Përmbledhje:
Bazuar në Shtojcën 15 të Përkthimit të Autorizuar Anglisht të Kuranit nga Rashad Khalifa, ky predikim shpjegon se Lutjet e Kontaktit, Zeqati, agjërimi dhe Haxhi janë dhurata nga Zoti që e ushqejnë shpirtin, përshkruan si kryhet secila prej tyre dhe përmend përfitimet e tyre fizike, ekonomike dhe shoqërore.
Transkripti i videos:
Lavdi Zotit! Nuk ka zot tjetër përveç Zotit.
Kur Ibrahimi iu përgjërua Zotit në 14:40, ai nuk kërkoi pasuri apo shëndet; dhurata për të cilën u përgjërua ishte: “Të lutem, o Zot, më bëj njërin që i kryen lutjet e kontaktit (Salatin).” Detyrat fetare të vendosura nga Zoti në fakt janë një dhuratë e madhe prej Tij. Ato e përbëjnë ushqimin e nevojshëm për rritjen dhe zhvillimin e shpirtrave tanë. Pa një ushqim të tillë, nuk mund ta përballojmë energjinë e jashtëzakonshme që shoqëron praninë fizike të Zotit në Ditën e Gjykimit. Besimi në Zotin vetvetiu nuk e garanton shpengimin tonë; duhet t’i ushqejmë edhe shpirtrat tanë (6:158, 10:90-92). Përveç kësaj, strofa 15:99 thotë se kryerja e detyrave fetare të vendosura nga Zoti është mjeti ynë për ta arritur sigurinë. Ajo thotë: “Adhuroje Zotin tënd që ta arrish sigurinë.”
Lutjet e Kontaktit (Salati)
Praktika kryesore e adhurimit, apo detyra fetare, që na erdhi gjatë gjithë rrugës nga Ibrahimi është Lutja e Kontaktit. Mund ta mësoni si ta bëni saktë në videon me titull “Parimet e lutjes myslimane” nga Rashad Khalifa. Dhe ato janë parimet bazë. Alban Fejza jep detaje më konkrete për kohët e tyre në videon e tij sqaruese me titull “Kohët e Lutjeve të Kontaktit.” Gjithashtu, Alban Fejza jep më shumë detaje në një video tjetër për t’ju informuar për përjashtimet në rrethanat tona moderne të jetesës, në qytete, parqe, në punë e kështu me radhë, por nëse doni një mënyrë shumë të shpejtë për ta mësuar, mund ta shikoni Predikimin e së Premtes të Alban Fejzës me titull “Si të bëhesh mysliman për 3 minuta?”
Por ajo që është e rëndësishme të thuhet këtu është se lutjet ditore të kontaktit janë vaktet kryesore për shpirtin. Ndërsa një shpirt mund të arrijë njëfarë rritjeje dhe zhvillimi duke bërë një jetë të drejtë, edhe pa i kryer lutjet e kontaktit, kjo do të ishte si të mbijetosh me meze pa vakte të rregullta.
Gjithashtu, lutja e përbashkët e mesditës së së Premtes është detyrë e detyrueshme për çdo burrë dhe grua të Nënshtruar (62:9). Moskryerja e Lutjes së së Premtes është shkelje e rëndë.
Dëshmia se Salati ishte tashmë i vendosur përmes Ibrahimit gjendet në strofat 8:35, 9:54, 16:123, & 21:73. Kjo detyrë më e rëndësishme në Islam (Nënshtrim) është shtrembëruar aq rëndë sa lutjet e kontaktit (Salati) janë bërë praktikë idhujtarie për shumicën dërrmuese të myslimanëve. Edhe pse Kurani urdhëron që lutjet tona të kontaktit duhet t’i kushtohen vetëm Zotit (20:14; 39:3, 45), myslimanët e sotëm këmbëngulin ta përkujtojnë “Muhamedin dhe familjen e tij” dhe “Ibrahimin dhe familjen e tij” gjatë lutjeve të tyre. Kjo i bën lutjet e tyre të pavlefshme (39:65).
Bamirësia e Obligueshme (Zeqati)
Detyra tjetër fetare është Bamirësia e Obligueshme (Zeqati). Mund të bëhet në dy mënyra, varësisht nëse jeni pjesë e një bashkësie mosbesimtare apo e një bashkësie besimtare. Megjithatë, për shkak të internetit, sot jemi gjithmonë në gjendje të jemi pjesë e një bashkësie besimtare, dhe prandaj opsioni i dytë është ai që duhet ta bëjmë. Dhe unë shpjegoj gjithçka që duhet ta dini për këtë opsion të dytë, i cili në fakt është opsioni kryesor; tradicionalisht ka qenë opsioni kryesor gjatë gjithë historisë që nga koha e Ibrahimit deri tani. Dhe shpjegimin për të gjithë këtë mund ta gjeni nga Kurani, jo nga burime të tjera. Alban Fejza e shpjegon të gjithë këtë nga Kurani në videon sqaruese me titull “Bamirësia e obligueshme (Zeqati)”
Agjërimi
Detyra tjetër fetare është agjërimi. Të gjitha detajet e agjërimit mund t’i gjeni në strofat 2:183-187.
Pelegrinazhi: Haxhi & Umreja
Dhe detyra e fundit fetare është Pelegrinazhi: Haxhi & ‘Umreja. Një herë në jetë, Haxhi dhe ‘Umreja janë të caktuara për ata që e përballojnë. Pelegrinazhi e përkujton nënshtrimin shembullor të Ibrahimit ndaj Zotit, dhe duhet të kryhet gjatë katër Muajve të Shenjtë – Dhul-Hixhxhe, Muharrem, Safer, & Rebiul-Evvel (muaji i 12-të, i 1-rë, i 2-të, i 3-të) (2:197; 9:2, 36). ‘Umreja mund të kryhet në çdo kohë. Ashtu si të gjitha detyrat e tjera në Islam, Haxhi është shtrembëruar. Shumica e myslimanëve e kryejnë Haxhin vetëm gjatë disa ditëve në Dhul-Hixhxhe, dhe i konsiderojnë Rexhebin, Dhul-Kaden, Dhul-Hixhxhen dhe Muharremin (muaji i 7-të, i 11-të, i 12-të, i 1-rë) si Muajt e Shenjtë. Ky është një shtrembërim që dënohet rëndë (9:37).
Pelegrinazhi fillon me një larje apo dush, pasuar nga një gjendje shenjtërie e quajtur “Ihram”, ku pelegrini mashkull vesh pëlhura pa tegela, dhe gruaja vesh një fustan modest (2:196). Gjatë gjithë Haxhit, pelegrini përmbahet nga marrëdhëniet intime, kotësitë si rruajtja dhe prerja e flokëve, grindjet, sjellja e keqe dhe fjalët e këqija (2:197). Pastërtia, larja dhe praktikat e rregullta të higjienës inkurajohen. Me të arritur në Xhaminë e Shenjtë në Mekë, pelegrini ecën rreth Qabes shtatë herë, duke e lartësuar dhe duke e lavdëruar Zotin (2:125, 22:26-29). Formula e zakonshme është: “Lebbejke All-llahumme Lebbejk” (Zoti im, të jam përgjigjur Ty). “Lebbejke La Sherike Leke Lebbejk” (Të jam përgjigjur Ty, dhe shpall se nuk ka zot tjetër përveç Teje; të jam përgjigjur Ty). Hapi i ardhshëm është ta ecësh distancën gjysmë milje mes kodrinave të Safasë dhe Mervesë shtatë herë, me vrapim të lehtë herë pas here (2:158). Kjo e përfundon pjesën e ‘Umres së pelegrinazhit.
Pelegrini pastaj shkon në ‘Arafat për ta kaluar një ditë adhurimi, meditimi dhe lartësimi të Zotit, nga agimi deri në perëndim të diellit (2:198). Pas perëndimit të diellit, pelegrini shkon në Muzdelife ku kryhet Lutja e Natës, dhe mblidhen 21 guralecë për gurëzimin simbolik të Dreqit në Mina. Nga Muzdelifeja, pelegrini shkon në Mina për të kaluar dy apo tri ditë (2:203). Në mëngjesin e parë në Mina, pelegrini flijon një kafshë për t’i ushqyer të varfrit dhe për ta përkujtuar ndërhyrjen e Zotit për t’i shpëtuar Ismailin dhe Ibrahimin nga dredhia e Dreqit (37:107). Ceremonitë e gurëzimit e simbolizojnë refuzimin e politeizmit të Dreqit dhe bëhen duke hedhur shtatë guralecë në secilin nga tri vendet, duke e lartësuar Zotin (15:34). Pelegrini pastaj kthehet në Mekë dhe e kryen tavafin e lamtumirës rreth Qabes shtatë herë.
Fatkeqësisht, shumica e pelegrinëve myslimanë të sotëm e kanë bërë zakon ta vizitojnë varrin e profetit Muhamed në Medinë, ku i kryejnë aktet më flagrante të idhujtarisë dhe kështu e anulojnë Haxhin e tyre. Kurani vazhdimisht flet për “Xhaminë e Shenjtë”, ndërsa myslimanët e sotëm flasin për “Dy Xhamitë e Shenjta”! Në një akt të dukshëm idhujtarie, myslimanët e kanë ngritur varrin e Muhamedit si një tjetër “Xhami të Shenjtë”! Kjo është shkelje blasfemuese e Kuranit, dhe, ironikisht, e shkel madje edhe Hadithin. Hadithi i treguar këtu e ilustron këtë ironi të çuditshme:

Ky hadith thotë: “Zoti i ka mallkuar hebrenjtë dhe të krishterët pse i kthyen varret e profetëve të tyre në xhami.”
Përfitimet fizike
Përveç përfitimeve të tyre shpirtërore të paçmueshme, ka një numër të madh përfitimesh fizike, ekonomike dhe shëndetësore nga kryerja e lutjeve të kontaktit (Salatit), bamirësisë së obligueshme (Zeqatit), agjërimit gjatë muajit të Ramazanit dhe Haxhit.
Kryerja e lutjes së Agimit i ndërpret periudhat e gjata të palëvizshmërisë gjatë gjumit; tani është dëshmuar se kjo ndihmon në parandalimin e artritit. Gjithashtu, ngritja herët në mëngjes ndihmon në luftimin e depresionit dhe problemeve të tjera psikologjike. Pozicioni i sexhdes që përsëritet gjatë lutjeve të kontaktit i zgjeron enët e gjakut në trurin tonë për të pranuar më shumë gjak, dhe kjo i parandalon dhimbjet e kokës. Përkulja e përsëritur e shpinës dhe e nyjeve është ushtrim i shëndetshëm. Të gjitha këto janë fakte të vërtetuara shkencërisht.
Abdeset e kërkuara para lutjeve të kontaktit na inkurajojnë ta përdorim tualetin më shpesh. Ky zakon na mbron nga një kancer i zakonshëm dhe shkatërrues, kanceri i zorrës së trashë.
Agjërimi gjatë muajit të Ramazanit i rikthen stomakët tanë të zgjeruar në madhësitë e tyre normale, e ul presionin e gjakut përmes dehidrimit të përkohshëm, e çliron trupin nga toksinat e dëmshme, u jep veshkave tona një pushim shumë të nevojshëm dhe e ul peshën tonë duke e hequr yndyrën e tepërt dhe të dëmshme.
Dhe bamirësia e Zeqatit dhe pelegrinazhi i Haxhit kanë përfitime ekonomike dhe shoqërore me shtrirje të gjerë.
Predikim i së Premtes bazuar në Shtojcën 15 të Përkthimit të Autorizuar Anglisht të Kuranit nga Rashad Khalifa (1989)