[search-in-place-form in_current_page="1"]

Rregullat e martesës dhe shkurorëzimit nga Kurani

Përmbledhje:

Në këtë sqarim me video, Alban Fejza shpjegon pse ekziston martesa, si privilegj e jo si detyrim, dhe i kalon rregullat kuranore të martesës dhe procedurat për shkurorëzimin e butë dhe të fortë, të nisura qoftë nga burri, qoftë nga gruaja.

Transkripti i videos:

Pse duhet të ekzistojë martesa?

Martesa është një marrëveshje bashkimi (25:54), mes një mashkulli dhe një femre (42:50, 27:55), të cilët nuk janë të afërm gjaku (25:54). Nuk është as detyrim, as e drejtë. Është privilegj i madh dhe bekim (43:12-3, 42:12). Por pse duhet të ekzistojë martesa? Pse meshkujt dhe femrat të mos çiftëzohen thjesht si kafshët, pa u martuar?

Epo, edhe kafshët kanë një proces përmes të cilit e fitojnë të drejtën të çiftëzohen. Quhet forcë. Për shembull, dy desh do të luftojnë, apo dy gjirafa, apo dy luanë, apo dy hamshorë, e kështu me radhë, për ta fituar të drejtën të çiftëzohen me një femër. Dhe tek kafshët përfitimet e kësaj i tejkalojnë dëmet, sepse atëherë pasardhësit do të jenë më të aftë ta mbijetojnë mjedisin e ashpër të kësaj bote. Dhe ky proces i zgjedhjes së partnerit vazhdoi edhe te qeniet me formë njeriu, neandertalët në Evropë, denisovanët në Azi dhe të ashtuquajturit Sapiens në Afrikë (21:95-96, 18:93-94). Por, pastaj Zoti i krijoi Ademin dhe Havanë në Gjysmëhënën Pjellore (2:35), në mënyrë të pavarur nga qeniet e tjera me formë njeriu (3:59, 55:14), dhe i vetmi dallim themelor mes Ademit e Havasë dhe qenieve të tjera me formë njeriu ishte fjala që Zoti ia dha Ademit dhe të gjithë pasardhësve të tij – neve (2:37, 2:33, 7:35). Kjo aftësi për të folur abstrakt na mundësoi të arrijmë marrëveshje (70:32), dhe martesa është zgjatim i aftësisë sonë për të arritur dhe për të mbajtur marrëveshje. Tani, kjo e njëjta aftësi për të arritur marrëveshje u mundësoi gjithashtu bijve të Ademit të organizohen për të ndërtuar armë kaq vdekjeprurëse, dhe aftësi të tjera me shtrirje të gjerë (14:46), dhe sikur të përpiqeshin ta zgjidhnin partnerin me forcë, për shkak të aftësive të tyre me shtrirje të gjerë, atëherë dëmet do t’i tejkalonin përfitimet, gjë që do të ishte shumë më keq se procesi i çiftëzimit tek kafshët (25:44). Më shumë burra do të vdisnin gjatë procesit të zgjedhjes së një femre, se sa fëmijë do të lindnin, dhe kjo nuk është e dobishme për njerëzimin. Pra, meqë fjala e Zotit që Ai ua dha njerëzve u jep atyre edhe aftësinë të arrijnë marrëveshje edhe të jenë katastrofikisht vdekjeprurës kur e përdorin forcën (17:70), atëherë e vetmja mënyrë për t’u çiftëzuar për njerëzit pa shkaktuar luftëra është duke arritur marrëveshje, që është martesa. Të gjitha metodat e tjera të shumimit i bëjnë më shumë dëm se dobi njerëzimit, edhe kur nuk duket kështu (25:68, 22:48). Pra, martesa është një mënyrë për t’i parandaluar përleshjet dhe luftërat mes burrave. Kjo do të thotë se në të ardhmen, në ditët e fundit, kur kurorëshkelja dhe beqaria e padëshiruar ta dominojnë plotësisht martesën (sepse shtetet në mënyrë të pashmangshme do ta zëvendësojnë plotësisht atësinë (31:33, 12:7-24)), nuk do të ketë fat tjetër për ata njerëz përveç luftës (48:28). Brezi i fundit nuk mund t’i shpëtojë luftës. Por, ndërsa Zoti ende e ka lënë martesën si një bekim shumë të madh mes nesh (16:53), le t’i mësojmë rregullat e martesës (75:19).

 

Rregullat e martesës

Rregullat e martesave janë shumë të thjeshta. Gjithçka që ju duhet është:

  1. Marrëveshja e ndërsjellë mes burrit dhe gruas (4:24), dhe leja e familjes së saj apo e qeverisë. (Kurani arab kërkon prej nesh ta kërkojmë lejen e “ehlihinne” të saj (4:25), që fjalë për fjalë do të thotë “njerëzit” e saj, gjë që përfshin ose familjen e saj ose qeverinë, ose të dyja, varësisht nga rrethanat. Të gjithë ata janë njerëzit e saj, nga të cilët ajo mbrohet, varësisht nga niveli i pavarësisë së saj nga prindërit).
  2. Paja (mehri) (4:24), (e cila mund të jetë një garanci financiare për gruan, apo një martesë e regjistruar në shtet (e cila është garanci qeveritare për gruan)).
  3. Dy dëshmitarë, së paku (2:282, 5:5). (Mund të jenë mundësisht anëtarë të familjes, apo të afërm të ngushtë, apo miq të ngushtë, e kështu me radhë, apo ata zyrtarë qeveritarë si alternativë më pak e preferuar, sepse është më e vështirë t’i gjesh sërish, nëse ndonjëherë të duhen që të dëshmojnë për martesën tënde. Kjo do të thotë se fejesat apo martesat nuk mund të ndodhin në internet. Nusja dhe dhëndri duhet të jenë aty duke e parë njëri-tjetrin vërtet, dhe dëshmitarët duhet të jenë të pranishëm. Sigurisht, njerëz të tjerë mund të marrin pjesë në internet, nëse kështu u përshtatet, por ata nuk llogariten si dëshmitarë. Nuk ekziston diçka e tillë si dëshmi në internet për një çështje kaq të rëndësishme, apo fejesa në internet apo martesë në internet (4:21). Meqë ra fjala, nuk ju lejohet as ta mbani martesën të fshehtë (5:5). Pikërisht për këtë na duhen dëshmitarët. Dallimi kryesor mes martesës dhe kurorëshkeljes është se nuk është e fshehtë. Nëse e mbani martesën tuaj të fshehtë, kjo është kurorëshkelje. Nga ana tjetër, nëse e bëni publike kurorëshkeljen tuaj, ajo bëhet 1,8 herë kurorëshkelje (24:2, 24:4). Por gjithsesi, lidhur me dëshmitarët, përmes të cilëve martesa juaj bëhet marrëveshje publike e jo e fshehtë, kur i ftoni njerëzit ta dëshmojnë marrëveshjen, u keni borxh drekë apo darkë, sepse nuk ju lejohet t’i dëmtoni dëshmitarët (2:282), dhe ky është kompensim për kohën e tyre. Nëse doni të ftoni 100 dëshmitarë, kjo është zgjedhja juaj, por duhet t’u jepni të gjithëve drekë apo darkë (33:53), dhe nëse pranojnë të udhëtojnë nga larg, duhet t’ua paguani shpenzimet e udhëtimit. Ose mund ta bëni martesën vetëm me disa dëshmitarë, dhe pastaj t’i ftoni të tjerët vetëm si mysafirë, që do të ishte një dasmë apo darkë pas martesës, ose mund t’i ftoni të gjithë, në momentin kur po martoheni, dhe të gjithë janë njëkohësisht mysafirë dhe dëshmitarë, që do të thotë se martesa dhe dasma ndodhin në të njëjtën kohë. Çdo mënyrë është në rregull. Pra, dhënia e ushqimit dhe e rehatisë dëshmitarëve është dasma. Nuk ka nevojë të mbahet një dasmë në stilin që kuptohet në disa kultura. Thjesht dhënia e ushqimit dhe e rehatisë dëshmitarëve është dasma, pavarësisht nëse e quani dasmë apo jo. Dhe gjithashtu, ju jeni përgjegjës për atë që ndodh në dasmën apo martesën tuaj. Nuk duhet t’i lini njerëzit ta përdorin dasmën apo ceremoninë tuaj të martesës si arsyetim për t’u veshur në mënyrë të pahijshme. Mos ngurroni t’i ndaloni te dera, nëse nuk i plotësojnë kërkesat minimale të veshjes së hijshme, dhe nëse do të ftoni edhe jo të nënshtruar, sigurohuni t’ua kujtoni paraprakisht rregullin e veshjes, apo bisedoni me ta diku jashtë pa shkaktuar dramë, apo thjesht mos ftoni jo të nënshtruar. Martesën mund ta bëni pothuajse kudo; në një zyrë zyrtare shtetërore të martesave, apo në një restorant, apo në oborrin tuaj, apo në shtëpinë tuaj.

Në kundërshtim me pritjet e zakonshme të njerëzve fetarë, martesat në fakt nuk duhet të ndodhin në vende adhurimi. Martesat janë bashkime të rëndësishme të miratuara nga Zoti, por në të njëjtën kohë janë punë të kësaj bote (28:27), dhe puna e tregtia janë të ndaluara në vendet e adhurimit. Të krishterët dhe disa myslimanë të kohëve të fundit e kanë shpikur idenë e martesave në vende adhurimi, por asnjë nga njerëzit e përmendur në Bibël apo në Kuran nuk u martua kurrë në vend adhurimi. Mund ta përdorni oborrin e xhamisë për këtë, apo ndonjë ndërtesë ngjitur apo korridorin që të çon në xhami, por jo vetë hapësirën e lutjes në xhami, e cila duhet të përdoret vetëm për adhurimin e Zotit (72:18).

Pra, këto janë tri kërkesat e martesës, dhe kaq. Dhe në shumicën e rasteve sot, në martesat e regjistruara në shtet, të gjitha ato kërkesa plotësohen automatikisht, sepse shteti do të kërkojë që ta nënshkruani një dokument që është marrëveshja, dhe ata do ta dëshmojnë (apo të paktën do t’ju japin hapësirë të sillni dëshmitarë më të afërt), dhe shteti do t’i garantojë tërthorazi të drejtat e gruas me buxhetin e vet, që është paja e saj. Pra, kjo është martesa.

Meqë ra fjala, meqë rregullat e martesës janë vetëm tri dhe të thjeshta, do të ishte më e dobishme sikur të mos ia impononim vetes dhe të tjerëve kushte shtesë përmes presionit shoqëror dhe normave kulturore (29:25) – kushte si festime të caktuara ekstravagante të dasmës (17:27), apo fustane të caktuara të shtrenjta të imponuara nga kultura, apo këngëtarë të caktuar, apo gjëra të tilla (17:27). Shpërdoruesit janë vëllezër të djajve (17:27). Dhe edhe pse shumë nga ato norma kulturore mund të jenë festime të lejuara (7:32), ato i dekurajojnë martesat duke vënë pengesa të panevojshme (7:86). Sikur martesat të mbaheshin të thjeshta dhe të drejta (25:63, 25:67), më shumë njerëz do të martoheshin, dhe më shpesh, dhe më herët (25:68, 16:112).

Tani, fjala “nikah” që përdoret në Kuranin arab do të thotë njëkohësisht edhe martesë edhe fejesë. Është e njëjta gjë, nga perspektiva ligjore kuranore. Pra, nuk ju duhet të keni edhe ceremoni fejese edhe ceremoni martese. Mund ta bëni, nëse dëshironi, apo nëse një situatë e caktuar e kërkon, por thjesht jini të vetëdijshëm se do ta përsërisnit të njëjtën gjë. Pra, në rastet kur e arrini marrëveshjen tuaj në zyrat shtetërore, thjesht quajeni martesë. Dhe madje edhe në rastet kur doni ta arrini marrëveshjen jashtë zyrave shtetërore, prapë është më mirë ta quani martesë, por mund të zgjidhni ta quani edhe fejesë, nëse dëshironi, nëse e arrini marrëveshjen pa ndonjë plan konkret për t’u zhvendosur dhe për të jetuar bashkë në të ardhmen e afërt. Në këtë rast, kur e quani fejesë, sapo të zhvendoseni bashkë, apo sapo të keni marrëdhënie seksuale, thjesht kaloni në të quajturit e vetes të martuar, në statusin tuaj në rrjetet sociale, për shembull, apo gjëra të tilla, dhe nuk ju duhet një ceremoni e dytë. Çdo mënyrë është në rregull.

Megjithatë, në rast se martesa apo fejesa juaj dështon, atëherë duhet të siguroheni t’i përdorni fjalët e duhura në gjuhën tonë, varësisht nga ajo që ndodhi. Nëse ndaheni pas marrëdhënies seksuale, duhet ta quani “shkurorëzim”, pavarësisht nëse në fillim e quajtët fejesë apo martesë, dhe nëse ndaheni para marrëdhënies seksuale, duhet ta quani “prishje e fejesës”, pavarësisht nëse në fillim e quajtët martesë apo fejesë. Kjo mund të duket si një ndryshim i mëvonshëm prapaveprues i përkufizimeve, por për shkak të përputhjes jo të plotë mes përkufizimeve në gjuhët tona dhe atyre arabe, është më mirë që përkufizimet të ndryshohen më pas, se sa ta akuzosh tërthorazi dikë për diçka që nuk ndodhi, sepse në gjuhën dhe kulturën tonë, nëse thua se dikush u shkurorëzua, kur në fakt as nuk fjetën bashkë, nëse e marrim parasysh se çka nënkupton fjala “shkurorëzim” në kulturë, kjo është njëfarë akuze e nënkuptuar për imoralitet, apo për diçka më shumë se ajo që ndodhi vërtet, dhe Kurani e ndalon këtë (24:11-18).

Tani, martesat nuk lejohen me disa njerëz.

Nuk na lejohet të martohemi me:

  • Adhurues idhujsh (që pranojnë hapur se adhurojnë dikë tjetër përveç Zotit, apo Zotin dhe dikë tjetër) (2:221).
  • Njerëz për të cilët ekziston dëshmi e prerë kurorëshkeljeje, përveç nëse edhe ju jeni kurorëshkelës i dëshmuar (24:3).
  • Njerëz të së njëjtës gjini (26:165-166, 42:50).
  • Gra që janë tashmë të martuara (4:24, 24:32).
  • Prindërit tanë (4:23), (gjë që sipas Kuranit përfshin edhe gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë (2:133)).
  • Fëmijët tanë (4:23), (gjë që sipas Kuranit përfshin edhe nipërit/mbesat dhe stërnipërit/stërmbesat tanë (2:211).
  • Vëllezërit dhe motrat tona (4:23).
  • Hallat, tezet, xhaxhallarët apo dajat tanë (4:23).
  • Nipërit apo mbesat tona (fëmijët e vëllezërve dhe motrave) (4:23).
  • Nënat tona të qumështit (4:23).
  • Njerëzit me të cilët e kemi ndarë të njëjtën nënë qumështi (4:23). (gjë që shumë shpesh i përfshin kushërinjtë tanë të parë, sepse shpesh nënat dhe hallat/tezet tona ndihmonin njëra-tjetrën në rritjen e fëmijëve).
  • Vjehrrit tanë (4:23)
  • Nuset apo dhëndurët tanë (bashkëshortët e fëmijëve tanë) (4:23).
  • Kunetërit dhe kunatat tona (4:23)
  • Gratë që më parë kanë qenë të martuara me baballarët tanë (4:22).

Gjithashtu, nëse jeni i shkurorëzuar, ka ndalime shtesë lidhur me atë se me kë mund të martoheni, dhe nën cilat kushte ju lejohet të martoheni sërish, dhe këto ndalime apo kufizime shtesë rrjedhin nga ligjet e shkurorëzimit, por para se ta shpjegoj këtë, më lejoni të flas së pari për shkurorëzimin në përgjithësi.

 

Rregullat e shkurorëzimit

Edhe burrat edhe gratë e kanë lirinë ta nisin shkurorëzimin (2:226-227, 33:28). Nëse shkurorëzohen para se të kenë pasur marrëdhënie seksuale, ai shkurorëzim nuk është as mëkat (2:236, 33:49), dhe në atë rast, duhet ta quajnë “prishje e fejesës”, jo shkurorëzim. Nëse shkurorëzohen pasi kanë pasur marrëdhënie seksuale, duhet ta quajnë shkurorëzim, dhe ai shkurorëzim është mëkat i toleruar. Pas marrëdhënies seksuale, edhe burrat besimtarë edhe gratë besimtare duhet të përpiqen ta shmangin shkurorëzimin sa më shumë që munden, dhe ka rregulla në Kuran që janë projektuar për ta parandaluar shkurorëzimin e panevojshëm (4:128). Së pari, nuk është e drejtë t’i krijosh vështirësi bashkëshortit tënd për ta detyruar të nisë shkurorëzimin (65:1). Kërkohet një dozë e shëndetshme mirësie, tolerance dhe respekti nga të dyja palët (4:19). Dhe gjithashtu u ndalohet të tjerëve të sillen ndaj çifteve në një mënyrë të tillë që ta nxisin njërin prej tyre ta nisë shkurorëzimin (2:102), veçanërisht nëse çifti janë të dy të nënshtruar.

Tani, ka dy lloje shkurorëzimi:

  1. Shkurorëzimi i fortë, i cili ndodh për shkak të kurorëshkeljes (65:1, 4:19) apo dallimeve fetare të papajtueshme (4:24, 60:10), dhe
  2. Shkurorëzimi i butë, i cili ndodh për arsye të tjera.

Në rastet e shkurorëzimit të fortë, nuk ka nevojë për konsultim me familjet, dhe nuk ka periudhë pritjeje para se bashkëshorti të vendosë të shkurorëzohet (4:24, 65:1). Dhe pas shkurorëzimit, palët nuk mbajnë marrëdhënie miqësore. Ata duhet të përpiqen me gjithë aftësinë e tyre të mos e kontaktojnë më kurrë njëri-tjetrin, dhe të mos e takojnë më kurrë njëri-tjetrin. As në rrugë, as në festën e ditëlindjes së fëmijës së tyre, as duke bërë udhëtime bashkë për hir të fëmijëve, apo gjëra të tilla. Asgjë nga këto (60:9). Dhe rimartesa me njëri-tjetrin u është e ndaluar përgjithmonë (24:3), përveç nëse pala fajtore rrëfen publikisht se është penduar, i ka ndryshuar bindjet e saj fetare dhe u është bashkuar të nënshtruarve. Përndryshe, është shkurorëzim i përhershëm pa kthim (60:10, 24:3). As fëmijët nuk duhet të jenë arsye për t’u kthyer në marrëdhënie miqësore (60:9-10). Tani, nuk keni pse ta shkurorëzoni dikë vetëm sepse ka bërë kurorëshkelje apo vetëm sepse keni dallime fetare (66:10-11). Megjithatë, nëse e bëni këtë, atëherë është përgjithmonë, dhe marrëdhëniet miqësore duhet të ndërpriten plotësisht, as në rrjetet sociale, dhe nëse e shihni atë person në rrugë, duhet të vazhdoni sikur të mos e kishit njohur kurrë. Gjithashtu, nëse dikush e shkurorëzon një jo të nënshtruar, atij apo asaj nuk i lejohet të martohet sërish me një jo të nënshtruar (6:10).

Tani, shkurorëzimi i butë mund të ndodhë për arsye të tjera përveç kurorëshkeljes apo dallimeve fetare të papajtueshme. Në rast të një shkurorëzimi të butë, ka procedura që duhet të ndiqen, varësisht nëse burri apo gruaja dëshiron ta nisë shkurorëzimin. Nëse burri dëshiron ta nisë shkurorëzimin e butë, së pari, partnerët duhet t’i diskutojnë problemet e tyre (4:34). Nëse kjo nuk funksionon, duhet t’i japin njëri-tjetrit pak hapësirë individuale për reflektim personal, duke fjetur në dhoma të ndara, nëse është e mundur, dhe të përpiqen ta zvogëlojnë kohën e tyre bashkë, ndoshta gruaja mund të shkojë te prindërit e saj për disa ditë, apo burri mund të shkojë në një udhëtim të shkurtër në natyrë (4:34). Nëse kjo nuk ndihmon fare, atëherë duhet t’i përfshijnë anëtarët e familjes së tyre në diskutim, që shpresojmë t’i ndihmojnë (4:35). Pastaj, ai duhet t’i ndërpresë marrëdhëniet seksuale për katër muaj. Në çdo kohë gjatë atyre katër muajve, ai mund ta ndryshojë mendjen dhe të kthehet te gruaja e tij, dhe ta vazhdojë martesën. Nëse jo, ai pastaj duhet ta shprehë zyrtarisht shkurorëzimin në fund të katër muajve (2:226), në prani të dy dëshmitarëve (65:2), apo përmes procedurave shtetërore, cilado që vlen. Pas shkurorëzimit, nëse shtëpia i takonte gruas, atëherë burri duhet të largohet. Nëse shtëpia u takon të dyve, atëherë e ndajnë, apo e ndajnë hapësirën e banimit, dhe mundësisht e shesin, e marrin pjesën e tyre dhe zhvendosen në vende të ndara. Nëse shtëpia i takonte vetëm burrit, dhe ajo nuk ka ku të shkojë, nuk ka pronë, atëherë atij nuk i lejohet ta përjashtojë nga shtëpia (65:1). Asaj ende i lejohet të jetojë në të njëjtën shtëpi apo në dhomat në të cilat jetonte më parë, si bamirësi e detyrueshme nga burri. Ata janë të shkurorëzuar, dhe janë të ndaluar për njëri-tjetrin, por asaj i lejohet të qëndrojë aty, ose mund të largohet, nëse dëshiron. Por, nëse janë me qira, apo ai nuk e zotëron plotësisht shtëpinë, ai nuk është i detyruar ta bëjë këtë. Gruaja mund ta mbajë pajën, sepse ai e nisi shkurorëzimin (2:229), përveç nëse ajo i fal pjesë të saj, për ta rregulluar situatën drejt një ndarjeje të drejtë, veçanërisht nëse e di se shteti e ka mbështetur më shumë anën e saj (2:229). Dhe gruaja duhet të presë tre muaj pas shkurorëzimit, si një detoksifikim emocional dhe për t’u siguruar se nuk është shtatzënë (2:228), pas së cilës është e lirë të martohet me dikë tjetër, por nëse e kupton se është shtatzënë, duhet të presë deri në fund të shtatzënisë së saj (2:228). Pra, këto ishin procedurat kur burri e nis shkurorëzimin e butë.

Tani, nëse gruaja e nis shkurorëzimin e butë, çdo gjë është njësoj si kur e nis burri, përveç se gruaja nuk mund të zgjedhë të qëndrojë më në pronën e ish-burrit të saj (33:28), sepse ishte zgjedhja e saj të shkurorëzohej. Ajo duhet të largohet, përveç nëse është prona e saj. Dhe ajo duhet ta kthejë pajën financiare, nëse ishte e natyrës financiare. Shkurorëzimi i butë mund të tërhiqet dy herë (2:229), pavarësisht se kush e nisi.

Meqë ra fjala, ajo që ndodh në një martesë mbetet në atë martesë (2:187). Në momentin e shkurorëzimit, mund t’i jepni arsyet e përgjithshme pse e shkurorëzoni dikë, para dy dëshmitarëve, mundësisht në një dokument të shkruar dhe të nënshkruar, apo çfarëdo që kërkon shteti, nëse është rasti, por pas kësaj e mbani gojën mbyllur për pjesën tjetër të jetës suaj. Nuk zbuloni asgjë nga ajo jetë, apo informacion privat për ish-bashkëshortin tuaj (2:187) – as bashkëshortit tuaj të ri, as askujt. Nëse ish-bashkëshorti juaj zbulon apo publikon diçka nga jeta juaj e mëparshme private apo nga bisedat private, fotografi private, apo diçka të tillë, mund të përgjigjeni në të njëjtën mënyrë, por kurrë mos e bëni të parët (8:58). Është sjellje jashtëzakonisht e keqe dhe tradhti ndaj atyre që më parë ju kanë besuar (8:27).

Tani, pavarësisht se kush e nisi shkurorëzimin, nëse kishin fëmijë, është më mirë të mos ndahen fëmijët, sepse vëllezërit e motrat janë mësuar me njëri-tjetrin. Për secilin prind, është gabim t’i lërë fëmijët e tij, kështu që do t’i inkurajoja edhe babain edhe nënën të përpiqen me të gjitha forcat t’i mbajnë fëmijët e tyre, përmes çfarëdo mjeti ligjor të arsyeshëm. Dhe kjo është ajo që do ta bënte çdo nënë apo baba i mirë. Megjithatë, nuk ka argumente fetare që do të ishin mjaft të fuqishme për të treguar se prindi tjetër nuk ka të drejtë t’i mbajë fëmijët. Dhe kur argumentet nuk janë mjaft të fuqishme, fuqia bëhet argument legjitim (26:4). Pra, në të kaluarën, burri e tregonte fuqinë e tij dhe thoshte: “Unë po i mbaj fëmijët. Çka do të bësh për këtë?” Pra, demonstrimi i fuqisë është argument legjitim në këtë rast (26:4), sepse të dyja palët kanë të drejtë për të njëjtën gjë. Megjithatë, qeveritë këto ditë do ta tregojnë një fuqi edhe më të madhe, dhe mund të thonë: “Ajo po i mban fëmijët. Çka do të bësh për këtë?” apo mund të thonë: “Ajo po i mban fëmijët për 70% të kohës apo 50% të kohës. Çka do të bësh për këtë?” Dhe sërish, fuqia është argument legjitim në këtë rast (26:4), sepse nuk ekzistojnë argumente të tjera kuranore. Megjithatë, ka implikime kuranore për këtë. Kur nëna ia arrin t’i mbajë fëmijët e saj, ajo trashëgon kufizime me këtë. Asaj, një gruaje të shkurorëzuar me fëmijë të mitur, nuk i lejohet të martohet sërish, përveç nëse i tregon apo i dërgon burrit të saj të ardhshëm një plan konkret të garantuar me shkrim se si do të jetë në gjendje t’i përmbushë këto katër kushte në martesën e saj të re:

  1. Të mos i braktisë fëmijët e saj të mitur me dëshirë (66:6).
  2. Të mos e lërë kurrë burrin e ri vetëm me fëmijët e saj të mëparshëm në hapësira private, apo t’i vërë ata apo atë në situata ku janë tërthorazi të detyruar të jenë vetëm në hapësira private ndërsa ajo nuk është aty.
  3. Të mos presë kurrë ndihmë financiare prej tij për ta. (Kjo pjesë e fundit në fakt pothuajse gjithmonë zbatohet gjithsesi nga qeveritë, përmes ligjeve për alimentacionin e fëmijëve, të cilat e konsiderojnë babain biologjik të fëmijëve përgjegjës financiarisht për ta, edhe pas shkurorëzimit.)
  4. Të mos e takojë kurrë ish-burrin e saj apo të mos flasë me ish-burrin e saj pa lejen e burrit të ri, edhe nëse ka të bëjë me fëmijët e saj (4:34). Dhe burri i ri mund të zgjedhë të jetë i pranishëm, nëse dëshiron.

Dhe ky plan nuk duhet të mbështetet në mëshirën apo bashkëpunimin e ish-burrit të saj, por ajo mund të mbështetet në bashkëpunimin e familjes së saj. Dhe, ajo mund të paraqesë edhe një plan B që i përmbush këto kushte, dhe nëse e shkel ndonjërin prej këtyre kushteve, atij i lejohet ta rishqyrtojë planin, apo të shkurorëzohet.

Dhe këto kushte rrjedhin nga rregulla të ndryshme në Kuran, dhe veçanërisht nga fakti që Kurani i lejon nënat kujdestare apo njerkat, por nuk i lejon baballarët kujdestarë apo njerkët për fëmijët, babai i të cilëve është ende gjallë. Fëmijëve u lejohet të lihen vetëm në hapësira private vetëm me anëtarët e familjes së tyre apo të afërmit e ngushtë, apo me një nënë kujdestare (33:55, 24:31). Tani, burri i ri nuk është asnjëri nga këta, dhe prandaj nëna është përgjegjëse që të mos i lërë kurrë vetëm me të në shtëpi apo në hapësira private, pa praninë e saj aty. Nuk ekziston diçka e tillë si njerk në Kuran, vetëm burri i nënës. Gjithashtu, a e dinit se rreth 1 në çdo 5 vajza që rriten me një njerk abuzohet seksualisht prej tij, dhe madje edhe në rastet kur kjo nuk ndodh, është sepse burri duhet të sillet si shërbëtor në shtëpinë e vet, gjë që pastaj është emocionalisht e padrejtë për të. Dhe, madje edhe nëse fëmija është djalë, prapë është e padrejtë ndaj fëmijës, sepse teknikisht kjo do të ishte skllavërim. Askush nuk ka të drejtë t’i nënshtrojë fëmijët e dikujt nën autoritetin e dikujt tjetër, ndërsa nëna e tij nuk është aty. Kjo është ajo që e bënë vëllezërit e Jusufit me Jusufin. E nxorën nga shtëpia e babait të tyre, dhe ai përfundoi në shtëpinë e një burri tjetër, ndërsa nëna e tij nuk ishte aty me të. Ky është skllavërim. Tani, nëse fëmija është me nënën, ky nuk është skllavërim, por nëse ajo e lë fëmijën vetëm me burrin e saj të ri, ky është skllavërim. Meqë ra fjala, nuk është skllavërim në rastin e kundërt, kur një baba i shkurorëzuar me fëmijë martohet me një grua të re, sepse edhe kur fëmijët janë nën autoritetin e gruas së re, ajo është nën autoritetin e tij (4:34), dhe prandaj të gjithë ata janë ende nën autoritetin e tij – çfarëdo autoriteti që vlen ende këto ditë.

Pra, meqë qeveritë sot i kanë fuqizuar gratë t’i mbajnë fëmijët pas shkurorëzimit, ato i kanë shfuqizuar të martohen sërish pa i përmbushur ato katër kushte, për të cilat duhet të kenë një plan konkret, të cilin duhet t’ia paraqesin burrit të tyre të mundshëm të ri, para se të martohen. Një plan i tillë mund të jetë, për shembull, që nga e marta deri të premten, ajo i mban fëmijët në shtëpi, por garanton se gjithmonë do të dalë nga shtëpia pas burrit apo në të njëjtën kohë, dhe do të kthehet nga puna para burrit, që fëmija të mos lihet vetëm me burrin, dhe madje edhe kur është në shtëpi, nuk duhet ta lërë burrin në një dhomë me fëmijën dhe të shkojë në një dhomë tjetër, përveç nëse dera është e hapur. Pastaj, të premten, ajo i dërgon fëmijët te gjyshja apo gjyshi i tyre. Të shtunën, babai i tyre i merr nga gjyshja e tyre, dhe ia kthen gjyshes të dielën apo të hënën, dhe pastaj nëna i merr nga vendi i gjyshes së tyre të hënën, dhe pastaj përsëritet sërish javën tjetër. Ky është vetëm një shembull, por mund të keni një plan tjetër. Ndoshta plani mund të përfshijë thjesht zotërimin e një shtëpie më të madhe me hyrje të ndara për burrin dhe për fëmijët, apo gjëra të tilla, por siç mund ta imagjinoni, të gjitha këto plane kërkojnë përpjekje shtesë dhe financa shtesë nga gruaja. Dhe dikush mund të thotë: “Pse Kurani nuk i përmend këto rregulla për të vejat, të cilat janë gjithashtu nëna vetushqyese, dhe e dimë se Kurani u lejon burrave të martohen me to?” Epo, pritja natyrore në Kuran është që nënat vetushqyese të hyjnë drejtpërdrejt në një martesë poligame (një burrë që martohet me dy nëna të shkurorëzuara me fëmijë). Strofa 4:3, e cila e përmend këtë leje, përmend dy, tri apo katër gra, por e kapërcen njërën, që do të thotë se ideja e martesës me vetëm një nënë vetushqyese nuk paraqitet fare aty. Shkon drejtpërdrejt te dy, sepse gratë në të kaluarën nuk e mbanin veten, dhe ishte e pamundur për to t’i përmbushnin këto katër kushte me financa dhe përpjekje shtesë. Pra, i vetmi opsion për një nënë vetushqyese në të kaluarën ishte poligamia. Por sot, meqë gratë punojnë, nënat vetushqyese mund të jenë në gjendje ta shmangin poligaminë në një martesë të re, thjesht duke investuar financa shtesë në problem, por prapë poligamia do të ishte për to i vetmi opsion që nuk kërkon financa dhe përpjekje shtesë, sepse në atë rast, burri qëndron në shtëpinë e gruas tjetër sa herë që ajo ka nevojë për kohë cilësore me fëmijët e saj, dhe pastaj kthehet kur gruaja tjetër ka nevojë për kohë cilësore me fëmijët e saj. Dhe në atë rast nuk nevojiten përpjekje apo financa shtesë nga asnjëra grua. Pra, strofa 4:3 rekomandon dy nëna vetushqyese, në rastet kur jemi të shqetësuar për të drejtat e fëmijëve të tyre, dhe rekomandon një nënë vetushqyese, në rastet kur jemi të shqetësuar për të drejtat e nënës. Dhe në përgjithësi, në rrethana varfërie, për shkak të hapësirës së papërshtatshme të banimit dhe përpjekjeve të rënda që kërkohen që të funksionojë, të drejtat e fëmijëve janë në rrezik, por në rrethana më të pasura, në përgjithësi, për shkak të rregullimeve të mjaftueshme të hapësirës, të drejtat e fëmijëve përmbushen, që do të thotë se të drejtave të grave atëherë duhet t’u jepet përparësi. Pra, në përgjithësi, në rastet e një nëne vetushqyese të varfër, veçanërisht nëse nuk e ka ndihmën e familjes së saj, apo të shtetit, atëherë opsioni më i mirë është poligamia, dhe në rastin e nënave vetushqyese qartazi të pasura me mbështetje të mjaftueshme, opsioni më i mirë është monogamia.

Dhe e kuptoj se kjo mund të tingëllojë poshtëruese për gratë e varfra të sotme, por poshtërimi zgjat vetëm disa ditë derisa ajo ta kuptojë se burri gjithmonë kthehet, veçanërisht nëse gruaja tjetër është person i mirë që nuk do të përpiqet t’ia “vjedhë” burrin. Dhe meqë ra fjala, ky është njëri nga vetëm katër rastet e veçanta jonatyrore ku Kurani e lejon poligaminë si problem të pranuar (4:129), për ta zgjidhur një problem më të madh jonatyror. Përndryshe, në të gjitha rrethanat e tjera natyrore, Kurani predikon monogaminë (4:1, 7:189, 39:6, 78:8, 49:13, 11:40, 23:27, 51:49, 43:12, 34:46, 3:195, 53:45, 92:3, 4:129), e cila është mënyra natyrore, sepse që nga dita e parë Zoti krijoi një burrë dhe një grua.

Por, në rastin e grave të shkurorëzuara me fëmijë, është situatë jonatyrore, dhe mund të zgjidhet ose me poligami, ose me përpjekje dhe financa shtesë nga gruaja. Dhe duhet pranuar, nëse jeni nënë vetushqyese, kjo mund të jetë situatë e vështirë, por mendoni për gratë që nuk martohen kurrë. Po shkojmë drejt një bote ku 50% e grave nuk do të martohen kurrë, ndërsa ju të paktën keni një fëmijë, që do të thotë se nuk jeni plotësisht vetëm. Dhe edhe pse Bibla thotë se martesa me një të ve është vepër e mirë bamirëse, në fakt një e ve dhe një grua e shkurorëzuar nuk janë saktësisht e njëjta gjë, dhe gjithashtu, këto ditë, gratë që janë në të tridhjetat e lart dhe ende nuk janë martuar janë më afër të vejave të së kaluarës se sa gratë e shkurorëzuara me fëmijë.

Pra, një zgjedhje e mençur për gratë në demokraci do të ishte të martohen herët dhe të kenë fëmijë pak më vonë, për t’i zvogëluar shanset e një situate të tillë. Mund të përdoren metoda kontraceptive (7:32). Mund t’i pyesni mjekët përkatës për këtë, dhe nëse burri apo gruaja nuk dëshiron fëmijë, të dy duhet të pajtohen të mos kenë fëmijë (4:29), ose pala që patjetër dëshiron fëmijë mund të zgjedhë të shkurorëzohet, por nuk duhet t’i detyrojnë apo t’i sjellin me dredhi fëmijët në një martesë. Pra, për shkak të ekzistencës së metodave kontraceptive këto ditë, u rekomandohet çifteve të mundshme të flasin nëse përfundimisht do të prisnin fëmijë në një martesë dhe sa, për t’i shmangur mosmarrëveshjet e mëvonshme. Dhe, sigurisht, në fund të fundit Zoti e ka kontrollin e çdo gjëje (42:49-50).

Pra, kjo është gjithçka që duhet ta dini për martesën dhe shkurorëzimin, por më e rëndësishmja, mbajeni mend këtë: Pavarësisht se kush vjen e shkon në jetën tuaj, apo kush vjen e mbetet në jetën tuaj, duhet të përqendroheni në shërbimin ndaj Zotit, dhe mos lejoni askënd t’ju largojë nga kjo. Nëse mund ta gjeni një person të nënshtruar e të drejtë që do t’ju mbështesë në rrugën e Zotit, edhe më mirë. Nëse jo, mos ndaloni së përpjekuri në rrugën e Zotit, vetë.

 

Nga: Alban Fejza, i Dërguari Sqarues