[search-in-place-form in_current_page="1"]

Kush ishte Rashad Khalifa?

Biografia zyrtare

Përmbledhje:

Kjo biografi zyrtare e përshkruan jetën e hershme të Rashad Khalifës në Egjipt, emigrimin e tij në Shtetet e Bashkuara dhe doktoraturën në biokimi, zbulimin e tij të mrekullisë matematikore të Kuranit, doktrinën e vetëm Kuranit, shpalljen e tij si i Dërguari i Besëlidhjes, martirizimin e tij në vitin 1990 dhe pasojat e tij.

Transkripti i videos:

Jeta e hershme

I lindur në Egjipt në vitin 1935, Rashad Khalifa u rrit dhe studioi në Egjipt, e më vonë emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku e fitoi doktoraturën në biokimi. Khalifa u bë shtetas i natyralizuar i SHBA-së dhe u vendos në Tucson, Arizona.

Zbulimi i mrekullisë matematikore të Kuranit

Duke qenë i pakënaqur me mënyrën si përkthimet anglisht të Kuranit të asaj kohe nuk arrinin ta përcillnin siç duhet thelbin monoteist të Kuranit arabisht, Rashad Khalifa vendosi ta përkthente Kuranin nga arabishtja në anglisht kryesisht për përdorim lokal dhe për familjen e tij. Pasi e përktheu Suren e parë, u ballafaqua me sfidën e përkthimit të strofës së parë të Sures së dytë. Kjo strofë përmban vetëm tri shkronja misterioze “Elif, Lam, Mim”. Që nga zbulimi i Kuranit, për 14 shekuj, dijetarët nuk e dinin kuptimin e këtyre shkronjave misterioze, prandaj i lanë të papërkthyera në anglisht. Rashadi kishte vendosur të mos vazhdonte më tej me përkthimin përveç nëse e kuptonte së pari çfarë do të thonë ato shkronja misterioze.

Kështu i përqendroi sërish përpjekjet e tij në deshifrimin e kuptimit të këtyre shkronjave misterioze, të cilat quhen Inicialet Kuranore. Vendosi ta fuste gjithë Kuranin në kompjuter për të parë nëse ka ndonjë model që ndjekin këto Iniciale Kuranore. Gradualisht, doli në pah një model matematikor, i bazuar në numrin 19. Përfundimisht, provat u grumbulluan aq shumë sa e kuptoi se kishte zbuluar një mrekulli matematikore mbinjerëzore të Kuranit, të cilën e publikoi në vitin 1974. Fitoi popullaritet në Botën Myslimane, ku zbulimi i tij u publikua në disa revista, dhe në disa libra të predikuesve të njohur myslimanë.

Doktrina e vetëm Kuranit

Duke e kuptuar se nga të gjithë librat fetarë që përdorin myslimanët, vetëm Kurani e kishte këtë përbërje matematikore mbinjerëzore, kjo e çoi Rashad Khalifën në përfundimin se libri i vetëm fetar për të cilin mund të jemi të sigurt se është ruajtur, dhe që Zoti garanton se mbrohet, është Kurani, dhe prandaj të gjithë librat e tjerë fetarë, përfshirë librat e Hadithit, të cilët përdoren zakonisht në Botën Myslimane, nuk janë plotësisht të besueshëm. Përveç kësaj, duke qenë se vetë Kurani thotë se Kurani është i plotë në të vërtetë dhe drejtësi, dhe plotësisht i hollësishëm në çështjet fetare, kjo i bën librat e Hadithit fetarisht të panevojshëm. Kjo e shtyu Rashadin ta përqafonte doktrinën e “vetëm Kuranit”, duke deklaruar se vetëm Kurani duhet të përdoret si libër autoritativ për përfundime fetare.

Të qenët i dërguar

Pasi e përvetësoi qëndrimin e vetëm Kuranit, Rashad Khalifa shpejt e kuptoi se Kurani (kur lexohet vetëm, pa u mbështetur në burime të jashtme si Hadithi) në fakt nuk pretendon se Zoti do ta mbajë Fundin e Botës plotësisht të fshehur nga njerëzit. Kurani thotë vetëm se Fundi i Botës do të mbahet i fshehur nga mosbesimtarët, por sa u përket besimtarëve, thotë se do të mbahet “gati i fshehur”, jo plotësisht i fshehur, dhe edhe atëherë, po flet për mbajtjen e tij kryesisht të fshehur nga besimtarët para Muhamedit, dhe gjatë kohës së Muhamedit, por Kurani nuk thotë kurrë se do të jetë i fshehur nga besimtarët pas Muhamedit. Ky kuptim e motivoi ta hetonte kur do të vijë Fundi i Botës, dhe shumë shpejt, Zoti e lejoi ta zbulonte në Kuran kur do të vijë Fundi i Botës. Ky zbulim ndodhi në vitin 1980, dhe e publikoi në librin e tij, “The Computer Speaks“. Ky zbulim automatikisht do të thoshte se Rashad Khalifa duhet të jetë i dërguari i Zotit, bazuar në strofën 27 të Sures 72 të Kuranit, e cila thotë se Zoti ia zbulon ngjarje specifike nga e ardhmja vetëm një të dërguari që e zgjedh. Pra, që nga viti 1980, momenti kur e zbuloi Fundin e Botës, Rashad Khalifa u bë i vetëdijshëm se ishte zgjedhur nga Zoti për të qenë i Dërguari i Besëlidhjes, i cili përmendet në Suren 3, strofa 81. Megjithatë, nuk i informoi njerëzit për këtë deri tetë vjet më vonë, në vitin 1988. Një nga arsyet pse ngurronte ta informonte publikun për këtë është sepse ishte i vetëdijshëm se Bota Myslimane besonte se Muhamedi ishte i dërguari i fundit, bazuar në keqkuptimin e tyre të strofës 40 në Suren 33, e cila thotë se Muhamedi ishte profeti i fundit. Megjithatë, siç ishte plotësisht i vetëdijshëm Rashadi, fjalët “i dërguar (resul)” dhe “profet (nebi)” janë dy fjalë të ndryshme në Kuranin arabisht, dhe Rashad Khalifa nuk pretendoi kurrë se ishte profet siç ishte Muhamedi, apo siç ishte Abrahami, apo siç ishte Moisiu, apo siç ishte Jezusi. Rashad Khalifa pretendoi vetëm se ishte i dërguar, pa qenë profet, gjë që ishin Pjetri, Gjoni dhe Jakobi, sipas Biblës. Vlen të përmendet se pasi Jezusi u largua nga kjo botë, dishepujt e Jezusit, si Pjetri, Gjoni dhe Jakobi, u bënë të dërguar, siç i quan Bibla më vonë pas Jezusit.

Pra, ka dallim midis dikujt si Jezusi, i cili ishte edhe i dërguar edhe profet, dhe atyre që ishin vetëm të dërguar si Pjetri, Gjoni dhe Jakobi. Në mënyrë të ngjashme, ka dallim midis Muhamedit, i cili ishte edhe i dërguar edhe profet, dhe Rashad Khalifës, i cili ishte vetëm i dërguar. Dhe dallimi midis profetëve dhe të dërguarve konfirmohet gjithashtu në Kuran nga fakti se Kurani thotë se profetëve u jepen shkrime të shenjta (libra) nga Zoti, ndërsa të dërguarit vetëm i konfirmojnë shkrimet ekzistuese, librat ekzistues, të cilët janë zbuluar përmes profetëve. Dhe në përputhje me këtë, roli i Rashad Khalifës ishte ta konfirmonte Kuranin ekzistues, dhe t’i vërtetonte matematikisht botës moderne shkencore të ndriçuar se Kurani është vërtet libër nga Zoti, siç vërtetohet nga përbërja e tij matematikore mbinjerëzore e zbuluar.

Doktrina qendrore

Doktrina qendrore e asaj që predikoi Rashad Khalifa është adhurimi i Zotit të vetëm, dhe refuzimi i çdo adhurimi të idhujve, edhe nëse ata idhuj mund të jenë Muhamedi, apo Jezusi, apo Maria, apo Shenjtorët. Kjo pajtohet me atë që thotë Kurani se duhet të predikojë çdo i dërguar. Në Suren 21, strofa 25, na thuhet se Zoti dhe shoqëria qiellore nuk dërguan kurrë asnjë të dërguar përveçse me frymëzimin: “Nuk ka zot tjetër përveç Zotit; do ta adhuroni vetëm Zotin”.

 

Martirizimi

Predikimi i Rashad Khalifës i tërboi shumë udhëheqës fetarë muhamedanë, të cilët kishin frikë në mënyrë të nënvetëdijshme se fama e tij në rritje do t’ia merrte famën profetit të tyre të preferuar, profetit Muhamed. Përkundrazi, Rashad Khalifa pajtohej me gjithçka që predikoi profeti Muhamed – Kuranin. Megjithatë, urrejtja ndaj Rashad Khalifës e shtyu një muhamedan me emrin Glen Francis të udhëtonte deri në Tucson, Arizona, për ta planifikuar vrasjen e Rashadit. Bëri sikur iu bashkua Xhematit ku predikonte Rashadi, që ta analizonte planimetrinë e ndërtesës për mënyra të mundshme të fshehta për ta kryer krimin e tij të paramenduar. Po përdorte një emër të rremë për ta bërë më të vështirë gjetjen e tij pas vrasjes. Në agimin e 31 janarit 1990, Glen Francis e goditi me thikë Rashad Khalifën 29 herë, dhe me lejen e Zotit, Rashad Khalifa iu bashkua mijëra martirëve të tjerë që u martirizuan për besimet e tyre duke u përpjekur në kauzën e Zotit gjatë gjithë historisë. Ata janë gjallë te Zoti i tyre, edhe pse ne nuk mund ta shohim nga këtu poshtë në tokë.

 

Pasojat

Pas Rashadit, ata që i besuan u organizuan përmes të dërguarit të ardhshëm, Alban Fejza. E quajnë veten “nënshtruesit”, që thjesht do të thotë “myslimanët” në arabisht, dhe e ndjekin fenë e vetme të pranuar nga Zoti në Kuran, të quajtur “nënshtrim”. Nënshtruesit janë të paracaktuar të triumfojnë mbi të gjitha grupet e tjera fetare, në këtë botë dhe në tjetrën, siç parashikohet në Kuran.

Për të mësuar më shumë për nënshtruesit ose për t’iu bashkuar atyre në adhurimin e Zotit të vetëm, dhe për të qenë pjesë e fitores përfundimtare, klikoni këtu.