[search-in-place-form in_current_page="1"]

Disa nga anëtarët e familjes sonë

“Besimtarët janë anëtarë të një familjeje…” (49:10)

Falënderime të mëdha Të Nënshtruarve nga shumë vende anembanë botës të cilët pranuan vullnetarisht t’i publikojnë fotot e tyre për t’i ndihmuar të tjerët të na njohin më mirë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Fotot më sipër janë renditur sipas Indeksit të Vlerësuar të Nderit të Dukshëm

Shto foton time

Shiko listën e plotë të Të Nënshtruarve.

 

Foto nga Konferenca jonë Botërore e Të Nënshtruarve 2025 (Haxhi)

Takim në hollin e hotelit
Një nga mëngjeset e shumta në hotel
Rutina e këndshme e ecjes për në Xhaminë e Shenjtë për pesë Lutjet e përditshme të Kontaktit
Duke kaluar nëpër një nga dyert e shumta të Xhamisë së Shenjtë
Ndonjëherë, kur të befasojnë me një selfie, i bën me dorë kamerës
Gëzimi i bisedës me miq të nënshtruar me besime të përbashkëta
Po që se po i presim të tjerët, le të bëjmë edhe një foto
Qabja e bukur me Kullën e Sahatit në sfond
Vizita e Qabes është çështje serioze
Duke kontrolluar edhe një herë ku jemi para se ta rrethojmë Qaben shtatë herë
Umreja e përfunduar
Duke pritur që të tjerët ta përfundojnë Umren e tyre – rrethimin e Qabes (Tavafin) shtatë herë
Vapa nuk të ndal kur je i motivuar
Kodrina e Safës
Sa më shumë, aq më mirë – para ecjes shtatë herë midis Safës dhe Merves
Gati për t’u nisur
Duke ecur shtatë herë midis Safës dhe Merves
Në majë të Malit të Mëshirës (Xhebel er-Rahme) në Arafat
Me ndjenjën e arritjes në Malin e Mëshirës, Arafat
Pamje e Arafatit nga Mali i Mëshirës (Xhebel er-Rahme)
Ecje në Arafat drejt Xhamisë Nimre
Oborri i Xhamisë Nimre, Arafat
Duke u rreshtuar për Lutjen e së Premtes në oborrin e Xhamisë Nimre, Arafat. (Xhamia fatkeqësisht është e mbyllur gjatë gjithë vitit – përveç një dite – kështu që Predikimin e së Premtes e bëmë në oborrin e saj).
Duke ecur në një nga rrugët e shumta për këmbësorë në Muzdelife
Rrugë për këmbësorë në Muzdelife
Një rrugë në Mina
Ecje në Mina
Brenda ndërtesës/urës së Xhemaratit, ku hidhen gurët te tri shtyllat. Një nga shtyllat shihet në largësi.
Pasi dolëm nga Mina, u takuam para Xhamisë Bej’a për t’i koordinuar udhëtimet tona me Uber për t’u kthyer në hotel. (Një vend historik ku profeti Muhamed u predikonte kalimtarëve që udhëtonin për pelegrinazhin e Haxhit, pasi shoqëria mekase nuk i besoi dhe e persekutoi. Këtu ndodhi një pikë kthese në histori, kur disa njerëz nga Medina (Jethribi) që kishin ardhur për Haxh i besuan Muhamedit dhe e përhapën Islamin në Medinë, dhe më vonë e lehtësuan shpërnguljen e Muhamedit në Medinë.
Duke i prerë flokët te berberi afër hotelit tonë për të treguar se e përfunduam Haxhin dhe po dalim nga gjendja e Ihramit (Shenjtërisë)
Të freskuar, duke e çmuar pamjen e re të njëri-tjetrit pas prerjes së flokëve.
Dashuri familjare pas Haxhit, duke e shijuar pamjen nga një nga ballkonet brenda Xhamisë së Shenjtë
Dashuri vëllazërore pas Haxhit, duke e shijuar pamjen nga një nga ballkonet brenda Xhamisë së Shenjtë
Një nga sallat e shumta të lutjes brenda Xhamisë së Shenjtë
Secili i zënë me punën e vet brenda Xhamisë së Shenjtë
Koha e Lutjes së Kontaktit në Xhaminë e Shenjtë
Mëngjes dhe shijim i pamjes nga maja e hotelit pas Haxhit
Bisedë e lirë dhe me respekt pas mëngjesit, pas përfundimit të Haxhit
Afrimi dhe miqësia pas Haxhit
Duke biseduar me respekt për kulturat tona të ndryshme pas mëngjesit.
Duke i shijuar historitë e anijeve nga kapiteni i anijes ndërsa presim në hotel për një udhëtim me Uber
Turmat duke u rreshtuar për Lutjen e Kontaktit në oborrin e Xhamisë së Shenjtë.
Disa prej nesh zgjodhën ta shihnin edhe një herë për lamtumirë Qaben e bukur.
Qabja nga kati i dytë i Xhamisë së Shenjtë
Emri i Zotit (Allah) i gdhendur në një nga shtyllat e Xhamisë së Shenjtë. (Fatkeqësisht, në më shumë se 90% të xhamive anembanë botës, autoritetet sunite dhe shiite në fazat e mëvonshme të historisë së Islamit kanë gdhendur në muret e xhamive si emrin e Zotit ashtu edhe emrin e Muhamedit. Kjo e pakënaq Zotin – kur një nga shërbëtorët e Tij, profeti Muhamed, lartësohet dhe nderohet njësoj si Zoti në muret e xhamisë. Megjithatë, ishte befasi e këndshme të shihnim se nuk ishte kështu në Xhaminë e Shenjtë. Në të gjitha muret e Xhamisë së Shenjtë, pamë të gdhendur vetëm emrin e Zotit, pa i shoqëruar Atij asnjë ortak.
Pamje nga hoteli drejt Xhamisë së Shenjtë
Qendër tregtare afër Xhamisë së Shenjtë
Takimi i lamtumirës para se shumë prej nesh të ktheheshin në shtëpi.
Fotoja jonë e lamtumirës. Sa mirë e kaluam! Lavdi Zotit!

Një nga mrekullitë e mëdha [74:35]

Përmbledhje:

Bazuar në Shtojcën 1 të Përkthimit të Autorizuar Anglisht të Kuranit nga Rashad Khalifa, ky predikim e paraqet mrekullinë matematikore të Kuranit të bazuar në numrin 19, të quajtur njëra nga mrekullitë e mëdha në strofën 74:35, duke e përfshirë përbërjen e tij letrare dhe numërimet e inicialeve kuranore si Q, N, S, Y.S., H.M. dhe ‘A.S.Q.

Lavdi Zotit! Nuk ka zot tjetër përveç Zotit.

Kurani karakterizohet nga një fenomen unik që nuk gjendet kurrë në ndonjë libër të shkruar nga njeriu. Çdo element i Kuranit është i përbërë matematikisht – suret, strofat, fjalët, numri i shkronjave të caktuara, numri i fjalëve nga e njëjta rrënjë, numri dhe larmia e emrave hyjnorë, drejtshkrimi unik i fjalëve të caktuara, mungesa apo ndryshimi i qëllimshëm i shkronjave të caktuara brenda fjalëve të caktuara, dhe shumë elemente të tjera të Kuranit përveç përmbajtjes së tij. Ka dy aspekte kryesore të sistemit matematikor të Kuranit: (1) Përbërja letrare matematikore, dhe (2) Struktura matematikore që përfshin numrat e sureve dhe të strofave. Për shkak të këtij kodimi matematikor gjithëpërfshirës, shtrembërimi më i vogël i tekstit të Kuranit apo i rregullimit të tij fizik ekspozohet menjëherë.

E thjeshtë për t’u kuptuar

E pamundur për t’u imituar

Për herë të parë në histori kemi një shkrim me dëshmi të integruar të autorësisë hyjnore – një përbërje matematikore mbinjerëzore.

Për shembull, ndodhja e përgjithshme e fjalës “Zot” në Kuran është 2698, apo 19×142. Shuma e përgjithshme e numrave të strofave për të gjitha strofat që e përmbajnë fjalën “Zot” është 118123, gjithashtu shumëfish i 19-ës (118123 = 19×6217).

Nëntëmbëdhjeta është emëruesi i përbashkët në tërë sistemin matematikor të Kuranit.

Vetëm ky fenomen mjafton si dëshmi e pakundërshtueshme se Kurani është mesazhi i Zotit për botën. Asnjë qenie njerëzore nuk mund t’i kishte ndjekur 2698 ndodhjet e fjalës “Zot” dhe numrat e strofave ku ato ndodhin. Kjo është veçanërisht e pamundur duke pasur parasysh (1) epokën e injorancës gjatë së cilës u shpall Kurani, dhe (2) faktin që suret dhe strofat ishin shumë të ndara në kohë dhe vend të shpalljes. Renditja kronologjike e shpalljes ishte krejtësisht ndryshe nga formati përfundimtar. Megjithatë, sistemi matematikor i Kuranit nuk kufizohet te fjala “Zot”; ai është jashtëzakonisht i gjerë, jashtëzakonisht i ndërlikuar dhe plotësisht gjithëpërfshirës.

Faktet e thjeshta

Ashtu si vetë Kurani, kodimi matematikor i Kuranit shtrihet nga shumë i thjeshti deri te shumë i ndërlikuari. Faktet e Thjeshta janë ato vëzhgime që mund të vërtetohen pa përdorur asnjë mjet. Faktet e ndërlikuara kërkojnë ndihmën e një kalkulatori apo kompjuteri. Faktet në vijim nuk kërkojnë asnjë mjet për t’u verifikuar, por ju lutemi mbani mend se të gjitha i referohen tekstit origjinal arab:

  1. Strofa e parë (1:1), e njohur si “Besmele”, përbëhet nga 19 shkronja. Fjalët përbërëse të saj ndodhin në Kuran vazhdimisht në shumëfisha të 19-ës.
  2. Fjala e parë, “Ism” (Emër), ndodh 19 herë.
  3. Fjala e dytë, “Allah” (Zot), ndodh 2698 herë (19×142)
  4. Fjala e tretë, “Er-Rahman” (i Gjithëhirshmi), ndodh 57 herë, 19×3
  5. Fjala e katërt, “Er-Rahim” (Mëshirëploti), ndodh 114 herë, 19×6.
  6. Kurani përbëhet nga 114 sure, që është 19 x 6.
  7. Numri i përgjithshëm i strofave në Kuran është 6346, apo 19 x 334. [6234 strofa të numëruara & 112 strofa të panumëruara (Besmele) 6234 + 112 = 6346] Vini re se 6 + 3 + 4 + 6 = 19.
  8. Besmeleja ndodh 114 herë, pavarësisht mungesës së saj të dukshme nga Sureja 9 (ndodh dy herë në Suren 27) & 114 = 19 x 6.
  9. Nga Besmeleja që mungon e Sures 9 deri te Besmeleja shtesë e Sures 27, janë saktësisht 19 sure.
  10. Rrjedhimisht, shuma e numrave të sureve nga 9 deri në 27 (9 +10 +11 +12 +… + 26 + 27) është 342, apo 19 x 18.
  11. Kjo shumë (342) është gjithashtu e barabartë me numrin e fjalëve mes dy Besmeleve të Sures 27, dhe 342 = 19 x 18.
  12. Shpallja e famshme e parë (96:1-5) përbëhet nga 19 fjalë.
  13. Kjo shpallje e parë me 19 fjalë përbëhet nga 76 shkronja, 19 x 4.
  14. Sureja 96, e para në renditjen kronologjike, përbëhet nga 19 strofa.
  15. Kjo sure e parë kronologjike vendoset mbi 19 suret e fundit.
  16. Sureja 96 përbëhet nga 304 shkronja arabe, dhe 304 është e barabartë me 19 x 16.
  17. Shpallja e fundit (Sureja 110) përbëhet nga 19 fjalë.
  18. Strofa e parë e shpalljes së fundit (110:1) përbëhet nga 19 shkronja.
  19. 14 shkronja të ndryshme arabe formojnë 14 grupe të ndryshme “Inicialesh Kuranore” (si A.L.M. e 2:1), dhe u paraprijnë 29 sureve. Këta numra mblidhen në 14 + 14 + 29 = 57 = 19 x 3.
  20. Shuma e 29 numrave të sureve ku ndodhin Inicialet Kuranore është 2 + 3 + 7 +… + 50 + 68 = 822, dhe 822 + 14 (14 grupe inicialesh) është e barabartë me 836, apo 19 x 44.
  21. Mes sures së parë me iniciale (Sureja 2) dhe sures së fundit me iniciale (Sureja 68) ka 38 sure pa iniciale. 19 x 2.
  22. Mes sures së parë dhe të fundit me iniciale ka 19 grupe të alternuara suresh “me iniciale” dhe “pa iniciale”.
  23. Kurani përmend 30 numra të ndryshëm: 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11, 12, 19, 20, 30, 40, 50, 60, 70, 80, 99, 100, 200, 300, 1000, 2000, 3000, 5000, 50,000, & 100,000. Shuma e këtyre numrave është 162146, që është e barabartë me 19×8534.

Kjo është një përmbledhje e ngjeshur e Fakteve të Thjeshta.

Përbërja letrare matematikore

Kurani karakterizohet nga një fenomen unik që nuk gjendet kurrë në asnjë libër tjetër; 29 sureve u paraprijnë 14 grupe të ndryshme “Inicialesh Kuranore”, që përbëhen nga një deri në pesë shkronja për grup. Tabela më poshtë i tregon Inicialet Kuranore dhe suret e tyre:

Pra, katërmbëdhjetë shkronja, gjysma e alfabetit arab, marrin pjesë në këto iniciale. Rëndësia e inicialeve kuranore mbeti një fshehtësi e ruajtur hyjnisht për 14 shekuj. Kurani thotë në 10:20 dhe 25:4-6 se mrekullia e tij, d.m.th. dëshmia e autorësisë hyjnore, ishte e paracaktuar të mbetej e fshehtë për një periudhë të ndërmjetme të caktuar paraprakisht:

Strofa 10:20 thotë: “Ata thanë: ‘Pse nuk i ka zbritur atij një mrekulli nga Zoti i tij?’ Thuaj: ‘Vetëm Zoti e di të ardhmen. Prandaj, prisni, dhe unë do të pres bashkë me ju.’”

Dhe strofa 25:4-6 thotë: “Ata që nuk besuan thanë: ‘Kjo nuk është gjë tjetër veçse një trillim i tij, me ndihmën e njerëzve të tjerë.’ Me të vërtetë, ata shqiptuan një blasfemi; një gënjeshtër. Të tjerë thanë: ‘Përralla nga e kaluara që ai i shkroi; i diktoheshin ditë e natë.’ Thuaj: ‘Kjo u zbrit nga Ai që e di ‘fshehtësinë’ në qiej dhe në tokë.’ Me siguri, Ai është Falës, Mëshirëplotë.”

Sfondi historik

Në vitin 1968, Rashad Khalifa e kuptoi se përkthimet ekzistuese anglisht të Kuranit nuk e paraqisnin mesazhin e vërtetë të Testamentit Përfundimtar të Zotit. Për shembull, dy përkthyesit më të njohur, Jusuf Aliu dhe Marmaduke Pickthall, nuk mundën t’i kapërcenin traditat e tyre fetare të korruptuara kur erdhi puna te kriteri i madh i Kuranit në 39:45, i cili thotë:

“Kur përmendet VETËM Zoti, zemrat e atyre që nuk besojnë në Botën Tjetër tkurren me neveri. Por kur përmenden të tjerë përveç Tij, ata gëzohen.”

Jusuf Aliu e hoqi fjalën vendimtare “VETËM” nga përkthimi i tij, dhe e ndryshoi pjesën tjetër të strofës duke e futur fjalën “(zota)”. Kështu, ai e shkatërroi plotësisht këtë kriter më të rëndësishëm kuranor. Ai e përktheu 39:45 si vijon:

“Kur përmendet Zoti, i Vetmi dhe i Vetëm, zemrat e atyre që nuk besojnë në Botën Tjetër mbushen me neveri dhe tmerr; por kur përmenden (zota) të tjerë përveç Tij, ja, ata mbushen me gëzim.”

Shprehja “Kur përmendet Zoti, i Vetmi dhe i Vetëm” nuk është e njëjtë me të thënit “Kur përmendet vetëm Zoti.” Dikush mund ta përmendë “Zotin, të Vetmin dhe të Vetëm”, dhe të përmendë edhe Muhamedin apo Isain, dhe askush nuk do të mërzitet. Por nëse “përmendet VETËM Zoti”, nuk mund ta përmendni askënd tjetër, dhe shumë njerëz – ata që e idhullojnë Muhamedin apo Isain – do të mërziten. Kështu, Jusuf Aliu nuk mundi ta paraqiste të vërtetën e Kuranit, nëse ajo e ekspozonte besimin e tij të korruptuar.

Marmaduke Pickthall e përktheu saktë “VETËM”, por e shkatërroi kriterin duke e futur besimin e tij personal në kllapa; ai e përktheu 39:45 si vijon:

“Dhe kur përmendet vetëm Allahu, zemrat e atyre që nuk besojnë në Botën Tjetër zmbrapsen, dhe kur përmenden ata (që i adhurojnë) përveç Tij, ja! ata gëzohen.

Pra, kur Rashad Khalifa e pa të vërtetën e fjalës së Zotit të shtrembëruar në atë mënyrë, vendosi ta përkthente Kuranin, të paktën për të mirën e fëmijëve të tij. Meqë ishte kimist me profesion, dhe pavarësisht prejardhjes së tij të gjerë fetare – babai i tij ishte një udhëheqës i njohur sufi në Egjipt – ai, Rashadi, iu zotua Zotit se nuk do të kalonte nga një strofë te tjetra pa e kuptuar.

Ai i bleu të gjithë librat e disponueshëm të përkthimeve dhe komenteve kuranore (Tefsir) që mundi t’i gjente, i vendosi në një tryezë të madhe dhe e filloi përkthimin e tij. Sureja e parë, Çelësi, u përfundua brenda pak ditësh. Strofa e parë në Suren 2 është “A.L.M.” Përkthimi i kësaj strofe zgjati katër vjet, dhe përkoi me zbulimin hyjnor të “fshehtësisë”, Mrekullisë së madhe matematikore të Kuranit.

Librat e komenteve kuranore pajtoheshin njëzëri se “askush nuk e di kuptimin apo rëndësinë e Inicialeve Kuranore A.L.M., apo të çfarëdo inicialesh të tjera.” Kështu, Rashad Khalifa vendosi ta shkruante Kuranin në kompjuter, ta analizonte tërë tekstin dhe të shihte nëse kishte ndonjë ndërlidhje matematikore mes këtyre inicialeve kuranore.

Për ta testuar hipotezën e tij, ai vendosi t’i shikonte Inicialet Kuranore me një shkronjë – “Q” (Kaf) e Sureve 42 dhe 50, “S” (Sad) e Sureve 7, 19 dhe 38, dhe “N” (Nun) e Sures 68. Siç përshkruhet në detaje në librin e tij të parë MIRACLE OF THE QURAN: SIGNIFICANCE OF THE MYSTERIOUS ALPHABETS (Mrekullia e Kuranit: Rëndësia e alfabeteve misterioze) (Islamic Productions, 1973), shumë përpjekje të mëparshme për ta zbërthyer misterin kishin dështuar.

Iniciali kuranor “Q” (Kaf)

Të dhënat e kompjuterit treguan se teksti i të vetmeve sure me inicialin Q, 42 dhe 50, përmbante të njëjtin numër Q-sh, 57 dhe 57. Ky ishte sinjali i parë se në Kuran mund të ekzistonte një sistem matematikor i qëllimshëm.

Sureja 50 titullohet “Q”, i paraprin “Q”, dhe strofa e parë thotë: “Q, dhe Kurani i lavdishëm.” Kjo tregonte se “Q” qëndron për “Kuran”, dhe numri i përgjithshëm i Q-ve në dy suret me inicialin Q i përfaqëson 114 suret e Kuranit (57 + 57 = 114 = 19×6). Kjo ide u përforcua nga fakti që “Kurani” ndodh në Kuran 57 herë.

Kurani përshkruhet në Suren “Q” si “Mexhid” (i lavdishëm), dhe fjala arabe “Mexhid” ka vlerë gematrike 57: M (40) + XH (3) + I (10) + D (4) = 57.

Sureja 42 përbëhet nga 53 strofa, dhe 42 + 53 = 95 = 19×5.

Sureja 50 përbëhet nga 45 strofa, dhe 50 + 45 = 95, e njëjta shumë si në Suren 42.

Duke e numëruar shkronjën “Q” në çdo “Strofë 19” në tërë Kuranin, numri i përgjithshëm del 76, 19×4.

Kështu, filluan të shfaqen shenjat e para të përbërjes matematikore të Kuranit. Për shembull, u vu re se njerëzit që nuk i besuan Lutit përmenden në 50:13 dhe ndodhin në Kuran 13 herë – 7:80; 11:70, 74, 89; 21:74; 22:43; 26:160; 27:54, 56; 29:28; 38:13; 50:13; dhe 54:33. Vazhdimisht, ata quhen

“Kaum”, me përjashtimin e vetëm të Sures 50 me inicialin Q, ku quhen “Ihuan”. Qartazi, sikur të ishte përdorur fjala e zakonshme “Kaum” që e përmban Q-në, numri i shkronjës “Q” në Suren 50 do të bëhej 58, dhe i gjithë ky fenomen do të zhdukej. Me saktësinë absolute të njohur të matematikës, ndryshimi i një shkronje të vetme e shkatërron sistemin.

NuN (Nun)

Ky inicial është unik; ndodh në një sure, 68, dhe emri i shkronjës shkruhet me tri shkronja – Nun Vav Nun – në tekstin origjinal, dhe prandaj numërohet si dy N. Numri i përgjithshëm i kësaj shkronje në suren me inicialin N është 133, 19×7.

Fakti që “N” është Iniciali Kuranor i fundit nxjerr në pah disa vëzhgime të veçanta. Për shembull, numri i strofave nga Iniciali Kuranor i parë (A.L.M. e 2:1) deri te iniciali i fundit (N. e 68:1) është 5263, apo 19×277.

Fjala “Zot” (Allah) ndodh 2641 (19×139) herë mes inicialit të parë dhe inicialit të fundit. Meqë ndodhja e përgjithshme e fjalës “Zot” është 2698, rrjedh se ndodhja e saj jashtë inicialeve “A.L.M.” të 2:1 në njërën anë, dhe inicialit “N” të 68:1 në anën tjetër, është 57, 19×3.

S (Sad)

Ky inicial u paraprin tri sureve, 7, 19 dhe 38, dhe ndodhja e përgjithshme e shkronjës “S” (Sad) në këto tri sure është 152, 19×8. Shihni tabelën më poshtë:

Është për t’u vënë re se në 7:69, fjala “Bastatan” shkruhet në disa botime me “Sad” në vend të “Sin”. Ky është një shtrembërim i gabuar që e shkel kodin e Kuranit. Duke e shikuar kopjen më të vjetër të disponueshme të Kuranit, Kopjen e Tashkentit, u gjet se fjala “Bastatan” shkruhet saktë me “Sin” (shihni fotokopjen më poshtë).

Shënim historik

Zbulimi i jashtëzakonshëm se “19” është emëruesi i përbashkët i Kuranit u bë realitet në janar 1974, që nga shpallja e Kuranit është 1406 vite hënore, apo 19×74. Kjo është veçanërisht e çuditshme duke pasur parasysh faktin që “19” përmendet në Suren 74.

Y.S. (Ja Sin)

Këto dy shkronja i paraprijnë Sures 36. Shkronja “Y” ndodh në këtë sure 237 herë, ndërsa shkronja “S” (Sin) ndodh 48 herë. Shuma e të dy shkronjave është 285, 19×15.

Është për t’u vënë re se shkronja “Y” shkruhet në Kuran në dy forma; njëra është e dukshme dhe tjetra është e fshehtë. Forma e fshehtë e shkronjës mund të jetë ngatërruese për ata që nuk janë plotësisht të njohur me gjuhën arabe. Një shembull i mirë është fjala “Araani” që përmendet dy herë në 12:36. Shkronja “Y” përdoret dy herë në këtë fjalë, “Y”-ja e parë është e fshehtë dhe e dyta është e dukshme. Sureja 36 nuk përmban asnjë “Y” të llojit të fshehtë. Ky është një fenomen i jashtëzakonshëm, dhe një që normalisht nuk ndodh në një sure të gjatë si Sureja 36.

H.M. (Ha Mim)

Shtatë sureve u paraprijnë shkronjat “H” dhe “M”, Sureve 40 deri në 46. Ndodhja e përgjithshme e këtyre dy shkronjave në shtatë suret me inicialet H.M. është 2147, apo 19×113. Shihni tabelën më poshtë:

Natyrisht, ndryshimi i një shkronje të vetme “H” apo “M” në cilëndo nga shtatë suret me inicialet H.M. do ta kishte shkatërruar këtë fenomen të ndërlikuar.

‘A.S.Q. (‘Ajn Sin Kaf)

Këto iniciale e përbëjnë Strofën 2 të Sures 42, dhe ndodhja e përgjithshme e këtyre shkronjave në këtë sure është 209, apo 19×11. Shkronja “ ‘A” (‘Ajn) ndodh 98 herë, shkronja “S” (Sin) ndodh 54 herë, dhe shkronja “Q” (Kaf) ndodh 57 herë.

A.L.M. (Elif Lam Mim)

Shkronjat “A”, “L” dhe “M” janë shkronjat më të përdorura në gjuhën arabe, dhe në të njëjtën renditje siç e shohim në Inicialet Kuranore – “A”, pastaj “L”, pastaj “M”. Këto shkronja u paraprijnë gjashtë sureve – 2, 3, 29, 30, 31 dhe 32 – dhe ndodhja e tyre e përgjithshme është shumëfish i 19-ës. Më poshtë është ndodhja e atyre shkronjave e numëruar nga Rashad Khalifa:

A.L.R. (Elif Lam Ra)

Inicialet A.L.R gjenden në Suret 10, 11, 12, 14 dhe 15, dhe sërish janë shumëfish i 19-ës kur i mbledhim në të gjitha suret e tyre përkatëse së bashku. Këtu është ndodhja e atyre shkronjave e numëruar nga Rashad Khalifa:

A.L.M.R. (Elif Lam Mim Ra)

Këto iniciale i paraprijnë një sureje, Nr. 13, dhe shpeshtësia e përgjithshme e ndodhjes së katër shkronjave është 1482, apo 19×78. Shkronja “A” ndodh 605 herë, “L” ndodh 480 herë, “M” ndodh 260 herë dhe “R” ndodh 137 herë.

A.L.M.S. (Elif Lam Mim Sad)

Vetëm një sureje i paraprijnë këto iniciale, Sures 7, dhe shkronja “A” ndodh në këtë sure 2529 herë, “L” ndodh 1530 herë, “M” ndodh 1164 herë, dhe “S” (Sad) ndodh 97 herë. Kështu, ndodhja e përgjithshme e katër shkronjave në këtë sure është 2529 + 1530 + 1164 + 97 = 5320 = 19×280.

Një vëzhgim i rëndësishëm këtu është marrëdhënia ndërthurëse që e përfshin shkronjën “S” (Sad). Ky inicial ndodh edhe në Suret 19 dhe 38. Ndërsa i plotëson shkronjat e saj motra në Suren 7 për të dhënë një shumë që pjesëtohet me 19, shpeshtësia e kësaj shkronje i plotëson edhe shkronjat e saj motra në Suret 19 dhe 38 për të dhënë një shumëfish të 19-ës.

Përveç kësaj, Iniciali Kuranor “S” (Sad) ndërvepron me Inicialet Kuranore “K.H.Y. ‘A.” (Kaf Ha Ja ‘Ajn) në Suren 19 për të dhënë një shumë tjetër që është gjithashtu shumëfish i 19-ës. Kjo marrëdhënie ndërthurëse – e cila nuk është unike vetëm për inicialin “S” (Sad) – kontribuon në ndërlikimin e kodit numerik të Kuranit.

K.H.Y.‘A.S. (Kaf Ha Ja ‘Ajn Sad)

Ky është grupi më i gjatë i inicialeve, i përbërë nga pesë shkronja, dhe ndodh në një sure, Suren 19. Shkronja “K” në Suren 19 ndodh 137 herë, “H” ndodh 175 herë, “Y” ndodh 343 herë, “ ‘A” ndodh 117 herë, dhe “S” (Sad) ndodh 26 herë. Kështu, ndodhja e përgjithshme e pesë shkronjave është 798, që është 19×42.

T.H. (Ta Ha), T.S. (Ta Sin), T.S.M. (Ta Sin Mim)

Një marrëdhënie e ndërlikuar ndërthurëse i lidh këto Iniciale Kuranore që mbivendosen, për të prodhuar një shumë që është gjithashtu shumëfish i 19-ës. Iniciali “H.” gjendet në Suret 19 dhe 20. Inicialet “T.H.” i paraprijnë Sures 20. Inicialet “T.S.” gjenden në Suren 27, ndërsa inicialet “T.S.M.” u paraprijnë sureve përreth saj, 26 & 28. Shpeshtësitë e ndodhjes së këtyre inicialeve gjenden në tabelën më poshtë:

Këto janë të vetmet grupe inicialesh që kombinohen në numërim për të prodhuar një shumëfish të 19-ës. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk jep shumëfisha të 19-ës veçmas. Gati 50 vjet më vonë, Alban Fejza ishte i paracaktuar ta zbulonte dhe ta shpjegonte pse këto tri grupe inicialesh (T.H., T.S., T.S.M.) janë të vetmet iniciale që nuk duhet të japin shumëfisha të 19-ës kur numërohen veçmas, gjë që jepet në shqyrtimin shpjegues të Alban Fejzës për Mrekullinë Matematikore të Kuranit.

Çka është “Vlera gematrike”?

Kur u shpall Kurani, 14 shekuj më parë, numrat që njihen sot nuk ekzistonin. Përdorej një sistem universal ku shkronjat e alfabeteve arab, hebraik, aramaik dhe grek përdoreshin si numra. Numri që i caktohet secilës shkronjë është “Vlera e saj gematrike”. Vlerat numerike të alfabetit arab tregohen në tabelën më poshtë:

Veti të tjera matematikore të sureve me iniciale

Katërmbëdhjetë shkronja arabe, gjysma e alfabetit arab, marrin pjesë në formimin e 14 grupeve të ndryshme të Inicialeve Kuranore. Duke e mbledhur vlerën gematrike të secilës prej këtyre shkronjave, plus numrin e sureve që u paraprijnë Iniciale Kuranore (29), marrim një shumë prej 722, apo 19x19x2. Përveç kësaj, nëse e mbledhim vlerën e përgjithshme gematrike të të 14 inicialeve, plus numrin e sures së parë ku ndodh iniciali, marrim një shumë të përgjithshme prej 988, 19×52. Shihni tabelën më poshtë për të dy numërimet:

PSE 19!

Numri 19 mund të shihet si nënshkrimi i Krijuesit të Gjithëfuqishëm mbi çdo gjë që Ai krijoi. Numri “19” ka veti unike matematikore. Për shembull:

  1. Është numër i thjeshtë, të cilët janë të vetmit numra që mund të përdoren për një kodim të tillë, meqë nuk janë shumëfisha të numrave të tjerë.
  2. I përfshin shifrën e parë (1) dhe shifrën e fundit (9), sikur ta shpallte cilësinë e Zotit në 57:3 si “Alfa dhe Omega”.

Tani e kuptojmë se kodimi universal i krijimeve të Zotit me numrin 19 mbështetet në faktin që ai është vlera gematrike e fjalës “NJË” (VAHD) në të gjitha gjuhët e shkrimeve – aramaisht, hebraisht dhe arabisht. Shihni tabelën më poshtë:

Numri 19, prandaj, e shpall Urdhërimin e Parë në të gjitha shkrimet: se ka vetëm NJË Zot.

Fjala “NJË” që i referohet Zotit ndodh në Kuran 19 herë. Referenca për Zotin “VETËM” ndodh 5 herë, dhe shuma e numrave të sureve dhe strofave ku i gjejmë këto pesë ndodhje është 361, 19×19.

“Shtylla e Parë e Islamit” deklarohet në 3:18 si “LA ILAHE IL-LA HU” (Nuk ka zot tjetër përveç Tij). Kjo shprehje më e rëndësishme ndodh në 19 sure. Ndodhja e parë është në 2:163, dhe ndodhja e fundit është në 73:9. Shuma e këtyre numrave të sureve, plus numri i strofave mes ndodhjes së parë dhe të fundit, plus shuma e këtyre numrave të strofave është 316502, apo 19x 16658.

Fjala “Kuran”

Fjala “Kuran” ndodh në Kuran 58 herë, me njërën prej tyre, në 10:15, që i referohet “një Kurani tjetër”. Kjo ndodhje e veçantë, prandaj, duhet të përjashtohet. Kështu, shpeshtësia e ndodhjes së “këtij Kurani” në Kuran është 57, apo 19×3.

Dy forma të tjera gramatikore të fjalës “Kuran” ndodhin në 12 strofa. Këto përfshijnë fjalën “Kuranun” dhe fjalën “Kuranehu”. Njëra nga këto ndodhje, në 13:31, i referohet “një Kurani tjetër” që i bën malet të shemben. Një ndodhje tjetër, në 41:44, i referohet “një Kurani joarab”. Këto dy ndodhje, prandaj, përjashtohen. Tabela më poshtë tregon një listë të sureve dhe strofave ku ndodh fjala “Kuran” në të gjitha format e saj gramatikore.

Një dëshmitar nga Bijtë e Izraelit [46:10]

Strofa 46:10 në Kuran thotë: “Thuaj: ‘Po sikur të jetë nga Zoti, dhe ju nuk besuat në të? Një dëshmitar nga Bijtë e Izraelit ka dëshmuar për një fenomen të ngjashëm, dhe ai ka besuar, ndërsa ju u bëtë shumë arrogantë për të besuar. Zoti nuk i udhëzon të këqijtë.’”

Citati në vijim është marrë nga STUDIES IN JEWISH MYSTICISM (Studime në misticizmin hebraik), (Association for Jewish Studies, Cambridge, Mass., Joseph Dan & Frank Talmage, red., Faqja 88, 1982). Citati i referohet punës së Rabinit Juda i Devotshmi (shekulli i 12-të pas Krishtit):

Njerëzit [hebrenjtë] në Francë e bënë zakon t’i shtonin [në lutjen e mëngjesit] fjalët: “ ’Ashrei temimei derekh [të bekuar janë ata që ecin në rrugën e drejtë]”, dhe Rabini ynë, i Devotshmi, i bekuar qoftë kujtimi i tij, shkroi se ata e kishin krejtësisht dhe plotësisht gabim. E gjitha është gënjeshtër e rëndë, sepse janë vetëm nëntëmbëdhjetë herë që përmendet Emri i Shenjtë [në atë pjesë të lutjes së mëngjesit]… dhe po ashtu e gjeni fjalën ’Elohim nëntëmbëdhjetë herë në pjesën e Ve-’elleh shemot. . . . Po ashtu, e gjeni se Izraeli u quajt “bij” nëntëmbëdhjetë herë, dhe ka shumë shembuj të tjerë. Të gjitha këto grupe të nëntëmbëdhjetës janë të ndërthurura në mënyrë të ndërlikuar, dhe përmbajnë shumë fshehtësi dhe kuptime ezoterike, të cilat përmbahen në më shumë se tetë vëllime të mëdha… Për më tepër, në këtë pjesë ka 152 (19×8) fjalë.

 

Predikim i së Premtes bazuar në Shtojcën 1 të Përkthimit të Autorizuar Anglisht të Kuranit nga Rashad Khalifa (1989)

I Dërguari i Zotit i Besëlidhjes [3:81]

Përmbledhje:

Bazuar në Shtojcën 2 të Përkthimit të Autorizuar Anglisht të Kuranit nga Rashad Khalifa, ky predikim e përshkruan të Dërguarin e Zotit të Besëlidhjes, të paralajmëruar në strofën 3:81, misionin e tij për t’i pastruar dhe bashkuar të gjitha fetë në Nënshtrim, dëshminë e lidhur me kodin e 19-ës të Kuranit, si ta dallosh një të dërguar të vërtetë nga një i rremë, dhe detyrat e tij kryesore.

Lavdi Zotit! Nuk ka zot tjetër përveç Zotit.

I Dërguari i Zotit i Besëlidhjes ishte një i dërguar bashkues. Misioni i tij ishte t’i pastronte dhe t’i bashkonte të gjitha fetë ekzistuese në një: Islamin (Nënshtrimin).

Islami NUK është emër; është përshkrim i nënshtrimit dhe përkushtimit të plotë të dikujt ndaj VETËM Zotit, pa e idhulluar Isain, Merjemen, Muhamedin apo shenjtorët. Kushdo që e plotëson këtë kriter është “Mysliman” (i Nënshtruar). Prandaj, dikush mund të jetë hebre mysliman, i krishterë mysliman, hindu mysliman, budist mysliman apo mysliman mysliman.

I Dërguari i Zotit i Besëlidhjes e dorëzoi shpalljen e Zotit se “E vetmja fe e miratuar nga Zoti është Nënshtrimi” (3:19) dhe se “Kushdo që kërkon fe tjetër përveç Nënshtrimit, nuk do t’i pranohet” (3:85).

Çdo i dërguar i Zotit u mbështet nga shenja hyjnore të pakundërshtueshme që dëshmonin se ai ishte i autorizuar nga i Gjithëfuqishmi t’i dorëzonte mesazhet e Tij. Musai e hodhi shkopin e tij dhe ai u shndërrua në gjarpër, Isai i shëroi të lebrosurit dhe i ngjalli të vdekurit me lejen e Zotit, shenja e Salihut ishte deveja e famshme, Ibrahimi doli nga zjarri, dhe mrekullia e Muhamedit ishte Kurani (29:50-51).

Kurani (3:81, 33:7, 33:40) dhe Bibla (Malakia 3:1-3) e profetizuan ardhjen e të dërguarit bashkues, të Dërguarit të Zotit të Besëlidhjes. Është vetëm e përshtatshme që një i dërguar me një mision kaq vendimtar të mbështetej nga mrekullia më e fuqishme (74:30-35). Ndërsa mrekullitë e të dërguarve të mëparshëm ishin të kufizuara në kohë dhe vend, mrekullia e Zotit që e mbështeti të Dërguarin e Tij të Besëlidhjes është e përhershme; mund të dëshmohet nga kushdo, në çdo kohë, në çdo vend.

Këtu mund të gjeni dëshmi fizike, të shqyrtueshme, të verifikueshme dhe të pakundërshtueshme se Rashad Khalifa ishte i Dërguari i Zotit i Besëlidhjes.

Një e vërtetë kuranore

Njëra nga profecitë kryesore në Kuran është se i Dërguari i Zotit i Besëlidhjes do të dërgohej pasi të gjithë profetët të kishin ardhur në këtë botë, dhe pasi të gjitha shkrimet e Zotit të ishin dorëzuar.

Strofa 3:81 thotë: “Zoti mori një besëlidhje nga profetët, duke thënë: ‘Unë do t’ju jap shkrimin dhe mençurinë. Më pas, do të vijë një i dërguar për t’i konfirmuar të gjitha shkrimet ekzistuese. Ju do t’i besoni atij dhe do ta mbështetni.’ Ai tha: ‘A pajtoheni me këtë, dhe a zotoheni ta përmbushni këtë besëlidhje?’ Ata thanë: ‘Pajtohemi.’ Ai tha: ‘Kështu ju keni dëshmuar, dhe Unë dëshmoj bashkë me ju.’”

Muhammad Marmaduke Pickthall e përktheu 3:81 si vijon:

“Kur Allahu bëri besëlidhjen (e Tij) me Profetët, (Ai tha): Ja çka ju kam dhënë nga Shkrimi dhe dija. Dhe më pas do t’ju vijë një i dërguar, që e konfirmon atë që keni. Ju do t’i besoni atij dhe do ta ndihmoni. Ai tha: A pajtoheni, dhe a do ta merrni barrën Time (që jua ngarkoj) në këtë (çështje)? Ata u përgjigjën: Pajtohemi. Ai tha: Atëherë dëshmoni. Unë do të jem dëshmitar me ju.”

Mësojmë nga Sureja 33 se Muhamedi ishte njëri nga profetët që e bënë atë besëlidhje solemne me Zotin.

Strofa 33:7 thotë: “Dhe kur Ne morëm një besëlidhje nga Profetët, dhe prej teje (o Muhamed) dhe nga Nuhu dhe Ibrahimi dhe Musai dhe Isai, biri i Merjemes, Ne morëm prej tyre një besëlidhje solemne.”

Strofa 3:81 i jep përkufizimet e “Nebi” (Profet) dhe “Resul” (I dërguar), gjë që është e dobishme për këtë rast. Sipas strofës, një “Nebi” është i dërguar i Zotit që dorëzon një shkrim të ri, ndërsa “Resul” është një i dërguar i ngarkuar nga Zoti për ta konfirmuar shkrimin ekzistues; ai nuk sjell shkrim të ri. Pra, çdo “Nebi” është “Resul”, por jo çdo “Resul” është “Nebi”.

Jo çdo të dërguari iu dha shkrim i ri. Nuk është logjike që Zoti t’i japë një shkrim një profeti, pastaj t’i kërkojë ta mbajë ekskluzivisht për vete, siç thonë disa “dijetarë” myslimanë (2:42, 146, 159). Ata që nuk janë mjaftueshëm të njohur me Kuranin priren të mendojnë se Haruni ishte “Nebi”, siç thuhet në 19:53, i cili nuk mori shkrim. Megjithatë, Kurani thotë qartë se libri i ligjeve iu dha posaçërisht “edhe Musait edhe Harunit” (21:48, 37:117).

Mësojmë nga Kurani, 33:40, se Muhamedi ishte profeti (Nebi) i fundit, por jo i dërguari (Resul) i fundit:

Strofa 33:40 thotë: “Muhamedi nuk ishte babai i asnjërit nga burrat tuaj; ai ishte i dërguar (Resul) i Zotit dhe profeti (Nebi) i fundit.”

Ky përkufizim vendimtar konfirmohet nga kodi matematikor i Kuranit. Shprehja e përdorur në 33:40, “Muhammed Hatemun-Nebijjin” (profeti i fundit), ka vlerë gematrike 1349, 19×71, ndërsa vlera e shprehjes së gabuar “Muhammed Hatemul-Murselin” (i dërguari i fundit) nuk është shumëfish i 19-ës.

Që nga kohët e lashta, ka qenë tipar njerëzor ta refuzosh një të dërguar bashkëkohor, të gjallë. Jusufi u shpall “i dërguari i fundit” (40:34). E megjithatë, shumë të dërguar erdhën pas tij, duke përfshirë Musain, Davudin, Sulejmanin, Isain dhe Muhamedin.

Besëlidhja e përmbushur

Edhe pse profetët kanë vdekur, për sa i përket kësaj bote, e dimë se shpirtrat e tyre, personat e vërtetë, tani janë në Kopshtin e Edenit ku jetuan Ademi dhe Havaja. Disa strofa na ndalojnë të mendojmë se besimtarët që i lanë trupat e tyre dhe u larguan nga kjo botë janë të vdekur (2:154, 3:169, 4:69). Edhe pse nuk mund të kthehen në botën tonë (23:100), ata janë “gjallë” në Parajsë.

Gjatë pelegrinazhit të tij të Haxhit në Mekë, në fillim të viteve 1970, Rashad Khalifa, shpirti, personi i vërtetë, jo trupi, u mor në një vend në univers ku iu prezantua të gjithë profetëve si i Dërguari i Zotit i Besëlidhjes. Ai nuk u informua për detajet dhe rëndësinë e vërtetë të kësaj ngjarjeje deri në Ramazanin e vitit 1408.

Ajo që ai dëshmoi, me vetëdije të mprehtë, ishte se ai po rrinte i palëvizur, ndërsa profetët, një nga një, vinin drejt tij, ia shikonin fytyrën, pastaj tundnin kokën. Zoti ia tregoi ata ashtu siç kishin dukur në këtë botë, të veshur me mënyrat e tyre përkatëse të veshjes. Kishte një atmosferë nderimi të madh, gëzimi dhe respekti.

Përveç Ibrahimit, asnjëri nga profetët nuk iu identifikua. Ai e dinte se të gjithë profetët ishin aty, duke përfshirë Musain, Isain, Muhamedin, Harunin, Davudin, Nuhun dhe të tjerët. Ai mendoi se arsyeja e zbulimit të identitetit të Ibrahimit ishte se ai pyeti për të. U habit nga ngjashmëria e fortë që kishte me familjen e tij – me veten, me babain e tij, me xhaxhallarët e tij. Ishte e vetmja herë që ai u pyet: “Kush është ky profet që u ngjan të afërmve të mi?” Përgjigjja erdhi: “Ibrahimi.” Nuk u fol asnjë gjuhë. I gjithë komunikimi u bë mendërisht.

Misioni i të Dërguarit të Zotit të Besëlidhjes ishte t’i konfirmonte shkrimet ekzistuese, t’i pastronte dhe t’i bashkonte në një mesazh hyjnor. Kurani thotë se një i dërguar i tillë u ngarkua ta rikthente mesazhin e Zotit në pastërtinë e tij të pacenuar, për t’i nxjerrë besimtarët e drejtë – hebrenj, të krishterë, myslimanë, budistë, sikë, hindu dhe të tjerë – nga errësira në dritë (5:19 & 65:11). Ai shpalli se Islami (nënshtrimi i plotë ndaj Zotit) është e vetmja fe e pranueshme nga Zoti (3:19).

Dëshmia

Emri i të Dërguarit të Zotit të Besëlidhjes është koduar matematikisht në Kuran si “Rashad Khalifa”. Kjo është me siguri metoda më e përshtatshme për ta prezantuar të dërguarin e Zotit para botës në epokën e kompjuterit.

  • Mrekullia e madhe e Zotit në Kuran bazohet në numrin e thjeshtë 19, dhe mbeti e fshehur për 1406 vjet (19×74). Kjo mrekulli e mahnitshme ishte e paracaktuar nga Zoti i Gjithëfuqishëm të zbulohej përmes Rashad Khalifës. Qindra dijetarë myslimanë dhe orientalistë gjatë 14 shekujve të fundit u përpoqën më kot, por asnjërit prej tyre nuk iu lejua ta deshifronte rëndësinë e Inicialeve Kuranore.
  • Kurani është bërë i lehtë për besimtarët dhe kërkuesit e sinqertë (54:17, 22, 32, 40 & 39:28). Është ligj hyjnor i pakthyeshëm që askujt nuk i lejohet qasja në Kuran, e lëre më në mrekullinë e tij të madhe, përveç nëse ai apo ajo është besimtar i sinqertë të cilit i jepet autorizim hyjnor specifik (17:45-46, 18:57, 41:44, 56: 79). Zbulimi i mrekullisë së Kuranit përmes Rashad Khalifës është shenjë e madhe e të qenit të tij i dërguar.
  • Fjala rrënjë e emrit “Rashad” është “Rashada” (ta mbash udhëzimin e drejtë). Kjo fjalë rrënjë përmendet në Kuran 19 herë. Nëntëmbëdhjeta është emëruesi i përbashkët i Kuranit
  • Fjala “Rashad” ndodh në 40:29 & 38. Fjala “Khalifa” ndodh në 2:30 dhe 38:26. “Khalifa”-ja e parë i referohet një “Khalife” jonjerëzore, përkatësisht Dreqit, ndërsa ndodhja e dytë (Sureja 38) i referohet një “Khalife” njerëzore. Nëse i mbledhim numrat e sureve dhe të strofave të “Rashad” (40:29, 38) dhe “Khalifa” (38:26) marrim 40 + 29 + 38 + 38 + 26 = 171 = 19×9.
  • Shuma e të gjithë numrave të sureve dhe të strofave ku ndodhin të gjitha “Rashada” dhe të gjitha “Khalifa”, pa dallim, del 1463, 19×77 (Shihni tabelën më poshtë).

  • Shuma e të gjitha sureve dhe strofave ku ndodh fjala rrënjë “Rashada” është 1369, apo (19×72) + 1, ndërsa shuma për të gjitha ndodhjet e “Khalifa” është 94, (19×5)-1. Fakti që “Rashada” është një më shumë dhe “Khalifa” është një më pak e përcakton emrin si “Rashad Khalifa”, e jo çfarëdo “Rashad” apo çfarëdo “Khalifa”.
  • Vlera gematrike e “Rashad” është 505 dhe vlera e “Khalifa” është 725 (Tabela 7, Shtojca 1). Nëse e mbledhim vlerën e “Rashad Khalifa” (1230) me numrat e sureve dhe numrin e strofave, nga fillimi i Kuranit deri te ndodhja e parë e “Rashada”, shuma është 1425, 19×75.
  • Nëse i mbledhim numrat e të gjitha strofave në çdo sure, d.m.th. shumën e numrave të strofave (1 + 2 + 3 + … + n) nga fillimi i Kuranit deri te ndodhja e parë e fjalës rrënjë “Rashada”, shuma del 17233, 19×907.
  • Inicialet Kuranore e përbëjnë themelin bazë të mrekullisë së Kuranit. Këto iniciale ndodhin në suret 2, 3, 7, 10, 11, 12, 13, 14, 15, 19, 20, 26, 27, 28, 29, 30, 31, 32, 36, 38, 40, 41, 42, 43, 44, 45, 46, 50 dhe 68. Nëse e mbledhim shumën e këtyre numrave (822) me vlerën e “Rashad Khalifa” (1230), shuma është 2052, 19×108.
  • Nëse i mbledhim numrat e të gjitha sureve ku ndodh fjala rrënjë “Rashada”, plus numrin e strofave, marrim 1368, apo 19×72.
  • Nëse i shqyrtojmë suret dhe strofat nga ndodhja e parë e fjalës rrënjë “Rashada” deri te fjala “Khalifa” në 38:26, gjejmë se shuma e numrave të sureve dhe e numrit të strofave të tyre është 4541, apo 19×239.

E vetmja fe e miratuar nga Zoti është Islami

[3:19]

 

  • Kurani specifikon tre të dërguar të Islamit (Nënshtrimit):

Ibrahimi i dorëzoi të gjitha praktikat e Islamit. Vlera e emrit të tij = 258

Muhamedi e dorëzoi Kuranin. Vlera e emrit të tij = 92

Rashadi e dorëzoi dëshminë e autenticitetit të Islamit. Vlera e emrit të tij = 505

Vlera e përgjithshme gematrike e 3 emrave = 855 = 19×45.

Judaizmi, krishterimi dhe Islami i vërtetë do të bashkohen në një fe – nënshtrim të plotë dhe përkushtim absolut ndaj VETËM Zotit.

Fetë ekzistuese, duke përfshirë judaizmin, krishterimin dhe Islamin, janë rëndë të korruptuara dhe thjesht do të shuhen (9:33, 48:28, 61:9).

Pse strofa 3:81?

  • Nëse i mbledhim numrat e sureve plus numrin e strofave nga fillimi i Kuranit deri te Strofa 3:81, ku profetizohet i Dërguari i Besëlidhjes, shuma del 380, 19×20.
  • Vlera gematrike e Strofës 3:81 është 13148, 19×692. Kjo vlerë merret duke i mbledhur vlerat gematrike të çdo shkronje në strofë.
  • Nëse e shikojmë atë pjesë të Strofës 3:81 që i referohet posaçërisht të dërguarit të Besëlidhjes: “Një i dërguar do t’ju vijë, duke e konfirmuar atë që keni”, në arabisht:

“XHA’AKUM RESULUN MUSADDIKUN LIMA ME‘AKUM”

gjejmë se vlera gematrike e kësaj fraze kyçe është 836, 19×44.

 

SI TA DALLONI TË DËRGUARIN E ZOTIT NGA NJË I DËRGUAR I RREMË

Kurani jep kritere të drejtpërdrejta për t’i dalluar të dërguarit e vërtetë të Zotit nga të dërguarit e rremë:

[1] I dërguari i Zotit e mbron adhurimin e VETËM Zotit dhe heqjen e të gjitha formave të adhurimit të idhujve.

[2] I dërguari i Zotit kurrë nuk kërkon pagë për vete.

[3] Të dërguarit të Zotit i jepet dëshmi hyjnore e pakundërshtueshme e të qenit të tij i dërguar. Kushdo që pretendon se është i dërguar i Zotit dhe nuk i plotëson tri kriteret minimale të renditura më lart është pretendues i rremë.

 

Dallimi më i rëndësishëm mes të dërguarit të Zotit dhe një të dërguari të rremë është se i dërguari i Zotit mbështetet nga Zoti, ndërsa i dërguari i rremë jo:

* I dërguari i Zotit mbështetet nga ushtarët e padukshëm të Zotit (3:124- 126, 9:26&40, 33:9, 37:171-173, 48:4&7, 74:31).

* I dërguari i Zotit mbështetet nga thesari i Zotit (63:7-8).

* Të dërguarit të Zotit, si edhe besimtarëve, u garantohet fitorja dhe dinjiteti, në këtë botë dhe përgjithmonë (40:51 & 58:21).

Kështu, sinqeriteti i të dërguarit të Zotit gjithmonë mbizotëron, ndërsa gënjeshtra e një të dërguari të rremë gjithmonë, herët a vonë, ekspozohet.

 

DETYRAT KRYESORE TË TË DËRGUARIT TË ZOTIT TË BESËLIDHJES

Siç thuhet në Kuran, 3:81, i Dërguari i Zotit i Besëlidhjes ishte i paracaktuar t’i konfirmonte të gjitha shkrimet që u dorëzuan nga të gjithë profetët, dhe t’i rikthente në pastërtinë e tyre origjinale.

MËSHIRË NGA ZOTI [21:107]

Kur besimtarët përballen me një problem, ata zhvillojnë disa zgjidhje të mundshme, dhe kjo pa ndryshim çon në grindje, përçarje dhe rrëmujë të konsiderueshme. Mësojmë nga 2:151, 3:164 dhe 21:107 se është vetëm mëshirë nga Zoti që Ai na dërgon të dërguar për t’i dhënë zgjidhjet përfundimtare për problemet tona. Mësojmë nga 42:51 se Zoti i dërgon të dërguarit e Tij për të komunikuar me ne dhe për të përhapur informacion të ri. Prandaj urdhri i fortë në 4:65, 80 për t’i pranuar, pa hezitimin më të vogël, mësimet që na dorëzohen përmes të dërguarve të Zotit. Më poshtë është një listë e detyrave kryesore të të Dërguarit të Zotit të Besëlidhjes:

Më poshtë është një listë e detyrave kryesore të të Dërguarit të Zotit të Besëlidhjes:

  1. Ta zbulojë dhe ta shpallë mrekullinë matematikore të Kuranit.
  2. T’i ekspozojë dhe t’i heqë nga Kurani dy strofat e rreme 9:128-129.
  3. Ta shpjegojë qëllimin e jetës sonë; pse jemi këtu.
  4. Ta shpallë një fe për të gjithë njerëzit, dhe t’i tregojë e t’i pastrojë të gjitha korrupsionet që e godasin judaizmin, krishterimin dhe Islamin.
  5. Ta zbulojë fundin e botës.
  6. Ta shpallë se ata që vdesin para moshës 40 vjeç shkojnë në Qiell
  7. Ta shpjegojë dorëzimin e Kuranit te Muhamedi, e pastaj përmes tij.
  8. Ta shpjegojë pse shumica e besimtarëve në Zotin nuk ia dalin në Qiell.
  9. Ta shpallë se Zoti kurrë nuk e urdhëroi Ibrahimin ta vriste djalin e tij.
  10. Ta shpallë fshehtësinë e lumturisë së përsosur.
  11. Ta themelojë një sistem të drejtësisë penale.

 

Predikim i së Premtes bazuar në Shtojcën 2 të Përkthimit të Autorizuar Anglisht të Kuranit nga Rashad Khalifa (1989)

Ne e bëmë Kuranin të lehtë [54:17]

 

Lavdi Zotit! Nuk ka zot tjetër përveç Zotit. Strofa 11:1 në Kuran na informon se Mrekullia e Kuranit përfshin

  1. dizajnin matematikor mbinjerëzor të strukturës së tij fizike dhe
  2. përbërjen e njëkohshme të një vepre letrare me përsosmëri të jashtëzakonshme.

Dikush mund të jetë në gjendje t’i plotësojë kërkesat e shpërndarjes numerike të një modeli të thjeshtë matematikor. Megjithatë, kjo gjithmonë arrihet në kurriz të cilësisë letrare. Kontrolli i njëkohshëm i stilit letrar dhe i shpërndarjes së ndërlikuar matematikore të shkronjave individuale në tërë Kuranin është i dukshëm në faktin që Kurani është bërë i lehtë për t’u mësuar përmendsh, për t’u kuptuar dhe për t’u shijuar. Ndryshe nga një libër i bërë nga njeriu, Kurani është i këndshëm për t’u lexuar përsëri e përsëri, pafundësisht.

Strofat 17, 22, 32 dhe 40 në Suren 54 e përsërisin se Kurani u bë i lehtë për t’u mësuar. Siç rezulton, teksti arab i Kuranit është përbërë në atë mënyrë që t’ia kujtojë lexuesit apo atij që e mëson përmendsh shprehjen e ardhshme të saktë, apo strofën e ardhshme. Zoti na krijoi dhe Ai e di mënyrën më efikase për t’i ngulitur materialet letrare në kujtesën tonë. Mësimi përmendsh i Kuranit ka luajtur një rol jetik në ruajtjen e tekstit origjinal brez pas brezi, në një kohë kur librat e shkruar ishin të rrallë.

Pa e kuptuar as vetë, personi që e mëson përmendsh Kuranin ndihmohet hyjnisht nga një sistem i ndërlikuar letrar ndërsa i shqipton tingujt e fjalëve kuranore. Pothuajse çdo strofë në Kuran përmban atë që mund ta quajmë “Zile kujtese”. Funksioni i tyre është t’ia kujtojnë lexuesit se çka vjen më pas. Ky sistem është shumë i gjerë, por më lejoni të jap vetëm dy shembuj ilustrues:

  1. Në Suren 2, Strofat 127, 128 dhe 129 përfundojnë secila me dy emra të ndryshëm të Zotit. Këto çifte emrash janë “Es-Semi‘ul-‘Alim (Dëgjuesi, i Gjithëdijshmi)”, “Et-Teuuabur-Rahim (Shpëtimtari, Mëshirëploti)” dhe “El-‘Azizul-Hakim (i Gjithëfuqishmi, më i Urti)”, përkatësisht. Sikur ky të ishte një libër i zakonshëm, dikush do t’i ngatërronte lehtë këta gjashtë emra. Jo kështu në Kuran. Secilit prej këtyre çifteve i paraprin në të njëjtën strofë një “Zile kujtese” që na e kujton çiftin e saktë të emrave. Kështu, Strofa 127 flet për Ibrahimin dhe Ismailin që i ngritën themelet e Qabes. Strofa përfundon me emrat “Es-Semi‘ul-‘Alim.” Tingujt e theksuar këtu janë “S”, “M” dhe “ ‘Ajn”. Këto tri shkronja janë të theksuara në fjalën “Ismail”. Gjejmë se kjo fjalë vonohet dukshëm në fjali, ndërsa e përmirëson cilësinë e saj letrare. Kështu, gjejmë se strofa shkon kështu: “Kur Ibrahimi i ngriti themelet e Qabes, së bashku me Ismailin …” Normalisht, një shkrimtar njerëzor do të thoshte: “Kur Ibrahimi dhe Ismaili i ngritën themelet e Qabes…” Por vonimi i tingujve në “Ismail” i afron ata më pranë fundit të strofës, dhe kështu na kujton se emrat e saktë të Zotit në këtë strofë janë “Es-Semi‘ul-‘Alim.” Strofa 128 e ka fjalën e theksuar “Tub” pikërisht para emrave “Et-Teuuabur-Rahim.” Fjala “Tub” kështu shërben si zile kujtese. Emrat e Zotit në fund të 2:129 janë “Aziz, Hakim.” Tingujt e theksuar këtu janë “Z” dhe “K”. Qartazi, zilja e kujtesës në këtë strofë është fjala “Juzek-kihim”
  1. Një shembull tjetër i mirë gjendet në 3:176, 177, & 178, ku ndëshkimi për mosbesimtarët përshkruhet si “ ‘Azim (i Tmerrshëm)”, “Elim (i Dhimbshëm)” dhe “Muhin (Poshtërues)”, përkatësisht. Në një libër të bërë nga njeriu, ai që e mëson përmendsh mund t’i ngatërronte lehtë këto tri përshkrime. Por gjejmë se secilit prej këtyre mbiemrave i paraprijnë zile të fuqishme kujtese që e parandalojnë një ngatërrim të tillë. Fjalës “ ‘Azim” të Strofës 176 i paraprin fjala “Huzzun”, e cila karakterizohet nga një shkronjë “Z” e theksuar. Kjo shërben për të na e kujtuar mbiemrin e veçantë në fund të kësaj strofe. Fjalës “Elim” të Strofës 177 i paraprin tingulli i fjalës “Iman” për të shërbyer si zile kujtese, dhe fjalës “Muhin” të 3:178 i paraprin një bollëk “M”-sh dhe “H”-sh në tërë këtë strofë.

Dhe ka shumë më tepër shembuj të ngjashëm.

 

Predikim i së Premtes bazuar në Shtojcën 3 të Përkthimit të Autorizuar Anglisht të Kuranit nga Rashad Khalifa (1989)

Pse u krijuam?

Përmbledhje:

Bazuar në Shtojcën 7 të Përkthimit të Autorizuar Anglisht të Kuranit nga Rashad Khalifa, ky predikim shpjegon se ne jemi në këtë botë për shkak të një krimi të kryer në Shoqërinë Qiellore, kur Dreqi e sfidoi autoritetin absolut të Zotit, dhe se kjo jetë është shansi ynë për ta shpenguar veten duke e mbështetur autoritetin e Zotit.

Transkripti i videos:

Lavdi Zotit! Nuk ka zot tjetër përveç Zotit.

Ne jemi në këtë botë sepse kryem një krim të tmerrshëm, dhe kjo jetë është shansi ynë për ta shpenguar veten, për ta mohuar krimin tonë dhe për t’iu ribashkuar mbretërisë së Zotit.

Gjithçka filloi disa miliardë vjet më parë kur “lindi një grindje në Shoqërinë Qiellore” (38:69). Njëra nga krijesat e rangut të lartë, Dreqi, ushqeu mendime mendjemadhe se fuqitë e tij të dhëna nga Zoti e kualifikonin të ishte zot përveç Zotit. Kështu ai e sfidoi autoritetin absolut të Zotit.

Në kapitullin 14, vargjet 13 deri në 15, të librit të Isaisë, lexojmë: “Ti, Lucifer, the në zemrën tënde: ‘Do të ngjitem në qiej. Mbi yjet e Zotit do ta ngre fronin tim. Do të ulem në Malin e Kuvendit, në skajet e Veriut. Do të ngjitem mbi majat e reve; do të jem si i Shumëlarti!’”

Gjithashtu, në kapitujt 4 të Mateut dhe të Lukës, lexojmë: “Djalli pastaj e mori Isain në një mal shumë të lartë dhe i shfaqi të gjitha mbretëritë e botës në madhështinë e tyre, duke i premtuar: ‘Të gjitha këto do të t’i jap nëse bie përmbys në nderim para meje.’ Atëherë Isai i tha: ‘Largohu, Satan! Shkrimi thotë: ‘Ta adhurosh Zotin, Zotin tënd; VETËM Atë do ta adhurosh.’’”

Pra, jo vetëm që ideja e Dreqit ishte blasfemuese, ajo ishte e gabuar – vetëm Zoti, e askush tjetër, i ka kualifikimet dhe aftësinë për të qenë zot. Si pasojë e blasfemisë së Dreqit, ndodhi një ndarje në Shoqërinë Qiellore, dhe të gjithë përbërësit e mbretërisë së Zotit u klasifikuan në katër kategori:

  1. Engjëjt: Krijesat që e mbështetën autoritetin absolut të Zotit.
  2. Kafshët: Krijesat që u rebeluan, por pastaj e pranuan ftesën e Zotit për t’u penduar.
  3. Xhindët: Krijesat që u pajtuan me Dreqin; se ai është i aftë të jetë “zot”.
  4. Njerëzit: Krijesat që nuk e vendosën mendjen; ata dështuan të mbanin qëndrim të prerë me autoritetin absolut të Zotit.

 

Më i Mëshirshmi

Engjëjt prisnin që Zoti t’i dëbonte krijesat që nuk e mbështetën autoritetin e Tij absolut (2:30). Por Zoti është Më i Mëshirshmi; Ai vendosi të na japë një shans për ta mohuar gabimin tonë, dhe i informoi engjëjt se Ai e dinte atë që ata nuk e dinin (2:30). Zoti e dinte se disa krijesa e meritonin një shans për t’u shpenguar.

Nëse pretendoni se keni aftësinë të fluturoni me aeroplan, mënyra më e mirë për ta testuar pretendimin tuaj është t’ju japin një aeroplan dhe t’ju kërkojnë ta fluturoni. Pikërisht këtë vendosi të bënte Zoti në përgjigje të pretendimit të Dreqit. Zoti krijoi shtatë universe të mëdha, pastaj i informoi engjëjt se po e caktonte Dreqin si zot në grimcën e vogël të quajtur “Tokë” (2:30). Rrëfimet kuranore që lidhen me caktimin e Dreqit si “zot” të përkohshëm (36:60) e konfirmojnë shkrimin e mëparshëm.

Plani i Zotit parashikonte krijimin e vdekjes (67:1-2), pastaj sjelljen e njerëzve dhe xhindëve në këtë botë. Kështu, ata fillojnë nga e para pa asnjë paragjykim, dhe e ushtrojnë lirinë e plotë për ta mbështetur autoritetin absolut të Zotit apo teorinë politeiste të Dreqit. Për ta marrë këtë vendim vendimtar, çdo qenie njerëzore merr një mesazh nga Zoti që e mbron autoritetin e Tij absolut, si edhe një mesazh nga Dreqi që i shtyn parimet e tij politeiste.

Për të na dhënë një përparësi në fillim, Më i Mëshirshmi i mblodhi të gjitha qeniet njerëzore para Tij, para se të na dërgonte në këtë botë, dhe ne dëshmuam se vetëm Ai është Zoti dhe Zotëruesi ynë (7:172). Kështu, mbështetja e autoritetit absolut të Zotit është një instinkt natyror që është pjesë përbërëse e çdo qenieje njerëzore.

Pasi i vdiqën rebelët, shpirtrat e njerëzve dhe xhindëve u vendosën në një depo të veçantë. Zoti pastaj i krijoi trupat e përshtatshëm për t’i strehuar shpirtrat e xhindëve dhe njerëzve gjatë periudhës së testit. Trupi i parë i xhindit u bë nga zjarri, dhe Dreqi iu caktua atij trupi (15:27). Trupi i parë njerëzor u krijua nga materiali tokësor, balta (15:26), dhe Zoti ia caktoi shpirtin e parë njerëzor atij trupi. Plani hyjnor parashikonte që engjëjt t’u shërbenin njerëzve në tokë – t’i ruanin, t’ua drejtonin erën dhe shiun, t’ua shpërndanin furnizimet, etj. Ky fakt thuhet në Kuran në mënyrë alegorike: “Zoti yt u tha engjëjve: ‘Bini në sexhde para Ademit.’” Dreqi, sigurisht, refuzoi të kishte çfarëdo lidhjeje me shërbimin ndaj racës njerëzore (2:34, 7:11, 17:61, 18:50, 20:116).

Ndërsa trupi i Ademit mbeti në tokë, personi i vërtetë, shpirti, u pranua në Parajsë në universin më të jashtëm. Zoti i dha Ademit disa urdhërime, të përfaqësuara nga pema e ndaluar, dhe Dreqi u caktua si shoqërues i Ademit për t’ia dorëzuar Ademit mesazhin e tij djallëzor. Pjesa tjetër është histori.

Sa herë që lind një qenie njerëzore, një person njerëzor i caktohet foshnjës së re nga depoja e shpirtrave. Zoti i cakton shpirtrat në përputhje me dijen e Tij (28:68). Çdo shpirt meriton t’i caktohet një trupi të caktuar dhe të jetojë në rrethana të caktuara. Vetëm Zoti e di cilët shpirtra janë të mirë dhe cilët shpirtra janë të këqij. Fëmijët tanë u caktohen shtëpive tona në përputhje me planin e Zotit.

Një shpirt i pavarur xhindi i caktohet gjithashtu qenies së re njerëzore për ta përfaqësuar pikëpamjen e Dreqit. Ndërsa trupi fizik i çdo xhindi riprodhohet nga xhindët prindër, shpirti i xhindit është ai i një individi të pavarur. Xhindët janë pasardhës të Dreqit (7:27, 18:50). Xhindi i caktuar mbetet me qenien njerëzore nga lindja deri në vdekje, dhe shërben si dëshmitari kryesor në Ditën e Gjykimit (50:23). Një debat i vazhdueshëm zhvillohet në kokat tona mes shpirtit njerëzor dhe shpirtit të xhindit derisa të dy të binden për njërën pikëpamje.

 

Mëkati origjinal

Në kundërshtim me besimin e përgjithshëm, “Mëkati Origjinal” nuk ishte shkelja e ligjit të Zotit nga Ademi kur hëngri nga pema e ndaluar. Mëkati origjinal ishte dështimi ynë për ta mbështetur autoritetin absolut të Zotit gjatë Grindjes së Madhe. Nëse personi njerëzor e bind shoqëruesin e tij apo të saj xhind ta mohojë atë mëkat origjinal dhe ta mbështesë autoritetin absolut të Zotit, të dyja krijesat shpengohen në mbretërinë e përjetshme të Zotit në Ditën e Gjykimit. Por nëse shoqëruesi xhind e bind qenien njerëzore t’i mbështesë pikëpamjet idhujtare të Dreqit, atëherë të dyja krijesat dëbohen përgjithmonë nga mbretëria e Zotit.

Për ta promovuar pikëpamjen e tij, Dreqi dhe përfaqësuesit e tij e mbrojnë idhullimin e krijesave të tilla të pafuqishme si Muhamedi, Isai, Merjemja dhe shenjtorët. Meqë jemi këtu për shkak të prirjeve tona politeiste, shumica prej nesh jemi pre e lehtë për Dreqin.

Paaftësia e Dreqit si “zot” tashmë është dëshmuar nga përhapja e kaosit, sëmundjeve, aksidenteve, mjerimit dhe luftës në tërë sundimin e tij (36:66). Nga ana tjetër, qeniet njerëzore që e mohojnë Dreqin, e mbështetin autoritetin absolut të Zotit dhe përmbahen nga idhullimi i krijesave të pafuqishme dhe të vdekura si Isai dhe Muhamedi, rikthehen nën mbrojtjen e Zotit – ata e gëzojnë një jetë të përsosur këtu në këtë botë dhe përgjithmonë.

Meqë jeta jonë në këtë botë është një varg testesh të projektuara për t’i ekspozuar idetë tona politeiste, adhurimi i idhujve është e vetmja shkelje e pafalshme (4:48, 116). Bota është projektuar hyjnisht për ta shfaqur vendimin tonë për ta mbështetur ose autoritetin absolut të Zotit, ose pikëpamjet idhujtare të Dreqit (67:1-2). Dita dhe nata ndryshojnë vazhdimisht për ta testuar gatishmërinë tonë për t’i mbështetur ligjet e Zotit duke e kryer Lutjen e Agimit dhe duke agjëruar gjatë ditëve më të nxehta dhe më të gjata. Vetëm ata që janë plotësisht të sigurt për autoritetin absolut të Zotit shpengohen (26:89).

 

Predikim i së Premtes bazuar në Shtojcën 7 të Përkthimit të Autorizuar Anglisht të Kuranit nga Rashad Khalifa (1989)

Pse u shpall Kurani në arabisht?

 

Lavdi Zotit! Nuk ka zot tjetër përveç Zotit. Mësojmë nga 41:44 se besimtarët e sinqertë kanë qasje në Kuran, pavarësisht nga gjuha e tyre amtare. Mosbesimtarëve, nga ana tjetër, nuk u lejohet qasja në Kuran, edhe nëse janë profesorë të gjuhës arabe (17:45, 18:57, 41:44, & 56:79).

Arabishtja është gjuha më efikase në botë, veçanërisht kur vjen puna te formulimi i saktë i ligjeve. Meqë Kurani është Libër Ligjesh, ishte vendimtare që ligjet e tilla të formuloheshin qartë. Zoti e zgjodhi arabishten për Testamentin e Tij Përfundimtar për arsyen e qartë se ajo është gjuha më e përshtatshme për atë qëllim. Arabishtja është unike në efikasitetin dhe saktësinë e saj. Për shembull, fjala “they” (ata/ato) në anglisht nuk ju tregon nëse “they” janë meshkuj apo femra. Në arabisht ka një “ata” për meshkujt, “HUM”, dhe një “ato” për femrat, “HUNNE”. Ka madje një “ata” për dy meshkuj, “HUMA”, dhe një “ato” për dy femra, “HATANI”. Dhe përkthyesit e Kuranit përfundojnë duke e çmuar këtë efikasitet të gjuhës arabe, për shembull kur e përkthejnë strofën 2:228. Kjo strofë e urdhëron gruan e shkurorëzuar të heqë dorë nga dëshira e saj për t’u ndarë nga burri, nëse zbulon se është shtatzënë dhe burri dëshiron të pajtohet – mirëqenia e fëmijës merr përparësi në këtë rast. Efikasiteti i gjuhës arabe ishte jashtëzakonisht i dobishëm në formulimin e këtij ligji. Çdo gjuhë tjetër do ta kishte bërë pothuajse të pamundur të tregohej se dëshirat e kujt duhet të vihen në plan të dytë, të paktën jo me aq pak fjalë sa i shohim në strofën 2:228.

Fjala “Kaleta” e strofës 28:23, për shembull, përkthehet me katër fjalë në anglisht: “the two women said” (dy gratë thanë). Shihni sa efikase është gjuha arabe.

Një arsye tjetër e mundshme për zgjedhjen e arabishtes është fakti që “Ai” dhe “Ajo” nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht gjini natyrore. Kështu, kur i referohemi Zotit me “Ai”, kjo nuk nënkupton aspak gjini. I lartësuar qoftë Zoti; Ai nuk është as mashkull, as femër. Përdorimi i “He” (Ai) për t’iu referuar Zotit në gjuhën angleze, për shembull, ka kontribuar në një imazh të rremë të Zotit. Këtë nuk e ndihmuan shprehjet e shtrembëruara si “Atë” kur i referohen Zotit. Kurrë nuk e gjeni një referencë të tillë për Zotin në Kuran.

 

Predikim i së Premtes bazuar në Shtojcën 4 të Përkthimit të Autorizuar Anglisht të Kuranit nga Rashad Khalifa (1989)

Parajsa dhe Ferri

 

Lavdi Zotit! Nuk ka zot tjetër përveç Zotit. Përveç se janë fjalë për fjalë, përshkrimet e Parajsës dhe të Ferrit në tërë Kuranin janë edhe alegorike. Dhe Kurani na e thotë këtë sa herë që përshkrime të tilla ndodhin si deklarata të pavarura, jo brenda një teme të përgjithshme. Shihni për shembull strofat 2:24-26, 13:35 dhe 47:15. Fjala “Methel” (alegori) përdoret në këto strofa. Gjuhësisht, fjala “Methel” në këto strofa mund të hiqet, dhe prapë i kemi fjalitë e përsosura. Por ajo është aty sepse përshkrimet e Parajsës dhe të Ferrit janë alegorike.

Si janë vërtet Parajsa dhe Ferri është shumë përtej kuptimit tonë. Prandaj nevoja për alegori.

Si mund ta përshkruajë dikush, për shembull, shijen e çokollatës një personi që nuk e ka shijuar kurrë çokollatën? Do të duhet të përdoret alegoria. Personi duhet të presë ta shijojë vërtet çokollatën për ta ditur çfarë shije ka çokollata. Çfarëdo alegorie që të përdorim për ta përshkruar shijen e çokollatës kurrë nuk mund t’i afrohet gjësë së vërtetë.

Parajsa tashmë ekziston, meqë Ademi dhe Havaja u vendosën në të gjatë ditëve të pafajësisë së tyre (2:35). Mësojmë nga Sureja 55 se ka dy “Parajsa të Larta” – njëra për njerëzit dhe njëra për xhindët – dhe dy “Parajsa të Ulëta” – njëra për njerëzit dhe njëra për xhindët.

Ferri nuk është krijuar ende. Ai do të krijohet në Ditën e Gjykimit (69:17 & 89:23).

Ka dallime të thella mes Parajsës së Lartë dhe Parajsës së Ulët. Alegorikisht, Parajsa e Lartë ka lloj-lloj frutash (55:52), ndërsa Parajsa e Ulët ka një larmi të kufizuar frutash (55:68).

Alegorikisht, bashkëshortët e pastër u bashkohen menjëherë bashkëshortëve të tyre në Parajsën e Lartë (55:56), ndërsa banorët e Parajsës së Ulët duhet të shkojnë t’i marrin bashkëshortët e tyre (55:72).

E megjithatë, edhe Parajsa e Ulët është një çmim tepër i mrekullueshëm për ata që kanë fatin t’i shpëtojnë Ferrit dhe të përfundojnë në Parajsën e Ulët (3:185) – shkuarja në Parajsën e Ulët është triumf i madh. Njerëzit që e lënë këtë jetë para se ta mbushin ditëlindjen e 40-të, dhe nuk i zhvilluan mjaftueshëm shpirtrat e tyre, do të shkojnë në Parajsën e Ulët (46:15). Parajsa e Lartë është e rezervuar për ata që besuan, bënë një jetë të drejtë dhe i zhvilluan shpirtrat e tyre mjaftueshëm.

Sipas strofës 3:185: “Kushdo që ia del t’i shpëtojë mezi Ferrit, dhe pranohet në Parajsë, ka arritur një triumf të madh.”

 

Predikim i së Premtes bazuar në Shtojcën 5 të Përkthimit të Autorizuar Anglisht të Kuranit nga Rashad Khalifa (1989)

Madhështia e Zotit

 

Lavdi Zotit! Nuk ka zot tjetër përveç Zotit.

Mësojmë nga Strofa 39:67 se madhështia e Zotit është shumë përtej kuptimit njerëzor – strofa thotë se të shtatë universet janë “të palosura brenda dorës së Zotit”.

Na mësohet në Kuran se universi ynë është më i vogli dhe më i brendshmi nga shtatë universe (41:12, 55:33, 67:5, & 72:8-12). Ndërkohë, përparimet tona shkencore na kanë treguar se galaktika jonë, Rruga e Qumështit, është 100.000 vite drite e gjerë, dhe se universi ynë përmban një miliard galaktika të tilla dhe një miliard trilionë yje, plus decilionë të panumërt trupash qiellorë. Universi ynë vlerësohet të shtrihet rreth 93 miliardë vite drite.

Nëse marrim vetëm një kuintilion [1.000.000.000.000.000.000] nga yjet dhe thjesht i numërojmë [nga 0 deri në kuintilion] një numër në sekondë, ditë e natë, kjo do të zgjasë 32 miliardë vjet (më shumë se mosha e universit). Kaq kohë do të duhej vetëm për t’i “numëruar”; por Zoti i “krijoi”. E tillë është madhështia e Zotit.

Mund ta çmojmë pafundësinë e universit tonë nëse imagjinojmë të shkojmë në një odise hapësinore. Kur largohemi nga planeti Tokë drejt diellit, me shpejtësinë e dritës, e arrijmë diellin pas 93.000.000 miljesh dhe 8 minutash. Do të na duhen më shumë se 50.000 vjet me shpejtësinë e dritës për të dalë nga galaktika jonë. Nga kufiri i jashtëm i Rrugës së Qumështit, planeti ynë Tokë është i padukshëm. As teleskopi më i fuqishëm nuk mund ta dallojë “Tokën” tonë të vogël.

Duhet të kalojmë më shumë se 2.000.000 vjet me shpejtësinë e dritës për ta arritur galaktikën fqinje. Të paktën 10.000.000.000 vjet, me shpejtësinë e dritës, duhet të kalohen për ta arritur kufirin e jashtëm të universit tonë. Nga kufiri i jashtëm i universit tonë, madje edhe Rruga e Qumështit është si një grimcë pluhuri në një dhomë të madhe.

Universi i dytë e rrethon universin tonë. Universi i tretë është më i madh se i dyti, e kështu me radhë. Më saktë, universi ynë duhet të konsiderohet universi i shtatë, i rrethuar nga universi i gjashtë, i cili rrethohet nga universi i pestë, e kështu me radhë. A mund ta imagjinoni pafundësinë e universit të parë, më të jashtmit?

Nuk ekziston asnjë numër për ta përshkruar perimetrin e universit të parë. Kjo pafundësi e pakuptueshme është “brenda grushtit të dorës së Zotit”. Nga kufiri i jashtëm i universit më të jashtëm, ku është planeti Tokë? Sa i rëndësishëm është? Në atë grimcë infinitezimale të quajtur Tokë, jetuan krijesa kaq të imëta si Merjemja, Isai dhe Muhamedi. E megjithatë, disa njerëz i vendosin këta njerëz të pafuqishëm si zota!

Madhështia e Zotit përfaqësohet jo vetëm nga fakti që Ai i mban shtatë universet në dorën e Tij, por edhe nga fakti që Ai e kontrollon plotësisht çdo atom, madje edhe përbërësit nënatomikë, kudo në universin më të madh (6:59, 10:61, & 34:3).

 

Predikim i së Premtes bazuar në Shtojcën 6 të Përkthimit të Autorizuar Anglisht të Kuranit nga Rashad Khalifa (1989)

Miti i ndërmjetësimit

 

Lavdi Zotit! Nuk ka zot tjetër përveç Zotit.

Të besosh se dikush tjetër, përveç Zotit, mund të ndërmjetësojë në emrin tonë që të na falen mëkatet apo të na plotësohen dëshirat, do të thotë t’i vësh ortakë Zotit. Kjo është idhujtari. Kurani shpall se “I gjithë ndërmjetësimi i takon Zotit” (39:44), dhe se nuk do të ketë “asnjë ndërmjetësim në Ditën e Gjykimit” (2:254).

Miti i ndërmjetësimit është njëra nga dredhitë më efikase të Dreqit për t’i mashtruar miliona njerëz në adhurim idhujsh. Miliona të krishterë besojnë se Isai do të ndërmjetësojë për ta te Zoti, dhe miliona myslimanë besojnë se Muhamedi do të ndërmjetësojë në emrin e tyre. Si pasojë, këta njerëz e idhullojnë Isain dhe Muhamedin.

Koncepti i ndërmjetësimit është krejtësisht i palogjikshëm. Ata që besojnë në ndërmjetësimin e Muhamedit, për shembull, pretendojnë se ai do t’i kërkojë Zotit t’i falë dhe t’i pranojë në Parajsë. Ata e imagjinojnë Muhamedin në Ditën e Gjykimit duke i zgjedhur kandidatët për ndërmjetësimin e tij. Nëse i pyesni ata që besojnë në ndërmjetësim: “Si do t’i njohë Muhamedi ata që e meritojnë ndërmjetësimin e tij?” ata ju thonë: “Zoti do t’ia tregojë!” Sipas këtij koncepti, një person do të shkojë te Muhamedi dhe do t’ia kërkojë ndërmjetësimin. Muhamedi pastaj do ta pyesë Zotin nëse ky person e meriton ndërmjetësimin e tij apo jo. Zoti do ta informojë Muhamedin se personi meriton të shkojë në Parajsë. Muhamedi pastaj do të kthehet dhe do t’i thotë Zotit se personi meriton të shkojë në Parajsë! Blasfemia është e qartë; ata që besojnë në ndërmjetësim e bëjnë Zotin sekretar të idhullit të tyre Muhamedit. I lartësuar qoftë Zoti.

Meqë Kurani është libri më i saktë, ai e pranon se secili në Parajsë do të ndërmjetësojë në emër të të dashurve të tij apo të saj: “Të lutem, o Zot, pranoje nënën time në Parajsë.” Ky ndërmjetësim do të funksionojë nëse nëna e personit meriton të shkojë në Parajsë (2:255, 20:109, 21:28). Kështu, ndërmjetësimi, edhe pse do të ndodhë në këtë mënyrë, është krejtësisht i kotë.

Mësojmë nga Kurani se Ibrahimi, robi i dashur i Zotit, nuk mundi të ndërmjetësonte në emër të babait të tij (9:114). Nuhu nuk mundi të ndërmjetësonte në emër të djalit të tij (11:46). Muhamedi nuk mundi të ndërmjetësonte në emër të xhaxhait të tij (111:1-3) apo të të afërmve (9:80). Çka e bën dikë të mendojë se një profet apo një shenjtor do të ndërmjetësojë në emër të një të huaji të plotë?! Shihni strofat 2:48, 123; 6:51, 70, 94; 7:53; 10:3; 19:87; 26:100; 30:13; 32:4; 36:23; 39:44; 40:18; 43:86; 53:26 & 74:48. “Ndërmjetësimi” i Muhamedit është në strofën 25:30, e cila thotë: “I dërguari tha: ‘Zoti im, populli im e ka braktisur këtë Kuran.’”

 

Predikim i së Premtes bazuar në Shtojcën 8 të Përkthimit të Autorizuar Anglisht të Kuranit nga Rashad Khalifa (1989)

Ibrahimi: i Dërguari origjinal i Islamit

 

Lavdi Zotit! Nuk ka zot tjetër përveç Zotit.

Njëri nga mitet e përhapura është se Muhamedi ishte themeluesi i Islamit.

Edhe pse Islami, nënshtrimi i plotë ndaj vetëm Zotit, është e vetmja fe e njohur nga Zoti që nga koha e Ademit (3:19, 85), Ibrahimi raportohet në Kuran si përdoruesi i parë i fjalës “Islam” (Nënshtrim) dhe ai që na quajti “Myslimanë”, d.m.th. të Nënshtruar (22:78). Nënshtrimi shembullor i Ibrahimit ndaj Zotit demonstrohet nga gatishmëria e tij e famshme për ta flijuar djalin e tij të vetëm, Ismailin, kur mendoi se ai ishte urdhri i Zotit. Siç rezulton, një urdhër i tillë në fakt ishte nga Dreqi.

Zoti kurrë nuk e urdhëroi Ibrahimin ta flijonte djalin e tij

Zoti është Më i Mëshirshmi. Ai kurrë nuk e shkel ligjin e Tij (7:28). Çdo person që beson se Më i Mëshirshmi e urdhëroi Ibrahimin ta vriste djalin e tij nuk mund ta arrijë kurrë Parajsën e Zotit. Një mendim i tillë i keq për Zotin është rëndë blasfemues. Askund në Kuran nuk shohim se Zoti e urdhëroi Ibrahimin ta vriste djalin e tij. Përkundrazi, Zoti ndërhyri për t’i shpëtuar Ibrahimin dhe Ismailin nga komploti i Dreqit (37:107), dhe i tha Ibrahimit: “Ti i besove ëndrrës” (37:105). Pa dyshim, ishte një ëndërr e frymëzuar nga Dreqi. Ligji i pakthyeshëm i Zotit është: “Zoti kurrë nuk e mbron mëkatin” (7:28).

Mil-letu Ibrahim

Islami quhet “Mil-letu Ibrahim” (Feja e Ibrahimit) në tërë Kuranin (2:130, 135; 3:95; 4:125; 6:161; 12:37-38; 16:123; 21:73; 22:78). Për më tepër, Kurani na informon se Muhamedi ishte ndjekës i Ibrahimit (16:123).

Për shkak të mosnjohjes së përgjithshme të faktit se Ibrahimi ishte i dërguari origjinal i Islamit, shumë të ashtuquajtur myslimanë e sfidojnë Zotin: “Nëse Kurani është i plotë dhe plotësisht i detajuar (siç pretendon Zoti), ku mund ta gjejmë numrin e Reqateve (njësive) në secilën lutje të kontaktit (Salat)?” Mësojmë nga Kurani se të gjitha praktikat fetare të Islamit (Nënshtrimit) ishin themeluar tashmë para shpalljes së Kuranit (8:35, 9:54, 16:123, 21:73, 22:27, 28:27). Strofa 16:123 është dëshmi e drejtpërdrejtë se të gjitha praktikat fetare në Islam ishin të paprekura kur lindi Muhamedi. Muhamedi u urdhërua ta “ndiqte fenë e Ibrahimit”. Nëse ju kërkoj të blini një televizor me ngjyra, supozohet se e dini çka është televizori me ngjyra. Po ashtu, kur Zoti e urdhëroi Muhamedin t’i ndiqte praktikat e Ibrahimit (16:123), praktika të tilla duhet të kenë qenë mirë të njohura.

Një dëshmi tjetër e ruajtjes hyjnore të praktikave islame që iu dhanë Ibrahimit është “Pranimi Universal” i praktikave të tilla. Nuk ka mosmarrëveshje lidhur me numrin e Reqateve në të pesë lutjet ditore. Kjo e dëshmon ruajtjen hyjnore të Salatit. Kodi matematikor i Kuranit e konfirmon numrin e Reqateve në pesë lutjet 2, 4, 4, 3 dhe 4, përkatësisht. Numri 24434 është shumëfish i 19-ës.

Kurani merret vetëm me praktikat që u shtrembëruan. Për shembull, abdesi i shtrembëruar rikthehet në 5:6 në katër hapat e tij origjinalë. Toni i zërit gjatë lutjeve të kontaktit (Salatit) u shtrembërua – shumë myslimanë luten në heshtje. Kjo u korrigjua në Kuran, 17:110. Agjërimi gjatë Ramazanit u modifikua në Kuran për t’i lejuar marrëdhëniet intime gjatë natës (2:187).

 

Predikim i së Premtes bazuar në Shtojcën 9 të Përkthimit të Autorizuar Anglisht të Kuranit nga Rashad Khalifa (1989)