[search-in-place-form in_current_page="1"]

Si ta gjeni partnerin e përsosur të martesës?

 

Për shumicën prej nesh në kohët moderne, prindërit tanë as nuk na ndihmojnë ta gjejmë një partner, as nuk na ndalojnë ta gjejmë një partner (73:17, 42:14).

Dhe pastaj ndahemi në dy grupe:

  1. Ata që janë gati të bien në shumë lloje mëkatesh, vetëm që të mund të martohen.
  2. Ata që janë edhe më të gatshëm të martohen, por nuk duan ta arrijnë këtë me mëkat. (2:273)

Pra, për këtë grup të fundit njerëzish, pasi bëmë një shqyrtim sistematik të TË GJITHA strofave në Kuran, mund t’i identifikojmë tre faktorë që mund të doni t’i mbani parasysh kur e konsideroni një partner martese. Dhe këta faktorë vlejnë edhe për meshkujt edhe për femrat. Por së pari, le t’i përmendim disa që në fakt nuk janë aq të rëndësishëm sipas Kuranit kur përballeni me situatën e një partneri të mundshëm martese:

  • Jo feja – Kaq shumë martesa të detyruara, kaq shumë mundësi të humbura, madje edhe vrasje kanë ndodhur thjesht sepse njerëzit fetarë nuk e lexuan Kuranin apo Biblën me kujdes. Askund në Kuran nuk e gjejmë ndalimin që një burrë apo një grua ta gjejë një partner nga një fe tjetër. Po, martesa me një adhurues idhujsh është e ndaluar për besimtarët (2:221), por sot mund të gjeni adhurues idhujsh në çdo fe, dhe mund të gjeni edhe besimtarë në çdo fe. Pra, adhurimi i idhujve nuk ka më shumë të bëjë me fenë. Kurani e lidh lejen për t’u martuar me dikë me lejen për ta ngrënë ushqimin e tyre (5:5). Pra, pyetja është: A do ta hanit një çokollatë që e blini në treg? Ndoshta po. Kjo do të thotë se ju lejohet të martoheni me njerëzit që e bënë atë çokollatë, dhe ata janë nga fe të ndryshme. Dhe nuk ka rëndësi nëse jeni mashkull apo femër, ju lejohet njësoj të martoheni me dikë nga një fe tjetër. Disa myslimanë dogmatikë që nuk e kanë analizuar këtë çështje me kujdes pëlqejnë të theksojnë se Kurani e përmend lejen që burrat të martohen me gra të krishtera dhe hebreje, ndërsa nuk e përmend për gratë lejen të martohen me burra të krishterë dhe hebrenj. Por më lejoni t’ju them se Kurani gjithashtu nuk e përmend lejen që gratë të martohen me burra myslimanë. Pra, a nuk duhet të martohen fare gratë? Jo. Arsyeja pse Zoti e përmend lejen për burrat e jo për gratë është sepse burrat supozohet ta nisin propozimin për martesë, dhe Zoti e shpall informacionin sipas nevojës për ta ditur – kështu që burrat duhet ta dinë këtë, ndërsa gratë thjesht mund t’i thonë “Në rregull” apo “Jo” një burri nga çfarëdo feje. Dhe mbani mend, ajo që Kurani nuk e ndalon, nuk është e ndaluar (6:19, 38, 114, 115; 50:45). Në fund të fundit, feja sot është vetëm 2,5% e karakterit të një personi, dhe më shumë se gjysma e atyre 2,5% është gjithsesi e njëjtë në të gjitha fetë – le të themi se 1,5% është gjithsesi e njëjtë – kështu që kjo do të thotë se dallimi në karakter mes dy njerëzve për shkak të fesë është vetëm 1%. A do ta refuzonit një gotë ujë, nëse është 1% e zbrazët? A do ta refuzonit dikë, nëse është vetëm 1% ndryshe nga ju?
  • Jo mosha – Është kaq e marrë dhe mendjengushtë të thuash: “Ai është pesë vjet më i vjetër se unë!”, apo “Ajo është dyzet vjeçe!” apo deklarata të ngjashme. (11:72&73)
  • Jo familja – Pse do t’ju interesonte nëse vëllai i dikujt është person i keq, për shembull? Nuk do të martoheni me vëllain e tyre.
  • Jo raca
  • Jo etnia
  • Jo kombësia
  • Jo statusi shoqëror
  • Jo pasuria
  • Jo historia e kaluar – Vërtet nuk ka rëndësi me kë ishte shoqe ajo në shkollën e mesme. Njerëzit ndryshojnë.
  • Jo çfarë lloj muzike pëlqejnë
  • Jo aftësitë e gatimit
  • Jo statusi i punësimit
  • etj.

Disa njerëz madje e marrin parasysh ngjyrën e flokëve, apo tipin e trupit, apo sa miq keni në Facebook. Asnjëri prej tyre nuk është faktor i vërtetë në martesë.

Kurani na jep vetëm një shembull të procesit të gjetjes së një partneri për martesë, dhe ai është shembulli i Musait në kapitullin 28, strofat 22 deri në 29, dhe nga këto strofa, madje edhe nga Bibla, mund ta nxjerrim se Musai u martua me dikë nga një fe tjetër, etni tjetër, racë tjetër – pa e marrë parasysh moshën, statusin shoqëror e kështu me radhë.

Tani, le t’i rendisim tre faktorët, nga Kurani, të cilët nëse i merrni parasysh, do ta garantoni për vete një martesë të lumtur:

  1. Drejtësia (Bukuria e shpirtit) (24:26). Afërsisht në nivelin tuaj.
  2. Zgjuarsia (Bukuria e mendjes) (39:9). Afërsisht në nivelin tuaj.
  3. Bukuria (Bukuria e fytyrës) (4:24). Afërsisht në nivelin tuaj.

Dhe për t’i bërë këta faktorë praktikë, duhet ta shtojmë edhe një tjetër:

  1. Toleranca (toleranca juaj dhe toleranca e tyre) (7:199, 64:14). Askush nuk do të jetë saktësisht ashtu siç doni ju të jetë, dhe nëse nuk jeni tolerantë, nuk do të funksionojë kurrë. Pra, le të themi, e toleroni dhe martoheni me dikë pak nën nivelin tuaj, dhe Zoti patjetër do t’ju kompensojë për këtë, apo le të themi se martoheni me dikë pak mbi nivelin tuaj. Atëherë duhet të jeni gati t’i kompensoni me punë të palodhur, duke i lënë të çlodhen pak më shumë.

Dikush mund të përpiqet t’ju dëshmojë se duhet të merren parasysh edhe faktorë të tjerë duke bërë pyetje si: “A do të martoheshe me një fëmijë?” Përgjigjja për këtë është: “Një fëmijë kurrë nuk është mjaftueshëm i zgjuar.” “A do të martoheshe me një person shumë të vjetër?” A është mjaftueshëm i bukur? “A do të martoheshe me një terrorist dogmatik?” Ai nuk është mjaftueshëm tolerant. Siç mund ta shihni, katër kriteret e përmendura më lart funksionojnë, dhe i përfshijnë faktorët e tjerë vetvetiu. Pra, nuk ju duhet të përdorni faktorë të tjerë, sepse ky artikull ka arritur ta thjeshtojë për ju nga mijëra faktorë në vetëm katër faktorë të rëndësishëm.

Tani, kushtojini vëmendje që këto nuk janë rregulla për martesë. Martesa ka vetëm dy rregulla, të cilat janë (1) Dashuria dhe (2) Paja – një dhuratë për nusen (4:24), (Shihni edhe sqarimin “Rregullat e martesës dhe shkurorëzimit nga Kurani” për më shumë detaje).

 

Nga: Alban Fejza, i Dërguari Sqarues