isai nuk mund të jetë Zot. Isai është i dërguar i Zotit. Shumë të krishterë të mëdhenj, sigurisht, e kuptojnë këtë kontradiktë serioze, hyjnizimin e Isait kundër vullnetit të tij, dhe e studiojnë me kujdes dhe e hulumtojnë temën tërësisht.

Dijetarë të mëdhenj të krishterë kanë zbuluar shumë kontradikta

Libri “The Myth of God Incarnate” (Miti i Zotit të mishëruar) është shkruar nga Dan Cupit, ligjërues universitar i teologjisë dhe dekan i Kolegjit Emmanuel në Kembrixh; Michael Golder, tutor i teologjisë në Departamentin e Studimeve Jashtë-Universitare në Universitetin e Birminghamit; John Hick, i cili është Profesor i Teologjisë “HG Wood” në Universitetin e Birminghamit; Leslie Holden, drejtor i Kolegjit Raiphan në Kadhistan; Dennis Nineham, Drejtues i Kolegjit Kepley në Oksford; Maurice Wiles, Profesor Mbretëror i Teologjisë dhe Kanonik i Christ Church në Oksford dhe kryetar i Komisionit Doktrinor të Kishës së Anglisë. Dhe autori i fundit këtu është Francis Young, ligjërues i Studimeve të Dhiatës së Re në Universitetin e Birminghamit. Thelbi apo përmbledhja e librit gjendet në kopertinën e pasme, ku thuhet: “Për shumë njerëz, mishërimi i Zotit në Jezu Krishtin është thelbi i krishterimit. Këtu, një grup teologësh dhe dijetarësh biblikë të shquar pyesin nëse ideja e mishërimit është thelbësore për krishterimin, dhe e vënë në pikëpyetje gjithë zhvillimin e doktrinës. Teza e tyre është se Isai ishte, siç përshkruhet, siç paraqitet në Veprat 2:21, ‘një njeri i miratuar nga Zoti’, ‘për një rol të veçantë brenda qëllimit hyjnor’. Dhe koncepti i mëvonshëm për të si Zot i mishëruar, personi i dytë i Trinisë së Shenjtë që jeton një jetë njerëzore, është një mënyrë mitologjike apo poetike për ta shprehur rëndësinë e tij për ne. Ky riinterpretim i doktrinës së mishërimit është kritikuar si sensacional dhe shkatërrues, por autorët deklarojnë një qëllim konstruktiv. Ata i kanë shqyrtuar dëshmitë nga Dhiata e Re e tutje me kujdes dhe tërësisht, dhe i kanë bërë pyetjet e tyre sepse janë të shqetësuar për pasojat e gjetjeve të tyre për një besim të krishterë të plotë dhe të gjallë për sot. Puna e tyre është diçka që asnjë i krishterë që mendon nuk mund ta injorojë.”

Ju siguroj se, fatkeqësisht, nuk kemi kohë të mjaftueshme për të dhënë shembuj të kontradiktave dhe marrëzive që gjenden në tërë Biblën. Por më dëgjuat të deklaroj më herët se Bibla në fakt është fjala e Zotit, fjala e pagabueshme e Zotit. Dhe këtu po flas për Biblën origjinale, të pandryshuar, në gjuhën origjinale. Ajo ishte fjala e Zotit. Kontradiktat dhe marrëzitë janë futur në Bibël nga njerëz që qëllimisht apo me qëllime të mira në fakt i shtrembëruan fjalët e Zotit dhe krijuan doktrina që nuk janë në Bibël. Megjithatë, Bibla siç shtypet sot, nëntëdhjetë për qind e saj është e vërtetë hyjnore. Fatkeqësisht, raca njerëzore është mashtruar ta ndjekë atë dhjetë për qind kontradikta dhe doktrina të rreme të futura nga njerëzit në Bibël. Bibla, duke qenë fjala e Zotit, duhet të korrigjohet, dhe Zoti kujdeset që të gjitha këto kontradikta dhe marrëzi të ekspozohen.

Isai i mohon ata që e idhullojnë atë në vend të Zotit

Problemi më i madh që e krijojnë këto kontradikta dhe marrëzi është se miliona njerëz e hedhin foshnjën bashkë me ujin e banjës për shkak të këtyre kontradiktave dhe doktrinave të rreme që janë futur në Bibël, dhe marrëzive që njerëzit inteligjentë nuk mund t’i pranojnë. Këto gjëra fatkeqësisht i largojnë miliona njerëz nga Zoti dhe nga fjala e Zotit. Por duhet të jemi të vetëdijshëm se Bibla e përmban të vërtetën nga Zoti. Për shembull, urdhërimi i parë në Dhiatën e Vjetër dhe në Dhiatën e Re, i cili quhet urdhërimi më i madh, është ta adhurosh vetëm Zotin, krijuesin e universeve, krijuesin që të krijoi ty dhe mua dhe Jezu Krishtin dhe Muhamedin dhe Merjemen. Janë doktrinat e rreme që e krijuan Trininë dhe hyjnizimin e Jezu Krishtit kundër vullnetit të tij dhe e shtrembëruan Biblën. Ironikisht, shtrembërimet, marrëzitë dhe doktrinat e rreme përbëjnë një pjesë të vogël të Biblës. Por fatkeqësisht, miliona e miliona njerëz i ndjekin këto kontradikta të vogla dhe doktrina të vogla të rreme, dhe e lënë shumicën e së vërtetës. Ata e injorojnë, për shembull, faktin që Bibla thotë qartë se Isai nuk është Zot. Miliona njerëz i injorojnë deklaratat e qarta në tërë Biblën se Isai nuk është Zot, dhe këmbëngulin në hyjnizimin e Isait kundër vullnetit të tij. Dhe në këtë mënyrë, ata janë armiq të Jezu Krishtit, siç thotë ai vetë në Mateu 7:23.

Zoti bëri diçka për ndërhyrjen njerëzore në Biblën e Tij: Na zbriti një mesazh përfundimtar që të shërbejë si referencë standarde dhe e koduar Shkrimin përfundimtar matematikisht përtej aftësisë njerëzore

Sigurisht, Zoti bëri diçka për kontradiktat, gënjeshtrat dhe marrëzitë që janë futur në fjalën e Tij, Biblën. Dhe ajo që bëri Zoti ishte ta dërgonte një botim përfundimtar të shkrimit. Ky botim përfundimtar është i përbërë matematikisht përtej aftësisë njerëzore, siç mund t’jua shpjegojmë. Kur ta shqyrtoni mesazhin përfundimtar nga Zoti për ju, do të jeni të sigurt se çdo shkronjë, çdo fjalë është nga Zoti. Do të jeni absolutisht të bindur se nuk ka ndërhyrje njerëzore në të. Dhe do ta shihni cila e vërtetë në Bibël konfirmohet nga ky segment përfundimtar i shkrimit. Dhe do ta shihni se kontradiktat dhe doktrinat e rreme ekspozohen si të tilla. Do ta njihni cila është e vërteta nga Zoti dhe cila është gënjeshtra nga qeniet njerëzore, ndërhyrja njerëzore në Bibël. Pra, kjo është ajo që bëri Zoti për ta pastruar konfuzionin, për t’i zgjidhur polemikat dhe për ta vendosur të vërtetën në Biblën e Tij.

Funksionet e mesazhit përfundimtar të Zotit

Pra, le ta përmbledhim çka bën ky mesazh përfundimtar nga Zoti për botën. Së pari, i ekspozon kontradiktat dhe marrëzitë që janë futur në Bibël. Gjëja e dytë, i konfirmon të vërtetat hyjnore që gjenden në Bibël. Shumica e Biblës është e vërtetë hyjnore. Funksioni i tretë i këtij mesazhi përfundimtar nga Zoti për botën është t’i zgjidhë polemikat e mëdha, si hyjnizimi i Isait, birëria, birëria e pretenduar e Isait ndaj Zotit. Funksioni i katërt i këtij segmenti përfundimtar të shkrimit të Zotit është t’i konfirmojë të gjitha mrekullitë e mëparshme, ndodhitë e pazakonta që mund të jenë të pabesueshme, si ndarja e Detit të Kuq, si fakti që Isai i ngjalli të vdekurit dhe krijoi zogj prej balte me lejen e Zotit. Të gjitha këto gjëra janë të vështira për t’u besuar. Pra, ky segment përfundimtar i shkrimit të Zotit, duke qenë i përbërë matematikisht dhe duke e përmbajtur këtë dëshmi fizike se është nga Zoti, i konfirmon ato ndodhi të pazakonta që i quajmë mrekulli. Meqë çdo shkronjë, çdo fjalë në këtë segment përfundimtar të shkrimit të Zotit është e përbërë matematikisht përtej aftësisë njerëzore, kur e lexoni një deklaratë që thotë se Musai e ndau Detin e Kuq, kjo deklaratë dëshmohet me dëshmi fizike. Kur lexoni në këtë mesazh se Isai i ngjalli të vdekurit, gjë që normalisht është e pabesueshme, kur e lexoni këtë, dhe e dini se është mrekulli – mrekullia sipas përkufizimit është ndodhi e pazakontë. Pra, kur e lexoni deklaratën “Isai i ngjalli të vdekurit”, dhe e dini se çdo shkronjë, çdo fjalë është e përbërë matematikisht përtej aftësisë njerëzore, atëherë kjo ju jep dëshmi fizike se deklarata “Isai i ngjalli të vdekurit” është fakt i dëshmuar. Sado e pazakontë që të jetë, është mrekulli e Zotit që e kreu Isai.

Pra, këto janë katër funksionet e shkrimit përfundimtar të Zotit për botën:

  1. Ta ekspozojë kontradiktën dhe marrëzinë dhe ta heqë nga Bibla
  2. T’i konfirmojë të vërtetat hyjnore që përmbahen në Bibël
  3. T’i zgjidhë polemikat, lindjen virgjërore të Isait, kryqëzimin e trupit të tij pasi shpirti i tij ishte larguar
  4. T’i konfirmojë të gjitha mrekullitë e mëparshme, mrekullitë e Musait dhe të Isait dhe ndodhitë e pazakonta që i shohim në Bibël dhe në Kuran.

 

Nga: Rashad Khalifa, i Dërguari i Zotit i Besëlidhjes