Përmbledhje:
Në këtë video sqaruese, Alban Fejza shpjegon nga Kurani cilat vende adhurimi lejohet dhe nuk lejohet t’i vizitojnë besimtarët, kushtet që duhet t’i plotësojë një vend adhurimi për t’u pranuar nga Zoti, dhe pse besimtarët as nuk duhet t’i bojkotojnë xhamitë e lejuara, as t’i vizitojnë ato të ndaluarat.
Transkripti i videos:
Cilat vende adhurimi lejohet dhe nuk lejohet t’i vizitojmë?
Në cilat vende adhurimi na lejohet dhe nuk na lejohet të shkojmë për ta adhuruar Zotin? Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme, sepse sipas Kuranit, njerëzit që e ndalojnë veten nga vendet e lejuara të adhurimit janë të këqij (2:114), por njëkohësisht, njerëzit që i vizitojnë vendet e ndaluara të adhurimit janë shkelës dhe gënjeshtarë (9:107-109). Pra, të kesh një përgjigje shumë të hollësishme dhe të qartë për këtë pyetje është me rëndësi jetike.
Pra, le ta zbulojmë nga Kurani saktësisht cilat vende adhurimi janë të lejuara dhe cilat prej tyre janë të ndaluara. Për ta kuptuar këtë, së pari duhet ta kuptojmë si ngrihen vendet e adhurimit. Vendet e adhurimit ngrihen përmes shpenzimit, duke ia dhënë ose duke ia kushtuar pronën Zotit. Megjithatë, Zoti e pranon shpenzimin vetëm nga ata që:
- Besojnë në Zotin (9:54),
- Besojnë në të dërguarin e Zotit (9:54,107,108),
- Nuk i zbatojnë Lutjet e Kontaktit me përtaci (9:54),
- Nuk e bëjnë shpenzimin me koprraci (9:54),
Natyrisht, pika 3 dhe 4 përmbushen automatikisht kur shpenzimi bëhet për vende adhurimi, sepse vetë fakti që një shpenzim i caktuar bëhet për një vend adhurimi tregon se ata njerëz nuk ishin koprracë dhe nuk ishin përtacë. Pra, mund t’i shpërfillim këto dy pika për qëllimet e këtij studimi.
Pra, që një vend adhurimi të pranohet nga Zoti, duhet të ngrihet nga njerëz që
- Besojnë në Zotin (9:54),
- Besojnë në të dërguarin e Zotit (9:54,107,108),
Përveç kësaj, kur ngrihet një vend adhurimi, ai duhet:
- Të mos i dëmtojë besimtarët (9:107-108),
- Të mos i përçajë besimtarët (9:107-108),
- Të mos shkaktojë mosbesim (9:107-108),
- Të mos jetë në një truall të pasigurt (9:109),
- T’i jetë kushtuar vetëm Zotit (72:18).
Pra, një vend adhurimi nuk pranohej nga Zoti përveç nëse të gjitha këto shtatë kritere më lart ishin përmbushur kur u ngrit fillimisht (9:108, 2:127, 72:18). Po e theksojmë “kur u ngrit”, sepse nuk ka rëndësi nëse njerëzit që e mirëmbajnë tani janë besimtarë apo jo. Ata nuk mund ta ndryshojnë faktin se ai u pranua nga Zoti. Sapo një copë tokë apo pronë t’i kushtohet Zotit, dhe Zoti ta pranojë, ajo nuk mund t’u rikushtohet idhujve, sado që të përpiqen idhujtarët. Është si kur një dele flijohet për Zotin. Askush nuk mund ta kthejë delen dhe t’ua rikushtojë idhujve. Është e pamundur. Dhe gjithashtu, sapo një dele apo një pronë t’u kushtohet idhujve, ajo kurrë nuk mund t’i rikushtohet Zotit. Pra, një vend adhurimi fillimisht i ndaluar kurrë nuk mund të bëhet vend adhurimi i lejuar, dhe një vend adhurimi fillimisht i lejuar kurrë nuk mund të bëhet vend adhurimi i ndaluar. Pra, rrethana në të cilën u ngrit fillimisht është ajo që ka rëndësi (9:108), dhe në atë moment duhet t’i kenë përmbushur të gjitha këto shtatë kritere.
Pra, sipas këtyre shtatë kritereve, të gjitha ndërtesat fetare që janë ngritur nga hindusët, budistët, sikët, fetë e tjera dharmike, taoistët, konfucianistët dhe fetë e tjera lindore, të gjitha ndërtesat fetare të ngritura prej tyre janë të ndaluara për ne t’i vizitojmë, sepse ato nuk e përmbushin të paktën kriterin 2. Ata nuk besojnë në të dërguarit e Zotit të përmendur në Kuran. Gjithashtu, ndërtesat fetare të ngritura nga “Nation of Islam” në Amerikë dhe nga bahaitë shkojnë kundër kriterit 1, sepse ata besojnë në qenie njerëzore si Zot ose si Manifestim të Zotit. Gjithashtu, bashkë me ahmedijët, ata shkojnë kundër kriterit 2 dhe 4, duke besuar në të dërguar të rremë. Gjithashtu, çdo ndërtesë fetare e ngritur mbi një varr nuk e përmbush kriterin 7, sepse ajo copë tokë ishte e destinuar për personin e vdekur, dhe nuk mund ta kushtoni të njëjtën copë tokë dy herë, duke ia kushtuar edhe Zotit. Zoti nuk i pranon kushtimet e dyfishta (6:136). Pra, të gjitha këto ndërtesa fetare janë të ndaluara.
Tani, le t’i shikojmë vendet e adhurimit potencialisht të lejuara.
Le të fillojmë së pari me sinagogat. Paraardhësit e Jahudive që i ngritën sinagogat i përmbushën të gjitha këto shtatë kritere para se të vinte Jezusi. Pasi erdhi Jezusi, ata e refuzuan (4:156-157), dhe si rezultat shkaktuan përçarje në fe. Pra, ata nuk i përmbushin kriteret 2 dhe 4 pas Jezusit. Pra, nga viti 0, asnjë nga sinagogat e reja që ngritën nuk u pranua nga Zoti.
Tani, le t’i shikojmë kishat. Paraardhësit e të Krishterëve që i ngritën kishat i përmbushën të gjitha këto kritere deri në kohën kur e refuzuan profetin Muhamed (2:120), dhe si rezultat shkaktuan përçarje fetare. Pra, ata nuk i përmbushën kriteret 2 dhe 4 pas Muhamedit. Pra, nga viti 610, kur Zoti e zgjodhi Muhamedin për të qenë i dërguari i Tij, asnjë nga kishat e tyre të reja nuk u pranua nga Zoti.
Tani, le t’i shikojmë xhamitë. Paraardhësit e myslimanëve që i ngritën xhamitë i përmbushën të gjitha këto kritere deri në vitin 1980, kur Zoti e dërgoi të Dërguarin e Besëlidhjes. Nga viti 1980, ata që e refuzuan atë nuk i përmbushën kriteret 2 dhe 4, dhe ndërtesat e tyre të sapongritura nuk u pranuan nga Zoti. Pra, pas vitit 1980, Zoti i pranoi vetëm xhamitë e reja të ngritura nga njerëz që besonin në të Dërguarin e Zotit të Besëlidhjes. Kjo gjendje vazhdoi deri në vitin 2008, kur Zoti e dërgoi të Dërguarin Sqarues. Pas kësaj, Zoti i pranon vetëm xhamitë e reja të ngritura nga njerëz që besojnë në të Dërguarin Sqarues. Përndryshe, ata nuk do t’i përmbushin kriteret 2 dhe 4. Edhe pse Zoti do të dërgojë edhe dy të dërguar të tjerë pas të Dërguarit Sqarues, besimi në ta nuk është faktor vendimtar për xhamitë, sepse kushdo që beson në të Dërguarin Sqarues do të besojë edhe në të Dërguarin Forcues. Do të ketë grupe njerëzish që besojnë në të Dërguarin Sqarues, por jo në të Dërguarin Udhëzues (Mahdiun), turp për ta, por as kjo nuk do të jetë faktor vendimtar për xhamitë, sepse njerëzit gjithsesi duhet të ndalojnë së ngrituri xhami të reja pas vitit 2260, shumë kohë para të Dërguarit Udhëzues, sepse pas vitit 2260 nuk ka kuptim të ndërtohen xhami, meqë ato nuk do ta përmbushin kriterin 6, sepse së shpejti të gjitha xhamitë do të shkatërrohen. Çfarë kuptimi ka të ngrihen ndërtesa që do të shkatërrohen së shpejti (9:109-111)? Në vend të kësaj, besimtarët duhet t’i lënë mënjanë po ato para për ta mbështetur përfundimisht të Dërguarin Udhëzues (Mahdiun) në kauzën e Zotit (8:1, 8:41, 9:111), kur të vijë. Pra, i Dërguari Sqarues është i dërguari i fundit që është faktor vendimtar nëse Zoti i pranon vendet e reja të adhurimit apo jo, prandaj një nga detyrat e tij kryesore është ta vendosë qartë njëherë e përgjithmonë si të ngrihen vende të reja adhurimi në pronësi vetëm të Zotit; jo vende adhurimi në pronësi të bashkësive tona, jo vende adhurimi në pronësi të udhëheqësve, jo vende adhurimi në pronësi të të dërguarve të Zotit, por vende adhurimi në pronësi vetëm të Zotit (72:18).
Pra, ja përfundimi. Ne, besimtarëve të vërtetë, na lejohet t’i vizitojmë vetëm këto vende adhurimi pa varre:
- Sinagogat e ngritura para vitit 0, (që përfshin vetëm 1 nga rreth 20,000 sinagoga ekzistuese (17:1)),
- Ndërtesat e kishave të ngritura para vitit 610, (që përfshin rreth 100 nga rreth 3 milionë ndërtesa kishash ekzistuese),
- Xhamitë e ngritura para vitit 1980, (që përfshin rreth 1 milion nga rreth 3 milionë xhami ekzistuese),
- Xhamitë e ngritura ndërmjet viteve 1980 dhe 2008, vetëm nëse u ngritën nga njerëz që besonin edhe në të Dërguarin e Zotit të Besëlidhjes,
- Xhamitë e ngritura ndërmjet viteve 2008 dhe 2260, vetëm nëse ngrihen nga njerëz që besonin edhe në të Dërguarin Sqarues.
Kjo është arsyeja pse në Kuran përmenden vetëm sinagogat, kishat dhe xhamitë (22:40).
Megjithatë, lejueshmëria për t’i vizituar ato vende adhurimi nuk vlen automatikisht për Lutjet kongregacionale të së Premtes. Lutja kongregacionale e së Premtes mund të bëhet vetëm pas një predikuesi ose udhëheqësi që beson në të gjithë të dërguarit e Zotit (14:21, 62:9, 21:92, 4:144, 58:22, 5:56). Nuk na lejohet ta bëjmë pas një predikuesi ose udhëheqësi që nuk beson në të gjithë të dërguarit e Zotit, edhe nëse e bën në vendet e lejuara të adhurimit (58:22, 4:144).
Por jashtë Lutjes kongregacionale të së Premtes, mund t’i vizitoni vendet e lejuara të adhurimit, edhe nëse mirëmbahen nga mosbesimtarë. Dominimi i tyre i tanishëm nuk e ndryshon faktin se ato vende i përkasin ende Zotit. Nëse zotëroni një shtëpi, për shembull, dhe turmat e marrin, kjo nuk e ndryshon pronësinë e shtëpisë. Ju jeni ende pronari i shtëpisë. Pra, Zoti është ende pronari i atyre vendeve (72:18). Njerëzit janë thjesht vizitorë aty. Dhe mund të shohim shembuj në Kuran të besimtarëve që e adhuronin Zotin në vende adhurimi që menaxhoheshin ose dominoheshin nga mosbesimtarë, për sa kohë që ai vend adhurimi ishte ngritur fillimisht nga besimtarët. Për shembull, Zakaria, Maria dhe Jezusi e adhuruan Zotin në sinagogën e ngritur nga Solomoni në Jerusalem (3:37, 3:39, 19:11), pavarësisht nga fakti se në atë kohë menaxhohej nga Jahuditë e këqij (4:156). Gjithashtu Muhamedi e adhuroi Zotin aty (17:1-2), pavarësisht nga fakti se gjatë kohës së tij përdorej pjesërisht si sinagogë, pjesërisht si kishë e rrënuar dhe pjesërisht si tempull për idhujt (17:7). Gjithashtu, para se të emigronte në Medinë, Muhamedi e adhuroi Zotin në Xhaminë e Shenjtë (8:33), në një kohë kur ajo përdorej dhe menaxhohej nga idhujtarë (8:34-35). Ai u dëbua prej aty përfundimisht, por kurrë nuk e bojkotoi (2:114). Gjithashtu, Zoti na kërkon ta kryejmë Haxhin në Xhaminë e Shenjtë (3:97), dhe ta përdorim si shtëpi lutjeje (2:125), pa e marrë parasysh besimin apo mosbesimin e atyre që e dominojnë tani (3:97), sepse është një xhami që u ngrit nga Ibrahimi (2:127), dhe Zoti e pranoi prej tij (2:127, 14:39). Nuk do të kishte kuptim t’i gjejmë në Kuran obligimet për ta vizituar Xhaminë e Shenjtë, dhe nga ana tjetër ta bëjmë të palejueshme për besimtarët. Zoti e dinte plotësisht kush do ta mirëmbante (22:25). Nuk shkojmë atje për t’i vizituar njerëzit. Shkojmë atje sepse Zoti e thotë kështu (3:97, 22:27, 22:29), dhe sepse kjo është gjëja e drejtë që duhet bërë (22:32). Në të njëjtën mënyrë, Zoti na urdhëron të mos i bojkotojmë vendet e lejuara të adhurimit (2:114), dhe duhet të ndihemi të lirë t’i vizitojmë (2:150, 9:18). Alban Fejza ju tregon në praktikë në video si mund t’i vizitojmë.
Kërkesat që duhen përmbushur për ta vizituar një vend adhurimi të lejuar
Para se të hyjmë në një xhami të lejuar, duhet t’i përmbushim shtatë kërkesa:
- Të besojmë në Zotin (9:18)
- Të besojmë në Ditën e Fundit (9:18)
- Të mos kemi frikë nga askush përveç Zotit (9:18, 2:150)
- Ta kemi dhënë Bamirësinë e obligueshme (9:18)
- Nuk duhet të hyjmë e të dalim pa e kryer Lutjen e Kontaktit (9:18, 7:29), cilado nga pesë Lutjet e Kontaktit që vlen në atë kohë. Nëse e kemi bërë tashmë Lutjen e Kontaktit jashtë xhamisë, ose shkojmë në xhami paradite kur nuk vlen asnjë kohë lutjeje, duhet të bëjmë prapë dy Reqate të Lutjes së Kontaktit (9:18, 7:29).
- Nuk duhet të hyjmë në xhami pa abdes (5:6).
- Duhet të jemi të pastër dhe me rroba modeste (7:31).
Fëmijët nën moshën 12 vjeç duhet ta përmbushin vetëm kërkesën e shtatë (7:31, 5:6, 24:58). (Kur Zoti thotë, “O ju që besoni” (5:6), kjo nuk i përfshin domosdo fëmijët (49:14), por kur Zoti thotë “O fëmijë të Ademit” (7:31), kjo i përfshin fëmijët.)
Rreshtat e lutjes duhet të mbushen nga përpara nga prapa (61:4, 9:93). Gratë duhet t’i mbushin nga prapa nga përpara. Nëse hyjmë në xhami në kohën e mesditës, për shembull, duhet ta bëjmë Lutjen e Kontaktit të Mesditës (2:238, 17:78).
Për të mësuar si zbatohet Lutja e Kontaktit, shikojeni videon e titulluar “Parimet e lutjes myslimane” nga Rashad Khalifa. Por ajo video nuk i shpjegon nivelet e ndryshme të zërit gjatë Lutjes së Kontaktit. Ato janë veçanërisht të rëndësishme në rrethanat e xhamisë, prandaj le t’i shpjegojmë këtu.
Kurani përmend pesë nivele të zërit njerëzor:
- I heshtur (7:193, 6:53, 20:7),
- Pëshpëritës (20:108),
- I ulët (31:19, 49:3),
- Normal (20:7, 44),
- I lartë (49:2).
Gjatë Lutjes së Kontaktit, niveli i zërit tuaj nuk mund të jetë i heshtur apo i lartë, por mund të jetë cilido nga nivelet ndërmjet (17:110). Megjithatë, kjo vlen për pjesët e Lutjes së Kontaktit kur e madhëroni Zotin (ekber) ose e falënderoni Zotin (hamd) (17:111). Pra, kur e thoni Elhamdulil-lahin (Suren 1), “Allahu Ekber” dhe “Semi’allahu limen hamideh”, mund ta bëni me zë pëshpëritës, të ulët ose normal (17:110-111), që janë nivelet ndërmjet. Por, gjatë pozicioneve të përkuljes dhe të përuljes, e lavdërojmë Zotin (Subh), dhe niveli i zërit për lavdërimin mund të jetë i heshtur, pëshpëritës ose i ulët (7:205, 3:41), dhe këto urdhra jepen në Kuranin arab. Shehadeti mund të thuhet me zë të heshtur, pëshpëritës, të ulët ose normal (20:7-8, 7:205, 3:41). Selami thuhet me zë të ulët ose normal (6:54, 31:19).
Rregullat brenda xhamisë (vendit të adhurimit)
Në xhami, mund të bëni vetëm këto:
- Ta bëni Lutjen e Kontaktit (9:18)
- Të përuleni (7:29, 15:98)
- Të përkuleni (2:125)
- Ta përkujtoni Zotin (72:18, 22:40)
- Ta lavdëroni Zotin (20:130, 24:36, 33:42)
- Ta falënderoni Zotin (25:58, 32:15, 50:39)
- Ta lexoni Kuranin (2:185, 17:78)
- Të luteni (lutje e heshtur – dua) (7:29)
- T’i kërkoni Zotit falje (40:55)
- Të tërhiqeni për adhurim (2:187)
- Të hani dhe të pini me masë (7:31)
- Të qëndroni në këmbë (7:29, 3:39)
- Të uleni (2:125)
- T’i përshëndetni njerëzit (6:54)
- Ta pastroni/mirëmbani xhaminë (9:18)
- Të sillni zbukurime (lule, aroma, furnizime) (7:31, 3:37)
Në xhami:
- Duhet të hyjmë në paqe dhe të dalim në paqe (2:191).
- Nuk duhet të bëjmë asgjë që e prish abdesin (2:187, 5:6). Mund t’ju zërë gjumi aty (2:187), por kur të zgjoheni, duhet të dilni jashtë dhe ta merrni abdes përsëri, nëse dëshironi të qëndroni më tej në xhami.
- Nuk duhet të predikojmë (72:18), përveç Predikimit të së Premtes të organizuar nga personi përgjegjës (62:9-11).
- Nuk duhet të përpiqemi t’i konvertojmë njerëzit (72:18), ose të kemi debate, diskutime apo grindje, ose të përfshihemi në biseda private apo në fjalë të kota.
- Nuk duhet të përdorim argëtim si filma, lexim, lajme etj. (62:11).
- Nuk duhet të blejmë e të shesim (62:11).
- Nuk duhet ta përdorim atë kohë për të zënë miqësi me njerëzit (6:70). Mund ta pranoni praninë e tyre me një përshëndetje të thjeshtë, “Selam alejkum (Paqja qoftë mbi ju!)” (6:54).
- Nuk duhet të thërrasim emra të tjerë përveç Zotit (72:18).
- Nuk duhet t’i përgjigjemi asnjë telefonate (72:18).
- Nuk duhet t’i lutemi askujt përveç Zotit (72:18).
- Nuk duhet t’i përdorim telefonat tanë të mençur për gjë tjetër përveç leximit ose dëgjimit të Kuranit me kufje (62:11, 5:48). Kurani mund të lexohet me zë kur nuk i shqetëson të tjerët, por gjatë Ramazanit, të tjerët nuk duhet ta pengojnë leximin e Kuranit.
- Gjatë Ramazanit tërë Kurani lexohet me zë (2:185,187), dhe duhet të jetë në një gjuhë që njerëzit e kuptojnë (14:4).
- Nuk duhet t’i pengojmë të tjerët të hyjnë sepse mund të kenë mendime dhe besime të ndryshme, përveç nëse deklarojnë hapur se nuk besojnë në Zotin apo në Ditën e Fundit (9:17,18).
- Nuk na lejohet të rezervojmë vende për më vonë duke lënë sende aty (72:18, 2:114).
- Nëse na thuhet t’u bëjmë vend të tjerëve për t’u ulur, u bëjmë vend të tjerëve për t’u ulur. Zoti atëherë do të na bëjë vend neve (58:11).
- Nëse përgjegjësit na kërkojnë të ngrihemi dhe të largohemi, ngrihemi dhe largohemi. Zoti do të na ngrejë në një gradë më të lartë (58:11).
- Nëse përgjegjësit vendosin rregulla shtesë të padrejta për xhaminë, mund të zgjidhni të mos hyni, ose mund të zgjidhni të hyni me ato rregulla, por jo nëse ato rregulla kërkojnë që ta ndryshoni mënyrën si e adhuroni Zotin.
Në videon sqaruese, Alban Fejza tregon gjithashtu një shembull ku ai shkon në xhami dhe i gjen të tjerët tashmë aty duke u përgatitur për lutjen në grup.
Kur hyni, kontrolloni nëse po i bëjnë lëvizjet së bashku njëkohësisht. Nëse nuk po i bëjnë, thjesht uleni dhe nuk u bashkoheni atyre në lutje. Ajo lutje nuk është nga Kurani (2:43, 3:43). Kurani e përshkruan Lutjen e obligueshme të Kontaktit si një lutje ku të gjithë besimtarët përkulen dhe përulen në të njëjtën kohë. Gjithashtu, nëse vetëm një person duket se po e bën Lutjen e Kontaktit, nuk i bashkoheni atij, por nëse dy apo më shumë njerëz duket se po e bëjnë lutjen e kontaktit së bashku njëkohësisht, dhe ju nuk e keni bërë lutjen e kontaktit, duhet t’u bashkoheni. Nuk mund të zgjidhni ta bëni veçmas në atë rast (2:43, 3:43). Nëse duhet thjesht të prisni, mund të uleni, ta përkujtoni Zotin në heshtje, ose madje ta përdorni telefonin tuaj të mençur për ta lexuar Kuranin në çfarëdo gjuhe që kuptoni. Dhe kur të gjithë njerëzit ngrihen së bashku për ta bërë Lutjen e Kontaktit, duhet t’u bashkoheni (7:29-30, 4:88, 4:142, 5:2, 3:113), sepse Kurani ju urdhëron të qëndroni në këmbë kur ata qëndrojnë në këmbë, të përkuleni kur ata përkulen, të përuleni kur ata përulen, dhe të uleni kur ata ulen (2:43, 3:43). Gjatë Lutjes së Kontaktit, duhet ta ndjekim të njëjtën Kibël (drejtimin e lutjes) si udhëheqësi i lutjes (4:59), edhe nëse drejtimi i tij nuk është krejtësisht drejt Xhamisë së Shenjtë (2:177), sepse nuk ekziston drejtim i gabuar për ta adhuruar Zotin. Ka vetëm drejtime të mira dhe më të mira (2:144). Zotit i përket lindja dhe perëndimi (2:115, 2:142). Edhe pse udhëheqësi i lutjes nuk supozohet të recitojë sure shtesë të Kuranit përveç Sures 1 gjatë Lutjes së Kontaktit, nëse e bën këtë, nuk ju lejohet ta kundërshtoni, sepse kur recitohet Kurani, duhet të dëgjoni (7:204). Nuk jeni përgjegjës për fjalët e të tjerëve (6:52). Jeni përgjegjës për lëvizjet tuaja gjatë lutjes në grup (2:43, 3:43). Kur vjen fundi i Lutjes së Kontaktit dhe ata thonë Selam, duhet t’ua ktheni përshëndetjen, të paktën në masë të barabartë (4:86). Pas Selamit, mund të largoheni menjëherë, edhe nëse të tjerët qëndrojnë më gjatë (3:149). Nuk jeni të obliguar të merrni pjesë në asnjë ritual tjetër me ta (28:55). Vetëm pesë Lutjet e obligueshme të Kontaktit mund të jenë ritual në grup në xhami.
Pra, këto ishin rregullat e xhamive. Megjithatë, mund të zgjidhni prapë të mos shkoni atje për arsye praktike. Për shembull, disa xhami nuk mirëmbahen si duhet, disa prej tyre mund të kenë erë të keqe, disa prej tyre janë të mbyllura, disa prej tyre janë shumë larg, dhe në disa raste thjesht mund të mos jetë praktike.
Një vend adhurimi bëhet i obligueshëm për ju vetëm nëse është brenda distancës 10 km (2:203) për të udhëtuar, është mesditë e së Premtes (62:9) dhe përgjegjësit e tij janë besimtarë që besojnë në të gjithë të dërguarit e Zotit (62:9, 4:144, 5:56).
Gjithashtu, natyrisht, vizita në Xhaminë e Shenjtë është e obligueshme një herë në jetën tuaj, nëse nuk pengoheni (2:196). Në të gjitha rastet e tjera, vizita e vendeve të lejuara të adhurimit është opsionale.
Tani, gjithçka që thamë deri tani, folëm vetëm për vende të vërteta adhurimi, vende që kanë vetëm Zotin si pronar. Vendet e improvizuara si vendet brenda aeroporteve, si pjesë e një universiteti, brenda kompanive, pronat me qira etj., asnjë nga këto vende nuk është vend adhurimi, sepse kanë pronarë të tjerë përveç Zotit (72:18). Mund t’i përdorni për lutje nëse ju përshtaten, por duhet ta dini se ato nuk janë vende adhurimi, dhe vlejnë rregullat e pronarëve të tyre, jo domosdo rregullat e kësaj videoje. Ato në të vërtetë nuk përfaqësojnë asnjë fe, pavarësisht se çka mund të thotë tabela në derë. Pra, për shembull, nëse shihni një tabelë në derë brenda aeroportit që thotë “Xhami”, duhet ta dini se jeni ende në aeroport. Nuk jeni në xhami. Një xhami nuk mund t’u përkasë njerëzve dhe Zotit njëkohësisht. Për Lutjen e së Premtes, nëse nuk keni afër një vend të vërtetë adhurimi që mirëmbahet nga besimtarët, mund ta përdorni një vend adhurimi të improvizuar, por jo nëse personi që e udhëheq Lutjen e së Premtes nuk beson në të gjithë të dërguarit e Zotit. Sidoqoftë, ngritja e vendeve të reja të vërteta të adhurimit është zgjidhja më e mirë, dhe e vetmja mënyrë për të pasur një bashkësi të përhershme të të Nënshtruarve. Në videon tjetër sqaruese të titulluar “Zeqati ndëshkues”, mund të mësoni cila është e vetmja mënyrë e duhur për t’i mbledhur dhe përdorur financat për ngritjen e vendeve të reja të adhurimit që i përkasin vetëm Zotit.