Përmbledhje:
Në këtë video sqaruese, Alban Fejza shpjegon nëse dhe si duhet të organizohet feja, historinë e fesë së organizuar që nga Moisiu, strukturën e vetme të autorizuar të mbretit, të dërguarit dhe të Nënshtruarve, si duhet të rrjedhin komunikimi dhe financat, dhe si t’i bashkoheni një feje të organizuar drejt.
Transkripti i videos:
Përmbledhje
Në këtë video, u përgjigjem pyetjeve të mëposhtme:
- A duhet të organizohet feja?
- Nëse po, pse dhe sa?
- Cila është e vetmja formë e autorizuar e fesë së organizuar në këtë botë?
- Çfarë strukture duhet të ketë një organizatë e tillë?
- Cilat janë kanalet e duhura të komunikimit ndërmjet atyre njerëzve?
- Si rrjedhin financat në atë organizatë?
- Kush, çka, ku, kur dhe si duhet bërë?
- Dhe, si t’i bashkoheni një feje të organizuar drejt?
Por së pari, më lejoni t’ju jap një histori të shkurtër të fesë së organizuar.
Sfondi
Zoti e dërgoi fenë përmes Ibrahimit, por fenë e organizuar e dërgoi përmes Moisiut. Pra, hera e parë në histori që feja e organizuar u vendos drejt ishte në kohën e Moisiut, dhe kjo zgjati deri pas Harunit dhe 70 Gjykatësve, kur Fëmijët e Izraelit e humbën Arkën e Besëlidhjes. Hera e dytë që feja e organizuar u vendos drejt ishte në kohën e Davidit, dhe kjo zgjati deri pas Solomonit, kur Mbretëria e Izraelit u nda në dy mbretëri. Hera e tretë që feja e organizuar u vendos drejt ishte në kohën e Apostujve të Jezusit, dhe kjo zgjati deri pas vdekjes së tyre, kur njerëzit filluan ta quanin veten ‘të Krishterë’. Hera e katërt që feja e organizuar u vendos drejt ishte kur Muhamedi emigroi në Medinë, dhe kjo zgjati disa dekada deri në Betejën e Qerbelasë, kur myslimanët u ndanë në dy fraksione. Meqë ra fjala, Zoti dërgoi shumë të dërguar të tjerë në të kaluarën, por ata nuk e organizuan fenë. Nuk e organizuan sepse detyra e tyre ishte së pari t’i demaskonin fetë e rreme, dhe para se të fitonin një numër të mjaftueshëm besimtarësh për ta organizuar fenë e vërtetë, u refuzuan. Pra, në tërë historinë e botës, kishte vetëm katër raste me rrethanat e duhura për ta vendosur fenë e organizuar drejt me autorizimin e Zotit. Dhe tani ka ardhur koha për rastin e pestë, dhe këtë herë do të zgjasë deri në Fundin e botës. Megjithatë, më lejoni të sqaroj se nuk po flas për organizimin e të gjitha aspekteve të fesë. Feja do të mbetet kryesisht një përpjekje individuale, një stil jetese personal. Po flas vetëm për organizimin e aspekteve publike të fesë, vetëm të asaj që domosdo ndahet, dhe të asaj që u sjell dobi të gjithëve. Pra, si e ngremë një fe të organizuar drejt? Çfarë sistemi politik duhet të ketë feja e organizuar?
Sistemi politik
Sistemi politik i një feje të organizuar si duhet nuk është demokraci, as komunizëm, as autokraci, as republikë, as biznes, as korporatë, as partneritet, dhe as OJQ. Këto sisteme funksionojnë edhe kur njerëzit janë mosbesimtarë. Sistemi politik i saktë duhet të dështojë automatikisht kur njerëzit janë mosbesimtarë, dhe duhet të funksionojë vetëm kur njerëzit janë besimtarë. I vetmi sistem politik që ka sukses vetëm kur njerëzit janë besimtarë është një ushtri paqësore fetare. Kjo ushtri fetare do të jetë pa armë, sepse ne paguajmë tatime, kështu që le ta bëjë policia punën e saj. Unë kurrë nuk do të përdor apo të autorizoj armë për qëllime fetare. E di se Zoti i lejon armët në përgjithësi, por ato janë të padobishme për qëllime fetare në rrethana demokratike. Pra, sistemi politik i një feje të organizuar drejt sot i ngjan një ushtrie pa armë, dhe si e tillë, ka një hierarki nga lart poshtë.
Struktura hierarkike
Tani, më lejoni t’jua tregoj strukturën hierarkike të një feje të organizuar si duhet. I shikova të gjitha pozitat hierarkike të përmendura në Kuran, dhe ja ku janë:
- Mbret (Melik).
- Profet (Nebi).
- I dërguar (Resul).
- Pasardhës (Halife).
- Drejtor/dikush përgjegjës (Emir).
- Kujdestar/Mbrojtës (Veli).
- Dijetar (Alim).
- Mësues (Mulla).
- Udhëheqës (Imam).
- I Nënshtruar (Muslim).
- I Nënshtruar i varur (Abd).
Pra, këto janë të gjitha pozitat e përmendura në Kuran, por a vlejnë të gjitha në rrethanat e sotme?
Le ta shohim:
- Profet? – Nuk ka më profetë sot – Muhamedi ishte profeti i fundit – kështu që le ta heqim atë pozitë. Kjo nuk është më pozitë aktive.
- Halife? – Halifeja është pozitë politike. Ajo është zëvendësuar nga Presidentët, Kryeministrat dhe Deputetët e Parlamentit. Le ta heqim atë.
- Kujdestar? Kjo vlen vetëm nëse sundoni mbi Mekën, gjë që ne nuk e bëjmë sot. Pra, le ta heqim atë.
- Dijetar (Alim)? – i zëvendësuar nga shkencëtarët. Le ta heqim atë.
- Mësues (Mulla)? – I zëvendësuar nga profesorët dhe mësuesit e shkollave. Le ta heqim atë.
- Udhëheqës? – Në të vërtetë, kjo nuk është vërtet një pozitë formale. Kushdo mund të udhëheqë jozyrtarisht. Kurani thotë se jemi udhëheqës të fëmijëve tanë. Imam do të thotë thjesht ‘i pari’. Sa herë që ndodh ta udhëheqni lutjen e kontaktit jeni udhëheqës, por sapo të përfundojë, nuk jeni më. Mund të jeni udhëheqës edhe kur nuk ka struktura organizative. Është përshkrim i një veprimi të përkohshëm. Pra, le ta heqim atë.
Tani, na mbeten vetëm këto pesë pozita:
- Mbreti
- I dërguari
- Drejtori
- I Nënshtruari
- dhe i Nënshtruari i varur
Pra, le t’i përshkruajmë këto pozita:
- Mbreti është Zoti.
- I dërguari është Kurani, ose një qenie njerëzore e autorizuar nga Zoti për ta promovuar Kuranin.
- Drejtorët, ose më saktë, Drejtorët e kongregacioneve, janë të Nënshtruar që caktohen përgjegjës për një kongregacion lokal brenda një qyteti, dhe autoriteti i tyre është i kufizuar vetëm në aspektet kolektive fetare, por ata nuk kanë autoritet mbi jetët individuale, besimet dhe mendimet e të Nënshtruarve. Ata caktohen përmes një sistemi të dhënë nga Zoti të rekomanduar në Kuran, i cili merr parasysh cilësi si dija kuranore, përvoja jetësore në bamirësi dhe suksesi në promovimin e lajmit.
- Të Nënshtruarit janë njerëz që e zbatojnë Lutjen e Kontaktit dhe e japin Bamirësinë e obligueshme.
- Të Nënshtruarit e varur janë të Nënshtruar që nuk janë në gjendje t’i bashkohen organizatës drejtpërdrejt për arsye si vështirësitë gjuhësore, vështirësitë me internetin, njerëzit nën moshën 18 vjeç, njerëzit me vështirësi serioze shëndetësore apo mendore, ose çdo vështirësi e ngjashme. Ata komunikojnë me organizatën fetare përmes një të Nënshtruari tjetër, por jo drejtpërdrejt.
Pra, ja si duket struktura hierarkike:

Pra, siç mund ta shihni, kjo strukturë hierarkike duket si tullat në një mur, dhe pikërisht kështu e quan Zoti në Kuran – tulla në një mur.
Takimet
Kriteri i parë që e bën një fe të organizuar fenë e saktë janë takimet e saj – koha e takimeve, qëllimi i takimeve dhe vendi i takimeve. I vetmi takim i autorizuar i urdhëruar për të Nënshtruarit është Lutja kongregacionale e së Premtes. Uniteti i të Nënshtruarve ndodh përmes Lutjes kongregacionale të së Premtes. Mos lejoni që njerëzit t’ju mashtrojnë duke ju premtuar unitet përmes mjeteve të tjera. Zoti nuk na specifikoi asnjë takim tjetër. Nëse njerëzit ju ftojnë në tubime të tjera, ose takime të tjera, konferenca të tjera, ato janë thjesht shpërqendrime. Në Ditën e Gjykimit, do të ketë një listë pyetjesh për të cilat do të pyeteni, dhe njëra prej tyre do të jetë, “A more pjesë në Lutjen e së Premtes?” Nuk ka asgjë aty në atë listë që do t’ju pyesë, “A shkove në atë studim kuranor të së Shtunës, apo a shkove në atë konferencë vjetore, apo a shkove në atë takim fetar mujor?” Ato nuk do të jenë pika në regjistrin tuaj. Ato janë thjesht shpërqendrime të parëndësishme. Kurani thotë se nuk ka asgjë të mirë në konferencat e tjera fetare, përveç atyre me qëllim mbledhjen e bamirësisë, ose punët e drejta, ose bërjen e paqes mes njerëzve. Disa njerëz të tjerë mendojnë se mund të jeni i Nënshtruar duke kaluar kohë me të Nënshtruar të tjerë gjatë të Shtunave (zakonisht kur nuk duhet të shkojnë në punë). E Shtuna nuk është zëvendësim për Lutjet e obligueshme të së Premtes. Në fakt, parashikimi i Zotit në strofën 16:124 është se ata që takohen të Shtunave, si takim fetar, gjithmonë do të përfundojnë duke u grindur me njëri-tjetrin. I vetmi takim i autorizuar në të cilin marrim pjesë është Lutja kongregacionale e së Premtes, dhe kështu organizohemi. Organizimi në kauzën e Zotit është pjesëmarrja në Lutjen kongregacionale të së Premtes. Pra, kur bëhet thirrja për lutje, Kurani na thotë të nxitojmë për përkujtimin e Zotit, dhe përkujtimi i Zotit ndodh në xhamitë e Zotit. Po flas vetëm për ato xhami ku përkujtohet vetëm Zoti, pa përkujtuar askënd tjetër në to. Nëse nuk ka një xhami të tillë afër vendndodhjes suaj, unë jua siguroj predikimet e së Premtes online, përkohësisht. Ju jap arsyetimin e hollësishëm fetar për lejen për ta bërë online në një video tjetër, por pika kryesore që po e bëj këtu është se nëse jeni besimtar, kurrë nuk do ta gjeni veten në një situatë ku nuk mund të merrni pjesë në Lutjen e së Premtes. Pra, tani që feja është organizuar si duhet, Lutjet e së Premtes do të jenë gjithmonë në dispozicion për ju, të paktën online, në mos në vend. Prandaj, pjesëmarrja në Predikimet e së Premtes është e obligueshme dhe e mundshme për çdo të Nënshtruar, kudo në botë. Dhe nuk ka rëndësi sa të zënë mendoni se jeni, apo çfarëdo mundësie mendoni se po humbni, apo nëse shefit tuaj mund të mos i pëlqejë, apo çfarëdo frikërash të paarsyeshme që mund të keni. Ajo që Zoti ju siguron është shumë më e mirë se çdo biznes apo argëtim që mund të jeni duke ndjekur.
Bamirësia e obligueshme
Kriteri i dytë që e bën një fe të organizuar të saktë është rrjedha e saktë financiare – bamirësia. Kush e jep? Kush e merr? Kush e mbledh dhe e shpërndan? Kur? Sa? Nëse kjo bëhet drejt, atëherë kemi fenë e saktë të organizuar – i përkasim bashkësisë së saktë. Bamirësia është bashkësi, dhe bashkësia është bamirësi. Kushdo që mendon se mund ta organizojë një bashkësi pa bamirësi të organizuar e ka mashtruar veten. Një organizatë morale nuk ekziston pa bamirësi.
Shumë shembuj në Kuran e mbështesin idenë e bamirësisë KOLEKTIVE. Për shembull, Kurani përmend se si disa njerëz në bashkësi e kritikonin shpërndarjen e bamirësisë nga Muhamedi nëse nuk u jepej prej saj, por nëse u jepej prej saj, do të ishin të kënaqur. Në një rast tjetër, përmend se si disa prej tyre në të vërtetë u lëshonin mbledhësve të bamirësisë një dëftesë premtimi për ta paguar më vonë, sepse ndoshta nuk i kishin me vete për momentin drithërat dhe kafshët. Në një rast tjetër, Zoti na informon se si njerëzit përgjegjës e zbatonin me detyrim Zeqatin në bashkësi, kur dikush bëhej i pakujdesshëm, dhe si të Nënshtruarit ishin në gjendje t’i identifikonin aleatët e tyre bazuar në atë se kush e dha bamirësinë kolektive, sepse ishte një gjë publike e organizuar.
Arsyeja kryesore për organizimin e një feje është kur pastërtia e bashkësisë rrezikohet nga brenda. Moisiu nuk e organizoi për sa kohë që armiku i tij ishte armik i jashtëm – Faraoni. Por pasi Fëmijët e Izraelit u çliruan, kur u zhvendosën në shkretëtirë, armiku i tyre ishte brenda, dhe Moisiu e organizoi fenë me Arkën e Besëlidhjes, Tabernakullin dhe të Shtunën, për ta siguruar pastërtinë e bashkësisë. Ngjashëm, gjatë kohës së Muhamedit, vetëm pasi u zhvendosën në Medinë, e organizuan bashkësinë, sepse shumë fise që ndiqnin interesat e tyre u bashkuan dhe e rrezikuan pastërtinë e bashkësisë. Ngjashëm, gjatë kohës sonë, pastërtia e bashkësisë po rrezikohet nga brenda nga njerëz injorantë. Dhe ata janë pikërisht ata që u organizuan gabimisht dhe parakohe. Ata provuan shumë struktura organizative. Provuan grupe në rrjetet sociale, shoqëri gjysmë të fshehta, lëvizje shoqërore, xhami të shtirura, rrathë miqësie, konferenca trashëgimie, grupe të filozofisë kuranore, OJQ, lëvizje liberale, grupe urrejtjeje, grupe blogerësh dhe shumë qasje të tjera për t’u organizuar. Të gjitha kishin më shumë probleme se njerëz. Të gjitha kishin diçka të përbashkët. Asnjëra prej tyre nuk e mblodhi dhe nuk e shpërndau Bamirësinë e obligueshme, dhe ky është organizim i keq. Nëse një stil organizimi nuk bazohet në atë se si na thotë Kurani të organizohemi, atëherë natyrisht do të shkaktojë probleme, ose nuk do të përparojë fare. Zoti thotë se bashkësia e të Nënshtruarve është një bashkësi, dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes një procesi të bashkuar të bamirësisë. Bamirësi e bashkuar do të thotë bashkësi e bashkuar.
Pra, edhe pse nuk ishte plani im ta organizoja fenë, tani e organizova sepse ajo tashmë ishte organizuar keq. Në këtë mënyrë, në të vërtetë nuk po ju vë asnjë barrë. Në të vërtetë Zoti po jua heq barrën e keqe. Kjo është arsyeja pse unë po e organizoj dhe Rashad Khalifa nuk e organizoi. Dallimi ndërmjet Rashadit dhe meje është si dallimi ndërmjet Ibrahimit dhe Moisiut. Ibrahimi e solli fenë, por Moisiu e organizoi. Ibrahimi i mësoi njerëzit si ta japin bamirësinë e obligueshme, por Moisiu i mësoi njerëzit si ta mbledhin dhe ta shpërndajnë bamirësinë. Ibrahimi i mësoi njerëzit si të luten, por Moisiu i mësoi njerëzit si të luten së bashku. Një individ pastrohet përmes ritualeve të Ibrahimit, por një bashkësi pastrohet përmes ritualeve të Moisiut. Natyrisht, të gjithë e ndjekim të njëjtën fe, dhe feja nuk ndryshoi, por ndryshuan rrethanat, dhe rrethanat e reja nuk kërkojnë thjesht fe, ato kërkojnë fe të organizuar. Dallimi në rrethana është se Ibrahimi nuk pati të bënte me organizatorë injorantë të fesë së vërtetë, ndërsa Moisiu pati të bënte me organizatorë injorantë të fesë së vërtetë. Pra, feja e organizuar nuk kishte kuptim për Ibrahimin, por kishte kuptim për Moisiun. Nuk kishte kuptim për Rashadin, por ka kuptim për mua.
Dikush mund të thotë, “Por a nuk do të ishte më mirë sikur thjesht ta jepnim Bamirësinë e obligueshme individualisht te familjet dhe të afërmit tanë, sepse e dimë më mirë kush ka vërtet nevojë?” Mirë, jo në këtë rast, sepse varfëria është kryesisht gjendje e tërë familjes ose e të gjithë të afërmve. Nëse do t’u jepnim thjesht drejtpërdrejt familjeve dhe të afërmve tanë, atëherë njerëzit e pasur zakonisht do t’u jepnin familjeve të tyre të pasura dhe njerëzit e varfër zakonisht do t’u jepnin familjeve të varfëra, dhe prapë do të kishte familje të tëra që janë të varfëra, dhe Zoti thotë në strofën 59:7 se kjo nuk është mënyra më e mirë për t’i shpërndarë bamirësitë. Nuk mjafton që paratë thjesht të qarkullojnë brenda një klase shoqërore. Ato duhet të kalojnë gjithashtu nga një klasë shoqërore te tjetra. Gjithashtu, Bamirësia e obligueshme nuk ka të bëjë vetëm me lehtësimin e varfërisë. Ka të bëjë gjithashtu me krijimin e asaj lidhjeje, atij besimi në bashkësi, përmes dhënies dhe marrjes. Dua të them, uniteti mund të arrihet vetëm përmes dashurisë, dhe një nga shenjat e dashurisë është shkëmbimi i gjërave materiale, dhe kjo është ajo që duhet të bëjmë.
Kush jemi ne?
Emri i fesë sonë është Nënshtrimi, dhe ne jemi të Nënshtruar. Kurani thotë se e vetmja fe e aprovuar nga Zoti është Nënshtrimi. Nëse doni ta dini se kush na përket dhe kush nuk na përket, së pari duhet ta dini se çka e përkufizon grupin tonë. Ne nuk e përkufizojmë veten bazuar në shkrimin e përbashkët, si kishat protestante dhe organizatat kuraniste, ose bazuar në udhëheqjen e përbashkët, si Kisha Katolike dhe organizatat shiite, ose bazuar në traditën e përbashkët, si sunnitët dhe Kishat Ortodokse, ose bazuar në përkatësinë etnike të përbashkët, si organizatat jahudie. Nuk e përkufizojmë veten bazuar në kombësinë e përbashkët si Kisha Ortodokse Ruse, ose Kungimi Anglikan, ose Dijaneti turk, ose Ministria Egjiptiane e Vakëfeve, ose Drejtoria Shpirtërore Myslimane e Uzbekistanit, ose Kisha Ungjillore e Gjermanisë, ose Ministria Saudite e Çështjeve Islame. Gjithashtu nuk e përkufizojmë veten bazuar në pikëpamjet politike, si myslimanët progresistë ose të krishterët liberalë, ose e djathta e krishterë, ose islamistët. Gjithashtu nuk e përkufizojmë veten bazuar në doktrinën e përbashkët, si Kisha Baptiste ose Kisha Metodiste, ose Kisha e Adventistëve të Ditës së Shtatë. Nuk e përkufizojmë veten as bazuar në besimin e përbashkët. Nuk e quajmë veten ‘besimtarë’. Kurani na thotë të mos e bëjmë këtë.
Tani, më lejoni t’ju tregoj mbi çka e përkufizojmë veten. E përkufizojmë veten bazuar në adhurimin e përbashkët. Ky është i vetmi kriter që ka kuptim për ta përkufizuar një organizatë fetare, sepse Zoti thotë në Kuran, “Nuk i krijova njerëzit përveçse për të Më adhuruar,” për ta adhuruar Zotin. Dhe nëse keni një mënyrë të përbashkët të adhurimit të Zotit, si ne, atëherë nuk keni absolutisht asnjë arsye të përçaheni, dhe jeni me ne.
Pra, nëse doni ta dini nëse dikush i përket grupit tonë, duhet t’i bëni tri pyetje:
- Kë adhuron?
- Kur adhuron?
- Si adhuron?
Nëse të gjitha përgjigjet janë të njëjta si tonat, atëherë i përkasim të njëjtit grup. Nëse ai thotë, “E adhuroj Zotin. E adhuroj Atë në Agim, Mesditë, Pasdite, Mbrëmje dhe Natë. E adhuroj Atë saktësisht si e adhuroi Ibrahimi.” Atëherë, ai i përket grupit tonë. Adhurojmë së bashku. Harrojeni përçarjen, edhe nëse doktrina e tij fetare është ndryshe, edhe nëse ka besime të çuditshme, edhe nëse keni pikëpamje të ndryshme politike, edhe nëse e kupton Kuranin ndryshe. Shihni, nëse ka besime të gabuara, e ka gabim. Por ne nuk e përkufizojmë grupin tonë bazuar në besim. E përkufizojmë grupin tonë bazuar në adhurim. Nënshtrimi është formë adhurimi, jo formë besimi. Besimi është ndërmjet tij dhe Zotit, dhe nuk është pjesë e Fesë së organizuar. Kjo duhet të shërbejë gjithashtu si shpjegim për të Krishterët që i kritikojnë myslimanët se kanë lutje të caktuara. Ata thonë, “Pse nuk mund të lutemi si të duam, me zemrën tonë?” Mirë, nëse do të bëni ski, bëni ski si të doni. Por nëse do të luani futboll, duhet të koordinoheni me ekipin. Futbolli është sport ekipor, dhe Lutjet e Kontaktit janë adhurim ekipor – adhurim i Zotit së bashku. Mund ta keni ende adhurimin tuaj personal të Zotit, ashtu siç ndjeni, por ai nuk është pjesë e Fesë së organizuar. Dhe kjo është ajo që të Krishterët nuk e kuptojnë. Ata mendojnë se Jezusi i përditësoi, i ndryshoi apo ndoshta i anuloi rregullat e Moisiut. Por realiteti është se Moisiu solli Fenë e organizuar, ndërsa Jezusi predikoi shpëtimin individual. Dua të them, pse do ta predikonte Jezusi fenë e organizuar, kur Zoti kishte vendosur t’ua merrte Jahudive fenë e organizuar, dhe pse do ta predikonte Moisiu shpëtimin individual, kur Zoti kishte vendosur t’i shpëtonte Fëmijët e Izraelit të gjithë së bashku si grup? Pra, natyrisht ajo që predikoi Moisiu dhe ajo që predikoi Jezusi duken ndryshe, sepse ata u morën me dy aspekte të ndryshme të fesë. Njëri prej tyre u mor me aspektin kolektiv publik, tjetri u mor me aspektet individuale. Në këtë video, përqendrohem te aspektet kolektive – feja e organizuar.
Pra, Lutja e Kontaktit, një formë e caktuar e adhurimit të organizuar të Zotit, është gjysma e adhurimit kolektiv. Gjysma tjetër e adhurimit kolektiv është Bamirësia kolektive e obligueshme – Zeqati. Nëse dikush e bën Lutjen e Kontaktit, por nuk pranon ta japë Bamirësinë e obligueshme KOLEKTIVE, prej tani e tutje ai është gjysmë i Nënshtruar, i Nënshtruar përçarës, i Nënshtruar i dobët, i Nënshtruar injorant, i Nënshtruar frikacak, i Nënshtruar koprrac, i Nënshtruar egoist dhe i Nënshtruar që nuk mbështet.
Anëtarësia
Për të qenë anëtar i kësaj organizate fetare, nuk keni nevojë ta ndërroni emrin tuaj, as të pagëzoheni, as të bëni synet, as ta zhbëni synetin, as ta deklaroni besimin tuaj në ndonjë të dërguar, as ta deklaroni mosbesimin tuaj në ndonjë të dërguar, as të deklaroni ndonjë lloj besimi. Besimi juaj është ndërmjet jush dhe Zotit. Nuk keni nevojë t’i bashkoheni ndonjë aplikacioni, as ndonjë grupi në rrjetet sociale, as ta deklaroni besnikërinë tuaj ndaj ndokujt. Për të qenë anëtar i kësaj organizate, sipas Kuranit, ju duhet vetëm t’i përmbushni dy kërkesa:
- Ta zbatoni Lutjen e Kontaktit, dhe
- Ta jepni Bamirësinë kolektive të obligueshme.
Tani, meqë këto janë rituale fetare kolektive, jeni përgjegjës t’i bëni dhe t’u vërtetoni të tjerëve se i bëni. U vërtetoni të tjerëve se e bëni Lutjen e Kontaktit duke marrë pjesë në Lutjen kongregacionale të së Premtes një herë në javë, dhe u vërtetoni të tjerëve se e jepni Bamirësinë e obligueshme në mënyrë që të Nënshtruarit e tjerë ta shohin se u përkisni atyre. Pra, nëse i bëni këto dy, jeni brenda. Nëse nuk i bëni këto dy, jeni jashtë. Moisiu dhe Muhamedi e përjashtuan këdo që nuk e jepte Bamirësinë kolektive të obligueshme dhe nuk e bënte Lutjen e Kontaktit. Nga ana tjetër, Moisiu dhe Muhamedi nuk e përjashtuan askënd nga bashkësia për shkak se kishte mendime të gabuara, por Zoti do t’i përjashtojë ata në Ditën e Fundit. Natyrisht, nëse jeni brenda dhe bëni vepra të këqija, do t’ju bëjmë presion ta paguani një kompensim me drejtësi. Megjithatë, nëse nuk i bëni këto dy, përjashtoheni, pavarësisht se sa të mirë jeni. Thjesht. Këta janë dy ritualet fetare që përcaktojnë kush është pjesë e bashkësisë dhe kush nuk është pjesë e bashkësisë. Asnjë njeri nuk duhet ta ketë të drejtën të vendosë kush hyn dhe kush përjashtohet. Kjo përcaktohet vetëm bazuar në këto dy rituale fetare. Dhe kjo është shumë e qartë në Kuran.
Kapitulli 9, strofa 11 thotë – dhe kjo është strofa kryesore e kësaj videoje – Ajo thotë:
“Nëse pendohen dhe (1) e zbatojnë Salatin (Lutjet e Kontaktit) dhe (2) e japin Zeqatin (Bamirësinë kolektive të obligueshme), atëherë ata janë vëllezërit tuaj në fe. Kështu i shpjegojmë shpalljet për njerëz që dinë.”
Pra, feja e organizuar është dy gjëra:
- Pjesëmarrja në Xhuma KOLEKTIVISHT dhe
- Dhënia e Zeqatit KOLEKTIVISHT.
Mos lejoni që dikush t’ju mashtrojë me ndonjë gjë tjetër të organizuar, pavarësisht sa premtuese që duket. Përsëri, mbani mend, nëse dëshironi t’i bashkoheni fesë së organizuar si duhet, ja çka do të thotë, ja çka pranoni ta bëni së bashku: Xhuma, Zeqat; Xhuma, Zeqat; Xhuma, Zeqat; Xhuma, Zeqat. Kaq. Asgjë tjetër. Pjesa tjetër e aspekteve fetare, si agjërimi dhe Haxhi, janë personale. Janë të obligueshme, por personale. Janë pjesë e fesë, por jo pjesë e Fesë së organizuar, prandaj i gjejmë të përmendura veçmas në Kuran, ndërsa Salati dhe Zeqati përmenden pothuajse gjithmonë së bashku.
Pse duhet të organizoheni me ne?
Duhet të organizoheni me ne sepse Zoti ju urdhëron të organizoheni. Ja çka thotë Zoti në Kuran:
“O ju që besuat, kur ju thuhet, ‘Organizohuni në kauzën e ZOTIT,’ pse lidheni rëndë pas gjërave materiale? A e keni zgjedhur këtë jetë të kësaj bote në vend të Përjetësisë? Materialet e kësaj bote, krahasuar me Përjetësinë, janë asgjë.” (9:38)
“Nëse nuk organizoheni, Ai do t’ju dënojë me ndëshkim të dhembshëm dhe do t’ju zëvendësojë me njerëz të tjerë…” (9:39)
“Duhet të organizoheni me gatishmëri, të lehtë apo të rëndë, dhe të përpiqeni me paratë tuaja (bamirësinë kolektive) dhe me jetët tuaja (lutjen kolektive) në kauzën e ZOTIT. Kjo është më mirë për ju, sikur ta dinit.” (9:41)
Klikoni këtu për t’u bashkuar me ne.